E marte, 16.04.2024, 08:20 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Si qëmoti

E shtune, 12.09.2020, 05:00 PM


Si qëmoti

Nga Edison Ypi

Kush kapet duke e pritur të dashurën me kufje në vesh ose duke shkruar mesazhe në celular, dënohet 7 vjet burg pa të drejtë apelimi.

Selfiet dënohen me rjepje lëkure, varje në litar, ose pushkatim në vend pa gjyq.

Udhëtimet bëhen vetëm me tren me qymur me lokomotivë të zezë që bën çuf-çuf. Treni ndalon në çdo stacion. Pamja e stacionit kur treni ka ikur është një rrënqethje estetike e pakonkurueshme. Më të shijshmit e stacioneve janë ata ku as hypën as zbret kush. Të vetmet përshëndetje lamtumire që lejohen në stacionet e trenave janë ato me psherëtima, shami', lot.

Romanet shkruhen me penë e bojë dhe lexohen ulur në karrike pranë dritares me vështrimin larg dhe një gotë verë në pravaz. Nuk është roman i mirë kur ai i thotë asaj “Të dua pafund”, se s'ka as kuptim, por “Të dua më tepër se beduini pikën e ujit” ose “Të dua më tepër se Leonardo proporcionalitetin”.

Autorët që eksperimentojnë “forma të reja” të shkruari shkohen në hell.

Ndalohet të shohësh më tepër se 1 film në javë. Kurrë në televizor. Vetëm në kinema. Kush kapet duke parë film në kompjuter, shpallet budalla dhe dërgohet në çmendinë.

Përveç avullit, korentit, barutit, synetllëkut, mbathjeve të mëndafshta të femrave, kush tenton të shpiki kollajllëqe që ngathtësojnë trupin dhe mpijnë trurin, si për shembull kolltuqe të rehatëshme, dyshekë të butë, jorganë të ngrohtë, thekse buke, qëruese patatesh, dënohet me internim të përjetshëm prapa maleve.

Makina ndizet me manovelë. Ndenjëset jenë të ngurta. Xhamat ulen e ngrihen me një rrip. Motori bën zhurmë sikur thyen arra. Makina nxjerr nga pas pak tym.

Lavatriçja mund të vazhdojë të ekzistojë, por e thjeshtë, pa ndërlikime elektronike.

Frigoriferin lejohet ta përdorin si mjet eutanasik ata që me vullnetin e vet duan të vdesin.

Ndalohet përdorimi i ashensorit si mjet që favorizon ngathtësinë dhe dhjamosjen.

Kondicionerët e ajrit të shpallen “Armik i Shëndetit të Popullit”. Asgjësimi i kondicionerëve me çdo mjet dhe mënyrë të shpallet detyrë patriotike.

Pse bëhet lufta, s'ka pse ta dijë ushtari, e di vetëm gjenerali.

Ushtari lejohet të mbajë me vete fotografinë e të dashurës. Nëse të dashur nuk ka, mund të mbajë fotografinë e nënës, por jo shoqëruar me vargjet e Eseninit. Ushtari i plagosur mund të dashurohet me infermieren që i lidh plagët.

Mosmarrveshjet mes burrave nuk zgjidhen me llogje kavaje por me duel si nëpër romane.

Për habere të ngutëshme dërgohen dhe merren vetëm telegrame. Për komunikime të gjata, përdoret letër e shkruar me penë e bojë mbyllur në zarf që laget me gjuhë, ngjitet me tutkall. Mbi zarf, adresë, pullë, kuti postare, heshtje, pritje, ankth.

Televizori nuk është për filma por për habere. Filmi shihet në kinema rradha kaq karrikja aq. Filmi ka femra të bukura vetëm sipas përcaktimit të Gina Lollobrigita-s; “Femër e bukur nuk është ajo që bëhet aq më tepër joshëse sa më tepër çvishet, por ajo që bëhet aq më tepër ndjellëse sa më tepër vishet”.

Po qe se televizioni ka më tepër personazhe të ftohtë e të famshëm se të ngrohtë e të dashur, hidhe në plehra.

Jo më pak se dhjetë vite burg për cilindo që nuk jeton si qëmoti dhe ankohet se i rrjedhin qurrat, e zë gripi, i dhemb mesi, i dhemb koka, mezi i del kaka.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora