E premte, 29.03.2024, 02:53 PM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: 'Me kombin nuk bëhet demagogji'

E hene, 07.09.2020, 03:41 PM


“Me kombin nuk bëhet demagogji...”

Nga Ndue Ukaj

Duke i lexuar interpretimet e shkreta politike që bëhen ndër shqiptarë rreth marrëveshjes që u nënshkrua këto ditë në Shtëpinë e Bardhë - në shtëpinë më të fuqishme politike në botë - m’u ndërmend një intervistë e Ibrahim Rugovës,  e vitit 1991, dhënë gazetës Ora, ku ai thoshte:

“Ne me kombin dhe me çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë demagogji, siç bënin komunistët: kur u duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e shkatërronin. Çdo parti dhe çdo individ duhet ta dijë se cili është interesi kombëtar, dhe jo ta denigrojë palën, individin, partinë tjetër në emër të interesit kombëtar, por të kontribuojë për interesin kombëtar, të shfaqë idenë rreth këtij interesi dhe të angazhohet konkretisht për të.”

Demagogjia me kombin vazhdon, ndaj Rugova na flet edhe sot, për shumë çështje të hapura politike, për natyrën e politikës, identitetin kombëtar dhe interesat kombëtare në rrjedhat globale.  Kështu, mendimet e tij politike janë dritëdhënëse për të krijuar kulturë politike.

Si nxënës të këqij të historisë, ne kemi ngelur prapa në shumë procese dhe tani, ndonëse Amerika dhe Europa janë me ne dhe këtë gjë e kemi provuar, ne vazhdojmë të çirremi dhe të krijojmë atmosferë të rëndë kombëtare, duke tentuar mjerueshëm të hedhim hije të zeza mbi këto raporte.  Krejt kjo bëhet për shkak të inateve, trilleve dhe intrigave të brendshme dhe natyrisht të mungesës së theksuar të kulturës politike.

Kurse, kur jemi të kriza identitare dhe çështja e religjionit, për çka po bëhet zhurmë këto ditë, përsëri Rugova na flet dhe na ngroh si diell. Ai nuk kishte dilema e as kriza identitare, siç kanë demonstruar shumë politikanë shqiptarë gjatë viteve të fundit, që zgjoheshin si perëndimorë, bënin jetë ditore si orientalë dhe binin në gjumë si kozmopolitë.

Rugova ishte oksidental dhe postulate themelor politik dhe kulturor i tij ishte oksidentalizmi, ndaj ai nuk rropatej e as nuk tundej nga erëra të lehta.

"Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje."

(Ibrahim Rugova, 14, gusht 1991)

Ne kemi sendërtuar shumë aspirata politike, por pak mendojmë politikisht kur bëhet fjalë për interesa kombëtare. Mjerisht, për shumë shqiptarë, patriotizmi është turp, ndërkaq, për Rugovën ishte virtyt dhe virtyt e konsiderojnë thuajse të gjithë popujt e emancipuar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora