E enjte, 28.03.2024, 04:21 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Një ditë me ‘’Marigonë Shqiptare’’ në Norvegji

E diele, 06.09.2020, 10:39 AM


NJË DITË ME “MARIGONË SHQIPTARE” NË NORVEGJI

Emine S. Hoti në penën e shkrimtarit Viron Kona

Nga Kadri Tarelli

Kisha kohë që e prisja librin “Një ditë me Marigonë”, jo për të njohur përmbajtjen, pas e kam lexuar që në dorëshkrim, por thjesht si ka dalë nga shtypi, si duken fotografitë, ballina në fillim dhe në fund, etj, etj, vogëlsira që i duhen një libri për t’u pëlqyer nga lexuesi që në shikim të parë. Ishin dhe janë kushtet e karantinës nga gripi “Covid 19”, që po na pengon të lëvizim lirshëm dhe të takohemi me miq e shokë.

Në rastin më të parë të vizitës në Durrës, në javën e parë të gushtit 2020, autori Viron Kona, më dhuroi librin: “Një ditë me Marigonë”. U mrekullova nga paraqitja e bukur dhe e plotë, ku edhe fotografitë ishin me ngjyra. Sot, teknologjia i realizon të gjitha kërkesat. E rrotullova disa herë nëpër duar dhe pasi u kënaqa fillova ta shfletoj, për t’u ngulur në çastin më të parë, kur të jem i ngeshëm. Gjithsesi e rëndësishme për cilindo lexues, është përmbajtja, mendimi i thellë dhe kumti që përcjell, por më duhet të shtoj, se ka një përputhje mes formës dhe përmbajtjes, gjë që e bën librin të këndshëm në të lexuar dhe të dobishëm në përdorim.

Që në fillim duhet thënë, guximi dhe përkushtimi i autorit Viron Kona, për ta nisur dhe bitisur këtë libër, që ka të bëjë me një veprimtari, përurim i librit “Marigoja shqiptare në Norvegji”, kushtuar shqiptares nga Kosova, që prej disa vitesh banon në Norvegji. Ishte një kuvend letrar i organizuar në Tiranë, ku merrnin pjesë akademikë, shkrimtarë, gazetarë, historianë, mësues, etnografë, mjekë, sociologë, mjekë, intelektualë, pedagogë, krijues e studiues dhe dashamirë të letrave shqipe, disa të ardhur posaçërisht nga rrethet Durrës, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Tropojë, Krujë, Kavajë, mes tyre edhe nga Kosova, Suedia, Norvegjia, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Në këtë rast besoj se cilit do shqiptari i shkojnë përshtat fjalët e presidentit Amerikan Xhon F. Kenedi, kur thotë: “Mos pyet ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet se ç’mund të bësh ti për atdheun”.

Këtu qëndron dobia dhe bukuria më e madhe e këtij kuvendi shqiptarësh, më duhet të shtoj se këtu qëndron edhe vlera e madhështia, pasi, si rrallë herë u bëmë bashkë, shqiptarë nga të gjitha trevat, por edhe nga mërgata e shpërndarë anë e kënd botës. Kjo veprimtari dëshmon se shpesh herë, atë që nuk e bëjnë dot institucionet shtetërore, e bëjnë më së miri individë dhe grupe individësh. Ndaj meritojnë nderim e mirënjohje, sepse secili vendos një gur në ngrehinën madhore të kombit. Mendoj se Shenjtorja jonë shqiptare Nënë Tereza, më shumë për ne i thotë këto fjalë, si porosi hyjnore: “Unë vetëm nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë për të krijuar shumë valëzime”.

Edhe sot që po shkruaj këto pak radhë, përjetoj emocione për atë takim të ujdisur aq bukur, ku fjala shqipe për veprimtarët e shqipes, ishte e fuqishme, e ngrohtë dhe frymëzuese. Dikush mund të thotë, se po e teproj pak. Nuk e kundërshtoj, sepse duken si përjetime çasti, por kur shikoj në libër emrat dhe shkrimet e atyre që morrin pjesë, që përshëndetën, që folën apo duartrokitën, nuk pendohem. Vetë libri është një përjetim, ku në çdo faqe janë mbledhur me dhjetëra përjetime, disa herë me frymëzim e disa herë me drithërima kënaqësie dhe madhështie. Bota shqiptare përpiqet të tregojë e të mbrojë vlerat më të mira, të karakterit, forcës, bukurisë,  qëndrueshmërisë, të kulturës dhe gjuhës, si pasuri shpirtërore. Gjykoni vetë: Një libër për një takim rreth dy orësh. Ndaj shtoj pyetjen, që mund ta bëjnë të gjithë: Është vërtet çudi….?

Pak më sipër thashë fjalën “Guxim” për autorin Viron Kona, më shumë për ata që nuk e njohin sa duhet, kur kujtoj fjalët e thëna kohë më parë: “Do të jem i qetë, kur të plotësoj së shkruari dhe të botoj 100 libra”, kur dihet se botuar rreth 60, disa të vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare, disa të përkthyera në disa gjuhë të huaja, madje edhe ne suedisht.

Në gjykim të parë, duket si një punë e lehtë të hartosh dhe të botosh një libër të tillë, brenda një kohe të shkurtër, vetëm pak muaj nga nëntori, mesi i vjeshtës së tretë, 2019. Me një gjykim të lehtë, duket se mjafton të mbledhësh fletët e fjalimeve, dhe kaq. Po a mund të bëhet libër me pesë, gjashtë, apo shtatë referate të shkruara? Po shumë të tjerë që folën pa letër, ashtu siç i erdhën mendimet dhe përjetimet e këtij takimi. Mes nesh pati edhe shumë të tjerë që nuk mundën të flasin, veç përgëzuan dhe adhuruan veprën e “heroinës” Emine Hoti, të pagëzuar nga Viron Kona, “Marigoja shqiptare në Norvegj”.

Vepra e saj duket e thjeshtë në pamje, si vetë shpirti i “Çikës dardane”. Ajo veç disa librave me poezi dhe prozë, ka zgjedhur një tjetër udhë për të treguar shqiptarinë e saj: Qëndisjen e Flamurit Kombëtar, por edhe prerja dhe qepja e kostumeve kombëtare, për t’ua dhuruar fëmijëve në disa vende të botës, si Norvegji, Suedi, Itali, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, etj.

Më duhet të përmend një vazhdimësi të kësaj veprimtarie edhe në ditë tona: Më 16 gusht 2020, në shkollën “Vëllazërimi” në fshatin Babru-fushë, të Tiranës, drejtoresha Merita Prenga mori në dorëzim disa kostume popullore për fëmijë, të dhuruara nga znj. Emine Hoti. Në këtë hulli dhuratash nuk kanë shpëtuar edhe të rriturit, mes tyre edhe burra dhe zonja të nderuara, të cilët ndjehen krenarë me veshjet e bukura shqiptare. Për kërshëri, po përmend dy emra të nderuar:

Së pari, znj. Ida Legnemark, ish kryetare e bashkie në Boras, (qytet në Suedi), shfaqi dëshirën që të vinte në festival me kostum tradicional Shqiptar, të cilin e mbajti veshur gjatë gjithë veprimtarisë. Po kështu edhe albanologu i njohur suedez Ullmar Qvick (Kvik), “Mik i madh i shqiptarëve”, që ashtu i veshur shqiptarisht, qëndroi gjithë kohës mes shqiptarëve, madje edhe gjatë intervistës.

Do desha të gaboj, por kam përshtypjen se ky veprim i “Marigosë” sonë është i rrallë, ndaj në një shkrim timin të një dy viteve më parë, citoj: “A mund ta quajmë këtë zonjë të nderuar një misionare të shqiptarizmit? Ç’ bëjnë më shumë misionarët, si shërbestarë të zotit? A është shqiptarizmi më i larti besim ndaj kombit?”. Libri “Marigoja shqiptare në Norvegji”.

Ne vërtet u mblodhëm për znj. Emine Hoti, por në nderim të saj dhe vepërs së saj, ishin edhe bashkë-atdhetarë mërgimtarë të tjerë, një “Yllësi” personalitetesh të arsimit dhe letrave shqipe në Suedi, si Sadulla Zendeli-Daja, autor i disa fjalorëve dy gjuhësh, Suedisht-Shqip dhe disa librave në prozë dhe poezi. Bashkë me të edhe Sokol Demaku nga Drenica, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, përkthyes, poet, shkrimtar, drejtues i radio-televizionit në gjuhën shqipe, botues i revistës “Dituria”, apo shqiptari nga Drenica, Hamit Gurguri, shkrimtar, përkthyes e studiues, edhe ky anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve në Suedi. Vetë emrat dhe pozicionet e tyre flasin më shumë se fjalët miradije, që thanë në këtë kuvend të diturish.

Së jashtmi, në kapakun e fund-librit, bukuri i japin disa mendime apo citate të qëmtuara imtësisht dhe të shkruara mjeshtërisht. Nuk dua të mbetëm me kaq, pasi për të nxjerrë sa më bukur figurën e “Marigosë dardane”, më duhet të përmend edhe disa emra të tjerë, që madhërisht e shqiptarisht e kanë vlerësuar punën dhe shpirtin atdhetar të kësaj misionare dhe “Nënë Tereze”, të kulturës dhe traditës shqiptare.

Muhamet Cenko, gjuhëtar dhe redaktor i librit: “Një heroinë e tillë është edhe znj. Emine S. Hoti, tashmë me emrin artistik “Marigoja shqiptare në Norvegji”, portreti i së cilës shfaqet i plotë, jo vetëm nëpërmjet librit të shkrimtarit Viron Kona, por plotësohet më tej edhe nëpërmjet diskutimeve, këmbimit të Ideve, apo krijimeve letrare-artistike”.

Gjovalin Shkurtaj, akademik: “Poete , shkrimtare, stiliste dhe veprimtare atdhetare Emine Hoti, shqiptare nga Drenica e Kosovës, të cilën e kemi të pranishme midis nesh dhe kemi rastin ta njohim, por edhe ta përgëzojmë për kontributet e saj që ka dhënë në lëmin e arsimit, dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në mjediset e diasporës shqiptare në Norvegji”

Delo Isufi, poet: “Emine Hoti është një ylber me mijëra ngjyra, që qëndron përherë i shpalosur, si aureolë e kombit tonë”.

Prof. Murat Gecaj, në pamundësi pjesëmarrjeje dërgon përshëndetjen e tij, ku shprehet: “Emine S. Hoti ka shkruar e publikuar disa libra të bukur dhe me tematikë të larmishme, si në poezi e prozë, për fëmijët dhe të rriturit…… Kështu pra kjo autore e nderuar, po ze një vend të merituar, ndërmjet sa e sa krijuesve , emigrantë  shqiptar……”.

Sejdo Harka, studiues dhe kritik letrar: “Emineja qep dhe qëndis kostume…… Nuk mund të ketë shërbëtor tjetër më të madh për kombin, sidomos në emigracion, se sa të ruash identitetin e tij përmes flamurit, gjuhës, kulturës dhe traditave të rralla”

Dr. Nuri Dragoj, studiues: “Nëse Marigoja shqiptare qëndisi flamurin kombëtar, “Marigoja Norvegjeze” nga Kosova, ka qëndisur me qindra kostume kombëtare… Emineja është konkrete, bazohet te puna jo te fjalët….. Kostumet e saj kanë vlerë më shumë se qindra fjalime e deklarata të ambasadorëve”.

Bashkim Saliasi. Shkrimtar, gazetar: “Znj. Emine nuk  e njeh frikën. Ajo hidhet me guxim në “Llavën e vullkanit” dhe prej andej del fitimtare, sepse ka cilësitë e njeriut me karakter të fortë, që nuk di të mposhtet….”.

Mal Buçpapaj. Drejtues arsimi dhe publicist: “Në themel të veprimtarisë krijuese të Emine S. Hotit, janë: Trojet, atdheu, flamuri, heronjtë”.

Në mbyllje të këtij shkrimi modest, po citoj disa vargje kushtuar posaçërisht znj. Emine Hoti:

……………….

Gjilpëra dhe kënga nuk t’u ndanë kurrë,

kur qepe kostume, kur qëndis flamurë.

Lulëkuqe Kosove në arat me grurë,

Në krahë shqiponje në malet me gurrë.

……… Kadri Tarelli. Libri “Koha në vargje”. Poezia. “Emine Hoti, çikë Dardanie”.

Përshëndetje znj. Emine, për të vazhduar më tej misionin e saj atdhetar, në mbrojtjen dhe shpalosjen nëpër botë të kulturës shqiptare!

Përshëndetje autorit Viron Kona, për këtë libër të bukur dhe me vlera shqiptarie, duke pritur edhe libra të tjerë po kaq të arrirë letrarisht!

Kadri Tarelli

Durrës. Vjeshta e parë, 2020.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora