Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Aleks Kapllaj: Erdha, Pashë, Dashurova është udhëtimi i jetes!

| E diele, 06.09.2020, 03:27 PM |


Erdha, Pashë, Dashurova është udhëtimi i jetes!

Erdha, Pashë, Dashurova, është një roman i shkruar shumë bukur nga Elvi Sidheri

Nga Aleks Kapllaj

Që në titull ai prezanton qartë si temën ashtu edhe lidhjen historike në hapësirë dhe në kohë në shumë vende ku jetojnë shqiptarët, si në trevat e tyre, apo ku kanë emigruar ose ku ka kanë bërë histori si dhe me rolin e shkëmbimit reciprok që kanë patur për vendin tonë.

Romani i Sidherit, kur fillohet të lexohet, do të mbarohet në një kohë sa më të shkurtër sepse të mban lidhur në episodin e fundit që lexon dhe skenat e përshkruara janë pjesë të  një filmi që aktorët flasin dhe recitojnë me zë rolet e tyre dhe ju jeni në sallë që ndiqni me interes historitë e protagonistëve.

Romani është himni i bukurisë dhe dashurisë me gjithë fuqinë e ngjyrave dhe tingujve të jetës, ku stili dhe harmonia estetike e gjuhës që përdor autori e nxjerrin në dritë më gjithë shkëlqimin e tyre.

Por sidomos përdorimi dhe afërsia dhe sintonia gati fonetike, me trinomin e Çezarit, që ka hyrë në histori si një simbol i triumfit të tij, i papërfillshem në efektin e kohës në fitore, ai ka përjetësuar dashurinë e Artemisës dhe Achilleas, duke i dhënë kuptimin tjetër fjalës dashuri: "gjetja e saj është fitorja më e madhe e jetës".

Libri është shkruar me shumë kulturë letrare gjuhësore, historike, politike kombëtare e ndërkombëtare, që e bën historinë e dashurisë së protagonistëve shumë shumë interesante.

Erdha, Pashë, Dashurova është misioni i jetës së realizuar për çdo njeri, që përshkon romanin e Sidherit me emocionet e saj në zigzaget e peripecive, kur kërcënohet nga ata që njohin vetëm urrejtje, ku edhe personazhet e shpifur,  shërbëtorë të diktaturës këtë herë nuk arritën ta ndalonin dot.

Elvi Sidheri është një shkrimtar i ri në moshë, por i pjekur në krijimin dhe kultivimin e eksperiencës së tij në krijimin e veprave që do të hyjnë në enciklopedinë e letërsisë shqiptare, kuptohet duke pasur si busull inspiruese shkrimtarët e letërsisë botërore që ai i njeh shumë mirë, nga të cilët shumë prej tyre i ka përkthyer në shqip, duke e pasuruar më shumë ofertën për letërsinë e bukur për të gjithë të apasionuarit.

Kushdo që do të lexojë romanin e Elvi Sidheri-t do të përjetojë kuptimin e titullit: Erdha, Pashë e do të dashuroheni me të.