E enjte, 26.11.2020, 01:02 AM (GMT)

Komente

Edison Ypi: Zoja Shkodër

E hene, 07.09.2020, 05:24 PM


Zoja Shkodër

Nga Edison Ypi

Nuk ka shi e breshër, ngricë e dimër, verë e vapë, me të ndal me shku me pa Zojën Shkodër.

“Udhëtar i vërtetë është ai që niset dhe nuk e di për ku. Udhëtar i përsosur është ai që niset dhe ka harru prej ku është nisur”. Të dyja i provon vajtja n'Shkodër.

N'Torrovic duket gjithmonë e shtunë.

E premtja s'dihet ku ndodhet.

N'Zadrim asht gjithmon e diel.

Fill atje Shkodra jep vibracionet e para.

Tu hy n'Shkodër një urë mbi një lumë që vjen nga larg e lart, e fill pas urës një “Zoj' e Mir' ’” ta urdhnojn me solemnitet mirseardhjen për tek Zoja e Madhe Shkodër.

Brenda Liqerit shelgjet duken si peshkatarë të kërrusur me çizme dhe kapuça që rrinë në mes të ujit të ngrimë si shtatore mermeri.

Rozafa hijerëndë, pa moshë, pa stinë, pa naze, pa lëvizje, “Pa zemër pa ndjenja, syt' e saj rrufena, qarkullojn' rreth Shkodrës, tue synue vranshëm”.

Kalojnë tre Zonja shkodrane elegante me të ikë menia e kres,

-A asht e bukur Shkodra o Zonja ?

-Sigurisht Zotëri. Shkodra është llaftarisht e bukur. Si ka than Koliqi;

"Kendojnë në mengjez pesë kumbonare,

kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë".

Pa hyrë në qytet, ndaj një dyqani një djalë dhe një mesoburrë,

-Po, përgjigjen energjikisht të dy, Shkodra është tmerrësisht e bukur.

Bëj sikur nuk dëgjoj.

-Poooooooooooo klithin të dy sa tundet Rozafa.

Sillem nëpër qytet. Plot njerëz nëpër rrugë. Shumë biçikleta. Diku një “Lavazh me ujë të bollshëm". Nëpër lokale shkodranë të hijshëm dhe shkodrane nazelie nga ato qe flasin e shkruajnë me apostrofa; t'ana t'mirat, t'marsha t'ligat, nga ato që për "Këtë" dhe "Kokë" thonë aq bukur; "Kyt" dhe "Kryt".

Pyes-pyes-pyes,

Po-po-po përgjigjen të gjithë; Zoja Shkodër asht qyteti ma i bukur i botës. Shkodra asht vetë Bukuria.

Dikush thotë; “Shkodra asht e bukur, por duhen edhe pare”.

Dikush tjetër shton; Po, Shkodra asht e bukur, por…dhe bën plotësime, sqarime, spjegime.

“Kafja e Madhe” me dyer të mbyllura duket si gjymtyrë e mpirë ku nuk qarkullon gjaku.

Pjesa më mahnitëse e Shkodrës, ajo me rrugica, kthesa, kalldrëme, harqe, portale, ka shtepi dhe dyqane të heshtura, të mbyllura, me qepena te ulura, me sy përdhe, sikur thonë; Ne presim. Ne durojmë. Ngutuni ju". Pjesa tjetër soc-realiste, zjen si kazani dreqit, pazar hesapi, pordh e piskama gjithkund.

Pyes;

-A ka këtu shkodranë të vjeter, nga ata të kockës, të palcës, të bërthamës, të qelizës, prejnga del drita, prejnga buçet dituria, shpërthen qytetaria ?

-Ka, më thonë, por vështirë t'i gjesh.

Një shkodran sqaron me krenari se; “La lana scutariana”, pra leshi i bagëtive që e përpunon industria tekstile, ka qënë ndër më të preferuarit në Europë.

-A asht e bukur Shkodra moj goca ?

-Po, po, po, po... përgjigjen me breshëri të njëzeta.

Puntori, fshatari, malësori, dukagjinsi, tregëtari, kioskaxhiu, sudentja, studenti, demokrati, socialisti, komunisti, sigurimisti, një “Drago” shkodran, musulmani, katoliku, ortodoksi, fëmijë, gra, burra - plot 100, kur i pyeta;

-A asht e bukur Shkodra ?

Të gjithë thanë;

-Po !

Kaq desha. Për kaq erdha. Nuk du me dit' kurgja tjetër.

Në kthim gjunjët me dridhen. Koka më zjen. Truri më shpërthen. Në Shkodër ka gjaqe, hakmarrje, halle, por të gjitha janë provizore. Shkodra e përjetëshme asht llaftarisht e bukur.

Gjithçka mund të vdesi e të lindi në Shkodër, të zbukurohet a shëmtohet, të fukarallepset, të vritet e të pritet, por shpirti, Shpirti i Zojës Shkodër, sharmi i saj, fryma e saj, s'kan me vdek kurrë.

Si me qenë njeri Shkodra o burr' i dheut. Si me qen' femër. Mundesh me e dash ti Shkodrën, asht diçka. E Shkodra me t’dash ty është diçka tjetër. Mundesh me j'u lut gjithë jetën Zojës Shkodër për me i kërku pak prehje nën hijeshinë e saj, me i lyp pak dashuri, me i hy sadopak n’zemër, ah, kjo asht' e veshtirë, Zoja Shkodër e di vet çfarë ban. Ka kushte Zoja Shkodër. Nuk munesh me j’u afru dosido. Veçse me kujdes, me perunjësi, me respekt, me delikatesë, mos e shqetsosh, mos e pengosh, mos ja prekësh përhumbjen mendimtare, hijeshinë, misterin që e rrethon.

Tesh Zoja Shkodër po pushon pak. Ështe largu pak. Jo larg. N’ato malet me borë me majat ne re'. Kur t'zgjohet e t’afrohet, do ndriçoheni, do tmerroheni, do luni mendsh, nga bukuri e Saj. Kush n’Shkoder priton me shku, nuk ka dek, kurrë nuk ka le.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora