E marte, 16.04.2024, 11:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Drejt një trupi pa organe

E shtune, 05.09.2020, 06:26 PM


Agron Tufa

DREJT NJË TRUPI PA ORGANE

Ç’zjarr përvëlak bëri vitin që shkoi!

Nuk e pikasa në kohë qysh ma kishte

shkrumbuar shpretkën.

S’di pse po bën mot kaq i nxehtë,

po jeta vazhdoka dhe pa shpretkë.

S’di as kur nisi përvëlima e padurueshme

dhe prore vonë kam kuptuar

se diçka nuk ishte më si më parë:

tepara veshka e djathtë sëmboi shurdhër

derisa mjekët e konstatuan të tharë,

por dhe pa të, siç e shihni, u jetuaka.

Mandej u mësova me radhë të bëj

pa tëmthin e vrerit, pa bajamet, prostatën…

ndërsa një pjesë e mushkërive

u shua si shkumë.

Të gjitha – s’do mend – pengje të zjarrit.

Këtij viti që po then qafën,

zabullima terratisëse zgjati tej parashikimeve;

kupa e qiellt qe shndërruar në mangall gjigand

të përflakur, që digjte squfurin e stinëve.

Bilanci qe i tmerrshmëm:

syri i majtë i shterri lëngjet ndërpamëse

derisa u flashk si stafidhe. Kah mbarimi i verës

timpani i veshit të djathtë plasi si tupani në vapë.

Humbje e madhe, pikëllimtare, kuptohet,

ndonëse e ekuilibruar – nëse vlen ky biçim ngushëllimi.

Por prapë, prapë… shihni: edhe pas kaq dezertimesh

vazhdova të mbetem gjallë.

Përpara, e di, më pret një perspektivë e zymtë

e një trupi pa organe. Po tash, me ç’kuptoj,

po kaloj një fazë reduktimesh,

derisa të mbetem një cung shurdhmemec,

derisa kryemuskuli im

si motorr me djegie të brendshme

të vazhdojë të pompojë gjak,

të më lejojë, qoftë dhe ashtu –

të braktisur në një univers errësire –

të ndjej rrjedhën e pastër të Kohës në shpirt.

Tash për tash po kalis tullën zjarrduruese të vullnetit

për tunelin e zjarrtë që më pret përpara,

përmes të cilit, trupit tim – kësaj faltoreje shëtitëse -

do t’i përcëllohen përbrencat,

do t’i purifikohen si një flijeje të lashtë në tepujt paganë -

dhanti pa salikime – për nder të Atij që vrân e kthjell

dhe po t’i teket, lëviz retë dhe mjegullat.

17-18 prill 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora