E premte, 19.04.2024, 02:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Mall fëmijërie!

E merkure, 02.09.2020, 08:06 PM


MALL FËMIJËRIE...!

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Murat Çelepias, ose shkurt, Çelepias, quhet zona që nga hyrja e qytetit Berat e deri tek Ura e Gorricës.

Çelepiasi shtrihet rrëzë kodrës së gjelbëruar me pemët e pishave të Kalasë së Beratit e deri përgjatë bregut të Lumit Osum.

Çelepiasi, në kohën e fëmijërisë, rinisë sime kishte edhe lagjet e veta: Barikada 1, Barikada 2, Çlirim 1, Çlirim 2. (E shkruaj në kohën e fëmijërisë, rinisë sime, se, gjatë 30-të viteve të mija larguar nga Berati, nga Shqipëria, ndoshta do jenë ndryshuar edhe emrat e lagjeve)

Në zonën e Çelepiasit, janë ndërtuar edhe shkollat 8-të vjeçare: Ish shkolla "24 Maji", Shkolla "Zihni Toska", Shkolla "29 Nëntori", Shkolla e Mesme Industriale "Stiliano Bandilli", "Shkolla e Mesme Artistike Ajet Xhindole".

Kohët e fundit është restauruar edhe Kulla e Sahatit pranë xhamisë dhe  lulishtes së bukur.

Lulishtja e bukur e lagjes Çelepias!

Eh, sa shumë kujtime të bukura, të paharuara ka çdo banor beratas nga ajo lulishte luleshumë, aromëmirë.

E kam shkruar edhe herë të tjera në shkrimet e mija të mëparshme; Berati është ndër qytetet shqiptarë më të pastër ekologjik, për vetë pozitën e tij gjeografike dhe për vetë faktin e kujdesjes nga dora e njeriut; gjelbërimi i përhershëm i kodrave përreth qytetit me pemët e pishave, janë edhe mushkëritë për Beratin dhe banorët e tij.

Dhe, mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër të pishave në hyrje të beratit shtrihet zona e Çelepiasit.

Lulishtja e Çelepiasit në kohën e fëmijërisë, rinisë sime ishte një parajsë e vërtetë, veçanërisht gjatë stinës së pranverës deri në stinën e vjeshtës kur edhe moti fillonte të freskohej.

Ajo lulishte e bukur, përveç aromës së ajrit të pastër të pishave përzierë me aromën dhe shumllojshmërinë e luleve të ndryshme nën kujdesin e lulishtarit të mirë, i respektuari Sabri, priste vizitorët qytetarët e shumtë në orët e mbasdites dhe të mbrëmjes për t'u shlodhur, për t'u kënaqur...

Gjyshet e mira, të dashurat, të dhimbsurat gjyshet tona, me nipërit, mbesat e tyre të kapur përdore i shihje të shëtisnin nëpër trotuaret e lulishtes; gra, burra të moshave të ndryshme të ulur nëpër stolat e lulishtes tek bisedonin bisedat e moshës së tyre. Shatrivani në qendër të lulishtes që ndodhej pranë Lapidarit "Dëshmorët e Lirisë" i ndërtuar në vitin 1935, vepër e skulptorit Dhimitër Cani,  gumëzhinte nga zërat e fëmijëve teksa vraponin me lodrat e tyre të moshës.

Tre - katër vajza shoqe apo djem shokë të moshave 9-të apo 10-të vjeçë me qese në dorë, zinin vend në ndonjë stol, hapnin qeset dhe nxirnin bukën që kishin marrë me vete, që gjyshet e mira u kishin thënë: Shkoni në lulishte dhe hajeni bukën atje, se j'u ngjan e mirë.... Dhe vërtetë, sa e mirë, sa e shijshme na dukej ai ushqim, bukë me djathë, domate, kastraveca, teksa e hanim në orët e mbrëmjes grupshokësh në ajrin e pastër të lulishtes, në tingujt muzikorë që vinin nga pista....

Bar-Lulishte, Pista!

E kujt nuk i kujtohet ai emër, Pista, në lulishten në Murat Çelepias!

E kush nga banorët beratas nuk e njeh atë vend, me kujtimet e bukua dhe të paharuara.

Pista! Bar Lulishte!

Kështu quhej ai vend argëtues që zinte një hapësirë të madhe në periferi të lulishtes, rrethuar me kangjella, brenda së cilës ishin guzhina, restoranti,  tavolinat që të binin në sy nga pastërtia shkëlqimi i mbulesave të bardha; pista, që çdokush kalonte pranë saj, aroma e këndshme e mishit të pjekur, e mezeve të ndryshme që dilnin nga guzhina e restorantit brenda pistës, të "çponte" hundët (Shprehje popullore kjo)  .

Më të moshuarit në atë kohë, e quanin edhe "Tyrbja" dhe kuptohej, ishte fjala për Pistën.

Pista ishte sheshi në mes vendit të rrethuar me kangjella hekuri, pra, ishte pista e vallëzimit ku pesë, gjashtë muzikantë, bashkë me këngëtarët zinin vendet e tyre.

Miq, shokë, familjarë të ndryshëm, duke biseduar këndshëm, duke shijuar ushqimin e servirur nga kamarierët e shkathët, çoheshin kërcenin dhe vallëzonin në pistë nën tingujt e muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Çfarë argëtim! Sa kënaqësi!

Mbrëmjeve në stinën e verës, në Bar Lulishten e Çelepiasit, nga frekuentuesit e shumtë, ishte paksa e vështirë të gjeje tavolina për t'u ulur.

Dhe ja, jashtë kangjellave brenda në lulishte, fëmijë të ndryshëm, por edhe të rritur, ndalonin, i shikonin me kënaqësi vallëzuesit në pistë.

- Shko tek Fiqiriu dhe më bli një dopjo raki,  -  mbaj mend të më thoshte babi im i ndjerë kur unë isha fëmijë.

Dhe ne e kuptonin, e kishte fjalën  për qytetarin e mirë të urtë, të qeshur, Fiqiri Kazazi që shërbente në Bar-in e pistës.

Sa njeri i mirë, popullor ka qenë i mrekullueshmi Fiqiri Kazazi. Vetëm buzëqeshja i lulëzonte në fytyrën e tij; fjala e ngrohtë i dëgjohej të dilte nga goja e tij.

Eh! Sa shumë njerëz, qytetarë të mirë ka patur qyteti ynë që nuk harrohen, por kujtohen me mall dhe respekt.

Por, ishte edhe diçka tjetër që e bënte edhe më të famshëm Lulishten e Çelepiasit: Pranë Bar-Restorantit Pista, ishte Këndi Sportiv i Lojnave me dorë.

Sa shumë mall, sa shumë nostalgji ndjen çdo qytetar beratas, por edhe qytetarë nga qytete të tjerë të ardhur në Berat nga ai kënd sportiv.

Sa e sa ndeshje të shumta sportive, mundje, basketboll, volejboll, tenis, sa e sa shumë ndeshje të radhës, kampionate kombëtare janë luajtur në këndin sportiv të lojnave me dorë në periferi të lulishtes në Murat Çelepias!

Sa shumë sportdashës beratas kanë brohoritur për skuadrën e tyre të zemrës, për sportistët beratas!

Sa shumë sportdashës beratas kanë ndjerë emocionet e tyre  të shumta në ndeshjet e e ndryshme që luheshin në atë kënd sportiv!

Sa shumë sportistë, sportiste, kanë ndjerë emocionet e tyre brenda fushës ku luheshin ndeshjet sportive teksa shikonin, dëgjonin bashkqytetarët e tyre sportdashës të brohorisnin për ta duke u "dhënë" krahë për fitore.

Dhe sot, ndërsa shkruaj këto kujtime të viteve të fëmijërisë, rinisë sime, kanë mbetur si imazh, si një film në mendjen time, përpara syve të mi, kur mendoj se...!!!

Dhe askush nuk e mendonte se do vinte një kohë që Pista, Këndi Sportiv i Lojnave me Dorë në Lulishten e Çelepias-it do dilnin jashtë funksionit të tyre deri në shkatërrim...

Gjithsesi, brezi im edhe pse tani kemi hyrë në një moshë tjetër, në moshën e tretë të jetës sonë, që e ka jetuar atë kohë, ato vite, ruajmë në mendje në kujtesën tonë lulishten e bukur, Pistën, Këndin Sportiv të lojnave me dorë në Çelepias të Beratit...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora