Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Nexhipi: Familje si e Qiriazëve rrallë gjendet

| E merkure, 02.09.2020, 09:42 PM |


Familje komplete, e shtënë pas çështjes kombëtare, si e Qiriazëve të Manastirit, rrallë gjendet  në ndonjë vend të  botës

(Vazhdimi i gjashtë i  artikullit ,,15 veçoritë e popullit shqiptar,  publikuar në këtë portal, më 05.06.2020)

Nga Reshat Nexhipi

Evidentimi i anëtarëve të  kësaj  familje

dhe biografia e  shkurtë  e tyre

Dhimitri dhe Marie Qiriazi, prindët e tyre

Kishin 10 fëmijë: 6 djem dhe 4 vajza. Maria, nuk lejonte në shtëpitë saj të flitej gjuhë tjetër, përveç shqipes. Pritte dhe përcillte vetëm patriotë shqiptarë, prandaj dhe emri i kësaj familje u vendos në piedestalin më të lartë të historisë kombëtare, pas asaj të Frashërinjëve,  me të cilën kishte lidhje të ngushta, posaçërisht Gjerasimi, anëtari më i spikatur i familjes.

Marie Qiriazi dhe vjehri i saj. Ky, aqë  ishte i kënaqur nga sjellja dhe patriotizmi i saj, sa që, në çastet e fundit të jetës, i dorëzoi “qemerin” ku mbante “thesarin” e tij, duke e  këshilluar  për të mos ia treguar askujt dhe ta përdorte në rastin e një nevoje shumë të madhe,

Marie Qiriazi... gjë  që edhe ndodhi kur dyqani i të shoqit, Dhimitrit, në Manastir u dogj dhe familja mbeti në vështirësi të madhe ekonomike. Maria, ia dha një pjesë të  pasurisë, duke e inkurajuar të shoqin për të nisur sërish tregëtin e tij të dërasave.

Gjerasimi, si njeri human. Një ditë, autoritetet greke, kishin paguar një njeri, që duhej të shkonte në shtëpinë e Gjerasimit në Manastir dhe ta  vriste. Njeiu, fshehurazi, hyri në lokalin e veçantë të shtëpisë, duke e pritur me kujdes ardhjen e Gjerasimit.

Gjerasimi, e pa, iu afrua dhe e pyeti: çfarë të keqe ke, mos të duhet ndihmë në të holla ose diçka tjetër, të të ndihmoj? Kur dëgjoi këto fjalë të qëlluara ,,mysafiri,, nuk pati guxim të kryejë detyrën, por, i tregoi të drejtën dhe u largua i turpëruar.

Gjerasim Qiriazi, në hanin e Stenjës të  Prespës. Ja se si ai e përshkruan qëndrimin e tij në atë vend: Më 12 nëntor 1884 mora udhën nga Manastiri për në Korçë…Kuajt ishin kockë e lëkurë, ndaj dhe karrocierit, nuk ia kishte ënda t’i nxiste, nga frika se mos rrëzoheshin, e na linin në mes të rrugës.

Gjerasim Qiriazi...Si kaluam Qafën e Dhiavatit, ramë poshtë në luginë dhe vazhduam përgjatë Liqenit të Prespës…Zogjtë e ujit, që nga larg dukeshin si varka lundruese, duke gjuar peshk. Aty nga mbrëmja, mbërritëm në Stenjë. Hani i atyshëm, nuk kishte dhoma të ndara...

Gjerasim Qiriazi...Udhëtarët rrinin ulur së bashku, pranë mushkave të tyre, në ahur, përreth një zjarri, ku kishin hedhur një barrë dru…Nga që nuk e duroja dot tymin, m’u desh të rrija shtrirë, që të mos më zihej fryma…Si hëngra darkë, rashë të fle, por zhurma e madhe s’më la të vija gjumë në sy.

Gjerasim Qiriazi...Përkarshi meje ndodhej një furrë, ku piqnin bukë. Aty, punohej me ngut e hidh e prit të shara. Disa udhëtarë e xhandarë, rrinin ulur mbi një rrogoz, duke pirë raki e duke kënduar...

Gjerasim Qiriazi...Hanxhiu po i shante e po u bërtiste shërbetorëve që të mos rrinin duarkryq. Mushkotarët kujdeseshin për mushkat, grindeshin me njëri-tjetrin dhe shanin shërbe­torët që nuk e kishin situr tagjinë për kuajt…”.

Gjerasim Qiriazi, 1885, në Manastiri, hap  shkollë shqipe. Eugen Shehu, shkruan: “Në vjeshtën e vitit në fjalë, në bashkëpunim edhe me patriotë të tjerë të Manastirit, Gjerasim Qiriazi, mundi të çelë një klasë me disa nxënës, të cilët mësojnë të shkruajnë gjuhën e tyre, me alfabetin e miratuar në Komitetin Kombëtar të Shqiptarëve të Stambollit.

Gjerasim Qiriazi...Natyrisht kjo nismë ishte tejet e guximshme, ngase, kërkoheshin dhjetra lejë e formalitete, të cilat, u kundërshtuan prej administratës vendore në Manastir. Sidoqoftë, Gjerasimi mundi të mbledhë rreth vehtes 10-12 nxënës dhe çel të parën klasë, ku mësimet, jepeshin në gjuhën shqipe...,,njofton Shehu dhe vazhdon:

Gjerasim Qiriazi...,,Përveç historisë së Dhjatës së Vjetër, Gjerasimi, jepte aty sidomos lëndën e Historisë së Shqipërisë duke mbledhur materijale nga libra të ndryshme, në të shumtën e rasteve nga autorë të huaj...

Gjerasim Qiriazi…Së fundi, duke predikuar Ungjillin në gjuhën e bukur shqipe, Gjerasimi donte që me anë të fesë të çlironte zemrat e nxënësve të vet nga një barrë paragjykimesh dhe mentalitetesh anadollake...Gjerasimi, pos klasës së çelur për dhënien e mësimeve fetare në gjuhën shqipe, vazhdon edhe misionin e tij për shpërndarjen e librave të Shoqërisë Biblike”.

Gjerasim Qiriazi, si patriot. Patriotizmin e kishte fituar edhe falë lidhjeve të tij me Naim Frashërin,librat e të cilit zinin vendin kryesor në dhomën e tij. Patriotizmi tij vjen në shprehje edhe përmes shënimeve në vijim. Në një rast, ka thënë: “Përçarësve të kombit, u takon litari”, gjë që, sipas meje, vlen edhe për sot, por, ku të gjenden aqë litarë?!

Gjerasim Qiriazi...në strofën e një vjershe të tij, shkruan: “Do punoj për mëmëdhenë, gjithë jetën sa të ronj, do të zgjoj edhe ata që flenë, kështu jetën ta mbaroj. Ose: O mëmëzë e dashur, çna je kështu, e çpate ti, përse na je helmuar, përse na qan e na mban zi ?.

Gjerasim Qiriazi... Kur vdiq, i gjetën nën jastëk një vjershë, që kish shkruar në çastet e agonisë së tij. Ajo titullohej “Lamtumirë” dhe i kushtohej mëmëdheut të dashur, nga i cili po ndahej përgjithmonë.

Gjerasim Qiriazi. Stefan Qiriazi. Ishte djalë i tij. Studimet i ka vazhduar në  Universitetin Oberlin i Amerikës. Ka lënë 5 djem dhe një vajzë, banorë të Sh B A-ve, theksohet në një tekst të internetit.

Gjergj Qiriazi,  një ndër aktivistëtmë të mirë para, gjatë dhe pas mbajtjes të Kongresit të Alfabetit. Përveç  mesazheve të tjera, si amanet ka lënë: Ta ruajmë besën, se atë e kemi pasuri që s’e ka popull tjetër në botë,,. Për të bëhet fjalë edhe në disa shkrime të tjera, nëse zënë vend në këtë portal, prandaj, nuk po e zgjas më tepër, duke kaluar te vëllai i tij.

Hristo Qiriazi, martesa. Dasmën e bëri në  hotelin  ,,Solluni,, (Selanik). Merrnin pjesë diplomatë dhe njerës të shkencës, etj.

Hristo Qiriazi, për Manastirin. Ishte një ndër pasanikët më të mëdhenj të Manastirit dhe më gjerë. 20% të fitimeve nga libraria e tij, ia jepte një gazete të qytetit, kurse, në një rast, bëri një kartpostale për teatrin e Manastirit, i cili ishte në renovim e sipër dhe ia dhuroi Këshillit për rinovim dhe të hollat e fituara nga shitja e tyre  investoheshin në rinovimin e teatrit. Sponzoroi edhe shoqatën e artistëve të teatrit të Manastirit.

Hristo Qiriazi…Në dyqanin e tij kishte një arkë speciale në të cilën të gjithë ata që vinin hidhnin vullnetarisht para për familjet e varfëra të qytetit. I biri i tij, Petar Qiriazi, i vdekur para disa vjet, ka thënë se Hristo Qiriazi ishte fotografi i parë në Ballkan dhe se mbante lidhje me firmën e shquar Marubi nga Shkodra, etj. Hristo Qiriazi... më 1909 ngriti shtypshkronjën universale në Manastir e cila nxori 300.000 tekste ose tituj në 13 gjuhë, të cilat dispelrzoheshin në tërë anët e botës, me çka, përveç afirmimit të çështjes shqiptare, afirmonte edhe emrin e Manastirit i cili në shumë vende ishte i pa njohur.

Hristo Qirijazi, në Indi. Sipas dëshmive të nipit të tij-Hristo Qiriazit, nga Manastiri, i cili vdiq para disa  vitesh, Hristoja ka shetitur pothuajse tërë Evropën dhe shumë vende të tjera jashtë saj, midis të cilave përmendet edhe Indija. Në këtë të fundit paska jetuar 4 vjet dhe gjatë asaj kohe paska dashuruar një vajzë të bukur induse.

Hristo Qiriazi…Gjatë një shetitjeje me të i paska parë një anëtar i familjes së saj, i cili ishte revoltuar tepër që ajo të ketë lidhje me një njeri të Evropës, të bardhë dhe të krishterë. Hristo Qiriazi...Meqenëse edhe vajza ishte dashuruar në këtë shqiptar dhe nuk desh të ndahej lehtë prej tij, të afërmit e saj vendosën që përmes një atentatorit të paguar ta vrasin dashnorin nga Manastiri. Mirëpo vajza i tregon atij dhe ai ishte i detyruar të lëshojë Indinë dhe të këthehet në Manastir.

Hristo Qirijazi, tentim për vetëvrasje. Shtypshkronja e tij  ishte shkaktarja që Hristoja mund të humbte jetën. Në lidhje me këtë, në literaturën historike, thuhet: “Që në orët e mëngjezit, shtypshkronja e Hristo Qiriazit bllokohet nga xhandarë serb dhe nga punonjësit e financave… i merret gjithë pasuria dhe ari që e ruante si rezervë në shtëpi si dhe gjëra të tjera me vlerë historike dhe kombëtare.

Hristo Qiriazi… Ari që kishte pasur në shtëpi i kishte takuar bashkëshortes Irenës që ia kishte dhuruar familja e saj me rastin e martesës me Hriston… i dëshpëruar nga kjo

Hristo Qiriazi, një ditë largohet pa gjurmë nga shtëpia e tij. Disa kalimtarë e gjejnë të alivanosur te vendi i quajtur “Guri i bilbilit”, ku kishte shkuar të bëjë vetëvrasje. Për fat, atje kishte përjetuar një gjakderdhje në tru dhe kjo e kishte shpëtuar nga më e keqja, gjegjësisht nga vetëvrasja.”.

Parashqeva Qiriazi. Njihte 8 gjuhë. Ishte e vetmja femër në Konferencën e Paqes në Pariz më 1919. Është autore e Abetares të parë që doli sipas rregullave të Kongresit të Manastirit. Në një rast, ka thënë: Nuk duhet të dhimbet shpirti dhe koka, kur është në pyetje kombi dhe fytyra”.

Parashqeva Qiriazi, në hanin e Stenjlës të Prespës. Në  kujtimet e saj, thotë: “Nuk më del nga mendja nata që ngrysëm në hanin e Stenjës. Katër burra dhe dy gra në një kthinë trualli pa tavan e pa oxhak…Zjarri i ndezur në mes të vatrës sa vinte e trashej se s’kishte nga delte.

Parashqeva Qiriazi... Natën e gdhimë me biseda kombëtare dhe rreth çështjes së abecesë dhe herë-herë duke dëgjuar ndonjë shaka prej Xha Mihailit (Gramenos-R.N.), i cili derisa derdhnim lotë prej tymit, përpiqej të na bënte të qeshim. Në Manastir arrimë para se të çelet Kongresi, pa gjumë, e të lodhur nga udhëtimi…”.

Parashqeva, për Kongresin: ,,Kongresistët  priteshin në Manastir prej Komisionit iniciator  në lokalet e klubit  ,,Bashkimi,, kurse për të ngrënë e për të fjetur, ishte caktuar hoteli ,,Liria,, pronë e Themistokli Gërmenjit.

Qiriazët, shqetsime. Viktorio Ruli,Dako, anëtar i familjes në fjalë, në kujtimet e tij, shkruan:,, Isha  ende  shumë  i vogël, vetëm 5- 6 vjeçë, kur fillova  të kuptoj se, familja jonë, trajtohej ndryshe nga familjet e tjera. Ky trajtim, niste që me qendrimin e mësuesëve ndaj meje...

Qiriazët, shqetsime. Më vonë fillova të kuptoj arësyen e vërtetë,,shkruan ai dhe, pasi tregon momente të tjera për edukatën e tij  nga ana e gjyshe Sevastisë, vazhdon: ,,Më 15 tetor 1943, gjithë familja jonë, Sevastia, Parashqeva, babaj, Qiriazët...xhaxhaj me nënën dhe tezen time, kuzhinjerja e shkollës që kish vazhduar të jetojë me ne, unë dy vjeç e gjysmë, u internuam në afërsi të Berogradit, Jugosllvi, nga gjermanët. Aty qendruam për 11 muaj. Në qershor të v. 1944, aty lindi  vëllai im Roberti.

Qiriazët, kthyeja në Shqipëri. V.Dako, vazhdon: ,,Mbas bombrdimit të kampit nga ana e aleatëve, ne mundëm të kthehemi në Shqipëri, në Kamëz, në institutin Qiriazi. Shtëpitë tona i gjetëm të grabitura, kurse biblioteka shumë e pasur me rreth 300.000 vëllime, ishte dëmtuar...

Qiriazët. Nga mesi i  v. 1946  na dëbun nga shtëpitë, duke sekuestruar çdo gjë  që kishim dhe pa na  dhënë  asnjëlloj strehimi... Sevastia  dhe Parashqeva nja dy muaj ishin  sistemuar në një dhomë si kotec i pulave...Në fund të v. 1946, babanë dhe xhaxhanë  i burgosën,, për arësye politike,,..

Përndryshe, nga antarët e familjes Qiriaze, histori më intersante ka Sevastia, për të cilën kam përgatitur tekst të posaëm, gati për botim.