E marte, 27.09.2022, 03:37 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Urrejtja e të asimiluarit për identitetin e tij të braktisur

E marte, 01.09.2020, 09:41 PM


Urrejtja e të asimiluarit për identitetin e tij të braktisur është e papërmbajtshme, e egër, mizore

Nga Blerim Latifi

Gjatë historisë ne nuk kemi vuajtur vetëm nga pushtuesit e ndryshëm. Kemi vuajtur shumë edhe nga ata që jo vetëm kalonin në anën e pushtuesit, por edhe merrnin identitetin e tij. Ka kush e di sa raste që shqiptarë të asimiluar janë kthyer për t’i masakruar bashkëatdhetarët e tyre të dikurshëm. Në kohën e Skënderbeut ishte Ballaban Pasha. I lindur shqiptar i krishterë, ai jo vetëm kishte ndërruar fenë, por edhe etninë, dhe më pas ishte kthyer në krye të ushtrive osmane për ta larë në gjak atdheun e tij të dikurshëm. Në kohën kur ushtritë osmane, të ndihmuara nga tartarët e Krimesë, po e digjnin Kosovën dhe po masakronin kë u dilte përpara, pas tërheqjes së austriakëve në dimrin e vitit 1690, në krye të qeverisë osmane ishte një shqiptar, kryeveziri Fazil Mustafa Kypriljoti. Mark Milani ishte shqiptar nga fisi Kuç, ai ishte asimiluar në malazez dhe pastaj ishte kthyer në krye të ushtrisë malazeze për t’i masakruar shqiptarët në Plavë e Guci. Familja mbretërore serbe e Karagjorgjeviqëve, sipas disa dokumenteve, ka origjinë nga fisi shqiptar i Kelmendit. Krimet e Karagjorgjeviqëve mbi shqiptarët janë të panumërta. Zufer Musiqi, komandanti partizan i Titos, me origjinë shqiptare, familja e tij ishte boshnjakizuar dhe ai, më vonë, në dimrin e vitit 1945, në krye të Brigadës së Parë Partizane të Kosovës, do të bënte masakra të tmerrshme në Drenicë, masakra që nxitën kryengritjen e Shaban Polluzhës. Këta nuk janë shembujt e vetëm. Ka me dhjetëra të tjerë. Thuhet se urrejtja e të asimiluarit për identitetin e tij të braktisur është e papërmbajtshme, e egër, mizore. M’u kujtua kjo histori e dhimbshme derisa po dëgjoja një intervistë të këtij Dritan Abazoviqit duke mohuar origjinën shqiptare të gjeniut të luftës, Gjergj Kastriotit. Sigurisht, ky Abazoviqi nuk mundet të sillet si Ballaban Pasha, Mark Milani, Zufer Musiqi, e të tjerët si ata, por politikisht është në rrugën e tyre.

______________

Në Evropë, gjatë historisë, janë zhvilluar dy modele të mëdha të rregullimit të raporteve midis shtetit dhe religjionit: modeli cezaro-papist dhe modeli sekularist. Në hemisferën ortodokse ka dominu modeli cezaro-papist, me të cilin kuptohet gjëndja kur autoriteti fetar i nënshtrohet autoritetit politik. Në Bizant kisha i shërbente perandorit. Ky ligj edhe sot funksionon në shtetet ortodokse: në Rusi, Serbi, Greqi, Bullgari. Feja është instrument i interesave kombëtare në të gjitha këto shtete. Perandoria Osmane, mes shumë praktikave bizantine, kishte përvetësuar edhe modelin cezaro-papist, duke e shndërruar islamin në instrument të pushtetit të Sulltanit. Edhe sot është njëjtë: Dianeti, Bashkësia Islame e Turqisë, është në shërbim të interesave të shtetit turk. Në Perëndim, ndërkaq, në katër shekujt e fundit është zhvilluar modeli sekularist, me të cilin kuptohet ndarja e autoritetit politik dhe autoritetit fetar. Religjionit i ndalohet të përzihet në punët e shtetit dhe anasjelltas. Rilindasit shqiptarë, të vetëdijshëm për faktin se shqiptarët ishin të ndarë në tri besime fetare, e kuptuan se për të ndërtuar një ndërgjegje kombëtare unike shqiptare kishte vetëm një rrugë: përvetësimin e modelit sekularist të Perëndimit. Kjo do të thoshte krijimin e një kombi që është i ndarë nga besimet fetare dhe qëndron mbi to. Në momentin kur ky parim thyhet, atëherë kombi shqiptar e humb unitetin e tij dhe shkapërderdhet në komunitete fetare. Serbët e dijnë këtë, prandaj investojnë dhe përkrahin rritjen e ndikimit vahabist tek shqiptarët, ndërsa grekët nuk janë në gjëndje të manipulojnë ortodoksët shqiptarë, falë faktit se Noli dhe Zogu, para më shumë se tetëdhjetë viteve, ia patën dalë ta krijojnë Kishën Autoqefale Shqiptare, të pavarur nga Kisha Greke. Sot Mali i Zi po vuan nga fakti se fetarisht nuk është pavarësuar nga Kisha Serbe.

_____________

Nëse dialogu me Serbinë nuk prodhon rezultate të shpejta, vazhdimi i tij në mënyrën si ka rrjedhur gjatë këtyre viteve, veç sa ka me degradu edhe më shumë Kosovën në rrafshin ndërkombëtar. Siç në fakt ka ndodhur deri me tani. Sa më shumë që flitej për dialogun me Serbinë, aq më shumë rriteshin dilemat ndërkombëtare mbi pavarësinë e Kosovës. Njohjet nga viti në vit u pakësuan, derisa u ndalën krejt. Integrimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare ka ngecur në vend numëro.Integrimi në BE është ende veç vizion në letër. Të fokusuar në një dialog pa kufi në kohë, ne kemi lënë pas agjendën e brendshme të demokratizimit të institucioneve e zhvillimit ekonomik dhe për pasojë kemi lejuar ndërtimin e kulturës politike të paligjshmërisë në çdo segment institucional dhe rritjen e pesimizmit social të qytetarëve. Dialogu rraskapitës pa rezultate shpesh është strategji për ta shkatërruar kundërshtarin. Duket se Serbia është duke ndjekur këtë strategji dhe me sukses, madje.

_____________

Pasojat ekonomike të pandemisë!

Fuqia blerëse bie, bizneset detyrohen të mbyllen, mbyllja e tyre e rritë papunësinë, rritja e papunësisë e ulë edhe më shumë fuqinë blerëse, për pasojë biznese të tjera mbyllen dhe cikli vicioz vazhdon deri në kolaps të plotë ekonomik. Dhe një gjë dihet, për ata që kanë mend për të kuptuar, sy për të parë e vesh për të dëgjuar: nga ciklet negative ekonomike nuk mund të dilet me deklarata boshe politike, as me akuza politikanësh që nuk dinë më shumë se të etiketojnë njëri tjetrin, as me humbje energjish në debate fetare mesjetare, e as me shpresën se pasi të kemi rënë në humnerë dikush do të shfaqet për të na shpëtuar.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora