Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Përurimi romantik i librave të poetit Zenun Hysenukaj

| E hene, 31.08.2020, 09:16 AM |


PËRURIM  ROMANTIK I LIBRAVE TË POETIT ZENUN HYSENUKAJ,  NËN MAGJINË BUKURIVE NATYRORE DHE  MAJËS SË SHKLEZENIT PLAK

Nga Tahir Bezhani

Takimi i mbrëmshëm i një numri të  konsiderueshëm poetësh nga disa qytete te hapësirës  shqiptare, në natyrën e hapur të bukurive natyrore të fshatit Kasaj të Tropojës, rrëzë majës së Shkëlzenit, ishte jo vetëm një  ndjenjë me peshë madhështore,por një përjetim romantik, që dinë ta shijojnë vetëm poetët,krijuesit me mendimeve  fisnike .  Në ambientin e ”Grand-Klaus-Hotel”,mbrëmjen e 22 gushtit,nga ora 20-23,u  përuruan veprat poetike të poetit Zenun Hysenukaj:”Kujtime të Fjetura”,(letra, ese, kujtime),dhe “Largoi stinët nga fytyra jote”, poezi, për të cilat dhanë mendimet e veta disa poet të shquar të letrave shqipe.

Me pietet për veprimtarinë letrare të poetit Zenun Hysenukaj, folën: Hamit Alija ,Sadik Bejko ,Besim Ahmetaj ,prof. Migena Arllati ,Reshat Sahitaj, z.Jajhja Lluka, Asllan Osmani, Hasan Selimi etj.

Poeti tropojan, tani i dëshmuar kohë të gjatë në letrat shqipe, si poet i mirëfilltë me  vargun e tij suptil, me ndjeshmëri karakteristike  të kohës, ku dashuria ndaj vendlindjes, dhembja, atdhedashuria ,janë pjesë e pandashme e shpirtit të tij të sinqertë. Temat e subjektit poetik te poetit Zenun Hysenukaj, burojnë nga një kompleks shumëdimensional i botës poetike të autorit,të cilat reflektojnë si pasuri   gërshetimin e mendimeve të gdhendura poetike . Ndjeshmëria aq elastike e frymëzimeve poetike,e bëjnë autorin dhe vargun e tij, të jetë në qendër jo vetëm të leximit ,por edhe të studimit letraro-poetik. Është një poet i frymëzimeve të thella, i cili gjërat i kap në moment të duhur.....

Aktiviteti i letrar i organizuar  nga tropojanët ,ishte një madhështi në vete, ku binin në sy disa gjëra tejet të veçanta e shumë mbresëlënëse. Në radhë të parë, ishin të ftuar poet e krijues të mirëfilltë,të gjithë miq të autorit Zenun Hysenukaj ,nga Tirana ,Lezha dhe  disa qytete të Kosovës,si Prishtina,Peja,Gjakova etj,të cilët përbënin atë “sofrën” shpirtërore    vetë autorit.

Element në vete, interpretohet se për krijuesit e mirëfilltë, nuk ka epidemi që i ndal nga takimi dhe zbrazja e katarzës shpirtërore as në rrethana që po i përjetojmë, në kuptimin global. Kjo nuk do të thotë se nuk ishte ajo “mosdija” e mbrojtjes nga egërsia virusale, përkundrazi, të gjithë dinin të silleshin bukur me situatën, për të dhënë  shembull të tjerëve...

Ishte pra, një natë poetike shumë romantike, në këtë cep të atdheut tonë, në Tropojë, vatër e njohur e kulturës  letrare, e trimërisë e bujarisë, një çerdhe  e ngrohtë e shumë shpirtërore  me shumë rëndësi në Malësinë e Gjakovës e jo vetëm.

Në fund të përurimit, autori z. Zenun Hysenukaj, falënderoi të pranishmit me fjalët e përzgjedhura  të zemrës ,duke u thënë se secili nga Ju, që “keni mare rrugë të largëta për  të qenë  së bashku këto çaste, u falënderoj nga zemra”.

Nga Tropoja,pa darkë nuk shkon mysafiri në shtëpi,nuk “lejojnë” rrethanat e traditës. Pas një kokteji, duke u përshëndetur të gjithë me njëri tjetrin, u ndamë duke na mbetur shumë foto kujtime të përbashkëta.