Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Astrit Lulushi: Faji

| E hene, 31.08.2020, 11:00 AM |


Faji

Nga Astrit Lulushi

Njeriu nuk shqetësohet nga gjërat që ndodhin, por nga mendimet për gjërat që ndodhin; për shembull, vdekja nuk është gjë e tmerrshme, sepse nëse do të ishte kështu, do t’i dukej kështu Sokratit; mendimi për vdekjen, se është e tmerrshme, është gjëja e tmerrshme (e vetmja gjë e frikshme është vetë frika). Nga ana tjetër, kur jemi të shqetësuar, ne gjithmonë fajësojmë të tjerët, por kurrë veten, domethënë, mendimet tona. Të fajësosh tjetrin është akti i njeriut të mësuar për të fajësuar të tjerët për gjendjen e tij të keqe; të fajësosh veten është vepër e atij që ka filluar të mësohet për të fajësuar veten; dhe për atë, mësimi i të cilit ka përfunduar, faji nuk është as i tjetrit, e as i vetes. Nuk thuhet kot se, “faji është jetim”, kur tjetri s’e pranon.

Çdo gjë ndodh sepse duhet të ndodhë edhe me ose pa shqetësimin tonë. Njeriu shpesh kërkon që gjërat të ndodhin ashtu siç dëshiron të ndodhin; dhe jo thjesht të ndodhin natyrshëm ashtu siç janë. Pa shpërdorime e manipulime nisur për mirë, sot bota do të ishte krejt ndryshe, pa histori me luftra e konflikte. Sëmundja është pengesë për trupin, por jo për dëshirën, përveç nëse vetë dëshira zgjedh. Mos u lodh në asnjë rast të mendosh pse nuk sheh përsosmëri tek tjetri, sepse tjetri është pasqyra jote. Dhe shto këtu reflektimin përballë gjithçkaje që ndodh; sepse do ta gjesh si pengesë për diçka tjetër, por jo për të parë veten tënde.