Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Njomësi e bukur

| E hene, 31.08.2020, 07:45 AM |


Njomësi e bukur

Nipit tim, Mares Habazaj pasi mbushi 10 muajsh

Nga Albert Habazaj

Me këmbë e me duar, duke ecur

Mares sikur flet, tek më sheh habitshëm:

- Ka tre muaj që pena të ka ngecur,

Ku humbe, o gjysh i “vargut të ndritshëm”?!

Apo shkruan mençurira të tjera

Që, ca herë, as vetë nuk di ç’thua,

Ç’i bëre fjalët? Mos t’i mori era?

Si merr gjumë e s’bën vjersha për mua?!

I papërmbajtshmi im me syrin serbes

Nuk më kupton që e kam një shqetësim,

Mares i vogël, trëndafil me vesë

Druhem të të pikturoj në vargun tim.

Njomësi e bukur çel herët çdo mëngjes

Tek zgjat doçkëzat ta marr hopa-hopa,

Sikur më fal dhjetë planete me shpresë

Sa Mares hedh këmbën, merr dritë bota.

Me guriçkat në breg loz si zog i kaltër,

Futet në ujë ta vërë detin përpara,

Qesh ëmbël, si ujë qielli i pastër

Dhe zgjatet të lozë me pulëbardhat...

Lixha, Çikallesh, Malësi e Elbasanit

14.08.2020


Kujtime të qeshura...

-Me Mbesën time Perla, shpatën e Skënderbeut dhe qenin e xha Markos-

Nga gjyshi Albert Habazaj

Sa gjëra kujtojmë e qeshim bukur

Sot që Purushja katër vjeçe u bë,

Shpatën e Heroit në mill kemi futur,

Se dhe qeni i xha Markos nuk leh më...

Kur ishim të vegjël, si jemi sjellë?!...

S’hanim ushqim pa filma vizatimorë,

Nga krevati i vjetër hoqëm një ristelë,

E mbanim trimërisht si shpatë në dorë.

Dhe si dy trima, ishim të vëmendshëm

Mos qeni i xha Markos fillonte të lehte,

I paepur bëhej ky vullnet i brendshëm

Kur gjella, për tekat tona, s’na pëlqente.

Se mund të fillonte nga çasti në çast,

E trembnim me shpatë të Skënderbeut,

“Pam e pam” e rrihnim në distancë

Dhe vetëshpalleshim Më të Fortët e Dheut.

Tek zbresim e hipim shkallët, pa u mbajtur,

Ngaqë s’jemi bebelushe të fjetura,

Si të mençur, dalim në horizont të hapur,

Kënaqemi me kujtime të qeshura...

12.08.2020

Lixha, Hotel kurativ Kuqja, Çikallesh, Malësi e Elbasanit