Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: "LDK e Re" apo “Lëvizje e Re Demokratike”, antipod i ndryshimit!

| E shtune, 29.08.2020, 06:58 AM |


"LDK e Re" apo “Lëvizje e Re Demokratike”, antipod i ndryshimit!

Shkruan: Florim Zeqa

Fundi i keq i koalicionit LVV-LDK, apo siq e kemi quajtur ndryshe 'koalicioni i shpresës', e bëjnë të domosdoshme lindjen e një alternative të re politike.

Kjo ishte shpresa e fundit për ndryshim nga konstalacioni aktual i skenës politike kosovare, që i bie se, më asnjëra nga partitë aktuale politike nuk paraqet shpresë për ndryshime në këtë vend. Vazhdimi i "status quos" me të njëjtat parti dhe lider që thyen shpresat për jetë në këtë vend, do t'i  bëjë qytetarët akoma më të pashpresë dhe të  painteresuar për të qendruar në atdheun e tyre.

Alternativa e re, shpresa reale e për ndryshim

Unë si aktorë jo i drejtëpërdrejt, por indirekt në politikë do të punojë pa ndalur me qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në Diasporën tonë deri në ç'rrënjosjen e plotë të sistemit të antivlerave dhe pabarazisë qytetare në vendlindjen tonë.

Alternativa e re për të cilën unë angazhohem, do të jetë një forcë e re politike e cila në asnjë rrethanë nuk do të bëhet pjesë e  sistemit të antivlerave.

Alternativa e re e ndryshimit politik në vend, nuk do të bashkëpunojë me asnjëren nga partitë aktuale të skenës politike, por do të angazhohet për bashkëpunim me të gjitha forcat progresive dhe elektoratin e të gjitha partive politike.

Do të bëjë çdo gjë që është e mundur në rrugë demokratike që ky elektorat i shpërndarë të mos përdoret edhe më tutje për llogari të partive të dështuara politike dhe për interesa meskine të liderëve partiak dhe grupeve tjeta të interesit.

Thirrje shpirtërore për unifikim

Qytetar të dashur të vendit tim, ju lutem deri në përulje , mos u bëni  mbështetës dhe as simpatizant të partive të dështuara politike. Do të jetë e pafalshme për ne, nëse i mbështesim në garën për pushtet këto parti dhe këta liderë matrapaz që kontrabanduan vullnetin tonë për 2 dekada rresht, nga njëra parti tek tjetra.

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, gjaku im i shprishur dardan, ju bëjë thirrje shpirtërore që të unifikohemi edhe një herë sikurse në fillim të viteve të '90-ta për ta bërë ndryshimin epokal.

Në kohë reale dhe me shpejtësi ndodhin vetëm fatkeqësite natyrore dhe veprimet e shëmtuara njerëzore.

Ndryshimi që ne synojmë fillon nga momenti i nisjes së rrugëtimit tonë të përbashkët dhe nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit final.

Rruga deri të arritja e ndryshimit, në dukje të parë është e gjatë dhe e mundimshme, por mund të bëhet aq e shkurtër dhe lehtë me mbeshtetjen e të gjithë qytetarëve që janë elektorat i shprishur, pra e të gjithë atyre që e duan me shpirtë vendin tonë-Republikën e Kosovës.

Alternativa e re politike, shpëtim për vendin

Ndryshimet substanciale në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë,  mund të arrihen vetëm me bashkimin e kapaciteteve intelektuale të mërgatës sonë, me bashkimin e të gjitha forcave progresive, të shëndosha dhe të padjallëzuara njerëzore të vendit tonë.

Krijimi i një Alternative të re politike nga elita intelektuale nga mërgata, konformë rrethanave kohore dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare është imperativ i ngutshëm kohor dhe i vetmi shpëtim për vendin.

Alternativa e re politike nuk guxon të jetë vazhdimësi dhe as levë e asnjë subjekti politik ekzistues. Ngase secila nga subjektet aktuale politike, për të mirë apo për të keq e kanë kryer të vetën,...pragmatizmi politik dhe patrioztizmi i tyre përfundon tek "URA" mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në Graçanicë, tek Patriarkana e Pejës apo Manastiri i Deçanit!

Partitë e reja me figura të vjetra

Formimi i partive të reja me figura të vjetra e të ricikluara, e pengon ndryshimin pozitiv që ne e synojmë.

Sikurse që janë të konsumuara të gjitha partitë politike bashk me liderët e tyre, edhe formimi i partive të reja me figura të vjetra apo të reja sorosiane do të bëhet pengesë serioze e ndryshimit pozitiv.

Të gjitha partitë politike pa dallim, e dëshmuan veten në qeverisjen e vendit dhe i kanë "meritat" e përbashkëta që e sjellën vendin buzë greminës dhe katandisen popullin në këtë gjendje të pashpresë siq është sot.

Prandaj, si të tilla çfarë janë, asnjëra nga partitë politike nuk paraqesin shpresë për ndryshim.

Nuk mund të paraqesin shpresë për ndryshim as iniciativat e reja për formimin e subjekteve të reja me figura të ricikluara dhe të dështuara politike. Nuk mund t'i sjellë vendit ndryshimin një politikan (e) që ka bashkëpunuar deri dje me partitë dhe liderët e korruptuar politik, që sa herë ka përfituar privilegje prej liderëve të korruptuar u ka rënë në përqafim,  ndërsa në momentin që i humbë ato i quan të lider të korruptuar dhe inkriminuar politik.

Vetëm një klasë e re politike, një frymë e pastër kombëtare, e udhëhequr nga intelektualë të nivelit të lartë, analistë dhe gazetarë të guximshëm, veprimtarë dhe aktivistë të devotshëm të çështjes kombëtare mund ta nxjerrë vendin nga humnera e klasës së papërgjegjshme politike.

Vetëm një fillim i ri, një organizim i ri me njerëz të rinjë, të pastër dhe të padjallëzuar me një platformë të qartë qeverisëse bazuar në zhvillimin ekonomik, barazi ligjore dhe mbrojtje të interesave të qytetarëve, do ta nxjerrë shtetin nga kthetrat e uzurpatorëve dhe do ta shpëtojë vendin nga katandisja e mëtutjeshme.

"LDK e Re" apo “Lëvizje e Re Demokratike”, janë vetëm një mashtrim për elektoratin dhe antipod i ndryshimit në Kosovë! Sikurse që nuk mund ta sjellë ndryshimin një LDK e Re nga partia e vjetër, ndryshim nuk paraqet as një Lëvizje e Re Demokratike e ricikluar nga partitë e vjetra dhe të konsumuara politike. LDK-ja ka nevojë për unifikimin e themeltarëve dhe veprimtarëve më  të devotshëm me elektoratin për ç'rrënjosjen e grupeve të interesit brenda saj.