Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Johann Wolfgang von Goethe

| E enjte, 27.08.2020, 07:47 PM |


Goethe në vitin 1828, nga Joseph Karl Stieler

JOHAN VOLFGANG FON GËTE

Ari mund ta blejë zërin e turmës, por s’mund të sigurojë as edhe një zemër të vetme (Gëte)

Nga Xhelal Zejneli

Johan Volfgang fon Gëte (Jonann Wolfgang von Goethe, Frankfurt-mbi-Majn, Perandoria e Shenjtë Romake, 28.08.1749 – Vaimar, Konfederata Gjermane, 22.03.1832) është poet, romancier, dramaturg, administrues, dijetar, gjeolog, botanist, politikan dhe filozof gjerman. Ishte bir i një babai të arsimuar. Nëna, bijë e kryetarit të atëhershëm të Frankfurtit, e lindi kur ishte 18 vjeçe. Gëte kishte një motër e cila quhej Kornelia. Shkruante tregime qysh si i vogël. Ndoqi orët e vallëzimit, të kalërimit dhe të skermës (ndeshje me shpata). Dashurinë për teatrin e kukullave e trashëgoi prej së ëmës. Në vitet 1765-1768 studioi drejtësinë në Lajpcig, ndërsa në vitet 1770-1771, në Strasburg. Në vitet 1768-1770 tregoi interesim për mistikën religjioze, për alkiminë, për astrologjinë dhe për filozofinë okulte. Krahas drejtësisë mësoi edhe kiminë, anatominë dhe fizikën.

Gjatë jetës, Gëte ka qenë në lidhje dashurie me disa femra. Si i ri, ka dashuruar vashën e quajtur Fridrih Brion (Friedrich Brion), bijë e një pastori, prifti protestant. I pikëlluar, u nda prej saj. Duke u bazuar në përvojën e vet, Gëte ka shkruar shumë për ndarjet e të dashuruarve. Dëshpërimi në dashuri e ka frymëzuar Gëten për ta shkruar edhe “Faustin”. Përpos për  dashuritë e thyera, shkroi edhe për shkencë dhe filozofi. Në vitin 1771 ishte avokat në Frankfurt. Po atë vit botoi revistën “Götz von Berlichingen”. Në vitin 1774 u fejua me Elizabet Sheneman (Elizabeth Schönemann, 1758-1817) të cilën në poezitë e veta do ta quaj Lili. Ajo ishte inspirim i shumë poezive të tij. Tani nga qyteti i lindjes largohet përgjithmonë.

Në vitet 1770-1771 në Strasburg shoqërohet me Johan Georg Herderin i cili kishte fituar famë me shkrimet kritike. Nën ndikimin e tij, Gëte fillon të interesohet për poetin antik grek Homerin (shek. VIII para K.), për poezinë popullore, për Shekspirin dhe për të kaluarën kombëtare gjermane. Përfshihet në lëvizjen Sturm und Drang. dhe boton revistën letrare “Götz von Berlichingen”. Në vitin 1772, me të parë se me praninë e tij e prishte harmoninë midis mikut të vet, avokatit dhe arkivistit gjerman Johan Kristian Kestner (Johann Georg Christian Kestner, 1741-1800) dhe të fejuarës së tij Sharlot Buf (Scharlotte Buff, 1753-1828), largohet nga lëvizja. Si i ri, Gëte kishte rënë në dashuri me Sharlotën Buf, por ajo e kishte refuzuar dhe ishte martuar me Kestnerin.

Ky episod, lajmi për vetëvrasjen e një të njohuri të tij i quajtur Jerusalim dhe sugjerimi që të mos shkonte më në shtëpinë e tregtarit Brentan, me gruan e të cilit i binte një instrumenti muzikor, e motivuan për ta shkruar romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter” të botuar më 1774.  Vepra i solli famë botërore. Para këtij romani e kishte botuar tragjedinë “Götz von Berlichingen” (Gëci i Berlihingenit, 1773) të shkruar sipas shëmbëlltyrës së Shekspirit.

U bë letrar i famshëm qysh në moshën 25-vjeçare. Nga nëntori i vitit 1775, pas suksesit të romanit të tij të parë “Vuajtjet e djaloshit Verter”, Gëte sillej në krahinën e Saksen-Vaimarit. Në vitin 1778, me ftesë të Dukës së Madh të Saks-Vaimar-Ajsenah-ut (Saxe-Weimar-Eisenach), Karl August (1757-1828), poeti tanimë i famshëm, Gëte, shkon në Vaimar ku do të kryejë një sërë punësh politike. Në fillim u bë këshilltar kryesor i dukës. Së shpejti aty e sjell Herderin dhe Shilerin. Vaimari bëhet strehë shpirtërore e rëndësishme e Gjermanisë.

Aty njihet me Sharlot fon Shtajn (Charlotte Albertine Ernestine Amalia von Stein, 1742-1827) së cilës i kushtoi 1700 letra dhe një numër poezish. Në Vaimar punoi në vitet 1775-1786, d.m.th. plot njëmbëdhjetë vjet. Në vitin 1782, në saje të dukës së kësaj krahine, Karl August, Gëte u bë pjesëtar i fisnikëve.

Si oficer i ushtrisë së Prusisë, Gëte mori pjesë në betejën e Valmit. Në vitet e mëvonshme njohu Napoleonin dhe u dekorua me Urdhrin e Legjionit të Nderit. Në vitin 1806, ndonëse i fejuar, Gëte u martua me Kristiana Vulpius (Johanna Christiana Sophie Vulpius, 1765-1816). Ajo ka qenë e martuar dhe ka pasur pesë fëmijë. Me këtë grua e cila vdiq në moshën 51-vjeçare, Gëte kishte një djalë, që quhej Karl.

Gëte ishte pjesëmarrës i hershëm i lëvizjes letrare Sturm und Drang (Stuhi dhe Vrull). Gjatë dhjetë viteve të tij të para në Vaimar, Gëte ishte anëtar i Këshillit shtetëror të dukës, ishte anëtar i Komisionit për çështje të luftës dhe të qarkullimit rrugor, mbikëqyri rihapjen e minierës së argjendit në Ilmenau, zbatoi një varg reformash administrative në Universitetin e Jenës, dha ndihmesë në planifikimin e Parkut botanik të Vaimarit dhe në rindërtimin e pallatit të dukës,  që në vitin 1998 u përfshinë në listën e thesarit botëror të UNESKO-s.

Gëte është një nga personalitetet kryesore të letërsisë gjermane, neoklasicizmit dhe romantizmit evropian. Ushtroi ndikim të madh mbi shumë shkrimtarë dhe mendimtarë të shek. XIX. Dha ndihmesë të madhe në shkencë, në fizikë dhe në biologji. Si shkrimtar, është cituar shpesh, ndërsa frazat e tij janë bërë pjesë e pandarë e gjuhës gjermane. Me veprat e veta ndikoi që letërsia gjermane dhe evropiane, neoklasicizmin ta zëvendësojnë me romantizmin. E shtriu ndikimin e vet në mbarë Evropën.

Në shekullin XX, prej veprave të tij lindën shumë vepra muzikore dhe pjesë dramaturgjike. Prej poezive të tij krijuan vepra muzikore kompozitorë të mëdhenj, si: kompozitorët gjermanë Robert Shuman (Robert Schumann, 1810-1856) dhe Johanes Brams (Johannes Brahms, 1833-1897) si dhe kompozitorët austriakë Franc Shubert (Franz Schubert, 1797-1828), Hugo Volf (Hugo Wolf, 1860-1903) dhe Johan Shtraus (Johann Strauss,1825-1899).

Gëte mbështeti mendimin e shkrimtarëve të rinj të atëhershëm se letërsia gjermane ka nevojë për ndryshime të caktuara. Konsideronte se shumë poetë, në të shkruar të poezisë, janë tepër rigorozë. Kërkonte liri dhe kreativitet më të madh në letërsi. I ndihmoi Herderit për të mbledhur poezi popullore. Që të dy besonin se poezia vjen nga zemra dhe ajo duhej të bazohej në ndjenjat dhe në përvojat e poetit dhe jo në idenë e vjetruar sesi duhej të ishte një poezi e mirë.

Shënim: Sturm und Drang është periudhë apo lëvizje letrare në Gjermani e viteve 1767-1785. Emrin e mori sipas dramës “Sturm und Drang” (Stuhi dhe Vrull, 1776) të dramaturgut e romancierit gjerman Fridrih Maksimilian Klinger (Friedrich Maximilian Klinger, Frankfurt-mbi-Majn, 1752 – Dorpat, Rusi, 1831). Kjo lëvizje letrare ngrihet kundër klasicizmit, iluminizmit dhe racionalizmit të tepërt. Kërkon më shumë ndjenja dhe botën e imagjinatës. Arti është vepër e gjenive. Kjo kohë quhet edhe epokë e gjenive. Në botën materiale të detyrimeve dhe të rendit ligjor, kjo kategori e njerëzve e kishin vështirë të jetojnë të lirë. Për këtë arsye fati i tyre pashmangshëm është tragjik. Heroi i romanit “Vuajtjet e djaloshit Verter” Gëtes ka fund tragjik. Pajtimi i tij me shoqërinë është i pamundur.

Formë letrare kryesore e kësaj lëvizjeje letrare, krahas poezisë lirike ishte edhe drama. Drama e shprehte më drejtpërsëdrejti konfliktin e pazgjidhur midis gjeniut të pafrenueshëm dhe rendit botëror ekzistues. P. sh. dramat “Die Räuber”(Cubat, 1782) dhe “Wilhelm Tell” (Vilhelm Teli, 1804)Fridrih Shilerit.

*   *   *

Punimi shkencor i parë i Gëtes “Metamorfoza e bimëve” u botua pas kthimit të tij nga një qëndrim në Itali në vitin 1788. Më 1791 ishte drejtor i teatrit në Vaimar, ndërsa më 1794 lidhi miqësi me poetin gjerman, dramaturg, përkthyes, botues dhe kryeredaktor reviste Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805). Shileri ishte mjek ushtarak dhe profesor në Universitetin e Jenës, një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit gjerman. Përktheu në gjermanisht Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616), dramaturgun francez Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699) etj. Gëteja i shfaqi dramat e Shilerit si premierë deri në vdekjen e tij më 1805. Gjatë kësaj periudhe botoi romanin “Vitet e arsimimit të Vilhelm Maisterit”, 1795-96) dhe vargjet epike “Hermani dhe Dorotea”, 1797). Më 1808 botoi pjesën e parë të tragjedisë “Fausti” me tematikën e së cilës ishte preokupuar mbi 30 vjet.

Konverzacionet e Gëtes dhe veprimet e përbashkëta që ndërmori prej vitit 1790 e më pas me Shilerin, me filozofin gjerman Johan Gotlib Fihte (Johann Gottlieb Fichte, 1762-1814), me shkrimtarin e filozofin gjerman Johan Gotfrid fon Herder (Johann Gottfried Herder, 1744-1803), me natyralistin, gjeografin dhe eksploruesin gjerman, vëlla më i vogël i Vilhelm fon Humboltit, Aleksandër fon Humbolt (Friedrich Wilhelm Heinrich Alexander von Humboldt, 1769-1859), me filozofin gjerman, gjuhëtar, burrë shteti, bashkëthemelues i Universitetit të Berlinit Vilhelm fon Humbolt (Wilhelm von Humboldt, 1767-1835), me poetin gjerman, kritik letrar dhe përkthyes i Shekspirit August fon Shlegel (August Wilhelm Schlegel, 1767-1845), me poetin gjerman, kritik letrar, filozof, gjuhëtar, indolog, vëlla i August Shlegelit, Fridrih fon Shlegel (Karl Wilhelm Friedrich Schlegel, 1772-1829) - në vitet në vijim u quajtën klasicizëm i Vaimarit.

Filozofi dhe eseisti gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer,1788-1860) romanin “Vitet e arsimimit të Vilhelm Maisterit” të Gëtes e konsideron si një prej katër romaneve më të mira të shkruara ndonjëherë, bashkë me romanin “The Life and Opinions of Tristram Shandy, Gentleman” (Jeta dhe mendimet e Tristram Shendit, xhentëlmenit, 1-2, 1759, 3-4, 1760, 5-6, 1761, 7-8, 1765, 9, 1767) të romancierit anglez Lorens Stërn (Laurence Sterne, 1713-1768), me romanin epistolar “Julie ou La Nouvelle Héloïse” (Julia ose Heloiza e re, 1761) të shkrimtarit e filozofit francez Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Ruosseau, 1712-1778) dhe me romanin “Don Kishoti” (Pjesa I, 1605 dhe Pjesa II 1615) të shkrimtarit spanjoll Miguel de Servantes (Migel de Cervantes Saavedra, 1547-1616).

Eseisti dhe poeti amerikan Raelf Uëldou Emërsën (Ralpf Woldo Emerson, 1803-1882), në librin “Representative Men” (Personalitete të shquara, 1850) e ka zgjedhur Gëten si njërin prej gjashtë njerëzve më të shquar, bashkë me Platonin (427-347 para K.), me shkrimtarin, dijetarin, filozofin dhe teologun suedez Emanuel Svedënborj (Emanuel Swedenborg, Stokholm, 1688 – Londër, 1772), me prozatorin dhe filozofin francez Mishel dë Montenj (Michel Eyquem de Montaigne, 1533-1592), me perandorin dhe prijësin ushtarak francez Napoleon Bonapartën (Napoleone di Buonaparte, 1769-1821) dhe me Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616).

Komentet dhe observimet e Gëtes përbëjnë bazën e disa punimeve biografike. Më i njohur prej tyre është “Gespräche mit Goethe in den letzten Jahren seines Lebens, 1823-1832” (Biseda me Gëten, Lajpcig 1836) i poetit gjerman Johan Peter Ekerman (Johann Peter Eckermann, 1792-1854).

*   *   *

Krijimtaria letrare e Gëtes i takon periudhës romantizmit dhe neoklasicizmit. E para vepër e Gëtes para se të kishte vajtur në Vaimar, tragjedia “Gëci i Berlihingenit” (1773), njëherazi është ajo që i solli famë. Nëpërmjet një teme nga Gjermania e shekullit XVI tërheq një paralele historike me konfliktet politike ndërmjet qytetarisë dhe oborreve të kohës së tij. Me këtë dramë Gëte doli në krye të grupit të poetëve të rinj.

Në romanin epistolar (në formë letrash) “Vuajtjet e djaloshit Verter”(1774) që i dha famë botërore, kemi të bëjmë me një rrëfim thellësisht personal. Verteri i ri dashurohet me pasion te një grua e martuar që në fund të përfundojë me vetëvrasje. Lëndën e kësaj vepre Gëte e mori nga jeta e vet. Heroi i veprës rrëfen me hollësi për gjendjen shpirtërore dhe për vuajtjet që ia shkakton dashuria. Bëhet fjalë për pakënaqësinë pasive dhe sentimentale të heroit të kohës, i cili është tejet emocional dhe i ndjeshëm. Ai ik nga bota por nuk mund t’u ikë prangave që ia imponon shoqëria. Largohet prej njerëzve dhe gjen strehim në natyrë.

Ky nuk është vetëm një roman epistolar dashurie, sipas shembullit të Semjuel Riçërdsonit. Heroi rrëfen edhe për përjetimin e jetës në përgjithësi, për entuziazmin dhe ankthet e botës psikike të tij. Jeta për të cilën ëndërron Verteri është në kundërshti të plotë me realitetin që e rrethon. Ai ndjen hidhërim për shkak të konvencioneve të prapambetura të shoqërisë që e frenojnë zhvillimin e lirë të individit dhe të shpirtit njerëzor. Është një prej romaneve më të rëndësishme të dashurisë në letërsinë botërore. Madhështia e kësaj vepre qëndron në faktin se kemi të bëjmë me rrëfimin melankolik, emocional dhe lirik të disponimeve shpirtërore më të fshehta dhe të dhimbjeve shpirtërore më intime. Para kësaj vepre, për një gjë të tillë nuk është ditur, ndërsa koha ka dëshmuar se edhe pas kësaj vepre, një gjë e tillë nuk është dëgjuar.

Duke paraqitur një tragjedi dashurie, Gëte i ka pasqyruar të gjitha problemet e mëdha të kohës së vet në luftën për zhvillimin e personalitetit. Synimi i Verterit për zhvillimin e lirë të personalitetit, duke qenë në kundërshti të dhimbshme me konvencionet shoqërore, do ta çojë të riun drejt vdekjes. Ky roman aq shumë ka ndikuar te të rinjtë saqë periudhën e popullaritetit të tij e kanë quajtur “ethet e Verterit”. Për shkak të rritjes së numrit të vetëvrasjeve, në Itali dhe në Danimarkë libri ishte ndaluar një kohë. Tema e kësaj proze lirike e shprehu ndjenjën jetësore të shumë brezave në mbarë Evropën.

Shënim: Semjuel Riçërdsoni (Samuel Richardson, 1689-1761) është prozator anglez, me arsimim modest. Që në moshën 13-vjeçare fitonte para duke shkruar letra dashurie për të dashuruarit. Është autor i romanit në shtatë vëllime “Clarissa: or, The History of a Young Lady” (Klarisa ose rrëfim për zonjën e re, 1748-49). Romanin nisi ta shkruajë në vitin 1744. Fati i Verterit të Gëtes është po ai i Klarisës së Riçërdsonit. Ajo dy herë refuzon të martohet kundër vullnetit të saj. Duke mos mundur ta përballojë situatën me të cilën është ballafaquar, vdes.

*   *   *

Në vitin 1786 Gëte e pa se detyra e këshilltarit nuk i mundësonte kohë të duhur për të shkruar, ndaj shkoi në Itali ku qëndroi 18 muaj (1786-1788). Atje u bë drejtues i teatrit të dukës. Lexonte histori arti dhe poetët e lashtësisë. Me t’u kthyer nga Italia shkoi në Vajmar. Pas një kohe të shkurtër u rikthye në Apenine. Atje vendosi lidhje të ngushtë me dramaturgun dhe poetin gjerman Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805). Gjatë krijimit të veprave letrare ndihmonin njëri-tjetrin. Miqësia midis tyre zgjati deri në vdekjen e Shilerit më 1805.

Që prej vitit 1794 iu përkushtua vetëm shkrimeve. Në këtë periudhë lindi romani “Wilhelm Meisters Lehrjahre” (Vitet e arsimimit të Vilhelm Maisterit, 1796). Një roman i këtillë në gjuhën gjermane emërtohet si “buldungsroman” që ka kuptimin “roman arsimor”. Heronj të veprave të tij të kësaj periudhe janë njerëzit e thjeshtë dhe jo gjenitë, si më parë. Në këtë vepër pasqyron aventurat e një të riu të përshkuar nga pasioni për teatrin. Romani jep pasqyrën reale të jetës shoqërore në shekullin XVIII. Si hero, Vilhelm Maisteri është një variacion i posaçëm i Verterit. Ky roman është njëherazi edhe realizim i një programi estetik. Gëte shkruan thuktë, me një pasuri të madhe shprehjesh, por rrëfimi intensiv i drejtpërdrejtë gjithnjë më tepër ngarkohet me didaktikë: i tërë entuziazmi për teatër nuk është veçse lajthitje. Si model i romanit zhvillimor, kjo vepër ndikoi dukshëm në zhvillimin e këtij zhanri në letërsinë gjermane.

“Nga jeta ime: fakte dhe fiksion” është pseudo-autobiografia e Gëtes në të cilën shkruan për qëndrimin e vet në Itali. Më vonë shkroi veprën “Zgjedhje sipas ngjashmërisë”. Tani shkruante edhe punime dhe shqyrtime shkencore për artin gjerman. Në këtë kohë e përfundoi dramën “Egmontin” (1788). E shkroi në vargje dramën “Ifigjeninë në Tauridë” (Iphigenie auf Tauris, 1787) dhe e filloi në vargje dramën “Torkuato Taso” (Torquato Tasso, 1790). “Egmonti” është dramë me temë historike nga revolucioni holandez. Këtu ende jeton patosi i stilit i qytetarit protestues. Në “Ifigjenia në Tauridë” Gëte i kthehet lashtësisë greke, përkatësisht renesancës italiane, për t’i paraqitur në petkun klasik problemet e mëdha njerëzore, pozitën e njeriut të mbërthyer midis pasioneve burimore dhe disiplinën shoqërore.

Në kapërcyell të fazës së vonshme të krijimtarisë vjen romani “Die Wahlverwandtschaften” (Shpirtra të ngjashme, 1809). Këtu jep pasqyrën shoqërore-psikologjike të problemeve erotike dhe martesore. Është një tragjedi intime e thurur me motive simbolike. Në veprën “Zgjedhje sipas ngjashmërisë” Gëte kërkon të hiqet dorë nga çdo gjë që është shqisore. Madje edhe mëkati i bërë gjatë të menduarit shpie në katastrofë. Romani është eksperiment, një përpjekje psiko-kimike.

Në vitin 1821 e shkroi vazhdimin e Vilhelm Maisterit me titull “Wilhelm Meisters Wanderjahre” (Udhëtimet e Vilhelm Maisterit, 1821, 1829) me nëntitullin “Ata që heqin dorë”. Libri përbëhet prej disa pjesëve të shkruara si tregime të veçanta. Në të flitet për raportin midis heroit kryesor dhe shoqërisë. Pjesa kryesore e romanit i kushtohet utopisë së edukimit që është përshkruar si Provincë pedagogjike. Ndonëse flet për disiplinën dhe sintezën, për nga kompozicioni romani është tej mase i lirë: pjesë të radhitura lirshëm, novela dhe tregime tanimë të botuara apo të destinuara për përmbledhje të tjera, maksima dhe refleksione, si dhe ndonjë poezi.  Romani “Udhëtimet e Vilhelm Maisterit” dhe “Fausiti” (II-1832) janë vazhdime dhe përfundime të veprave më të hershme.

Një pjesë të madhe të jetës ia kushtoi krijimit të “Faustit”. Versionin e parë të kësaj tragjedie e shkroi në rini. Tematika bazohet në karakterin legjendar të njeriut me emrin Faust. Alkimisti i prirë nga interesat vetjakë, ia shet shpirtin djallit. Gëte ia doli të kapërcejë hendekun midis rrëfimit të vjetër dhe pikëpamjeve bashkëkohore të njeriut në kërkim të kënaqësive. “Faustin” e shkroi në periudhën prej vdekjes së Shilerit (1805) deri në vdekjen e vet (1832). Është dramë madhështore, me tematika e së cilës është preokupuar mbi tridhjetë vjet. Pjesa e parë doli më 1808, ndërsa e dyta - më 1832. Lënda e gojëdhënave mesjetare dhe të epokës së renesancës është shkrirë me motivet bashkëkohore (tragjedia e Margaritës në dashuri), duke marrë një shtrirje të gjerë historike. Fausti është personazhi simbolik më markant i historisë së kulturës evropiane të kohës më të re. Në aventurat e tij, në takimin me Mefiston, cinikun djallëzor është pasqyruar madhështia dhe vuajtja e njeriut të shekullit të ri dhe synimi i tij për ta njohur botën.

Në versionin burimor të “Faustit” Gëte bëri disa ndryshime. Për të bërë ndryshime ndikoi edhe Shileri i cili i jepte këshilla gjatë të shkruarit të tragjedisë. Pjesa e dytë e “Faustit” është një rikapitulim madhështor i një numri të madh motivesh dhe modelesh stili të letërsisë evropiane, që nga lashtësia deri në kohën moderne. Tani kultura poetike virtuoze dhe simbolika e ndërlikuar, herë-herë hermetike, e zëvendësojnë narracionin e drejtpërdrejtë të Gëtes së ri.

Shënim: Fausti është personazhi kryesor i tragjedisë “Fausti” të Gëtes. Është simbol i synimit të pandalshëm të njeriut për dituri dhe për zbulimin e kuptimit të jetës, për kërkimin e fatit, sikundër është zhvilluar dhe është manifestuar në epokën e renesancës, përkatësisht në fillim të ngritjes së klasës borgjeze. Është i njohur betimi i Faustit para mashtruesit të tij Mefistos*, në të cilin ia premton shpirtin e vet në çastin kur të ndjehet fatlum: “A do të vijë ndonjëherë çasti që t’i them atij: Ndalu! Atëherë me gjithë dëshirë do të bëhem preja jote, atëherë lidhmë me pranga”.

Shënim: Mefistofeles (armik i dritës) është figurë e mitologjisë hebraike-krishtere, qenie që nuk i beson të mirës, shpirt i keq, shpirt i mohimit, shoqërues i Faustit. Fjala përdoret edhe si Mefisto; mefistofelike – djallëzore, cinike, e neveritshme, inferrnale, satanike, demonike, sotonike.

*   *   *

Në dhjetëvjeçarët e parë të qindvjeçarit XIX sytë e Evropës së kulturuar ishin të drejtuar kah Vaimari i Gëtes, si përgjigje për interesimin e gjallë të poetit për dëshmitë letrare të të gjithë popujve, për “letërsinë botërore”. Kjo lidhje e ndërsjellë është një nga përmendoret e përhershme të Gëtes. Veprat e Gëtes, sapo botoheshin ndikonin me të madhe në letërsi dhe në art.

Stili klasicist i kësaj faze krijuese, ka edhe rëndësi shoqërore historike. Një stil i tillë ka lindur nga bindja se kultura estetike e ndërtuar me kujdes do ta kompensojë krejt atë që realiteti politik i asaj kohe nuk ka mundur ta japë. Pra, përkushtimi i Gëtes artit dhe dijes është shenjë e një rezignimi. Këtë e pranon edhe ai kur në epigramet satirike “Xenien” (1796) të krijuara bashkë me Shilerin, u sugjeron gjermanëve: Meqë nuk keni mundur të arrini unitet politik dhe kombëtar, atëherë ju mbetet që njerëzoren ta kultivoni në mendjet tuaja dhe në jetën tuaj praktike.

“Römische Elegien” (Elegji romake, 1795) janë shembuj të poezisë erotike dhe refleksive të thurura me përjetimin intim të lashtësisë klasike, nën diellin e jugut. Në këtë fazë Gëte shkroi epin satirik nga mbretëria e kafshëve “Reineke Fuchs” (Dhelpra Reineke, 1794) si dhe epin “Hermann und Dorothea” (Hermani dhe Dorotea, 1797) që është një pasqyrim epik i jetës qytetare në periudhën e Revolucionit francez, në petkun klasik. Me këtë vepër thekson rëndësinë e familjes, të punës së përditshme dhe të paqes, si në “Elegjitë romake”.

Ciklin e poezive e përfshiu në përmbledhjen “West-östlicher Divan” (Divani perëndimor-lindor, 1819). Këtu urtësia jetësore dhe entuziazmi dashuror ndërthuren në vargjet lirike të zdritshme, të frymëzuara nga poezia orientale. Prej vitit 1810 e deri në fund të jetës Gëte punon me ndërprerje në shkrimet autobiografike. Prej tyre më të njohur janë ”Aus meinem Leben. Dichtung und Wahrhait” (Nga jeta ime. Poezia dhe realiteti, 1811, 1812, 1814, 1833). Në to e paraqet jetën e vet deri në vajtjen në Vaimar (Weimar), duke e përshkuar lëndën autentike me evokimin artistik të së kaluarës.

Ndër tekstet e pleqërisë mund të përmenden shkrimet me aforizma “Maksima dhe refleksione” të botuara pas vdekjes. Aty e shohim thelbin e përvojës së madhe jetësore dhe intelektuale të tij, gjë që mund të shihet edhe në “Biseda me Gëten” të Ekermanit.

Zhvillimi shpirtëror i Gëtes më së miri vërehet në lirikë. Poezia e tij e kësaj kohe është e një ritmi të lirë. Pas kësaj faze bëhet poet i harmonisë. Natyra në këto poezi tregon rendin dhe harmoninë, shndërrohet në poezi idesh. Të tilla janë “Kënga e natës e udhëtarit”, “Hyjnore” dhe “Të kënduarit e shpirtrave mbi ujëra”. Nëpërmjet poezisë vë në dukje veprimin e forcave natyrore, shumë më të forta se lloji njerëzor, ndaj arsyeja nuk është në gjendje t’i përkufizojë.

Nga poezitë religjioze të frymëzuara nga poeti gjerman Fridrih Gotlib Klopshtok (Friedrich Gottlieb Klopstock, 1724-1803), nëpër poezitë anakreontike* të frymëzuara nga tregimtari gjerman Kristof Martin Vilant (Christoph Martin Wieland, 1733-1813) deri te ndikimi i Herderit burim i entuziazmit poetik bëhet natyra në të cilën Gëte sheh personifikimin e lirisë krijuese dhe të forcës themelore (“Mirëseardhja dhe ndarja”).

Shënim: Poezia anakreontike e ka marrë emrin nga poeti antik grek Anakreonti (mesi i shek. VI para K.) i cili trajtonte motive dashurie dhe vere.

*   *   *

“Biseda me Gëten”Ekermanit Gëte thotë se nuk e ka dashur iluminizmin, për arsye se vetë ai më tepër ka qenë njeri i zemrës sesa i arsyes. Për Gëten romantikët kanë qenë të huaj ngase në thelb ai ka qenë realist. Nga të gjithë bashkëkohësit e vet më së shumti e ka çmuar poetin anglez të epokës së romantizmit Xhorxh Gordon Bajronin (George Gordon Byron, 1788-1824). I dukej sikur Bajroni më tepër i përket klasikes se romantizmit. Gëte më së shumti e çmon poezinë dhe artin klasik, ndërsa në romantizëm sheh diçka jo të shëndoshë, joorganike.

*   *   *

Gëte u bë spinozist: Zoti është në natyrë. Në natyrë ka dy elemente: forca dhe materia.  Forca është Zoti. Prandaj duhet dashur tërë forcën natyrore. Më vonë, ky koncept filozofik merr nuanca të tjera dhe Gëte si motiv poetik i merr perënditë antike greke, si personifikim të forcave natyrore dhe rebelohet kundër tyre. Motiv i poezisë “Prometeu”, e cila njëherazi është patetike, plot luftë dhe entuziazëm.

Shënim: Baruh dë Spinoza (Baruch de Spinoza, 1632-1677) është filozof holandez, me prejardhje portugeze, i bashkësisë çifute.

Në këtë kohë Gëten e preokupojnë idetë e mendjeve të mëdha apo të figurave mitologjike: historiani dhe politikani romak Cezari (Gaius Iulius Caesar, 100-44 para K.), Fausti, Prometeu*, – simbole të gjenive që e udhëheqin njerëzimin. Në këtë fazë (Sturm und Drang) shfaqen ritmet, vargjet e lira, secili me numër tjetër rrokjesh, saqë kanë mundur të shkruhen në prozë.

Shënim: Në mitologjinë antike greke Prometeu ishte një prej titanëve. Sipas mitit, vodhi nga qielli zjarr dhe i mësoi njerëzit sesi ta shfrytëzojnë atë, duke rrënuar kësisoj besimin te forca e perëndive.

Në Vaimar pushon rebelimi dhe shfaqet një Gëte i qetë, poet i harmonisë i cili në natyrë sheh forcën amë të njerëzimit. Natyra tanimë nuk është e lemerishme, me plot forca armiqësore, demonike, por është e endur me harmoni dhe rend, ndërsa forcat hyjnore anojnë kah njeriu (“Këngë nate e udhëtarit”, “Të kënduarit e shpirtrave mbi ujëra”).

Sa më ideore bëhet poezia e Gëtes, aq më tepër sillet rreth idesë së humanes (“Hyjnore”). Dëshira e madhe për Italinë shihet në veprën “Mignon” (Minjon). Pas qëndrimit atje, poezia e tij bëhet shqisore aq sa edhe ideore. Gëte qysh kur ishte në lëvizjen Sturm und Drang shkruante balada. U përsos duke bërë garë me Shilerin, i cili gjithmonë niset nga ideja etike, ndërsa Gëte ka koncepte më të lira.

Për Shilerin kantist*, balada është ide për dramë, ndërsa te Gëteja spinozist më parë vërehet veprimi i forcave natyrore të cilat janë më të forta se njeriu, ndaj arsyeja nuk mund t’i sqarojë dhe t’i përkufizojë.

Shënim: Imanuel Kanti (Immanuel Kant, 1724-1804) është përfaqësues i filozofisë klasike idealiste gjermane. Me punimet e veta në epistemiologji, në metafizikë, në etikë dhe në estetikë konsiderohet si një nga përfaqësuesit më me ndikim në historinë e filozofisë perëndimore.

*   *   *

Përpos ndihmesës në letërsi, rëndësi ka edhe puna shkencore e Gëtes. Në biologji është e njohur teoria e kushteve të metamorfozës së bimëve. Zbuloi ashtin e mesëm të nofullës së njeriut. U interesua për bujqësinë duke studiuar problemet e ujitjes. U mor me gjeologji, me anatomi për arsye se ligjëronte në akademinë e artit figurativ, me morfologji dhe optikë. Vepër e rëndësishme e tij në fushën e shkencës është “Teoria e ngjyrave”.

*   *   *

Gëte ka qenë njeri i mendimit të lirë i cili besonte se njeriu mund të jetë i krishterë në zemër, pa shkuar nëpër kisha krishtere. Disa mësime religjioze i mohonte prerazi. Bënte dallim të qartë midis Krishtit dhe parimeve të teologjisë krishtere. Kritikonte historinë e kishës si një “rrëmujë lajthitjesh dhe dhune”. Qëndrimi i tij ndaj fesë së krishterë dhe kishës mjaft ka ndryshuar dhe është interpretuar në një përmasë akoma më të gjerë. Lidhur me krishterimin, Krishtin, teologun, poetin dhe përkthyesin gjerman Martin Luterin (Martin Luther, 1483-1546) dhe reformat protestante sekretari i tij Ekerman e ka portretizuar Gëten si një entuziast i cili e ka quajtur krishterimin “religjion ultimat”. Në një rast e ka përshkruar veten si njeri që “nuk është antikrishter, as jokrishter, por prerazi nuk është i krishterë”. Në “Epigramin venecian 66”, Gëte e rendit simbolin e kryqit midis katër gjërave që më së shumti nuk i pëlqejnë. Sipas filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900) Gëte ka poseduar “njëfarë forme të fatalizmit pothuajse të hareshëm dhe konfidencial” i cili ka pasur “fe e cila vetëm në totalitetin e çdo gjëje e shpëton veten dhe duket mirë dhe i arsyeshëm”. I lindur në një familje luterane, feja e hershme e Gëtes ka qenë e tronditur nga ngjarjet siç është tërmeti në Lisbonë në vitin 1755 si dhe lufta shtatëvjeçare. Perspektiva shpirtërore e mëvonshme e tij përfshin elemente të panteizmit nën ndikimin e fuqishëm të Spinozës, të humanizmit dhe elementeve të ndryshme ezoterizmit perëndimor që shihet në mënyrë më piktoreske në pjesën e dytë të “Faustit”. Një vit para vdekjes, në letrën Sjulpiz Buaserit, Gëte thotë se i duket sikur gjatë tërë jetës ka synuar të bëhet një prej hipsistarianëve të një sekti të lashtë hebraik-pagan të rajonit të Detit të Zi. Ata kanë respektuar, si të afërt me Perëndinë, atë që e kanë njohur si më të mirë dhe më të përkryer. Ai po ashtu ka pasur afinitet për hebrenjtë dhe në një rast shkruan: “Energjia është baza e çdo gjëje. Çdo hebre, pavarësisht sa është i parëndësishëm, merr pjesë në ndonjë synim të prerë dhe të drejtpërdrejtë që shpie drejt qëllimit. Ata janë njerëzit më të amshueshëm në botë”.

*   *   *

politikë Gëte kishte pikëpamje konservatore. Idetë e Gëtes lidhur me politikën bazoheshin në idetë e shekullit XVIII. Gjatë Revolucionit francez (1789) ai konsideronte se entuziazmi i studentëve dhe i profesorëve paraqet perversion të energjive të tyre. Gëte mbeti skeptik për aftësinë e masave për të qeverisur. Po kështu, ai nuk iu kundërvu Luftës së koalicionit të gjashtë (1813-1815) që e kanë bërë shtetet gjermane kundër Napoleonit. Mbeti i rezervuar lidhur me përpjekjet patriotike që pjesë të ndryshme të Gjermanisë të bashkohen në një komb.

Shkruante poezi fetare, poezi anakreontike, poezi të frymëzuara nga natyra në të cilën Gëte shihte pasqyrën e lirisë krijuese. Një poezi e tillë është “Mirëseardhja dhe ndarja”. Gëte ka qenë njeri i arsyes dhe jo zemrës.

Prej Gëtes është kërkuar të shkruajë poezi që zgjojnë ndjenja nacionaliste, por ai gjithmonë ka refuzuar. Në ditët e pleqërisë qëndrimin e vet ia ka sqaruar Ekermanit.

“Si kam mundur të shkruaj poezi urrejtjeje kur nuk kam ndjerë urrejtje? Dhe, të mbetet mes nesh, unë kurrë nuk i kam urryer francezët, ndonëse i jam falënderuar Zotit kur na çliroi prej tyre. Si kam mundur unë, për të cilin të vetmet gjëra të rëndësishme janë qytetërimi (kultura) dhe barbarizmi, të urrej një komb që është ndër më të kulturuarit e botës, në saje të të cilit e kam krijuar një pjesë të madhe të kulturës sime? Sidoqoftë, puna e urrejtjes midis kombeve është një çështje e çuditshme. Gjithmonë do të hasni se urrejtja është më e fortë dhe më barbare në një qytetërim të niveleve më të ulëta. Sipas një pikëpamjeje të re urrejtja zhduket plotësisht kur njeriu qëndron, si të thuash, përmbi kombet, ndërsa mirëqenien dhe vuajtjen e popujve fqinj i përjeton si të ishin të popullit të vet”.

*   *   *

Në moshën 72-vjeçare u dashurua në një vajzë 17-vjeçare të quajtur Urlika Levectov. Ajo e refuzoi. Një muaj para se të vdiste e kishte përfunduar pjesën e dytë të “Faustit” që u botua pas vdekjes së tij. Karrierën e filloi si shkrimtar klasik, për ta përfunduar si romantik. Asnjë para tij nuk ndikoi aq shumë në letërsinë dhe në artin e asaj kohe. I frikohej vdekjes por jo edhe vdekjes së vet, ngaqë besonte se shpirti është i pavdekshëm. Vdiq në Vaimar në moshën 83-vjeçare, nga pika në zemër. Për nder të këtij letrari të madh, në Frankfurt ndahet “Çmimi i Gëtes”. Prej vitit 1932 Universiteti i Frankfurtit e mban emrin e tij.

Krijimet letrare dhe shkencore

Romanet: Vuajtjet e djaloshit Verter (1774); Udhëtimet e Vilhelm Maisterit (1821); Vitet e arsimimit të Vilhelm Maisterit (1796); Zgjedhja sipas ngjashmërisë;

Dramat: Ka shkruar mbi 100 drama. Gëci i Berlihingenit (1773), e para dramë gjermane me motiv kombëtar, origjinale për nga forma, me etikë jetësore dhe realitet historik; Ifigjenia në Tauridë, Egmonti (1788); Torkuato Taso (1789); Fausti, I (1808); Fausti, II (1832);

Poezitë: Prometeu; Mbreti i logut të zanave; Elegji romake (1795); Dhelpra Reineke; Vitet e mësimit të magjistarisë; Hermani dhe Dorotea (1797);

Veprat shkencore: Metamorfoza e bimëve (1790); Teoria e njgyrave (1810); Udhëtim nëpër Itali; Punë pas vdekjes; Biseda të Gëtes.