E diele, 27.09.2020, 02:34 AM (GMT+1)

Reportazh

Prend Buzhala: Shkupi dardan sjell në Prishtinë përurimin e librit për 110-vjetorin e Nënës Tereze

E enjte, 27.08.2020, 07:33 PM


SHKUPI DARDAN SJELL NË PRISHTINË PËRURIMIN E LIBRIT PËR 110-VJETORIN E NËNËS TEREZE

Nga Prend Buzhala

Në 100-vjetorin e lindjes së Nënës Tereze (tashmë Shën Nëna Tereze), sot në Prishtinë u mbajt një manifestim më shumë se sa simbolik dhe tejet domethënës, në organizim të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta dhe të  Institutit të  trashëgimisë shpirtërore e kulturore në Maqedoni. Aty, përballë shtatores së saj në Prishtinë, ishte vënë përballë libri i ri përurues me titull "Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza një sagë për jetën e shqiptarëve katolik të Shkupit” i autorëve Skender Asani (drejtues i Institutit të  trashëgimisë shpirtërore e kulturore në Maqedoni), Nora Mqliqi Zylali dhe Albert Ramaj (Zvicër). Libër i botuar enkas për këtë 110-vjetor të rëndësishëm.

1.

Duke e drejtuar këtë manifestim, Jahja Lluka, drejtues i  Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, nënvizoi se kjo është një Ditëlindje e madhe për njerëzimin dhe kombin: Ditëlindja e Shën Terezës. Ta kujtojmë veprën e saj madhore, shembullin e saj! Ajo që mbolli vetëm dashuri në gjithë botën: Shën Tereza" dhe citoi thënien e kësaj shenjtëreshe: "Dashuria do ta shpëtojë botën".

Autori i këtij libri, Skender Asani, pati sot shumë punë: në Shkup e në Prishtinë. Fillimisht, në Shkup sot ky Institut shkupian së bashku me Shoqatë “Shkupjania Nënë Tereza” ” përuruan pllakën përkujtimore të shkruar në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Kjo pllakë tashmë edhe shqip ligjëron në sheshin kryesor të Shkupit, aty ku , ku ka qenë shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut.

Në Prishtinë, në fjalën e tij, ai nënvizoi: "Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që sot, këtu në Prishtinë të sjell nga kryeqendra e Dardanisë jehonën e një hapërimi të imtë nëpër kalldërmën e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Do të kalojnë 110 vite dhe ky hapërim do të bëhet gjithnjë e më kumbues, për kohën që shkoi, e sidomos për atë që do të vijë, sepse njerëzit e mëdhenj, siç ishte Nënë Tereza vinë në këtë botë për të mbjellë farën e dashurisë dhe ngrohtësisë njerëzore. Ne sot, kur po e shënojmë 110 vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, e kemi për obligim që të ujisim këtë pemë të madhe të dashurisë njerëzore që ajo mbolli në miliona zemra njerëzish të vetmuar e të vuajtur... Për rrjedhojë, ky fushëveprim i yni, në njërën anë, synon të afirmojë dhe artikulojë edhe më tej frymën hyjnore që rrezaton nga figura shenjtë e Nënë Terezës, duke iniciuar ngjarje e aktivitete që do t’i zhduknin stereotipet etnike, fetare, gjuhësore në këtë pjesë të Ballkanit shkëmbor, dhe në anën tjetër të plotësojë një boshllëk të madh shpirtëror e kulturor që la suprimimi i Dioqezës Shkup-Prizren, ku shqiptarët e këtij krahu ngelën si një degë e tharë në trungun e lashtë arbëror të cilin me aq sakrifica e kishin kultivuar etërit tanë të Kishës e të Kombit, siç ishin Pjetër Bogdani, Don Ndue Bytyçi, Lazër Mjeda, Ata Zef Rama e deri te Gaspër Gjini një motor gjigand i kujtesës sonë kombëtare që na la trashëgim veprën me rëndësi kolosale me titull ‘Ipeshkvia Shkup-Prizren’, të cilën ITSHKSH në Shkup shumë shpejt do ta ribotojë, në mënyrë që të bëhet më aktiv komunikimi në mes të sotmes dhe të kaluarës, në mes të bardhësive që la plejada e shërbyesve të devotshëm të Kishës Katolike dhe zymtësisë që aktualisht mbretëron në anët tona, për shkak të një obskurantizmi shtetëror kundër identitetit kombëtar të kësaj kishe."

Manifestimin e përshëndeti edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri. Ai nënvizoi nderimin që i bën ky botim i librit publikut tonë, dhe i cili, përveç fakteve, reflekton mbi trungun e saj familjar. Për Nënën Tereze foli edhe Imzot Dr. Lush Gjergji, i cili tha se kjo ngjarje nderon familjen e Nënës Terezë, nderon shkollën shqipe, por nderon të gjithë shqiptarët. " Gonxheja është bijë e jona, të cilën Zoti e zgjodhi për të dëshmuar vlerat dhe virtytet e popullit tonë. Sot ngjarja e Shkupit dhe ngjarja këtu gjithsesi në rend të parë e nderon familjen Bojaxhiu, babën Kolë dhe nënën Drane, e nderon famullinë e zemrës së Krishtit në Shkup e cila e përcolli hap pas hapi, e qiti në dritë dhe e rriti Gonxhen tonë, nderon shkollën shqipe pranë katedrales zemrës së Krishtit, ku ajo i kreu ditët e para të mësimit fillor, e mbi të gjitha na nderon të gjithë neve kudo që jemi sepse Gonxhja jonë është një bijë, është një motër dhe është një nënë, të cilën Zoti e zgjodhi për të dëshmuar lashtësinë autoktoninë, martirizimin, krishterimin tonë të lashtë ilir, arbëror e shqiptar dhe për të dëshmuar vlerat dhe virtytet e popullit tonë i cili në shpirt e në zemër e ka bamirësinë, mikpritjen e bujarinë. Kush më mirë se Nëna Terezë e ka dëshmuar këtë traditë, ‘bukë, kripë e zemër dhe shpija është e Zotit dhe e mysafirit’, dhe ‘s’ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë dhe mjerë ajo shtëpi e cila nuk ka pleq dhe fëmijë".

2.

Në fund, për librin ka paraqitur një kumtesë Mr. Mehmet Prishtina, studiues.  Kumtesa e tij mbajte titullin "GJETJA E COPËZAVE GATI TË HUMBURA TË NJË MOZAIKU SHPIRTËROR". Këtë librë ai e quan "një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit", e cila "po vjen si përpjekje e vazhdueshme e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për të rikthyer në binarë të duhur studimin dhe hulumtimin shkencor mbi një traditë pak a shumë të mohuar, por asnjëherë të harruar. Kjo edhe për faktin se vepra që kemi në duar tani është vazhdimësi e një pune të nisur para dy vjetësh kur filloi botimi i korpusit tematik mbi shqiptarët katolikë të Shkupit. Shkupi i Dardanisë dhe i udhëkryqeve gjeopolitike e tregtare, nuk ka mundur të jetë jashtë fokusimit edhe në këtë vepër, kurse personazhet që zënë vend brenda kopertonave të këtij libri, janë pjesë e galerisë së ndritshme të personaliteteve të kombit, siç ishte familja Bojaxhiu, dhe sidomos kryefamiljari Kolë Bojaxhiu, që më vonë do të njihet si babai i humanistes dhe misionares së madhe , Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze. Kjo e fundit zatën është alfa dhe omega e preokupimit tematik të autorëve të librit, me ç’rast dalin në pah edhe shumë detaje të panjohura nga jeta e saj, sidomos raportet që kishte ajo me familjen dhe shtetin shqiptar. Aspekti dokumentar dhe arkivor, këtë libër e bën më të besueshëm në sytë e lexuesit, për faktin se përpos që jepet një tablo më e zgjeruar e historive individuale të familjeve katolike shqiptare në Shkup, për herë të parë bëhen publike edhe disa dokumente, fotografi e faksimile, përfshi edhe letrat origjinale të Nënë Terezës, dërguar familjes.

M. Prishtina ka vlerësuar rëndësinë e librit për historiografinë shqiptare, shkoqiti rëndësinë e librit,  horizontine  zgjeruar që sjell para lexuesit, vlerat e hulumtimit shkencor. Në fund ai spikati punën e ekipit që ka përgatitur këtë libër: "autorët, meritojnë konsideratat më të larta për punën përkushtuese në gjetjen e copëzave gati të humbura të një mozaiku shpirtëror që tani po bëhet i plotë brenda kopertonave të këtij libri të rëndësishëm."

Po ashtu edhe profesoresha universitare Migena Arllati, ka vlerësuar lart figurën e Nënën Tereze, si dhe shëmbëlltyrën e saj që rrezaton në botën shqiptare e me mesazhet e saj universale anembanë botës.

3.

Ky Institut që vepron në Shkup, më saktësisht drejtuesi i saj Skender Asani, ka zhvilluar edhe veprimtari të tjera me interes. Madje, në Prishtinë, Shkup e deri në Nju Jork e gjetiu, para dy vitesh ai botoi dhe promovoi veprën "Familjet katolike shqiptare të Shkupit". PO ashtu, në ambientet e këtij Instituti, qe mbajtur promovimi i shtatë vëllimeve kushtuar Nënës Tereze, të autorit Anton N. Berisha.

Edhe kësaj radhe ai dha njoftime të bollshme rreth punës së këtij instituti: "Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup po bën hapa të guximshëm në përvetësimin e përvojave më të avancuara shkencore e hulumtuese në ndriçimin e jetës dhe veprës së kolosëve tanë të kombit, përfshi edhe Nënën Tereze. Për këtë qëllim, në kuadër të Institutit tonë ne kemi themeluar një Departament që merret kryesisht me studimin e jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut -Nënës Tereze, si një mundësi më tepër në thellimin e njohurive arkivore e dokumentare mbi sagën familjare të Bojaxhinjve të Shkupit, në krye me Kolë Bojaxhiun, ku Nënë Tereza i kishte jo vetëm rrënjët, por edhe frymëzimin për rrugëtimin e mëvonshëm që do ta ketë. Ky ka qenë edhe lajtmotivi që ka shërbyer si udhërrëfim për të përgatitur librin që sapo e kemi botuar me një titull simbolik "Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”, të cilin edhe po e promovojmë sot këtu në Prishtinë. Me themelimin e këtij Departamenti, ne si Institut kemi dashur të ngremë në nivele më të larta kujdesin institucional ndaj Nënë Terezës, duke e shndërruar gjithë trashëgiminë e saj familjare e shpirtërore në aset nacional që do ta ketë mbrojtjen ligjore të shtetit. Një hap serioz në këtë drejtim posa e hodhëm në Shkup, pikërisht sot kur po kremtojmë 110 vjetorin e Nënës sonë të Madhe Terezë, teksa kthyem gjuhën e saj në pllakën përkujtimore, të gravuar në mermer, e cila tash e tutje do të zë vend të respektuar në Sheshin qendror të Shkupit, aty ku ndodhen edhe gjurmët e themeleve të shtëpisë së lindjes së Nënës Tereze."



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora