E shtune, 20.04.2024, 08:08 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kur Turqia i dorëzonte nacionalistët shqiptarë në Beograd!

E enjte, 27.08.2020, 08:48 PM


Kur Turqia i dorëzonte nacionalistët shqiptarë në Beograd!

Nga Gani Mehmetaj

Dënimi i pesë gulenistëve, që i kapi shërbimi sekret turk në Prishtinë me ndihmën dhe në praninë e policëve e të shërbimit tonë të fshehtë, ma kujtoi një rrëfim të dëgjuar para më shumë se 20 vjetë në Cyrih të Zvicrës nga një bashkëkombës yni. Në të njëjtën mënyrë apo ngjashëm u përpoqën t'i kapnin grupin e shqiptarëve të Kosovës në Turqi shërbimi i fshehtë turk dhe ti dorëzonte në Beograd. Se a morën pjesë në kapjen e tyre shërbimi i fshehtë serb, dy shënjestrat e kapjes nuk e dinin. Kishte gjasa që ishin të pranishëm.

Dy bashkëkombësit tonë, njëri miku im, kishte kohë që fshiheshin në një qytet të Turqisë, ku kishim të afërm të gjakut. Më parë mezi shpëtuan kur i dekonspiroi dikush pas demonstratave të vitit 1981 në qytetin e tyre. UDB-ja i ndiqte këmba -këmbës. Atje ku fshiheshin, në Turqi ndiqeshin nga të gjithë: nga UDB-ja që i kishte duart e gjata, thikat edhe më të gjata, kishin kujdes nga policia e shërbimi i fshehtë i Turqisë që mund ti kapte dhe ti dorëzonte në Beograd, ruheshin edhe nga sytë kureshtarë, që po ashtu mund ti merrnin në qafë.

Një ditë e hetuan se dikush po i ndiqte dhe po u shkonte hap pas hapi. Alarmi ua mbërtheu trupin, i mobilizoi dhe i bëri edhe më të vëmendshëm. Një mëngjes ndjekësit ua ngushtuan rrethin, ua kishin rrethuar vendstrehimin, kishte rrezik ti kapnin të gjallë. Dy bashkëkombësit tonë kishin përvojë në jetën ilegale, kishin përvojë edhe në shmangie rrethimi, prandaj dolën nga rrethi i parë i njerëzve të shërbimit të fshehtë turk.

Nga rrëfimi i mikut tim imagjinoja dy të ikur, të shqetësuar, të frikësuar për vdekje, të vetëdijshëm se po i kapën mbaruan, sepse torturat ishin më të rënda se vdekja, ndërsa serbët bënin tortura çnjerëzore. Prandaj , mprehën shqisat, aktivizuan trurin dhe trupin, të mos binin në duart e shërbimit të fshehtë turk, sepse e dinin që ata pastaj do ti dorëzonin në duart e shërbimit të fshehtë serbë (jugosllavë).

Imagjinoja se si dy të rinjtë, u sulen rrugëve e rrugicave të qytetit, iknin nëpër dyqane, kërcenin mure e pengesa, hidheshin oborreve të huaja.

Me shpirt ndër dhëmbë dy bashkëkombësit tonë shpëtuan, pa therë në këmbë, të traumatizuar e të frikësuar mu si atëherë kur ikën dhe shpëtuan nga UDB-ja.

U ikën njerëzve të shërbimit të fshehtë turk, u ikën edhe shërbimit të fshehtë serbë, dolën në Perëndim, në Zvicër, kërkuan dhe gjetën strehim politik, nisën jetën nga e para, krijuan familje. Në shtetin mikëpritës askush nuk i ndiqte, askush nuk i rrezikonte që ti kapte dhe ti dorëzonte në Beograd, sikurse u përpoqën të bëjnë shërbim i i fshehtë turk dhe Turqia.

Por sa e sa të tjerë nuk e patën fatin e tyre, ranë në duart e shërbimit të fshehtë turk, ranë pastaj nga turqit në duart e shërbimit të fshehtë serbe, i morën të lidhur në pranga, kaluan nëpër torturat e tmerrshme të xhelatëve serb dhe u zhduken pa nam as nishan. Ata nuk duhej të dilnin të gjallë që të tregonin se ku i zunë.

Imagjinoja hutinë fillestare të bashkëkombësve tanë fatkeq, kur i kapte shërbimi i fshehtë turk, ndërsa nuk u kishin bërë asnjë faj, nuk u kishin hak as hile Turqisë, ndërsa i dorëzonin me gjakftohtësi në aeroport, tutje me ta merreshin njerëzit e shërbimit të fshehtë serb, që u zgërdhiheshin në fytyrë, u flisnin me cinizëm për naivitetin: si mund të besonin se në Turqi do ta gjenin shpëtimin. Për këta fatkeq askush nuk mori vesh asgjë, askush nuk e dinte ku u zhdukën dhe ku i kanë varret.

P.S.

Protagonistët e këtij rrëfimi që patën fatin e mirë t'u shpëtojnë kthetrave të Shërbimit të Fshehtë të Turqisë dhe kthetrave të Shërbimit të Fshehtë të Serbisë (Jugosllavisë) janë gjallë, jetojnë në Perëndim me familje.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora