Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Aurel Dasareti: Shqipëria, vendi ku hajdutët qeverisin dhe analfabetët shkruajnë histori

| E merkure, 26.08.2020, 06:41 PM |


Shqipëria, vendi ku hajdutët qeverisin, analfabetët shkruajnë histori dhe jeton vetëm për të vdekur

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Nëse e kemi frikë të nesërmen, kjo është sepse ne nuk dimë si ta ndërtojmë të tashmen, dhe kur nuk dimë si ta ndërtojmë të tashmen, i themi vetes që me siguri do ta bëjmë nesër, dhe më pas na shkon puna kot sepse nesër gjithnjë përfundon duke qenë sot.

***

Shqipëria, qoftë si vend ose si shtet, nuk ka njeri që ta donte dhe për këtë arsye ta mbronte. Si një vend (shtet), ajo është e parceluar, ndarë dhe copëtuar në pjesë dhe pjesëza të pakuptimta dhe të pamëshirshme administrative; si shtet, ka institucione që ekzistojnë për hir të tyre, dhe vendimmarrja zhvendoset prej tyre në kokat dhe duart e klounëve të kurorëzuar, dhe shqiptarët e vërtetë janë aq pak sa të gjithë futen në kolonën "të tjerët" dhe ata janë aq të qetë kur politik-bërësit e dëmtojnë vendin sa që, objektivisht, lënë përshtypje se nuk ekzistojnë.

Kemi populist  dhe “nacionalistë” që nuk e duan as familjene tyre dhe as kombin e tyre nëse nuk janë në partitë e tyre; ne kemi socialdemokratë që janë thjesht për të qenë ndryshe nga populistët dhe nacionalistët, dhe në thelb janë dinosaurë që askush nuk i ka informuar kurrë se ka rënë një kometë; ne kemi "qytetarë" që i dinë të gjitha të drejtat civile vetëm sepse janë katundarë; ne kemi një Republikë, e cila është gjithçka, veçse jo republikë, kemi një bandë personazhesh (kufomash) egoistë, të vetë-mjaftueshme dhe të vetë-depresionit, të cilët i kujtojnë njerëzit, qytetarët, katundarët,  fukarenjtë, popullin dhe kombin  vetëm kur jeta  e tyre duhet të bëhet më e vështirë dhe e padurueshme. Dhe asnjë prej tyre nuk e do Shqipërinë.(Kur përmendi Shqipëri, mendoj për gjithë trojet shqiptare).

Për të gjithë ata, Shqipëria është një vend ku hajni  mund të fitojë para të mira, të vjedhë dhe të mos ndëshkohet, të sillet në mënyrë të papërgjegjshme, të aktroj pushtet (fuqi) dhe autoritet, asnjë prej të cilave nuk kërkon ndonjë emocion, ndjenjë, vëmendje dhe butësi. Të gjithë ata - dhe ne gjithashtu - në mëngjes jemi zgjuar ose të pagjumë, të tollovitur apo të freskët, të çlodhur ose të lodhur akoma nga dje, me një humor ose të tronditur, të zhurmshëm dhe të shtrirë; dhe për dikë, Zoti është mendimi i parë, ndërkaq, kënga serbe, sallata greke, çaj rusi apo kafe turke - për dike tjetër.

Por askujt, pikërisht për askënd, mendimi i parë nuk është shqiptaria. Kjo vjen diku më vonë, në ditën kur njerëzit pa autoritetin personal, integritetin individual, këlyshët dhe dudumët që nuk kanë asgjë për të qenë krenarë prandaj kanë nevojë për strehim nga pafuqia, servilizmi dhe inferioriteti i tyre ndaj të huajve, dhe zgjedhin për të belbëzuar tema të shqiptuara me gojën e padhëmbë e aq të paqarta që kurrë nuk kanë aftësi ta shpjegojnë sa duhet, si për shembull: komb, demokracia, partia, politikë, korrigjimi i kufijve...

“Demokracia” shqiptare është maskë e përsosur e tiranisë së përsosur (perfektë). Në thelb, është dhe mbetet gjithmonë një burg pa mure ku të burgosurit as nuk ëndërrojnë të arratisen.

Është një sistem skllevërish në të cilin subjektet  (skllevërit) do të jenë të lumtur që kanë mjaft për të ngrënë dhe pirë, për t'u argëtuar pak me muzikë serbe e greke dhe valleçuçekku “burrat trima” i përdredhin vithet si krimba.

Një demokraci e tillë nuk është e lehtë për tu rrëzuar: ka gjithnjë skllevër të mjaftueshëm që janë të lumtur nëse zotërinjtë e tyre janë të lumtur me ta.

Përveç tyre, nuk njoh shumë njerëz të lumtur; unë njoh shumë shqiptarë të varfër dhe askush prej tyre nuk është veçanërisht i lumtur që udhëheqësit e popullit të tij janë njerëz të pasur; dhe askush nuk është më shqiptar sepse është i varfër.

Sidoqoftë, shqiptarët nuk i pyet askush. Unë gjithashtu e di se nuk ka asnjë vend në botë  varfanjakët e të cilit janë të lumtur, në të cilin nuk ka injorancë dhe telashe, burgjet e të cilit janë bosh, në rrugët e të cilit nuk ka lypës, të moshuarit e të cilëve nuk kanë nevojë për vëmendje dhe kujdes, ku punonjësit nuk janë të detyruar të paguajnë tatimet. Por thuhet se në shumë prej këtyre vendeve ka paqe, rregull dhe punë, dhe se rrugët dhe parqet (ata kanë parqe) tregojnë se këta njerëz, banorë dhe qytetarë, e duan vendin e tyre. Shqipërinë, ju mund ta shihni në trazira, rrëmujë dhe kaos, madje edhe rrugët dhe parqet që nuk i kemi, askush nuk i donë.

Ne ndoshta as nuk e dimë se çfarë është dashuria për atdheun, tokën tënde që të lindi dhe me mundime të rriti, atë që ne e quajmë patriotizëm? Atdhedashuria është të kujdesesh, ta ruash dhe ta mbrosh, të qëndrosh pranë Vendit tënd gjatë gjithë kohës, ndërkaq pranë Partisë dhe Qeverisë vetëm kur e meritojnë atë.

Kjo do të thotë të qëndrosh prapa presidentit-kryeministrit ose ndonjë zyrtari publik vetëm atëherë dhe aq sa ai qëndron pranë Vendit. Është patriotike ta mbështesni atë në masën që ai i shërben në mënyrë efektive vendit dhe shtetit (për të gjithë banorët e tij), dhe është e papranueshme (antikombëtare) të mos e kundërshtosh atë në masën që ai nuk arrin ta mbrojë vendin e tij për arsye të jo-efikasitetit, servilizmit ndaj të huajve dashakeq ose në ndonjë mënyrë tjetër e dëmton rëndë vendin duke e shpërdorur me qëllim djallëzor detyrën.

Në të gjitha rastet, është e padrejtë (gabim) të mos flasësh ose të thuash të vërtetën, si për presidentin, kryeministrin ashtu dhe për këdo tjetër. Ata që brohorisin apo tundin kokën duke i duartrokitur presidentit - kryeministrit pa marrë parasysh çfarë marrëzie, gënjeshtre, ose trillime të radhës që ai flet, meritojnë përbuzje paraprakisht. Natyrisht, servilët e këtij soji natyra gabimisht i ka lindur me tru sepse për sjelljen e tyre edhe palca kurrizore është e tepërt. Ky turp civilizimi duhet të eliminohet urgjentisht, pasi as presidenti ose kryeministri dhe as vendi nuk përfitojnë prej tij. Unë më mirë do të copëtohesha sesa të isha pjesë e një pune kaq tragjikomike!

Por, të flasim për gjëra të këndshme, dhe madje edhe për të diskutuar për ato të shëmtuara, me njerëz që kanë hequr dorë nga arsyeja e shëndetshme në sjellje dhe përmbajtje, jeta dhe filozofia politike e të cilëve bazohet në mbajtjen e njerëzve dhe vendit në habi, pasiguri dhe frikë, është e njëjtë sikur me i dhënë ilaç një personi të vdekur ose të detyrosh analfabetët të mësojnë duke lexuar.

Me fjalë të tjera, aq shumë paturpësi, fëlliqësi,  tradhti, paturpësi dhe egoizëm mund të tregojnë vetëm ata këlysh që nuk duan askënd dhe asgjë përveç vetvetes, (edhe nëse mendojnë, duan vetëm me ia bë të keqen). Të tillët janë mësuar të bëjnë çka të duan, t`u bëhet lëshime të pakufishme, dhe t`u kaloj pa gjemba në këmbë çdo gjë që ata imagjinojnë.

Ne nuk do të zbulojmë kurrë se kush dhe sa u bëri shërbime atyre, sa njërës u tërhoqën përballë shfaqjes së tyre të zhurmshme dhe agresive dhe asaj çfarë u kaloi atyre në dëm të të gjithëve, si dhe përfitimet e servilëve të tyre në kurriz të prosperitetit, mirëqenies, sovranitetit, sigurisë dhe paqes sonë.

Dhe për sa kohë që ne nuk jemi të qetë, për sa kohë që paqja dhe copëtimi i mëtejmë i Vendit nuk është e sigurt dhe e padiskutueshme, për sa kohë që qetësia jonë nuk është puna, banesa, energjia elektrike, për sa kohë që jemi në sulm të vazhdueshëm histerik, për sa kohë që ndjenjat, emocionet dhe nervat tanë mbizotërohen nga frika, dhe për sa kohë që tek ata që nuk luftuan por u fshehën nëpër kaçuba ekziston një dëshirë për luftë, për sa kohë që njerëzit zhurmojnë kur përplasin derën duke pritur të shohin një kufomë brenda - nuk ka të pafajshëm, nuk ka asnjë pa borxh dhe nuk ka njerëz të mirë; të gjithë janë fajtorë dhe të gjithë na kanë borxh dhe të gjithë janë të këqij, dhe ne nuk jemi më të mirë se ata derisa të kuptojmë se është në fuqinë tonë për ta filluar jetën përsëri, kështu që më në fund, ne do të fillojmë ta duam vendin tonë.

Këto janë periudha të vështira, nga ato në të cilat shijojnë shpirtrat e njerëzve. Dhe atdhetarët më të mëdhenj në këtë krizë do të humbasin vullnetin për t'i shërbyer vendit të tyre derisa të kuptojmë se nëse ekziston një problem, atëherë ekziston një zgjidhje, nëse tashmë duhet të ketë probleme dhe zgjidhje, le të jetë në kohën tonë që fëmijët tanë të kenë paqe, ardhmëri në vendin e tij...Dhe të kenë diçka për të dashur ...

Patriotizmi identifikohet me sakrificat që një popull është në gjendje me i bërë për të fituar Lirinë.