E enjte, 06.10.2022, 02:37 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Këze (Kozeta) Zylo: Ne vimë të mësojmë shqip, pasi gjyshërit tanë nuk na kuptojnë dot në gjuhë të huaj

E marte, 11.11.2008, 10:47 PM


Ne vimë të mësojmë shqip, pasi gjyshërit tanë nuk na kuptojnë dot në gjuhë të huaj

 

Nga Këze (Kozeta) Zylo
 

Instituti “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” mblodhi ditën e shtunë në Staten Island mjaft prindër dhe nxënës për të parë një orë mësimi të hapur në të dy klasat e shkollës shqipe.  Nxënësit nga mosha 4-7 vjeç dukeshin më seriozë se kurrë.  Ata me çanta në duar dhe abetare u ulën në klasën komode duke pritur dhe shikuar paksa të hutuar vizitorë që vinin grupe-grupe.

Pasi u përshëndetën me mësuesen e tyre te dashur, z.Blerina Bejleri, filluan të hapnin fletoret e punës dhe të shikonin në dërrasë materialet e shkruara, si alfabetin e gjuhës shqipe, ngjyrat e ndryshme të hedhura në vizatime të bukura në mur, etj…

Ndërsa zilja paralajmëroi për fillimin e punës, mësuese Adelina Lacaj prezantoi drejtorin ekzekutiv të shkollës shqipe, z.Q.Zylo, i cili i falënderoi mësuesit, prindërit, vizitorët që na nderonin me pjesëmarrjen e tyre.  Ai i ftoi ata që të sillnin fëmijët e tyre për të mësuar shqip, pasi lënia pas dore e mësimit të gjuhës shqipe, paraqet rrezikshmërinë e asimilimit të saj.  Këtu shtoi ai, siç e shikoni kemi krijuar të gjitha kushtet komode dhe për këtë dua të falënderoj veçanërisht z.Rrape Ruci që na ka lënë në dispozicion këto mjedise të këndshme.  Ne po mundohemi me të gjitha mundësitë t’u mësojmë fëmijëve me baza, gjuhën e bukur shqipe.  Mësimin e hapur në moshat 8-12 vjec e drejtoi mësuesja e apasionuar, z.A.Lacaj, e cila lexoi në shqip një përrallë nga Tasim Gjokutaj.  Përralla u shoqërua me figura në ekran, çka dhe i tërhiqte më shumë jo vetëm nxënësit, por dhe vizitorët.

Pastaj nxënësit si: Xhon, Olsi, Orioni, Stiven, Ariani, ju përgjigjeshin pyetjeve që drejtonte mësuesja, por njëkohësisht ata dinin të lexonin shqip shumë fjali të ndryshme që paraqiteshin në ekran.

Emocionante ishte, kur mësuesja i pyeti nxënësit se përse donin që ta mësonin gjuhën shqipe, Kevin si më i shkathëti u përgjegj:

-“Unë vi këtu pasi dua të flas vetë me gjyshin tim të dashur, pa përkthimin e mamit. 

Gjyshi i Kevinit, z.Bardhok Ndreu, që po e dëgjonte me vëmendje, i rrëshqitnin lot nga përgjigja e nipit të tij të shtrenjtë! 

Ata janë tashmë në semestrin e dytë, dhe vinë rregullisht në shkollë, pa munguar asnjëherë.  Dashuria për gjuhën shqipe i bën ata që të jenë më krenar për Atdheun e tyre dhe kur të rriten të njohin më mirë kulturën e lashtë të të parëve, pasi vetëm duke shkuar në shkollë, mësojnë që të shkruajnë dhe lexojnë shqip!

Në këtë klasë si vizitorë kishin ardhur dhe prindër të rinj që donin të regjistronin fëmijët e tyre, por ata do ta vendosnin për t’i sjellë në shkollë, pasi të shikonin dhe të dëgjonin përgjigjet e nxënësve të shkollës shqipe, në këtë orë mësimi të hapur.

Edhe vajza adoleshente simpatike, Franceska, që sapo ka ardhur nga Tirana me llotari, shprehu dëshirën për të ardhur dhe ndihmuar mësuesen dhe fëmijët e vegjël në orën e mësimit.

Babai i saj z.Agim Mucollari, ku miku ynë në Cikago z.Fation Pajo, na kishte rekomanduar të njiheshim me të, pasi vetëm 2 muaj ka që ka ardhur në Amerikë, kishte kënaqësinë që u takua me shqiptarë dhe vizitoi nga afër mjediset e këtij Instituti. Ai u takua dhe me miq të vjetër, por që kishte kohë që s’i kishte parë, pasi rrugët e mërgimit i kishin ndarë shqiptarët me kohë.

Ndërsa Ildi Kuniqi, që kishte ardhur bashkë me babain e tij, pasi mamaja e tij z.Zela ishte e zene me kolegiin, do të ulet së shpejti në bankat e shkollës.

Ora e mësimit mbaroi me sukses dhe të gjithë prindërit që u ndodhën aty folën me dashuri dhe respekt për punën e mësueses, organizatorët, të cilët bënë të mundur hapjen e kësaj shkolle shqip në Staten Island.

Edhe ora e dytë e mësimit, me nxënës të klasës së parë, u bë mjaft tërheqëse.

Mësuese Blerina Bejlerit nxënësit i përgjigjeshin mjaft korrekt, sidomos në leximin e shkronjave të alfabetit, edhe pse ka akoma shumë punë në të ardhmen, si fëmijë emigrantësh që janë, vështirësitë e shumta që hasen në vend të huaj, etj…pasi gjuha nuk ka fund kurrë!

Këshut nxënësit, Dea, Ademi, Dariani, Riani, Samiri, Andoni….morën pjesë gjallërisht në përgjigjet e pyetjeve që drejtonte mësuesja, paverësisht se në fillim patën ca shenja hutimi, pasi nuk ishin mësuar me kaq shumë vizitorë në orën e mësimit.

Znj.Valbona Z. Watkins, Blerina Likollari i asistuan mësueseve tërë kohën për mbarëvajtjen sa më mirë të këtij mësimi të hapur.

 

Pas mesimit te hapur nje ftese ne studio me mesuesit veterane dhe mesuesit e rinj

 

Znj.Klodiana Halsted, drejtuese e emisionit, ftoi në studio mësuesit veteranë dhe mësueset e reja për një bisedë rreth domosdoshmërisë së gjuhës shqipe në Diasporë.

Kështu mësueset me përvojë, si znj.Lumnije Jenisheri, z.Hidajet Jenisheri, znj.Leonora Gjoka, znj.Violeta Likollari, përshëndetën përzemërsisht hapjen e shkollës dhe shprehën dëshirën për të asistuar herë pas here duke ndihmuar nxënësit e kësaj shkolle.

Znj. Lumnije Jenisheri , ish.prof. ne Institutin e Shkodres, i inkurajoi më shumë mësueset e reja, duke ju thënë që mos të ndalen në këtë punë të bukur që kanë nisur. 

U emocionova pamasë kur dëgjoja përgjigjet e nxënësve, të cilët për një semestër kanë arritur të komunikojnë thjesht shqip, vazhdoi ajo.

Znj. Violeta Likollari, ish mësuese gjithë jetën e saj në shkollën “11 Janari” Tiranë, tha se në këtë shkollë janë të gjitha kushtet për të mësuar shqip. 

Mjetet moderne që u përdorën aty, metoda e mesimdhënies nga të dyja mësueset, shfaqën dukshëm rezultatin e tyre, në përgjigjet tepër korrekte të nxënësve.  Ju uroj punë të mbarë të gjithëve pershendeti mesuese Violeta.

Znj. Gjoka, mësuese veterane, tha se ne duhet të bëjmë të pamundurën për t’i sjellë fëmijët në shkollë, sepse duke ardhur këtu ata do ta flasin dhe shkruajnë më bukur gjuhën shqipe.  Ajo falënderoi përzemërsisht drejtorin e shkollës, ftesat që ju kishte bërë gjithë komunitetit për të ardhur dhe parë një orë mësimi të hapur në gjuhën tonë amtare.

Z.Hidajet Jenisheri, me një përvojë të gjatë në dhënien e mësimit në Shkodër, kishte se c’të tregonte në këtë bisedë.  Sigurisht pohoi ai se nuk është e lehtë që të hapësh shkollë shqipe, pasi nuk jemi në Shqipëri, por komuniteti duhet të sensibilizohet dhe të sjellin sa më shumë fëmijët e tyre, pasi ështe një shans që prindërve ju ka ardhur tek dera e shtëpisë.

Ndërsa mësueset e reja me një thjeshtësi të dukshme, si zonjat Valbona, Blerina, Adelina, B.Likollari, dhanë mesazhin në TV, se t’u mesosh fëmijëve gjuhën amtare, është detyrë dhe një nga punët më fisnike që mund të bej cdo prind shqiptar.  Ne do të punojmë sa të mundemi per t’u dhënë  nxënësve maksimumin e dijeve tona.

Me mjaft interes ishte dhe biseda me mësuesin veteran nga Dibra, z.Zyhdi Daci, i cili së bashku me të shoqen Lutfijen, kanë dhënë një jetë të tërë, mësimin e gjuhës shqipe në Dibër.  Ata folën me emocion çfarë dëgjuan në të dy orët e mësimit të hapur, dhe e quajti me mjaft interes hapjen e kësaj shkolle.  Fëmijët shqiptarë, duhet të vinë të dëgjojnë shqip këtu në shkollë, ata nuk duhet ta kalojnë kohën me lojna të tepruara në kompjuter, por është mirë që të mos harrojnë gjuhën amtare, përfunduan mësuesit veteranë Daci.

Z.Fisnik Daci, do të sjelli së shpejti të dy fëmijët e tij si nxënës të rinj të shkollës shqipe.

Me mjaft emocion u dëgjua biseda në studio e dramaturgut, aktorit, z.Xhevat Limani.

Ai me zërin e tij burrëror, me interpretime siç di vetëm Xhevati, ngriti peshë zemrat e pjesëmarrësve, sepse fliste për të amblën gjuhë shqipe. 

Sillini fëmijët të mësojnë shqip, mos nguroni, mos hezitoni do të përmendte aktori, pasi në këtë shkollë, ka mësuese të talentuara, profesore të licensuara nga Shteti i Amerikës.

Besojuani këtyre zonjave mësimin e gjuhës, dhe ju në fund të vitit mësimor do të ngeleni të kënaqur, dhe atëhere gjyshërit do t’ju bekojnë, që fëmijët nuk e harruan gjuhën, nuk u asimiluan në dhe të huaj.

Edhe z.Glloboçishta, pronar picerie, do të përshëndeste mësuesit, prindërit, të pranishmit, dhe ju dhuroi të gjithëve ushqimin falas.

Si prindër u ftuan në studio, z.Neritan Bejleri kryetar i shoqatës së Devollit dhe znj.Zhaneta Hoxha, të cilët vinë që nga Brooklyni për të sjellë fëmijët në shkollën shqipe.

Z.Bejleri pasi shprehu emocionin e tij, për vajzen e vet Dean, qe ka bere nje progres të

shkëlqyer në të folur dhe të shkruar, përsëriti se nuk është sacrificë të vish nga një lagje tjetër e New Yorkut për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, por ne humbasim gjuhën në rast se fëmijët të lindur në emigrim nuk ju krijojmë kushtet për ta mësuar atë.

Znj.Zhaneta Hoxha, me lot në sy shprehu kënaqësinë e saj, kur sot dëgjonte djalin e vet, Xhonin se si përgjigjej dhe shkruante gjuhën e ëmbël shqipe.  Une jo vetëm nga Brooklini qe do te vija, por dhe sikur në Bronx të ishja, do të bëja çmos të sillja fëmijët e mi në këtë shkollë me këta mësues dhe orë mësimi që zhvillohet, sikur të jetë e kontrolluar nga shteti.

Pas bisedës në studio me të gjithë mësuesit, drejtuesja e emisionit ftoi dhe bordin e Institutit “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” si: Z.Mislim Ruci, zv/President, z.Musa Paçuku, Kryetar i Bordit dhe z.Qemal Zylo.

Z.Mislim Ruci, zv/President i Institutit, tha se e kishte ëndërr të kahershme hapjen e shkollës shqipe. 

Kur të parët tanë që dhe pse ishin të pushtuar nga të huajtë, kurrë nuk e harruan gjuhën shqipe, atëhere dhe ne që i kemi të gjitha mundësitë, të gjitha kushtet, duhet medoemos qe ta mësojmë me bazë dhe të vimë në shkollë, pasi vetëm shkolla të jep njohuritë e nevojshme.

Ndersa z.Musa Paçuku i falënderoi mësueset për oret e hapura që u bënë sot dhe njëkohësisht e quajti mjaft të rëndësishme misionin që ka shkolla shqipe.

Hapja e shkollës shqipe, mbledh dhe më shumë Komunitetin, dhe gjithmonë ju vjen në ndihmë prindërve, për t’ju mësuar fëmijëve të tyre gjuhën amtare.

Sot prindërit janë shumë të zënë, pasi vetë rrjedha e jetës në emigrim të bën që të ikin ditët pa kuptuar, por përderisa kjo shkollë u hap, është mirë që dhe të shfrytëzohet në maksimum, pohoi kryetari i bordit z.Paçuku

Të tre zotërinjtë folën dhe për aktivitetet e ndryshme që janë zhvilluar, po kështu përmendën se së shpejti po afron dhe Festa e Flamurit, ku do të organizojmë një aktivitet te gjere me rastin e kesaj feste patriotike.

Në fund, prindër, nxënës dhe mësues, vizituan bibliotekën e shkollës, ku mjaft libra prezantoheshin nga bibliotekarja, znj.Zhaneta Hoxha.  Pastaj ata vallëzuan të lumtur dhe trokitën gotat së bashku, për këtë ditë të bukur, ku u dëgjuan dy orë mësimi të hapur, vetëm shqip, shqip në Staten Island të New Yorkut!

Materiali u filmua nga Todd Watkins dhe do te transmetohet nga media dhe Televizioni “Kultura Shqiptare”.

 

Nëntor, 2008

New York



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora