Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Ç'kërkon Lufti Haziri i krahut të thyer të LDK-së? Falje territoresh dhe zëvendësim të Hotit!

| E hene, 24.08.2020, 09:13 PM |


Ç'kërkon Lufti Haziri i krahut të thyer të LDK-së? Falje territoresh dhe zëvendësim të Hotit!

Nga Gani Mehmetaj

Kryeministri A. Hoti premtoi se në bisedimet në Uashington nuk do të shmanget nga pavarësia dhe tërësia territoriale e shtetit. Ai është përfaqësues i Lidhjes Demokratike që e ka theksuar disa herë se tërësia territoriale dhe pavarësia nuk ka të dytë. Por athua mendojnë të gjithë nga partia e tij ashtu?

Lutfi Haziri, i krahu të thyer i LDK-së, apo krahut islamik, sikurse e quajnë, në një emision televiziv ia ofroi Serbisë 13 katunde të Dardanisë me disa copa tjera të tokës sonë.

Përcaktimi disavjeçar i krahut islamik të LDK-së, me Lufti Hazirin, që e ritheksoi prapë këto ditë, a duhet kuptuar tash si kundërvënie kryeministrit? Apo përpjekje për ta shkarkuar Hotin dhe emëruar Hazirin, që do ti dhuronte territore Serbisë ? Heshtja e LDK-së le shije të hidhur, sepse le të kuptohet sikur ka marrëveshje të fshehtë që përvijohet përmes Hazirit, nënkryetarit më të paarsimuar dhe më të papërgjegjshëm që ka pasur ndonjëherë kjo parti. Deklarimi i i Hazirit për falje territoresh, është përpjekje për të nxjerrë në tryezë të bisedimeve faljen e territoreve tona, në emër të kinse këmbimit të territoreve. A po i fal Haziri territoret e Dardanisë krye në vete, apo ia ka shkelur syrin dikush? Dhe kush është ai? Sepse Haziri gjithnjë ka qenë argat i djallit.

Është e habitshme dhe e pakuptueshme që asnjë televizion, portal a gazetë nuk e pyeti kryetarin e LDK-së: në emër të kujt foli Luta i Gjilanit? Në emër të LDK-së? Në emër të PDK-së? Apo në emër të Serbisë? Deklarimi i Hazirit e goditi për vdekje strategjinë e delegacionit të  Dardanisë në takimet e Uashingtonit, i dha mundësi Serbisë të këmbëngul që të bisedohet për zhvatje territoresh, pastaj të kërkojë që të bie kjo qeveri dhe të zëvendësohet me Hazirin. Serbia tashmë e ka kuptuar se shqiptarët nuk janë të një zëri.

Po Hoti pse nuk i tha Hazirit: mbylle llaçkën, shih ti punët tuaja në Gjilan, që i kë bërë rrëmujë.

Ta heshtësh deklarimin publik të nënkryetarit të partisë që fal territore, është më shumë se sjellje struci, është tumirje e platformës për zhvatje të territorit të Dardanisë. Kryetari i LDK-së u deklarua flakë për flakë për xhamin e  Erdoganit, që nuk ia kërkonte askush, duke i goditur intelektualët e kritikët që kërkonin të mos bëheshim satelitë të Turqisë e të Erdoganit, ndërsa hesht për tërësinë territoriale të shtetit, që e rrezikon nënkryetari i tij. Nuk mund të arsyetosh se është pluralizëm demokratik, sepse ta rrezikosh tërësinë territoriale  është vepër penale, është krim.

Haziri, dhuruesi zemërgjerë i terrorit të Dardanisë ishte kundër "mistër Binit", sikurse i thoshte me tallje Albin Kurtit, por është pro H. Thaçit, që asnjëherë nuk pati guxim t'ia bënte fjalën dy. A është L. Haziri kali i Trojës që të gjithë e dinë, por askush nuk e thotë? A është Haziri i vetmi kalë Troje, apo ka edhe të tjerë që qëndrojnë prapa tij?

Dikur e futen Vjosa Osmanin në krye të listës për hatër të aleatit-Vetëvendosjes, ndërsa e mbanin Lufti Hazirin, edhe pse e dinit që është zëdhënës i aleatit të vjetër PDK-së, prapë për hatër të kësaj partie, sipas parimit të vjetër:  një vëlla me partizanë, një me ballistë.