E enjte, 28.03.2024, 10:24 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Muzg dhe natë shiu

E diele, 23.08.2020, 03:52 PM


Ecejake pandemike

MUZG DHE NATË SHIU, ZDRITUR PREJ VETËTIMASH

Nga Blerim Rrecaj

Është muzg dhe dal në ballkonin e banesës sonë. Doja të dilja për të ecur pas një ftese që mora, por e lamë këtë punë, këtë herë, jo për arsye të këtij shiu që filloi. Marr me vete dhe një tavolinë të vogël rrumbullake, ngjyrëkaftë e këmbëzezë këmbëkryqëzuar që palohet, për arsye më të lehtë përdorimi, dhe marr kafenë që vloi mbi pllakë shporeti. Nga ballkoni xhammbuluar tejdukshmërisht, njërën nga dritaret e tij hap, si për ta kujtuar Lorkën dhe fëmijën që ha portokaj, shohim këtë lum automjetesh por edhe ata dy vetë duke ecur nëpër trotuar. Semaforët ndërrojnë ngjyrë si për t'u dhënë leje vetëtimave që ndrisin qiellin e ndonjëherë shoqëruar me ndonjë vijë të përdredhur rrufeje. Derisa vetëtimat i "kapim" me aparatin telefonik, rrufetë dy-tri sosh, vertikale që prekin tokën, dhe ndonjë horizontale që rri si farë litari akrobatësh në qiell, i zë vetëm blici i syve.

Kështu ndodhi edhe parmbrëmë, natën, nën hijen e një arre të madhe, te lokali "Shpija e vjetër" jo në kryeqendër, po në kryeqendërz po të emërtuar joshqip në gjuhën më të popullarizuar të globit, sot. Kur shiu paksa pat pushuar, u çuam edhe ne duke lënë njëren nga ato dy macet, duke u ngjitur trungut e degëve të lagura të arrës. Pasi po shijoj tash kafenë "ballkonike", marr dhe "krojshen" me manaferra që erdhën si dhuratë nga fshati, që duken si diamante të zinj shkëlqyes.

Vështrimi i vetëtimave e rrufeve më nuk t'i sjellin ato ndjenja me ankth, makth e frikë mbështjellur me mister si dikur në fëmijëri, ku familjarët lexonin ndonjë lajm nga gazeta për vdekjen e ndonjë bariu, a lënien në vend të deleve, a bagëtive të tij. Kjo na kujton dhe tregimin e Ernest Koliqit: "Hanë gjaku", kur gjatë një ecjeje, natën vonë, kur e dashura e detyron të dashurin të tregoj për trishtimin që e kaplon pasi e sheh hanën e verdhë me do danga të kuqe. Ai i tregon se gjërat që po sheh tash, po i sheh më me ftohtësi dhe jo më me atë gjallërinë si i shihte në fëmijëri.

Ankesat tona, mbase jo vetëm në kërkim të kohës së shkuar, por të zbehtësisë së ndjenjave, të mpirjes, të ftohjes së tyre, sikur s'kanë të mbaruar.

Sikur jemi në kërkim të rilindjes së tyre. "Ma pak kemi pas, e ma shumë jemi knaq", themi unë, ti, ai, ajo..., si të zhytur në do vorbulla vetijakizmi si për të na sjellur ndarjen në copa të ndonjë ftoi të ruajtur për ditë më të ftohta të gjysheve tona. E tash? Nëpër labirinthin kompleks të një kësaj kohe, që u mboll shumë dëshpërim dhe drojës që do korrim fryte rrënimesh me pasoja afatgjata. Por pa humbur shpresën se mundi i vepërmirëve s'do të shkojë kot, e do arrijmë rrugën e ndiçimit për ta mundur errësirën.

Paksa jemi kapluar nga malli e melankolia. Dhe të tillë mund të na gjej dita tjetër. E cila vjen. Dhe endet si ky trumcak që rri në luhajën e zbrazët i këtij këndi lojërash. Ose që tash rri në cepin e drurit të cilin e mbajnë rrathët metalik, ku tash në këto çaste mungojnë fëmijët, të cilët do shkonin lart e poshtë. Bilbili duket se flet me trëndafilin që ka pranë. Dielli nëpër re zhytet, kryshytet e del e rrezitet duke na ngrohur edhe ne. Një erë e lehtë freskuese shpupurisë jo vetëm fijet e barit. Dielli djeg. Shtrirë në bar nën ulësen e drunjtë rri e përmbledhur çadra ngjyrëzezë... Helikopteri lart s'ndalet për ta dëgjuar teshtimën që jehon, e kushedi se kah po shkon...Largohemi sikurse ai, me ca mendime që na vërtiten kokës.

Në fillimet e saj s'besuam aq në covid 19, ose na u duk se do të kaloi si gripi i shpezëve, i kafshëve, e ai, i derrit, më vonë menduam se ia hodhëm, e tash sikur kemi hyrë në një valle paparashikueshmërie. Ateroi nata e re, pa vetëtima e pa shkarkime rrufeshë. Vazhdojnë ecejaket pandemike. E në pamundësi për një arsye ose tjetër, me anë të telefonit, dikush bëhet pjesëmarrës 'online' i një dasme...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora