E marte, 16.04.2024, 04:57 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Blerim Rrecaj: Ecje e freskët nëpër Lumin e Shalës

E marte, 25.08.2020, 08:03 PM


Ecje e freskët nëpër Lumin e Shalës

Nga Blerim Rrecaj

Herët në mëngjes dalim të presim autobusin që do na merr me vete dhe të cilin do e ndal shoferi, te vendi i caktuar, jo fort larg strehëzave tona. Dielli lind e ecën ngadalë dhe mbërrin fytyrëkuq sapo mbërrin te porta që mban semaforët, e ngjan si atleti i vetëm që pritet ta fillojë garën maratonike. Vije e ndalet autobusi, hipim e përshëndetemi me buzëqeshje nga shoferi dhe konduktori, dhe atmosfera është e këndshme, e lehtë. Dhe vazhdon përgjatë udhëtimit. Dielli tash ka ngritur kokën lart e djeg kur kemi mbërri te dy pikat kufitare kot fare të Qafës së Prushit. Mbi ngrehinat e përreth tyre pothuajse të zbrazëta enden harlisshëm dallëndyshe e pëllumba. Dhe vazhdojmë duke soditur natyrën ajërpastër derisa mbërrijmë te bregu i Fierzës për të hipur nëpër barkat metalike me motor, dhjetë a ca metërshe me të cilat do t'i biem mespërmes liqenit të qetë mbrojtur nga krahë bjeshkësh të gjelbëruara e shkëmbhirta që anon më fort kah e bardha. E disa maja të tyre duken si re, a si borë e pashkrirë ende. Rreth një orë e gjysmë zgjat ky udhëtim mbiujor panoramik me dëshirën që gjatë tij të mos shohim asnjë shishe a bisht të fikur cigareje. Enden gjallërishëm ca dallëndyshe mbi kokat tona, dhe zhurmërima e barkës që lë pas një vijë të bardhë valore e shkakton ca valë të lehta, i tremb në dy vende ca shpezë krahëmëdhenj e qafëgjatë ngjyrë kaftë që humbasin së shpejti. Sapo mbërrijmë nga bregu në breg, fëmijët që ndodhen në këtë barkë bëhen lajmëtarët e lajmit të gëzueshëm me fjalët: Erdhëm, erdhëm. Nga barka zbresim një nga një. Dhe vazhdojmë duke u ngjitur lumit përpjetë. Është një përqafim i ngrohtë malli, shumë nga ne jemi këtu për të parën herë. Urat e drunjta që janë vigje të bukura veç të bëjnë të ndihesh edhe më mirë. Këtu takojmë një çift të mrekullueshëm bashkatdhetarësh që kanë ardhur nga Gjermania për të kaluar pushimet në Alpet Shqiptare dhe ndahemi me ndjenja gëzimi, duke thënë e ndjerë se bota ka bukuri gjithandej dhe kjo është njëra prej tyre që duhet ta çmojmë, e se bukuritë e natyrës "nuk kanë brirë". Një cjap i kuqërremtë fshihet pas një gëmushe që ka mbirë mes gurësh, sapo i afrohemi, fort larg shtratit të lumit, ndërkohë në një dru, në bregun tjetër të lumit piqet në hell një kaproll, siç shpjegoi, ai që e rrotullonte. Skaj shtratit të lumit të kristaltë puthitur për brigje bjeshkësh nga kërcimorja e ndërtuar këndshëm e thjeshtësisht, hidhen e lënë gjurmët e tyre kërcyes të shumë. Uji i lumit është paksa i ftohtë, por sapo ta provosh është një ftohtësi që të tërheq e nuk të lëshon aq lehtë. Pushues të shumë shijojnë këto çaste diellditëndezur nëpër plazhën lumore, për t'u freskuar sapo vapa t'u bie në kokë. Ca zogj por edhe peshqit që duken gjatë ecjes buzë lumit, janë të shpejt e të zhdërvjellët dhe ruajnë privatësinë e tyre, pasi ikin sapo që t'u afrohesh. Pak më lozonjare janë fluturat dhe pilivesat me ngjyrë të kaltremtë metalike. Ca lule të verdha mbirë për shkëmbinjësh sikur meditojnë për lumin që rrjedh. Duke u ngjitur lumit për kah rrjedha e tij, një peshkatar që ka zënë pozitë në një faqe mali dhe ka hedhur grepin në lum, thotë se kryesisht këtu rritet e gjallëron trofta dhe është në pritje të saj. Mund të vazhdoni rrugën na thotë edhe për nja njëzet minuta, veç a keni kohë. Vazhdojmë rrugën nëpër gurën e bardhë e vende vende lahemi ku në thellutat e ku në cekëtësinë e lumit ujëkristal të tejdukshëm që anon kah një kaltërsi e lehtë, e këndshme. Mbërrijmë deri te aty ku duket se përfundon rruga dhe kthehemi sa takojmë ca gurë të mëdhenj si shkëmbenj duken lumit si farë postblloqesh idendifikimi e kthehemi për ku ishim pas nja një udhe ecjeje të freskët, me hapat tanë shllapa-shllupa pasi hapërojmë me sandale. Kthehemi nga erdhëm, përsëri edhe nëpër këtë liqen që "dremit" si e thotë kaq bukur Lasgushi. Dhe freskinë bukuroshe të "avanturës" së sotme e ndjejmë më fort kur iu kemi larguar lumit që e kemi kaq larg e kaq pranë...

Fotot janë marrë nga:

https://www.facebook.com/koman.lumishales



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora