E enjte, 01.10.2020, 09:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajame Hoxha – Çeliku: O zot i madh, po qanë një popull...

E enjte, 20.08.2020, 06:54 PM


Bajame Hoxha – Çeliku

ZOT I MADH, PO QANË NJË POPULL...

O popull,

O populli im i dashur!

Më vjen të qaj,

Më vjen të bërtas

Të ulërij.

Oh, këto ditë mjerimi,

Këto ditë të vrara gushti

Ua kaluan anijeve të 91-shit.

Sa të mjerë që mbetëm!

Lypsarë të kulturuar u bëmë

Portave të huaja.

Mbetëm dyerve të botës duke trokitur,

Duke kërkuar bukë,

Duke zgjatur duart.

Duke u lutur të hapin portat e mbyllura me shula,

Për të hyrë si endacakë të kohës së gurit,

Për të gjetur një çik punë,

Një çik mëshirë.

Edhe pse të shkolluar,

Të mençuruar,

Të kulturuar,

Prapëseprapë kërkojmë,

Kërkojmë lëmoshë te Greku!

Pak punë,

Pak jetë,

Pak respekt, o Zot!

Ah që ah, o populli im!

Jemi të nëmur të goditur përjetësisht.

Edhe kur isha e dënuar çupëlinë,

Pastaj e rritur,

E sakatuar,

E çnjerëzuar,

E përbuzur,

E mohuar,

E tretur...

E internuar...

Jo, kurrë nuk kam dashur

Ta ndërroja internimin

Me lirinë e grekut!

Jo, kurrë!

Tani më vjen të qaj,

Të bërtas,

Të ulëri fort, fort,

E të  vajtoj me gra Reçi.

Të mbroj popullin tim që po hiqet zvarrë.

Zot!

Zgjatmë dorën të marr në mbrojte

Popullin tim të shtrenjtë.

Të përfshij në krahët e mi të gjithë udhëtarët

E mbetur në kufi,

Të mbetur udhëve,

Të mbetur pa Atdhe.

T’u jap qetësinë e humbur dua,

T’u jap dashurinë e Atdheut,

T’u jap respektin,

T’u kthej shpresën,

T’u kthej dinjitetin.

Oh, sa turp! Sa turp nga bota!

Janë shurdhuar!?

Sot e them, e them me zë të lartë,

Sepse më dhimbset populli,

Populli im i braktisur më dhimbset.

Ah, o populli im, i shtrenjti popull,

Ke mbetur jetim.

Jetim, pa nënë e pa baba,

Mes katër rrugëve të botës.

Ah, o fshesë e vendit tim!

Mjerisht,

Po e fshin një popull të tërë, me lot e dhimbje.

Mbetën rrugët e varfra,

Rrugicat qajnë për fëmijët e ikur,

Qajnë trarët e shtëpive të braktisura.

Oborret e thara nga thatësira,

Ku u mungojnë lulet dhe blerimi i pranverës,

U mungojnë trëndafilat,

U mungojnë filizat!

Qajnë, qajnë dhe sokakët.

Zot! Po qanë një popull!

Po të lutet nën diellin përvëlues,

Zot, po qajnë...

Po qajnë

Po qan një popull!

Është populli im...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora