E premte, 19.04.2024, 09:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Një ecje e ëmbël

E marte, 18.08.2020, 07:34 PM


Një ecje e ëmbël

Nga Blerim Rrecaj

Duke ecur nën këtë qiell të kësaj të shtuneje as fort të kthjellët e as fort të vranët, e që nga mbretëria e tij herëdokur mund të fillojë shiu, hapat "trokasin" lehtas e pa zhurmë nëpër trotuarin vijëdrejtë të rrugës kryesore që të shpie në kryeqytet, në dy anët e rrugës me objekte biznesesh, punëtorish. Dikush ecën me fëmijë përdore, ca ngasin biçikletat, dhe ca roje lokalesh lëvizin andej-këndej. Afrohemi skaj një dyqani të vogël, rri ku trup dardhe që është përplot kalaveshë të këtyre frutave picigate. Dhe ca çaste te kjo dardhë "urbane" të largojnë nga rrëmuja, ndërkohë që makina e autobusë qarkullojnë, sot më rrallë. Rrijmë edhe pak, sikur të lutet ky dru frutor, edhe pse diku në një cep të lokalit sheh njoftimin: Kujdes se ky objekt vëzhgohet nga kamerat. Vazhdojmë rrugën me ca ndjenja ëmbëlsie duke këputur një kokërr dardhe me bisht e me gjethe. Kthehemi te kthesa që na shpie te zona industriale ku nën njërën këmbë gjigande të urës së autostradës një vogëlush qëndron dhe pret myshterinjtë me ato katër-pesë gajbe me rrush të zi e të bardhë, apo më mirë të kaltëremtë e të artë. Ecim tashmë rrugës së gjerë e pothuajse të zbrazët, aty-këtu kalon ndonjë automjet e ndonjë veturë autoshkolle, aty-këtu ndonjë lokal hapur, si kjo gjelltore e ky sallon makinash luksoze, e objekte biznesesh disa prej tyre jofunksionale, mbuluar e zbehur nga pluhërimat e kohëve, e ndonjë që sapo paska filluar të ngre kokën lart. Pas trotuarit mbi ca tela armature e kësaj pëlhure të gjelbërt të mbyllët gardhore rrijnë ca trumcakë si të ishin duke bërë farë provash akrobatike, dhe të cilët largohen sapo na shohin si duke ruajtur farë sekreti, për t'u kthyer sapo të largohemi. Afrohemi deri pranë objektit me tabelën që njofton se kjo është shkollë profesionale e shtetit në formë të çizmes së gjatë, sikur atyre që vishen kur ka vërshime, dhe këpusim një kokërr molle dega e së cilës ka dalë përtej rrethojave grilbardha duke parë trupa tjera mollësh në oborrin e këtij objekti. Fluturojmë "trumcakisht" deri në fund të rrugës dhe kthehemi për të u kthyer te rruga që na shpie për te "pazari i kerreve" që është i zbrazët, dhe ka kohë që nuk hapet shkaku i pandemisë, ose mund ta kenë zhvendosur, kushedi... Ecim. Në shtegun që na shpie te një qendër e madhe tregtare, nëpër këtë rrip udhe, nëpër ca degë të larta shohim këtë zog të zi e pikalosh, që pasi e fotografojmë ik me të shpejtë dhe sikur na bë me dije se do të na padisë për këtë foto të paautorizuar nga ana e tij. Derisa rripit të hollë me bar rrinë gatitu ca trungje drunjësh e pishash, pas rrethojës metalike duken gjithë këto lozë manaferrash, që kanë mbuluar një copë të madhe sipërfaqeje, shumë prej tyre të pjekur dhe të pluhurosur e menjëherë pas tyre, si për të na zhytë në ca valë rrëmuje rrijnë këmbëkryq këto automjete të vjetra që janë duke kaluar kështu pleqërinë e tyre të thellë, një rrotë në dhé, një mbi dhé. Dalim te parkingu i madh i betontë i kësaj ngrehine ngjyrëkuqe ku hyjnë e dalin konsumatorët, lë fëmijët te këndi i tyre i jashtëm i këtyre lojërave. Ulem në një ulëse druri pranë një trungu druri, dhe rrezet që bien mbi të e ndriçojnë këtë skenë, ku shumë buburrecë ngjiten e zbresin trungut, para e mbrapa, poshtë e përpjetë duke vazhduar alpinizmin e tyre edhe nëpër degët e tij. Siç thotë një shok imi këto "vogëlsira" që pak po i shohim, e vazhdoj të rri, këmbën mbi këmbë duke parë këto lëvizje të këndshme, që tash po më kujtohet se ndonjëherë të tilla ma kanë tërhequr vëmendjen edhe në oborrin e fëmijërisë, para shtëpisë... Rruga e kthimit këndej kah erdha, do na gjej përsëri nën dardhë, pas ca blirëve që lëmë pas. Do dalim në anën tjetër të rrugës për t'u ndalur te një hapësirë gjelbëroshe sa për të vizituar katër pesë trëndafilë te katër gëmushat e tyre, njëri prej tyre duket për mrekulli, aromëdehës. Kur dalim nga këtu, s'kemi si mos të afrohemi te rrethoja e jashtme metalike për të cilën rri varur një lozë me kalaveshë ngjyrë-artë rrushi, si për të na bërë të ditur se ecjen duhet ta vazhdojmë me hapa të ëmbël, sado që po dëgjojmë të përmenden lloje pandemish nëpër tranzicionin e egër... Dhe këtu ku gjendemi tash, një anzë vërtitet e është kapur në lugën që qëndron pjerrtazi në gotë, e sikur përpiqet ta tërheq atë për të marrë pikat e fundit të lëngëta të akullores së mbetur. Ec e ec, sa të mundemi ta shtyjmë me ëmbëlsi lëvizjesh, edhe tash kur dielli djeg, duke parë këto flutura që duket se po presin shiun, sikurse ne, mbase për të gjetur ndonjë strehë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora