E merkure, 24.04.2024, 08:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Imazhe mirditore dhe gjurmët gjenealogjike në vargje

E hene, 17.08.2020, 07:42 PM


IMAZHE MIRDITORE DHE GJURMËT GJENEALOGJIKE NË VARGJE

(Hasan Hasani – Përkola: ”MIRDITË E MIRDITORË”, poezi, botoi “Faik Konica” - Prishtinë, 2020)

Nga Xheladin MJEKU

Hasan Hasani - Përkola (1947), si djalosh i Dushkajës filloi hapat e parë në krijimtarinë letrare, për të vazhduar pastaj aktivitetin e tij krijues në Prishtinë, që për më shumë se pesë dekada do t’i sjell  lexuesit mbi shtatëdhjetë libra në poezi, prozë, letërsi për fëmijë, studime e publicistikë, pa mos e llogaritur edhe punën e pandalshme në botimin dhe pregatitjen e veprimtarisë komplete të shumë autorëve shqiptarë të traditës dhe atyre bashkëkohor, dhe kontributet e panumërta në botimin dhe redaktimin e revistave letrare. Një prezantim i veprimtarisë së tij krijuese dhe studimore me një fjali, në asnjë mënyrë nuk mjafton, por një tërheqje e shkurtër e vijës përkufizuese e prezantimit të tij nuk dyshoj se do të zgjoj kërshërinë e lexuesit, që në vazhdimësi ta takoj autorin në fushëveprimtarinë e tij kaq të vëllimshme dhe produktive.

Dushkajasi i atëhershëm këtë herë na vjen si mirditor i dëshmuar, duke shpalosur rrënjët gjenealogjike të familjes dhe gjakut të tij me Trilogjinë poetike “Mirëditë e mirditorë” (2020), e cila, përveç frymës poetike sjell edhe shumë befasi e ngjarje nga një vend i veçantë i etnisë sonë, prej nga e gjen trungun e tij familjar prej tre shekujsh.

Prologu, apo rikthimi tek rrënja

“Unë mirditori!”

Kështu do ta filloja shkrimin, duke e thyer që në fillim strukturën e organizimit të librit kundruall renditjes nga autori. Kjo për faktin, se një fillim i tillë del si vetërrëfim i poetit, i cili, dëshmon se është mirditor këtu e tre shekuj më parë. Këto dëshmi i gjejmë në shumë nga poezitë e këtij libri, përmes të cilave veçohen ngjarje e personalitete që ndërlidhen me realitetet që do t’i kërkoj në vazhdimësi përmes vargut të tij, Hasan Hasani-Përkola. “Ka lindur i tillë se gjaku i origjinës e ka thërrit që në gjenezë; ka lindur domgjonas e mirditor se familja e tij, prindërit e të afërmit, edhe pse ka mbi treqind vjet larguar nga vendi i origjinës, edhe pse kanë ndryshuar fenë e besimin e tyre fetar, kurrë nuk e kanë ndryshuar traditën e tyre e besimin se një ditë gjeni do t’i thërrasë edhe ata e t’i bashkojë me vëllezërit e tjerë që jetojnë në  fshatin e origjinës apo kudo në Shqipëri, Kosovë e nëpër botë!”, do ta përligjte dëshminë prej mirditori të Hasan Hasanit – Përkola, njëri nga recensentët e librit, Llesh Ndoj, në Parathënjen e tij për librin “Mirditë e mirditorë”.

Në çastet kur po lexoja këto poezi, mu krijua ndjenja se kam takuar një ngjashmëri tematike  me monografinë familjare “Familja Mjeku – rrugëtimi historik”, që pak para se të vinte kjo përmbledhje poetike e Hasan Hasanit-Përkolës, kisha rastin ta kaloja si lexues i parë, ku trajtohej gjenealogjia, historiku dhe shumë tema e ngjarje nga koha, në të cilën ishte përkufizuar autori ta trajtonte, dhe arsyeja tjetër që më ngjalli kërshërinë ta shikoj nga thellësia e vrojtimit ishte edhe trilogjia poetike “Hapekrah”, që sapo e kisha botuar, dhe, ndonëse në vargje, ishte e konceptuar në tri libra, që pasqyronte historinë tonë shumë shekullore, që nga Iliria e këtej, duke e shtrirë fushëveprimin në gjithë hapësirën gjeografike të Gadishullit Ilirik.  Mirditë dhe mirditorë” kap po ato tema e ngjarje, po atë shtrirje gjeografike të këtyre vendbanimeve, që datojnë nga shekujt e hershëm të krijimit të Ilirisë.

Kjo “përhumbje” në këto perla poetike më bënë të ndihem i lumtur, meqë isha njëjtësuar me realitetet që po takoja nga vargu, në vargun tjetër, nga ngjarja, tek tjetra dhe, pa asnjë dyshim, po krijohej një imazh shumë i saktë i një jete shekullore të njeriut të paepur, të sprovuar dhe të vendosur të qëndroj stoik në trojet stërgjyshore, duke ushqyer dashuri të pafund për Mirditën, si vendbanim, kështjellë qëndrese dhe dashuri jete me fiksimin prej një mjeshtri erudit, si Hasan Hasani-Përkola.

Libri i parë: MIRDITË

Mirdita, qoftë si toponim, qoftë si vendbanim i lashtë, apo edhe si simbol qëndrese, është Pikënisje e trajtimit poetiko-monografik të Hasan Hasanit – Përkolës, ku shpërfaqet një histori e tërë, që kur identifikohet si vendbanim ilirik e deri në kohën tonë, duke ruajtur e kultivuar në breza kulturën, traditat, bujarinë dhe dashurinë njerëzore.

Kështu, që në poezinë “Mirdita” të librit të parë, si pelegrinë të një rrugëtimi gjithëpërfshirës  do të takojmë vlerat e kësaj perle shqiptare, duke prekur një për një ngjarjet historike, traditën shekullore dhe virtytet e pashembullta të këtyre njerëzve, kultivimin e besnikërisë dhe heroizmin brez pas brezi në ruajtjen e çdo pëllëmbe të atdheut, që e duan me fanatizëm të veçantë.

“U përvodha hije nëpër reliktet që më përcollën në Domgjon

Dhe shalova kalin e erërave trup e t’thuer Mirditës

Duke kapërcyer pellgje gjaku ku notonin bjeshkët, kullat

Kudo këmisha të shkyera të vdekurish në degë lisash

Jataganë e pushkë të ndryshkura nën rrasa e gurë

Vajtore veshur me rroba të zeza e lot të ngrirë në bebëza

Re të bardha mbi Munellë kërrusur mbi supe shpellash

Plisa të bardhë bore varë mbi dymbëdhjetë bajraqe”

(Po aty, fq. 25)

Ky pasqyrim real i Mirditës nëpër shekuj, ku përballja me gjithëfarësoj ngjarjesh e situatash e paraqet saktë heroizmin e njeriut të lidhur fort për trollin e tij. Në situata të tilla do të takojmë edhe “Hingëllima kuajsh në dy këmbët e para pa zot në beteja/ Krrokatje korbash vigjilentë mbi shkëmbinj të murrmë/ Zanat në Sukërrasë shprish flokët në vesë mëngjesi/ Kryqëzatë dhelprash dhe ujqërish të murrmë ulurimë”, që secili në mundësitë dhe gjendjen e vet kujtojnë situatat dhe ngjarjet nga më të trishtat në beteja të shumta, të përballur “Fyt më fyt për hisen e diellit”. Kjo përballje me të keqen do të vazhdoj për vite e shekuj, ku “Gjëma me gjëmën përfytur ditëve kobzeza t’lahutave” shtrinë veprimin e saj gjithandej kah “Atdheu në Veri dhe Jug bërë shoshë nga syzikorbat? Në Tarabosh e Tomorr, në Shkëlzen e Gjallicë” nuk pushon për asnjë çast, derisa “…humbësit gëlltitinin veten kotur netëve pa hënë”. Ndërkaq, në ballë të rezistencës çdoherë do të qëndrojnë “Plisbardhët lart mbi re, gjëmimet majave, gurëve” me kushtrimin e lirisë “Flamujt e shkyer mbi lisa dashuruar n’kaltërinë”. Kjo ishte Mirdita e shekujve, e trimërive dhe heroizmit të pashembullt, që siç do ta shpreh edhe Hasan Hasani-Përkola, këtu përmes vargut të tij: “Heu Mirditë, kënga ime e humbur honeve të mugëta/ Ndër gjëmime e vetëtima në qiellin e vdekur t’Lahutës!”, që kujton kapitullin e historisë së luftrave dhe qëndresës heroike të mirditorëve, për t’i lënë vend ngjarjeve tjera të panumërta deri në ditët e sotme, ku transformimet e kohës kanë bërë që edhe Mirdita ta jetoj kohën e re, me ngritjen e vetëdijes njerëzore dhe emmancipimit shoqëror, në përgjithësi.

Shumë vende e ngjarje të rrethit të Mirditës e përbëjnë historikun e kësaj treve, që padyshim shquhet në shumë aspekte, si për vlerat, trimëritë, heroizmin dhe përballjen me pushtues e pushtete të ndryshme, e deri në guximin titanik të ngritjes së kauzës në ballë të realiteteve që jetuan, për të përmbysur epokën diktatoriale të përçudnuar, që këtij vendi do t’i kushtoj me jetëra njerëzish, me humbje të mëdha intelektualësh të dëshmuar në shumë lëmi jetike për vendin. Hasan Hasani – Përkola, fal punës së tij të përkushtuar prej disa vitesh, arrinë të shpalos deri në palcë shumë nga këto plagë të njeriut të tij mirditor, për t’i vendosur përfundimisht në lapidarin e qëndresës heroike, që do ta kujtojnë breza të ardhshëm, si shembuj dhe dëshmi të një kohe, ku gjithçka ishte hije, që në çast mund të zhdukej përfundimisht. Në këtë raport do të triumfoj jeta, derisa e kaluara mbetet kujtesë e hidhur, për t’i hapur rrugë ardhmërisë drejt botës së qytetëruar, ndonëse Mirëdita ishte identifikuar që nga lashtësia për një qytetërim të lartë; ajo do të mbetet e shtypur nga perandori e pushtues të shumtë. Mirdita gjatë shekujve do ta paguaj shtrenjtë lirinë, si gjithë viset tjera të Ilirisë. “Treqind vjet udhëtova nëpër mugëtirë/ nëpër ëndrra e zhgjëndrra hije e padukshme/ për të arritur këtu ku jam sot, e s’kam qenë kurrë/ rrëzë Munellës ku zanat gjithmonë rrinë zgjuar” (“Domgjoni”, fq. 28). Kështu e paraqet takimin e parë me vendlindjen e stërgjyshit të tij, për ta kujtuar pastaj se “Këtu në Domgjon ku kullat i ruan gjarpëri i shtëpisë! do të kërkonte ta takoj pas tre shekuj largimi gjakun e tij stërgjyshor. Poeti, pas një kërkimi të pasuksesshëm që ta gjej stërgjyshin e tij, Pren Kolën, zotohet se “Unë  edhe pse po ik sot, prapë do të kthehem këtu për ty/ Prapë do të të kërkoj gur më gur e lis më lis/ Dhe do të të gjej këtu në Domgjon pasha tokë e qiell”, sepse ai është stërgjyshi i përbashkët, prandaj e thërret: “O Pren Kola i Domgjonit,…O Pren Kola i Jabllanicës!” (po aty, fq. 29). Hasan Hasani - Përkola është poaq këmbëngulës në kërkimin e tij që ta takoj lashtësinë, paragjyshërit, dhe ta shpalos deri në themele gjenealogjinë e familjes së Përkolajve, këtu e tre shekuj më parë, edhe në sonetet “Monolog me Kullën në Domgjon” dhe në poezitë “Kërkoj ëndrrat e Pren Kolës”, “Kalaja e Blinishtit”, “etj. që cysin kërshërinë e poetit në kërkimin prej hulumtuesi të gjurmëve të fisit dhe gjakut të tij.

Një ndërlidhje tashmë e arsyeshme, se poeti ka dy vendlindjet e tij të përhershme e kuptojmë përmes poezive që i dedikohen pikërisht kësaj qështje. Kështu, “Xhuxha”, një vendbanim, prej nga tërheq diagonalen e lidhjeve të njëjta me Prishtinën, ku aktualisht jeton ai, e fikson me vargjet: “Kur Pjetër Marku/ Mbush duart plot me qershia/ Mua në Prishtinë/ Më shkon lëng për goje” (po aty, fq. 74). Ky lëngëzim bëhet edhe më i qëndrueshëm, në poezinë “Lajthiza”, si vazhdimësi e poezisë së cituarë më parë, ku poeti i identifikon si dy ngjashmëri të përhershme: “Lajthiza në  Mirditë/ Lajthiza në Dushkajë”, (po aty, fq.75), derisa njëra “është katund” kurse tjetra “vetëm dy-tre dynym mal”, në masë të madhe ia përafrojnë besimin poetit, se edhe përmes toponimeve ka ngjashmëri të qëndrueshme, që e justifikojnë mundin dhe angazhimet e tij në zbulimin e rrënjëve të trungut familjar dhe përcjelljes së elementeve identifikuese tek vendbanimi tjetër. Një ngjashmëri që krijon besimin se këto ndërlidhje janë të qëndruehsme, bazuar edhe në shumë faktografi tjera, si tek poezia “Rinim në Mirditë”, ashtu si e thotë edhe poeti për veten e tij, që të shumtën e rasteve e takojmë si kryepersonazh të shumë poezive: “Tre shekuj m’u deshën të zbrisja në Mirditë/ Në Mirditën e Vikingëve/ Në Mirditën e Bajrakëve”, ku çdo pyetjeje, “Përgjegjja rri maje gjuhe”, se ka bërë jetën njëkohësisht: “Shtatëdhjetë në Mirditë/ E/ Shtatëdhjetë në Dushkajë” ( po aty, fq. 78). Sa e ndieshme është kjo paraqitje, po aq e rëndësishme është shtruarja e temës në gjetjen e filleve të trungut familjar, që do ta kuptojmë në shumë nga poezitë tjera të këtij libër-cikli, që vijnë njëra pas tjetrës, për të sjellur tërësinë e kësaj treve, si dëshmi e jetës shumëshekullore, ku gjurmët e historisë i takojmë gjithandej, edhe përmes toponimeve, që në disa raste shëndërrohen në tituj të poezive, si: Ara e Skënderbeut”, Oroshi”, “Shëngjergji”, “Bukmira”, “Gomsiqja”, “Mollkuqe”, “Kashnjeti”, dhe ndonjë tjetër që këtu nuk u citua, duke i lënë për detyrë lexuesit që t’i vendos në kolanën e pafund të vlerave, sipas “dioptrisë” së tij prej vrojtuesit dhe analizuesit më real të saj.

Hasan Hasani – Përkola, kur qëndron në Mirditë, qoftë si qytetar i saj, qoftë kur mëton prekjen shpirtërore të çdo cepi të kësaj treve, me synimin që ta njoh në shumë aspekte, ndër të cilat edhe për heroizmat e trimave të saj, për vuajtjet e një periudhe, tashmë të njohur, ku diktatura kishte lëshuar kthetrat e saj thellë në shpirtin e njeriut të vendit; pastaj për doket dhe zakonet mirditore, për pasojat e shkaktuara nga ndikimi i Kanunit, që në raste të ndryshme ka prekur familje e ka shkaktuar dhimbje të pashëruara, etj. Të këtij motivi janë edhe poezitë: “Ura e Madhe”, Kullaxhi”, “Mirditorja”, “Fani Madh e Fani Vogël”, “Rapsodët Mirditorë”, e ndonjë tjetër, që e bëjnë historinë mirditore të flet dhe të dëshmoj etninë e këtyre viseve të mbështjellura me ngjarje e mistere nëpër shekuj.

Poaq e dhimbshme ishte edhe periudha tjetër, ku diktatura po mbante peng pjesën më të dëshmuar të intelektualëve, njerëzve që kishin vënë para vetes detyra të mëdha në ngritjen dhe ndërtimin e vendit, për tu përballur me diktaturën, në  emër të mbrojtjes së vlerave të socializmit dhe klasës punëtore, që ishte instaluar pas mbarimit të luftës Nacionalçlirimtare. Një imazh të keq i bënë atdheut këta pushtetarë, ku poeti e shpërfaq me fakte edhe në poezitë: “Spaç, Spaç”, “Shkoza”, “Fani”, “Qafa e barit”, etj. që ravijëzojnë thellësisht këto plagë të krijuara të kohës, duke mos kursyer asnjë shtresë intelektualësh. “Spaç, o Spaç/ Varr a djep/ Ferr i çarë/ Në histori;/ Havzi Nela/ Visar Zhiti,/ Bij të shqipes/ N’vargoj të zi;” (“Spaç, Spaç”, fq. 31). Fatkobi i kishte prekur edhe shkrimtarët, fjala dhe vargu i të cilëve, si duket duhet të kenë qenë shtiza zhbironjëse e pushtetit të atëhershëm diktatorial. Fati i tillë e kishte pllakosur edhe mirditorin, si çdo qytetarë të Shqipërisë.

Pasojat e mbylljes së kufirit nga pushteti diktatorial bëri të mbesin jashtë territoreve të shtetit shumë familje. Një fat të tillë e përjetoi edhe Mirdita, ku familjeve dhe njerëzve të saj do t’i mbylleshin të gjitha rrugët e komunikimit dhe takimit me pjesën tjetër të të afërmëve të tyre për dekada të tëra. Nga kjo mbyllje e çeliktë njerëzit po i digjte malli për familjarët e tyre të gjakut dhe fisit. Një pasqyrim rrënqethës në kontekst të kësaj situate, poeti do ta shtjelloi në poezinë “Mixha Llesh”. Në këtë poezi, ai sjell kujtimet e tij të fëmijërisë, kur vinte Llesh Domgjoni në familjen e tyre, nga fjalët që ia thoshte e ëma: “Ec, ec e shkojmë të flemë/ Baba vjen vonë/ Ka ardh mixha Llesh!” Atbotë “në kullën e bacës Mehmet” krijohej një gjndje ndryshe. Për ta nderuar ardhjen e mikut nga pasbjeshka “Gëzimi kthente përmbys edhe trarët/ Fikeshin llambat në duar/ kur zihej plumbi ndër kapuça/ E kënga e harlisur dridhte kullën!” do të rikthente kujtimin e tij poeti, “Netëve të dimrit me borë/ Netëve të egra të viteve pesëdhjetë.” (po aty, fq. 49).

Një e keqe tjetër që do ta ketë përcjellur vendin nëpër shekuj, njihet si “viktimë kanuni”, ku “Sipas një legjende/ Te Zalli i Kalorit/ Vdiq nusja e Shtufit”. Për këtë tragjedi qajnë “Mirditorë e mirditore”, derisa “Dielli mbet vejan!” (“Udha e Gjazujve”, fq.70). Kjo ngjarje transmeton mesazhin e saktë, se krimet e tilla edhe diellit ia ndalonin rrezatimin. Tashmë kjo e keqe duhet të ketë mbetur si kujtim i së kaluarës, por këto ngjarje që në një kohë kanë bërë  hatanë, ende ruhen si legjenda, për tu përcjellur ndër breza, si dëshmi e një mënyre tjetër të vrazhdtë të jetës në këto troje.

Por, Mirdita, ka edhe bukuritë  e saj natyrore, që ia shtojnë vlerat dhe e bëjnë të veçantë shtrirjen e saj, me fusha e male, me shkëmbinjë e shtigje të shumta, që në tërësi bëjnë reliefin e saj të veçuar. “Munella”, pasqyron bukuritë e shumta natyrore, përmes të cilës prekim gjithë peisazhin e kësaj treve kaq të bukur, që do ta shpreh edhe poeti: ”Për ty këndoj Munellë, për zanat që n’gji i ruan/ Dhe këngën e zotave që rojë bëjnë mbi pjergull/ Ëndrra t’pafundme t’një dinastie të mbuluan” (po aty, fq. 37). Kjo është Mirdita e Hasan Hasanit – Përkola, me bukuritë natyrore, me legjendat, traditën, trimat e besnikërinë e fisme të njeriut të saj, e përcjellur në shekuj dhe e lartësuar në vargun që nuk shterron. Pamje e ngjarje të shumta për Mirditën shtjellojhen edhe në shumë poezi e sonete, si:  Vikingët e Mirditës”, “Gjëma e burrave”, “Zanat e Munellës”, “Gurra e Domgjonit”, “Mali i Shejtit”, “Derë e parë në Orosh”,  Lisat e Shpalit”,  Kulla Kolpepaj”, “Ungjilli i Shën Markut”, “Në Domgjon erdha me Fishtën”, “Lteri”, etj.

Të lexosh një poezi të tillë është më shumë se shpalosje shumështresore e një vendi me relief të vrazhhdë, poaq sa koha dhe shekujt që e tundën këtë vend plot rreziqe, shtërngata qëndrese dhe heroizma, vend mbjellur me varre e ujitur me gjak lirie deri në pavdekësi.

Sipas kësaj që takojmë në vargjet e këtij libri, autori ka gjetur saktë Itakën e tij të ëndrrave, dëshirave, adhurimit dhe gjakut farefisnor, prej nga mbruan në shpirt krenarinë e të qenurit mirditorë.

Libri i dytë: TRI KURORA

At Gjergj Fishta, Anton Çetta dhe Dom Anton Kçira, janë tri personalitete të përveçme, jo vetëm për trevën mirditore, por për tërë Arbërinë. Poeti do t’i ketë identifikuar si tri kurora, që secila prej tyre kurorëzon një veprimtari të veçantë, që s’bashku përbëjnë kupolën e qëndresës heroike në shekuj, duke ndërtuar kështu imazhin e një qëndrueshmërie historike në të gjitha aspektet, si patriotike, kulturore dhe urtisë popullore, për ta ruajtur në përgjithësi vlerën kombëtare.

Pa mos u hamendur se cili do të ishte qëndrimi i poetit në përcaktimin e këtyre figurave kombëtare që ka përzgjedhur t’i ketë në fokusin e tij të interesimeve, e them se vështirë të ketë një përzgjedhje kaq të qëndrueshme në mesin e një galerie të pafund emrash e personalitetesh të kësaj treve, që secili syresh shquhet për veprimtaritë e tyre të veçanta në të mirën e atdheut. Ndoshta kjo do të ishte emblema prezantuese e kësaj bote intelektualësh të të gjitha profileve, bazuar në aktivitetet dhe përcaktimin e veprimtarive të tyre, që në parim e përbëjnë brumin e përbashkët të kësaj kurore lapidare, si prezantues të denjë të një epoke.

Pas një leximi të këndshëm të këtyre kurorave sonetike, do të zbërthej në pak fjalë portretet e tyre, duke u nisur nga magjistralët e çdonjërit përkushtim, që në fakt janë përkufizimet karakteristike që i identifikojnë këto personalitete kombëtare, përmes vargut të spikatur të poetit, që shquhet dukshëm me mjeshtrinë e tij në krijimin e sonetit.

Kurora sonetike “Eshtrat s’i tret uji as dheu”, që i kushtohet jetës dhe veprimtarisë  patriotiko-historike dhe letrare të At Gjergj Fishtës, synon ta paraqesë si Homerin shqiptar, ashtu si edhe është bërë përpjekje edhe shumë herë tjera të cilësohet ky personalitet yni, duke e dhënë një pasqyrë të përgjithësuar të aktiviteteve dhe veprave të tij, që të shprehura përmes vargjeve tingëllon si një rapsodi e latuar mjeshtrishtë dhe me plot dashuri. “Ruajtur të kemi në arkat e nuseve të Malësisë/ Gjurmët fshehur në pluhurin dhe hirin e motit/ Edhe këngët i qëndisëm n’shamitë e vashërisë/ Rishtas duke u përkundur nën hijen e Kastriotit” (po aty, fq. 99). Një përshkrim kaq dinjitoz figurës së tij, ku prek ndjeshmërinë e kohës, ku gjithçka kalonte fshehurazi nga dora, në dorën tjetër, me qëllimin e vetëm që Fishta të ishte në çdo familje e me çdo liridashës, meqë vargjet e tij vinin si hymn kushtrimi për çlirimin e atdheut, meqë “Trishtim n’Bjeshkë t’Nemuna solli dita e nata“, por kurrë nuk duruam “As lot… as kujë në odat e burrërisë”. I tillë ishte Fishta, emri i të cilit lakohej në çdo situatë, si frymëzim, vlerë dhe kushtrim i pandalur.

Urtaku i dëshmuar bindshëm me veprat e tij prej njeriu të devotshëm, Anton Çetta, nuk do të ishte i njohur për brezat, po të mos i përcillte në vazhdimësi punët dhe aktivitetet e tij, syri vigjilent i krijuesve, artistëve, piktorëve dhe historianëve, për ta portretizuar secili në mënyrën e vet, që pastaj ta kemi në vendin meritor të historisë, si njërin nga personalitetet e shquara të kauzës kombëtare, ku nuk rreshti së vepruari në kohëra tepër të rënda të okupimit komunist. Poeti, jo rastësisht do ta quante “Engjëll i urtisë”, që personifikon vlerat e traditës dhe burrërisë.

“Ëndshëm si skifter për fjalë e për besë

Rende rishtas rrënjën t’ia falësh urtisë

Çark dheut t’Kosovës i rilinde shpresë.”

(“Engjëll i urtisë”, fq. 114)

Anton Çetta, i dëshmuar si pedagog, njohës dhe mbledhës i palodhshëm i vlerave kulturore të krijimtarisë gojore të popullit, njeri me virtyte të larta të atdhedashurisë, i prirë të krijoj ura miqësie e dashuri vëllazërore, ia del të pajtoj shumë familje të hasmuara prej vitesh, për t’ia arritur qëllimit që si një trup i përbashkët t’i dalim ballë hordhive barbare dhe ta çlirojmë vendin, pa mos lënë hapësirë të kujtohen kohërat e liga, që do të kenë përjetuar familje e individ nga hakmarrje e gjaqe të shumta. Kjo vepër kulmore e realizuar nga një urtak i  tillë nuk mund të mos kujtohet edhe nga poeti, që siç e shpreh në vargjet: “E burrat dora-dorës, gëzimi po shtrihej/ Tejembanë ku mbillen hiret e mirësisë-/ Ati dha bekimin, jehu qiellit ngrihej!”, (po aty, fq. 114), duke rrumbullaksuar vlerat e tij patriotike dhe urtinë e njeriut të mirë.

Po si e gjejmë figurën e Dom Anton Kçirës, që përtej Atlantikut do të rrezatoj dritë për  atdheun e tij?

Ky “Apostull i adhurimit” nuk pushon të veproj për të mirën e atdheut, që në këtë tufë sonetike e takojmë ashtu të çiltër, të paepur në kohëra të ndera dhe me dashurinë e pafund për njeriun, poaq të vuajtur, sa edhe veten e tij. Një rrugëtim i gjatë e i mundimshëm do ta përcjell gjatë tërë jetës, por krenar e i patundur ballë stuhive të shumta që do ta përplasin shtigjeve të jetës. Ndonëse, Dom Anton Kçira detyrohet të mërgoj jashtë atdheut, për të shërbyer pastaj Famullitar në Detroid të SHBA-ve, gjithmonë shquhet me idealet e pashterrura për atdheun, me besimin e plotë që “Nesër kënga ime do t’përulët para shenjtërisë/ Tokë e qiell përtypur qumësht atëror mëmëdheu.” për tu zotuar se do të mbetet po ai i paepuri, sepse “Ose rilindim feniks ose do të vdesim krenarisë/ Ndër tërthore motesh shuguruar me frymë dheu.” (“Apostull i adhurimit”, faqe 129). Qëndrueshmëria e tij ballë këtyre sprovave që përjetoi përmbyllet fuqishëm me vargun antologjik “Rojë këtu në kulla, pararojë përtej Atlantikut”. Nuk do të vazhdoj tutje me këto perla sonetike, përmes të cilave Hasan Hasani-Përkola na sjell tri portrete historike, në një kupolë të përbashkët, me bindjen se në asnjë mënyrë lexuesi nuk do t’i rezistoj provokimit të vargut deri në pikën e fundit, për ta zbuluar personalitetin e tërësishëm të këtyre figurave elitare të atdheut.

Libri i tretë: MIRDITORË

Në realitet, kush janë mirditorët?

Këtë e shpalos saktë dhe me shumë fakte e dëshmi poeti, duke sjellur emra e personalitete të kësaj treve të dëshmuar për trimëritë, bujarinë dhe traditat e kultivuara në breza.

Emra të shumtë që defilojnë në brendinë e librit të tretë të trilogjisë poetike “Mirditë e mirditorë”, krijohet  përshtypja se para vetes kemi të rrjeshtuar një gjerdan të pafund ushtarësh në mbrojtje të atdheut, për të vazhduar pastaj me radhën e personaliteteve tjerë nga lëmi të shumta, si historianë, njerëz të kulturës, artit, të kinematografisë e shkrimtarisë, që së bashku ngritën Tempullin e palëkundur nëpër kohëra, Mirditën e lavdisë heroike, në gjirin e së cilës mbruhen gjithë ato bukuri përrallore të natyrës, me begati të shumta, ku dëgjohen këngë e cicërima zogjësh, me gurgullima uji e vrulle rinore, ku dita fillon me diellin e përflakur shkrepave dhe mbyllet me ninullat e djepit që përkundi trima e shtojzavalle, nëpër breza.

Poeti do të takohet gjithandej me shumë personalitete të brumit mirditorë, që i trajton me dashurinë prej bashkëvendasi. Soneti “Korifenjtë e Mirditës” hap këtë kapitull të veçantë, duke filluar me paraqitjen e bukurive natyrore “Vetëm me bjeshkë, kodra, lugje e brigje/ T’krijoi i madhi zot, Mirditë e mirditorë,” për tu ngritur me vargun e tij monumente përjetësie shumë emrave të njohur prej kohërash, për veprimtaritë e tyre atdhetare: / Gjon Gazulli nga Gjazujt dritë në shtigje/ T’ndriçoj majave yll mbi yje meteor.” sikur edhe “Abat Preng Doçi u ngrit engjëll ndër tempuj/ Duke ndriçuar qiejve, duke mbëltuar zemra”. (po aty, fq. 133). Ka shumë korifej që ka pikasur pena e Hasanit, këtu “Në vendin e shqipeve të pamposhur kurrë/ Ar dhe fjalë mjalti Mjeda n’gjuhën shqipe/ Tok me domgjonasin – Fishta skofjar e burrë”. Me këta emra krenohet gjithë Arbëria. Një krenari të veçantë e shpreh edhe poeti me vargun e fundit të poezisë: “Korifenjtë e Mirditës qiejt mbuluan me dritë.” Nuk mund të mos e shpreh mendimin, se gjithë kjo galeri emrash e personalitetesh mirditorë, që jetuan e vepruan gjithandej nëpër vise të ndryshme shqiptare dhe në vende të shumta nëpër botë, vijnë të orkestruara si këngë rapsodësh, që kumbojnë pambarim në çdo skaj të atdheut, për t’i dhënë mesazhin e fuqishëm brezave, se ishin këta korifej të pavdekshëm që ne sot e jetojmë të lirë. Ndonjëherë më bëhet se dëgjoj rapsodë të kohës, që nuk kursejnë mundin e tyre ta shpërfaqin dashurinë për këto troje e njerëz të pavdeksisë në shekuj. Jo rastësisht e thotë rapsodi Mark Gjoka në këngën e tij “Tremijë vje jam oroshian”, që prej kohësh e dëgjoj me kënaqësi, për ta kujtuar këtu si pjesë e pandarë krah heroizmave tjerë nga çdo pjesë e Mirditës. Plotësisht është e beseshme tashmë, se tradita mirditore ka një histori të largët, një kulturë të veçantë dhe një pasuri shpirtërore që u kultivua në breza. Këtij libri i rrijnë shumë mirë edhe emra tjerë të njohur për vlerat kombëtare që trashëguam, për trimëritë dhe kontributin e pakufishëm në kultivimin traditave kombëtare, të kulturës dhe arsimimit të brezave. Të tillë, si: Prend Doçi, Aleksandër Moisiu, Ndrecë Ndue Gjoka, Bardhok Biba, Prekë Curri, Zefi i Vogël, Gjon Marka Gjoni, Mark Tirta, Frrok Çupi, Robert Ndrenika, Roza (Xhuxha) Anagnosti, Zef Shkorreti, Angjelina Lekaj, Leze (Spaçi) Qena, Dava Nikolli, Gjon Marku, Aleksandër Ndoja, Gjon Gega, Marije (Paluca) Kraja, Prend Jak Ndreka, Mikel Gojani, etj. Por nuk mbaron vetëm me kaq Lista emërore e këtyre personaliteteve, meqë Zef Mark Pershqefa,/ N’muzetë e kullave n’Mirditë/ Çifteli të varura në mur,./ S’ia luan gishtat si ti çiftelisë/ Zef Mark Pershqefa, Frrok Haxhia e Ndue Shyti/ E Bajrush Doda n’Dushkajë-/ Historinë shkruan me dy tela”, (“Zef Mark Pershqefa”, fq. 189). Ashtu si e shkruan historinë rapsodi, poashtu edhe vargu i poetit, Hasan Hasani-Përkola e brumos thellë në kujtesën e lexuesit gjithë jetën dhe veprimtarinë e mirditorit të profileve të shumta, që në tërësi e krijojnë historinë e tyre të lavdishme dhe krenare.

Epilogu, si mesazh që vazhdon

“Unë mirditori”, edhe nga nisma e këtij “vetërrëfimi” poetik, edhe në epilogun e ngjarjeve të shumta, është po ai që ia dikton gjaku, dashuria dhe malli i pashterrur prej etnie. Njohja me trungun e lashtësisë dhe afria e pëhershme familjare, krijojnë besimin se vërtetë në gjetjen e trungut familjar duke kujtuar se “E rëndë qe jeta për t’parët e mi nga Mirdita/ Që morën udhët n’sy,/ Fytas me bisha n’mal, fytas me njerëz n’prita/ fjalën e burrit n’shpirt ndry!” (“Këngë për vete dhe Përkolajt”, fq. 193). Kjo poemë vazhdon të pasqyroj gjithë rrugën e Përkolajve mirditorë për tre shekuj, por asnjëherë nuk u mposhtën, edhepse “Mbi supe të tyre ranë shtrëngata, stuhi ranë/ Kreninë askush s’ua theu” (po aty, fq. 194).

Edhe tash pas “Treqind vjet ndër shtigje e vështrime duke lundruar/ T’arrij në origjinë korifej” (po aty, fq. 203), sepse gjithmonë zemra ma ka diktuar se “Borxh ua kam pasur Përkolajve të mi këto këngë/ Unë, domgjonasi i vonuar;”  për tu shprehur më i lehtësuar përfundimisht pas gjithë këtij pelegrinazhi poetik në çdo skaj të Mirditës, se “Pinjoll Mirdite ndër humbëtira shkela n’shtatëdhjetat/ Fjalë e varg guri në zemër,/ S’m’gjunjëzuan kurrë përpjetat as tatpjetat-/ Dushkaja m’u bë emër – Mirdita mbiemër.” (po aty, fq, 204).

Leximi i kësaj poezie, për më shumë se art, sjell edhe vlera historike, dëshmi kohore dhe kujtesën e brezave, që shprehur në vargje vijnë si një simfoni që nuk mbaron kurrë. Mbi bazën e kësaj u orientova që edhe këtë vështrim ta sjell në frymën e një leximi letraro-poetik, duke ndërlidhur ngjarjet, ashtu si ka vepruar edhe autori, në përgjithësi. Çiltërsia gjuhësore, semantika e vargut të lirë, rima e asonanca të shumta e bëjnë të këndshëm dhe melodik leximin e këtij libri, që s’bashku me laryshinë shumë të veçantë tematike e yshtin kërshërinë e recepientit deri në mrekullinë e leximit shterrues.

Hasan Hasanit-Përkolës ia shtrij dorën e falënderimit për krijimin e denjë të një imazhi kaq të saktë të “Mirditës e mirditorëve” të tij prej gjaku e shpirti.

Në mbyllje të këtyre mbresave e them me plotë fjalën se edhe unë, sot isha tre shekuj  Mirditorë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora