Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Zogj

| E premte, 21.08.2020, 11:00 AM |


Zogj

Nga Edison Ypi

Kur një pasdite po endesha nëpër Durrës, këmbët më çuan te një rrugë ku ka kalimtarë, kambista, taksi, kafene, restorante, dushqe. Tek kaloja përmes dushqeve, një fërgllimë më kaloi nëpër trup.

Të nesërmen diçka më mungonte, diçka më mundonte, diçka s'shkonte, diçka ngecte.

Ditët në vazhdim në po atë orë, me gjak të ngrirë dhe frymë të mbajtur, kalova disa herë mes atyre dushqeve për tu dehur me muzikën magjepsëse të cicërimave të zogjve.

Cicërima zogjsh ?!

Ka kohë që kjo muzikë nuk dëgjohet.

U enda nën dushqe për të dëgjuar e ridëgjuar muzikën e harruar njëlloj si vemë të njëjtin disk disa herë për ta shijuar një muzikë deri në palcë.

Ku ka cicërima zogjsh mbi degë pemësh, njerëzit aty rrotull janë të urtë, të sjellshëm, seriozë, të dashur.

Durrësi plot me dallavere njerëzish paska dhe cicërima zogjsh. Duket si ëndërr.

Më nxorri nga kllapia një taksist.

Janë me miliona zogj që cicërijnë mbi këto dushqe, tha takisti. Erdhën një behar para disa viteve. Pastaj nuk erdhën dy vjet rrjesht. U bëmë merak. Na mori malli për cicërimat dhe zogjt. Për fat erdhën përsëri. Kjo është hera e tretë që vijnë. Nga larg duken si harabela. Trupin e kanë me shirita si të zebrës. Na knaqin me cicërimat. Por e kanë një të keqe; na i mbulojnë makinat me glasa.

Një kalimtar,

Këta zogj vijnë nga Argjentina. Vijnë për të kullotur. Nuk shkojnë më larg se deri në Kavajë, e shumta deri në Rrogozhinë. Fluturojnë me grupe nga 20 e nga 30. Disa prej zogjve cicërijnë e cicërijnë, këndojnë e këndojnë, dhe bien në tokë të vdekur. Sa më bukur të vdesësh duke kënduar. Sa tmerr të jetosh duke rënkuar.

Tjetër kalimtar;

Këta zogj, gjuhën e të cilëve unë nuk dua ta kuptoj përderisa një muzikë mund të shijohet më mirë pa tekst, përveçse këndojnë bukur, kanë një huq të çuditshëm. Folenë nuk e bëjnë në degë, e bëjnë në tokë. Nuk janë si zogjtë vendalinj. Nuk sillen rrotull për të çukitur thërrime nëpër tavolina. Janë zogj qiejsh. Ikin gjejn ushqim larg.

Një tip që shet çikërrima mbi një tezgë;

Këta zogj që cicërijnë kaq bukur vijnë nga an' e anës për tu shumzuar, nga Izraeli, nga Jordania. Se çfarë qefi është të vish të shumzohesh në Shqipëri, nuk e di. Dua t'i pyes, por nuk e njohim gjuhën e njëri-tjetrit. Unë me fjalë ata me cicërima, zor se merremi vesh. Kanë orare ekzakte kur vijnë, kur ikin, kur cicërijnë, kur heshtin.

Një kambist;

Këta zogj vijnë nga Australia. Vijnë këtu për tu shtuar. Shqipëria nuk është vend për dashuri njerzish. Shqipëria është vend për dashuri zogjsh.

Një djalosh;

I vetmi mall Bio që na ka mbetur në Shqipëri janë ky shesh, këta dushqe, kjo muzikë, këta zogj, këto cicërima, këto glasa. Domethënë hiçasgjë. Prandaj do emigroj.

Një durrsak i moshuar;

Mrekulli që na vijnë zogj. Halli se na ikin njerëz.