E premte, 19.04.2024, 09:40 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Maksi shkau

E merkure, 19.08.2020, 10:16 AM


Maksi shkau

Nga Edison Ypi

"Shkarje në kulturë", "shkarje në art", "shkarje në ekonomi", "shkarje në mbrojtje", "shkarje nga vija", "shkarje nga parimet", "shkarje nga morali", shkau ky, shkau ai, shkau njëri, shkau tjetri.

Diktatura shihte gjithandej shkarje dhe friksohej se shkarje pas shkarje shkarjet bëheshin ortek dhe rrezikonin fatet e vendit, fitoret e revolucionit. Prandaj, që puntori të punonte, ushtari të vigjëlonte, fshatari të buzëqeshte, traktori të buçiste, populli të duartrokiste, drapëri të korrte, çekani të godiste, pas çdo shkarje mbushte burgjet.

Një nga më të mëdhatë, më të famshmet e më të bujshme "shkarje" ishte një pallat i çuditshëm në qëndër të Tiranës.

Shkarjen arkitektonike kubiste që thyente monotoninë e skëterrshme ndërtimore, e kishte projektuar arkitekti Maks Velo.

Ishullarët klithnin me njëritjetrin shkarje me tu ngjeth mishi. Por shkarjet e tyre ishin shkarje që aty shkisnin aty vdisnin.

Shkarja e Maksit nuk ishte fluide. Shkarja e Maksit ishte e ngurtë.

Shkarja arkitektonike e Maksit, të cilën sado gjatë ta kqyrje nuk mund ti konstatoje asnjë simetri, asnjë ngjajshmëri, ishte e hatashme. Të gjithë i mahniste. Të gjithë i zbaviste. Të gjithëve u pëlqente.

Sot e kësaj dite shkarja arkitektonike e Maks Velos në Rrugën e Dibrës është shkarja më e shkarë në tërë Historinë e Shqipërisë së shkarë dhe të pa shkarë.

Si ja arriti Maksi ta realizonte atë shkarje në ato kushte të skëterrshme ? është nga ato mistere që shkarësit e mëdhenj si Maksi nuk i tregojnë, i marrin me vete.

Brenda uniformitetit lemeritës të gjithçkaje, shkarja e Maks Velos ishte më magjepsëse se ekzistenca, më sugjestive se Natyra, më misterioze se Vdekja.

Pse nuk e shembin shkarjen e Maksit ?!

Përgjigja e turbullt vinte me zë të mbytur nga fundi i Ferrit; Mund ta shembim llaç e tulla. Por nuk mund të shembim shkarjen e brendëshme të Maksit. S'jemi aq budallenj. Kaq gjë e dimë. Le të rrijë shkarja e një të shkari. Në atë rrugë të ngushtë, ajo shkarje borgjeze mund të shihet vetëm po të ngresh kryet përpjetë. Shqiptarët janë kryelartë nëpër lahuta, çiftelia, epe, balada, libra, filma, jo në rrugë, jo në jetë. E ka thënë armiku Kadare, "mbi supë nuk mund të shihen yjet". Shqiptarët që i mbajnë sytë mbi tasin e supës, shkarjen e Maksit nuk mund ta shohin. Le ta bëjnë pijanecat shurrën mbrapa shkarjes së Maksit ku banon borgjezi Kadare. Aq më mirë për marksizëm leninizmin dhe diktaturën e proletariatit. Por shkarjen të mos e shembim, dhe të shkarin e shkarjes ta lemë të livadhisë për të bërë të tjera shkarje, kjo është e tepërt, këtë s'mund ta lejojmë. Maksit i vemë pas ca spiuna dhe e burgosim.

Mes rënkimeve të të gjithëve, si dhe për shkak të fohtësisë proverbiale të shqiptarëve ndaj më të mirëve të vet, burgosja e Maksit nuk bëri fort përshtypje.

Shkarja e Maksit, shumë më e madhe se vetë Maksi, u shoqërua me pëshpërima të frikshme dhe solemne si muzikë funebre. Për shkarjen e Maksit pëshpërimat thoshin; Shkarjet e modernistit surrealist Maks janë inxhinieri letrare. Shkarjet e realistit kozmik Kadare janë letërsi inxhinierike. "Pallati i Kubeve" dhe "Pallati i Ëndërrave" lidhen me llagëme të nëndheshme. Revizionisti Kadare brenda "Pallatit të Kubeve" të Maksit, dhe i shkari Maks brenda "Pallatit të Ëndërrave" të dekadentit Kadare, përbëjnë një simbiozë ekzistenciale që po të kqyret me kujdes në formë dhe përmbajtje dhe po të vlerësohet si duhet nga pikëpamja ideore, mund të nxirren konkluzione që duhen shqyrtuar në në plenumin e ardhshëm ku do merren mendime dhe do jepen dënime...mjaft se më çmende.

Pa absolutisht asgjë meskine, mediokre, autoreferenciale, shkarja arkitektonike e Rrugës së Dibrës dhe të tjera shkarje, do mbeten dëshmi madhore të sakrificës sublime të Maks Velos që bëri sa mundi për të mos e lënë Shqipërinë të ngordhte.

Me shkarjen që e përgjaku por nuk e vrau, Maks Velo u tregoi të dobtëve, frikacakëve, llafazanëve, se me bishën edhe mund të luftohej, edhe mund të fitohej, bisha nuk ishte e pamposhtur, nuk ishte e pavdekshme. I pamposhtur dhe i pavdekshëm ishte dhe është Maks Velo dhe Shkarja e Tij madhështore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora