E marte, 06.12.2022, 01:30 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Flamuri

E hene, 17.08.2020, 09:10 AM


Flamuri

Nga Edison Ypi

Kompania kundërajrore ishte vendosur ku fusha e aviacionit preket me lagjen Çole të Vlorës.

Unë dhe Flamuri nuk bënim stërvitje, nuk mbanim pushkë, kundragaz, helmetë. Punonim në prapavijë, unë tornitor, Flamuri murator.

Flamuri fliste pak, rrinte mënjanë në një vetmi krenare dhe kërcënuese, çka Flamurin e bënte të mistershëm, të largët, të paarritshëm.

Flamuri ishte skraparlli nga "Tre Avgatë". Gjyshja ime ishte skraparlleshë nga Veleshnja. Ishte ndoshta kjo arësyeja që i vetmi me të cilin Flamuri këmbente ndonjë fjalë isha unë.

Mua fort rrallë më vinin të bëja roje. Nuk kishin besim. Më konsideronin armik. Kisha një kushuri që stërviste diversanta në Kompaninë 4000 në Kaizerslautern Gjermani, disa të arratisur, të tjerë nëpër burgje dhe internime.

Flamuri kishte një xhaxha të pushkatuar. Megjithatë, ndoshta sepse vinte nga një fshat i thellë dhe nuk e dinin ose nuk i jepnin rëndësi, Flamurin e vinin të bënte roje, te depot e karburantit, magazinat e municioneve, natën rretherrotull kapanonit etj. Kur i thoshin Flamurit të bënte roje, Flamuri bëhej keq, sëkëlldisej, sëmurej. Vinte më thoshte; Nuk jam unë për këto gjëra. Jam çoban,ruaj bagëtinë, i bie fyellit, dëgjoj këngët e zogjve, gurgullimat e përrenjve. Më ka mësuar babai të ngre mur, të thur gardh, të bëj suva, tavan. Armët e mia janë sqepari, mistria. Ja kjo është koburja ime, thoshte Flamuri, dhe më tregonte sqeparin që e mbante gjithë kohës në brez. Aman o Flamur, i thosha, aman se do merresh më qafë me këto lakra që ke në kokë. Nuk po të them të bëhesh stalinist apo maocedunist. Po të them të përmbahesh pak. Nuk bindej Flamuri. E kishte tmerr kur e vinin të bënte roje mbi Vendkomandë.

Vendkomanda ishte një ngrehinë e ulët kuadratike gjysëm nën tokë në sheshin para fjetores. Brenda saj rrinin dy telegrafista që merrnin e jepnin urdhëra. Vendkomanda mbulohej nga një terracë betoni nja 50 metra katrore. Mbi terracën e Vendkomandës rrinte natë e ditë një roje me pushkë, helmetë, dylbi. Roja që ndërrohej çdo tre orë, duhej të vëzhgonte qiellin dhe të lajmëronte kur të afrohej ndonjë avion armik që nuk u pa kurrë, një çmenduri qesharake e pashoqe.

Ishte ora nja dhjetë paradite. Na kishin mbledhur tek "Dhoma e Kulturës" për të bërë atë që e quanin "Ora e edukimit politik". Komandanti i kompanisë, një babaxhan vlonjat me emrin Nasho rrihte të tërhiqte vëmendjen e ushtarëve të përgjumur e të uritur për rrezikun ushtarak imperialisto-revizionist. Fol e fol Nashua, kur nga jashtë erdhi një goditje e shkurtër, një "gup" e thellë, e mbytur. Pas pak çastesh hyri pa trokitur njëri nga telegrafistat e Vendkomandës. J'u afrua Nashos i tha diçka në vesh. Dolën të dy jashtë duke u kujdesur të mbyllnin derën nga pas.

Pas nja gjysëm ore u muar vesh çfarë kishte ndodhur. Pak minuta para se ta mbaronte shërbimin e rojës mbi venkomandë, Flamuri kishte mbështetur qytën e pushkës mbi beton, grykën në zemër, dhe e kishte shkrepur.

Atë pasdite, ushtarët e kompanisë i morën në spital për të dhënë gjak për Flamurin. Mua jo. Mua nuk më thirrën. Gjaku im prej armiku nuk u duhej as për Flamurin me xhaxha të pushkatuar.

Ngjarja e kobshme mbeti e shurdhët sikur nuk kishte ndodhur kurrë.

Pas ca ditësh u muar vesh se Flamuri kishte vdekur në vend me kraharor të shqyer.

Pyetja; Pse morën gjak për një të vdekur ? na shkaktoi një habi të frikëshme që na mbajti pezull disa muaj.

Një mjek vlonjat që vinte në atë repart për të bërë Zbor dhe fliste nën zë për libra dhe kanconeta, na zbuloi misterin e marrjes së gjakut. Gjaku që morëm për Flamurin që vdiq në vend, tha mjeku, ju desh spitalit për të tjerë "Flamurë" që do vetgrisen por nuk do vdesin në çast.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora