E marte, 20.10.2020, 09:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Kur poeti thyen heshtjen me librin “Mbrapa heshtjes”

E shtune, 15.08.2020, 12:00 PM


Kur poeti thyen heshtjen me librin “Mbrapa heshtjes”

Nga Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist

Poeti Fani Duro vjen para lexuesit me librin e tij të parë me poezi dhe esse “Mbrapa heshtjes”. Kisha dy vjet që e lexoja në “Facebook”, Fanin dhe kur  ai se besonte, shumë herë i shtyrë nga tematika e poezisë së tij, vargu i thjeshtë dhe i bukur i botoja shumë herë poezi. Se ç’kishin një ndjesi  shpirtërore të paqtë poezitë e tij. Poezi mërgimtari! Poezi malli! Poezi loti!  Poezi plot dashuri njerëzore, sinqeritet malli, thjeshtësi njerëzore, vargje me motive popullore por edhe filozofike popullore, ku ai mbështet tërë krijimtarinë e tij. Në këtë vëllim  me poezi dhe esse, libri ndërtohet mbi tri themele sa të veçanta dhe thekëse po aq dhe të lidhura në ide, në fabul, po aq të afërta në mesazh, sa të ndërlikuara emocionalisht aq të lidhura në idetë  e fabulës së zgjedhur. Brenda librit gjen poezi dashurie, poezi mall-atdhedashurie, dhe ese, apo poezi me tematikë të larmishme sociale. Një poet që qëmton ndjesitë shpirtërore, bukurinë  e rëndësisë së fjalës, thjeshtësinë e dialogut, sinqeritetin e krahasimit, pastërtinë e deklarimeve varguese, sinqeritetin  e shprehjes së vargut për çdo temë, tendencën për të  qenë vetvetja pa fyer njeri dhe pa marrë merita që si takojnë. Poezia e tij është mall, lot, dashuri, këshillë, ndjesë, falje, përgjegjësi, pastërti, besnikëri, të gjitha të harmonizuara dhe plot muzikalitet. Por ajo që më jep një emocion ndryshe në këtë libër është titulli  “Mbrapa heshtjes”. Heshtja! Sa e ëmbël është heshtja dhe sa bukur flet ajo….Sipas shkencëtarëve vetëm dy orë heshtje në ditë, ndihmon të formohen qeliza të reja në një zonë të trurit që janë përgjegjëse për aftësinë e të mësuarit, kujtesës dhe emocioneve. Si rezultat i të qenit në heshtje, ne arrijmë të bëhemi më kreativ dhe më aktiv në aktivitet tona. Heshtja krijon atë që fjalët nuk mund ta krijojnë. Krijon personalitetin e karakterin tënd. Sa më fat janë ata që posedojnë heshtjen, ah sa zili duhet të ju kemi atyre personave. Njeriu qe flet shumë nuk posedon diçka  të veçantë, pasi  përmes llafeve krijon disa fjalë në të shumtën e rasteve të pakuptimta. Po sjell një dialog në mes të një mjeku dhe të nderuarit Dr. Ibrahim El Fekij  në librin “Strategji të të menduarit” ku mjeku i tregon zotit Fekij se kolegët e tij qeshin me të se ai në të shumtën e kohës është në heshtje e nuk flet. Ji krenar që posedon këtë dhunti i përgjigjet Z. Fekij, jo të gjithë mund ta kenë. Prandaj ju “dështak me fjalë të shumta” mos i quani të dobët e të pa guxim ata që posedojnë heshtjen. Përkundrazi ata janë të veçantë, të ditur, të sinqertë dhe plot fantazi.  Libri hapet konkretisht me poezinë që libri ka si titull. Një poezi ku autori abstragon me veten, kohën, ambientin, rrethanat, situatat. Heshtja sipas autorit ka limite, por është dhe domosdoshmëri. Limitet e heshtjes duhen thyer kur ka gjëra të rëndësishme, kur në mes është dashuria dhe shprehjet e zemrës duhet të dalin në pah. Pra rëndësia që I jep heshtjes por dhe ekuilibra me s heshtjes dhe dialogut janë në qendër të vargut në këtë poezi kur dhe heshtja duhet ët thuhet në emër të një lidhjeje, të një të ardhmeje, të një gjetje gjuhe të përbashkët. Abstraktimi ka nëntekst që heshtja sa me vlerë është po aq dhe delikate, ku duhet të ruhet simetria mes heshtjes  dhe thënies së fjalëve të shpirtit.

Mbrapa heshtjes, frik i vrarë u end zhgënjimi,

Përbaltja e një shpirti që frymë do të marr,

Absurdi i një kohe ku vdekja ish fillimi,

Shpresa edhe jeta, mbetën duke qar!

Kur heshtja e kalon masën, sipas autorit “Shpresa edhe jeta, mbetën duke qar!”.

Një nga ese-të që më mbërtheu në libër është:

“Më mungon baba”

Ambienti ku autori është edukuar është tjetër nga ambienti ku edukohen fëmijët e tij në emigracion. Në vendlindje ke pasur farefisin, anëtarët e familjes dhe fqinjët, të cilët kanë ndihmuar në kujdesin, rritjen, miqësinë dhe edukimin e fëmijëve. Dikur në fëmijërinë e tij në fshat, autori rrëfen se fëmija ka pasur mundësi të mirë të marrë shembuj dhe udhëzime të mira nga të rriturit e ndryshëm. Modeli i babait është përcjellë nga brezi në brez thekson autori. Si në shtëpi ashtu edhe në fqinjësi ka ekzistuar një shqyrtim i njëjtë i edukimit të fëmijëve. Por babai mbetej shtylla e shtëpisë. Ai shihej si perëndia, drejtësia, fortësia, korrektësia, besimi i madh në familje.  Një thënie nga Mark Tuain për babain e tij...: “Kur isha 14 vjeç, mendoja se babai im ishte kaq i paditur, saqë më vinte turp të rrija pranë tij...Por, kur mbusha 21 vjeç unë mbeta i habitur se sa shumë i ditur ishte ai”. Por, nga ana tjetër ja si shprehet autori: “Më mungon shumë, më mungon një zë, një baba, një shok. Imazhi jot ndodhet kudo...Më dëgjon kur flas, kur eci, kur teshti, më zgjatet si një dorë të më përkëdhelë, të më mbrojë. Imazhi jot si një pasqyrë ku unë shoh veten dhe them: Sa dua të të ngjaj!. I dua gjurmët e tua të eci mbi to, si një baba i mirë, siç më mësoje të isha, i denjë për veten dhe familjen time. Më bëhet ndonjëherë sikur zëri jot dëgjohet nga bahçja, në oborr, lartë në soletë sikur më thërret të luajmë një dorë letra. Më mungon baba!”...

Një baba i jep fëmijës së vet shumë mësime, në lidhje me çfarë është jeta, familja, puna, karakteri, sinqeriteti, sakrifica… Babai ofron një kuptim  esencial dhe  portretizon në sytë e rinj që pulisin përpara tij, jetën duke mësuar sesi ajo duhet të trajtohet në çdo hap.

Malli për atdheun...

Duke qenë në emigracion, poeti ndjen një mall të pashoq për atdheun, fshatin e lindjes, kopshtet, shtëpitë e vjetra, oborret e zhurmshme, fqinjët, bukën me sheqer, varfërinë, miqësinë, lojërat, çdo gjë që e lidh me atdheun. Sinqeriteti i tij është i pashoq, ndaj atij si vjen turp të thotë të vërtetën, varfërinë, thjeshtësinë, problemet e kohës që shoqëronin atdheun po kjo nuk e bën atë ta përçmojë dhe ta mohojë ATDHEUN. Në poezitë e tij aty në mërgim duket se lulet nuk kanë erë, ngjyrë dhe asgjë s'ka shije. Të gjitha këto ndjesi vargëzon poeti i kemi lënë aty, në atdheun e dashur.  Njëherazi ai përcjell natyrshëm  se mërgimi duket se është një ilaç popullor shumë i mirë për ndërgjegjësimin, pasi  të bën të duash dhe të respektosh edhe ata që deri dje nuk ke folur. Të merr malli për gurët e rrugës. Sa herë dëgjon fjalën Shqipëri, të mbushen sytë me lot e zemra plot me dhimbje. Shumë shqiptarë u larguan nga atdheu për arsye të ndryshme, nga gjendja ekonomike e politike. Këto i detyruan të iknin nga vendi i tyre i dashur, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm dhe që tani nga larg i bën më krenarë për atdheun e tyre. Ja si shprehet ai:

Vendlindjes sime

Nuk jam nga ata,

Që të duan por shtiren,

Që shajnë e bërtasin,

Thërrasin dhe çirren.

Të dua kështu siç je,

Por dhe siç ke qenë,

Kudo dhe në çdo vend,

Një fjalë ta kam thënë:

I nënshtruar do mbetem,

Gjithmonë me ty,

Si një simbiozë e jetës.

Ne jemi dy!

Të gjithë shqiptarët që jetojnë larg kanë mall për Shqipërinë, aq mall kam sa të gjitha ëndrrat i shohin me atdheun, vendlindjen. Por ka edhe disa syresh që e mohojnë, i tremben të evidentohen si shqipatrë aty ku jetojnë.  Ndryshe ndodh me autorin….Ai ka mall dhe ky mall sa vjen e shtohet, është mbi të gjitha mallet.  Malli është një nga vështirësitë më të mëdha që shqiptarët ndeshin në mërgim. Mërgimi është vuajtje shpirti,  ëndërr për mirëqënie por dhe zhgënjim njëkohësisht kur ndeshen me racizëm. “Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë”- thotë Sami Frashëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora