E enjte, 28.03.2024, 06:27 PM (GMT)

Mendime

Nexhmedin Saqipi: "Mjeku e shëron të sëmurin, ndërsa vet është i sëmurë!"

E shtune, 15.08.2020, 11:00 AM


"Mjeku  e shëron të sëmurin, ndërsa vet është i sëmurë!"

Nga Nexhmedin Saqipi

Mungesa  e funksionimit institucional dhe profesional midis shtetit, pushteteve lokale dhe institucioneve shëndetësore edhe më shumë po e humbim betejën kundër virusit Covid - 19, duke i sjell qytetarët në një gjendje të vështirë shëndetësore dhe ekonomike, me pasoja të gjata e të pariparueshme.

Përzierja e politikës  në institucionet shëndetësore dhe keqmenaxhimi i krizave në shtetet Ballkanike, ka bërë që situata të dalë jashtë kontrollit, duke krijuar një klimë jo të favorshme te qytetarët, të cilët pa dashjen e tyre përfshihen nga kriza, stresi dhe pasiguria jetësore. Të gjitha këto dukuri të dëmshme për shoqërinë tonë, të cilat udhëhiqen nga injoranca, bëjnë që të shtohet urrejtja, përçarja, izolimi total dhe vetëshkatërrimi.

Prioriteti i prioriteteve  për politikanët tanë është para se të merren me pushtet dhe shtet, duhet t'i nënshtrohen testit të aftësisë së pjekurisë dhe maturisë politike, e jo vetëm të deklarimit të pasurisë, për ndryshe si pasojë do të vijë deri te keqmenaxhimi i qeverisjes dhe situatave të ndryshme, siç po ngjet tani me virusin pandemik dhe fenomenet e tjera natyrore: tërmetet, vërshimet, zjarret etj.

Ky konstatim lidhur me këtë situatë kaotike, fatkeqësisht, që thirret në njërën anë te mosdija e individëve në aspektin profesional , të cilët në emër të votës qëndrojnë në krye të institucioneve shtetërore dhe shëndetësore, duke  vënë politikën para profesionalizmit, nga e cila po lindin keqkuptimet dhe keqmenaxhimet me përmasa komike dhe tragjike.

Nga kjo situatë çfarë e kemi aktualisht, po na dalin në shesh ashiqare të palarat, mosdija, si trashëgim nga koha e komunizmit kur prodhonte "hibrida" e deri në periudhën pluraliste kur po ngriten dhe afirmohen individë joprofesionistë, amatorë, profiterë e aq  më keq edhe diletantë.

Nga ky rezultat nuk pritet tjetër përveç mungesës së vetëdijes qytetare, shtetërore, institucionale, politike, arsimore, fetare, ekonomike, shëndetësore etj.

Hija e injorancës

Gjendja në të cilën ndodhemi me betejën kundër virusit Covid - 19, pastaj edhe me krizat e tjera shoqëruese: ngërçi politik dhe kriza ekonomike e shëndetësore, na kujton një fjalë të urtë popullore: "Ra ky mort dhe u pamë!"

Tani po shihemi se deri ku kemi arritur, në një shkallë nga e cila me vështirësi po ia dalim. Njerëzit po vdesin, ekonomia po shkatërrohet, bizneset po fundosen, e bashkë me to edhe sistemet arsimore, shëndetësore e injoranca politike jep premtime se do të bëhet mirë, duke ofruar ndihma, të cilat janë të përkohshme dhe të pamjaftueshme për mbijetesë.

Njerëzit duhet të përballen me këtë krizë për të mbijetuar, sepse, kjo bota gjithmonë ka përjetuar luftëra, tërmete dhe katastrofa të tjera epidemiologjike, ekologjike, por që njerëzit nuk duhet t'i humbin shpresat për jetë, ata duhet të jenë të përgatitur në çdo kohë fizikisht, shpirtërisht e psikikisht.

Politikanët dhe pushtetarët, të kapur nga stresi dhe hutia, për ballë kësaj situate të vështirë, ata i ndërrojnë rolet me ekspertët shëndetësor, duke u bërë zëdhënës e prognozerë edhe të këshillave shëndetësore. Ata, nuk duhet vënë maska e dorezë, për të qëndruar në zyre, por për të dalë në terren për të mësuar nga afër se si po jetojnë qytetarët në këto rrethana, natyrisht për t’u ofruar ndihmën e nevojshme e jo vetëm për të dhënë urdhra e për të marrë masa kufizuese.

Ndërrimi i roleve

Pushtetarët e kanë obligim ta organizojnë popullin me mekanizmat institucionale, me të gjitha veprimet shoqërore në terren, e jo për të organizuar konferenca shtypi, intervista, debate publike etj. e aq më tepër për të mos e  luajtur rolin e mjekut e humanistit.

Ka ardhur situata, që secili duhet ta kryej punën e vet. Nuk i ka hije një politikani apo pushtetari të merret me humanitet, në këtë krizë të thellë ekonomike, kur janë fondet institucionale me karakter humanitar e me njerëz të zgjedhur në këto misione.

Institucionet duhet t'i kryejnë punët e veta për çka edhe janë të zgjedhur e jo të bëhen humanitarë, gazetarë dhe analistë e falltarë, t' na tregojnë çka po bëhet , si po bëhet, sa po vdesin, sa janë sëmurë etj.

Obligimi i pushtetarëve është t'i kryejnë punët që u përkasin ndaj qytetarëve dhe sektorit joqeveritar.

Porosia

Imagjinone se si do të dukej kur një pushtetar të shpërndaj pako humanitare për nevojtarët, apo një i tillë të bllokoj fondet obligative për veprimtaritë shoqërore?! Po, kësaj kur t'i shtohen edhe pasojat e virusit Covid -19, atëherë gjërat dalin nga dora dhe punët do t'i kemi ashtu siç jemi!

Për fund një si këshillë. Nuk duhet të frikësohemi nga vdekja e as nga sëmundjet, sepse këto janë aktuale gjithmonë, por duhet të frikësohemi nga mosdija, injoranca, mendjemadhësia, xhelozia të cilat po na shoqërojnë çdo hap, duke na komplikuar e vështirësuar jetën tonë shoqërore.

(Autori është publicist dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve nga Lugina e Preshevës)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora