E shtune, 20.04.2024, 04:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Nuse Zana

E marte, 11.08.2020, 05:58 PM


NUSE ZANA

Legjendë

Nga Resmi Osmani

E rrëfejnë, gojë pas goje, se ka ndodhur në Çamëri.

Abedin agai i Bedelenit, ishte me zë në gjithë kazanë, për mënçurinë, trimërinë dhe pasurinë. Me saraje në kodër, yrte me ullinj e vreshta, ara me dhera pjellore nën ujë, që i punonte me tri pëndë qe, që i ngisnin hysmeqarët, me stanin e dhënve në mal, kishte marrë tri gra nga dyer të fisme, që i kishin lindur tre djelm: Sherifi, trim i  ri, bojalli, që të merrte gjak në vetull , Haruni, punëtor e fjalëpakët dhe Xhemua, i vogëli, i bukur si nuse e shkruar sa të  mbeteshin sytë!  E gjashtë vashaz të bukura si drita, që kishin shkuar në fat të tyre. Kishte nga jeta ç’i desh zemra dhe ai vetëm një lutje bënte: lermë zot të rroj! Djelmtë u burrëruan e dy u martuan me vajza nga dyer të fisme. Kur Abedin again  e zuri pleqeria, i thirri te tre djelmtë dhe u tha:

-O djeltë e mi, rrojta sa desh zoti e më dha jetë, po pleqëria po mi prêt gjunjët,  ma mjegulloi dritën e syve, ma rëndoi dëgjinin , ma dobësoi mbamëndjen, më hodhi dhëmbë e dhëmballë. E shoh që po mblidhet konopi, sot jam e nesër s’jam. Erdhi koha, kemi ardhur e do të ikim nga kjo botë e rreme. Po desh zoti, u kam juve, një vatër plot me nipër e mbesa. Iratet, malli e gjeja, që i kemi vënë me djersë, duhen kullandrisur, që t’a trashëgoni, t’a shtoni e shumoni vetë , e t’ua lini djelmve tuaj, ashtu siç ma la  im atë mua, rahmet pastë dhe unë juve. Andaj si u silloisa, i dhashë karar tu ndaj punët, ama jo mallin e gjënë. Me gjallje time ato do t’i keni bashkë. Tashti mbani vesh:

Ty Sherif që je i madhi, me nuse e fëmilë, të lë kuletën, kalin e shaëls, koburen e sermajtë dhe martinën me njëqind fushekë. Do bësh pazaret në Pargë, Artë e në Janinë dhe, në këmbë time, do ngasish miqësitë e krushqitë në oxhakët ku kemi dhënë e marrë, të na nderoç, do presish e do të përcjellish.

Ty Harun, që je i mesmi,  me grua e fëmilë, të kam lënë të tri mushkat, të tri pëndët e qeve, arat, jurtet e ullinjve e vreshtat dhe mullirin e valit, që  bashkë me hismeqarët t’i kujdesoç. Të mbjelliç, të korrish e të mbledhiç bereqetin.

Ti Xhemo, që je i vogli e akoma fatpadali, të lë stanin e dhënve në mal. Ti ruaç, shtoç e kujdesoç. Po mos u mërzit, edhe nusen do ta gjejmë:të bukur, të mirë e derëoxhak.

Tha këto dhe Abedin Agai zgjati dorën. Djemtë me radhë ia puthën dhe ia vunë në buzë e në ballë. Pastaj: -Më paçi uratën, gurë zënçi me dorë,flori u bëfshin, e pikë gjaku nga hunda mos u raftë.

-Zoti të shtoftë jetën, e mos na lëntë pa ty baba dhe t’i shpërbleftë  të mirat që na le- i tha Sherifi, i krekosur dhe i kënaqur nga vendimi i t’et, që i la parësinë e shtëpisë.

-Zoti qoftë i  kënaqur nga ty baba, e ta shpërbleftë me të mira në këtë e atë jetë,- i tha Haruni- buzëvarur e qefprishur që i ati i la punët e rënda.

Xhemua nuk foli.

-Po ti Xhemo, s’ke ti thuash gjë babait? E pyeti Abedin agai.

-Baba, të dua shumë- tha Xhemua, që s’ishte I fjalëve dhe e përqafoi n’ grykë të atin, por u duk që Abedin Agai ngeli hatërmbetur nga djali i vogël.

Me të thënë e me të bërë.

Sherifi,ngjeshi në silah koburen,gjerdanin me njëqind fyshekë, në krah martinën, mbi krye festen e kuqe me xhufkë të zezë ibërshimi, fustanellën me njëqind fletë, këpucët xhufkakuqe, ngjeshi në brez silahun dhe kalëroi mbi kalin me shalë.

Haruni, me hysmeqarët, mbrehu pëndët në parmënda dhe nisi mëngjes-darkë, dimër e verë, lërimin e arave, të korrat, shirjet në lëmenjtë, të vjelat e ullinjve e të rrushit.

Xhemua, mori gunën, xhurranë, krrabën dhe qënin murgan e shkoi në mal në stanin veror.

2

Pllaja e faqes së malit mbaronte me rrafsh si të prerë më thikë. Në të, aty-këtu lisa madhështorë me kurorë për mrizimin e tufes së deleve. Bari trifil e trëndelinë. Nga lindja, pas rrëzomës së  kodrës, vinte një prrua i thellë e me shkëmbenj të thepisur, e ca më tej mali me pyllin e mershëm. Kasollja e stanit  ishte nën kurorën e lisit,prane kroit ujëshumë, shtruga e thurur me mur të gurtë, mbyllej me lesën e thurur me purteka lojfate. Aty Xhemua i milte pllejat, qumështi grafullonte e shkumëzonte ne vedra. Pikste djathin dhe mbushte talërin.Ca më tej burimi murmurinte këngën e përjetshme të ujit.

Kullota ishte e tëra e tyre dhe s’kish stane të tjerë. Xhemua ishte fillikat, pa njeri, pa një shok a mik, që të ndrronte një fjalë. Po njeriu, as një herë nuk është i vetëm: ka mendimet qe i buisin pa pra, pa ka zogjte e shpezët e malit, druret dhe lulet,tufën e deleve, qën Murganin dhe neteve hënën dhe yjet. Krrabën në një dorë, xhurranë në tjetrën, me Murganin që si ndahej, u shkonte pas dhenve që kullosnin për qejf të tyre trifil e trëndelinë, shqerrat lodronin, dhentë blegërinin. Kur dielli ngrihej e niste vapa,  e mrizonte tufën të flladitej nën hije të lisit dhe të shuante etjen në koritat e drunjta. Mbrëmanet, kur hëna qeshte dhe derdhte dritën e argjendtë, Xhemua i binte xhurrasë, bukur e permallshëm, aq sa edhe zogjtë e bilbilat e pushonin këngën e tyre dhe mbanin vesh. U miqësuan me të dhe zbrisnin e i qëndronin mbi supe. Nuselalat dhe leprushat dilnin nga foletë, e shihnin me sytë e bukur si rruaza të zeza dhe hidhnin valle. Ai u mësoi gjuhën dhe nisi të kuvendonte me ta, me melodinë e xhurrasë dhe ëmbëlsinë e zërit e këngëve të përmallshme. Yjet e kashtës së kumtrit i buzëqeshnin dhe vesonin pluhurizën e artë që t’i bënin dritë. Kështu për ditë e për natë. Herë-herë, kur hidhte sytë nga perëndimi, atje ku gjendej fshati, i fanitej kroi dhe vashazt , më e bukur njëra se tjetra,  që lodronin , këndonin, mbushnin ujë, ndjente në zemër e shpirt një molisje që i përhapej nëpër trup tok me gjakun dhe bënte zemrën t’i rrihte më shpesh, ndjesi e vetvetishme malli për një shoqe.

Një mbrëmjeherë, kur dielli ish ulur mbi det e kish lënë kuqëlimin e dritës së mugët, Xhemua mbaroi punët, u ul rrëzë lisit, hodhi shpatullat në trung dhe mori xhurranë. Murgani iu ul pranë.

Befas, si ta kish mbirë dheu,u shfaq para tij një grua,as e re as e moshuar , veshur me të vjetra, fustani I arnuar I shkonte gjer në fund të këmbëve, kokën mbuluar me shami, ngaku i delnin cullufet e thinjura të flokëve. Sytë nuk I dukeshin.

Murgani hungëroi dhe u skërmit, iu kreshpëruan qimet, futi bishtin në shalë dhe u fsheh pas trungut të lisit! Zogjtë mbi lis pushuan këngën.Zotroi një qetësi e shurdhër.

Për Xhemon, që kishte javë pa prë njeri me sy, kjo shtegtare që ngjante me lipsare, ishte habi. U ngrit më këmbë dhe e pyeti:

-Zonjë, kush je ti, nga vjen e ku shkon?

-O djalë i ri, jam Askushja.Vij nga askundi dhe shkoj në askund.

-Ç’kërkon nga mua?

-Jam e uritur, më ka shkuar mendja për një thelë djathë të njomë, po qe se në stanin tënd e ke piksur.

Atij ju dhimbs shtegtarja vetmitare.

-Po,- tha ai- djathë po se po, në daç edhe kos e dhallë, gjizë e gjalpe e bukë taze. Gjithë çka stani. Kërko dhe do të plotësohet

- Zoti t’i shtoftë e të dhëntë, por vetëm një thelë djathë.

- Me kripë apo sheqer?

- Kripa është shija e jetës, sheqeri ëmbëlsia e saj. Edhe njerën edhe tjetrën.

Xhemua hyri në kasolle. Preu nga napa, dhe vuri në tasin e bakërtë të kallaisur flludhat e djathit dhe në dy enë të vogla kripën dhe sheqerin. Nxori edhe një skami druri. Shtegtarja u ul dhe ngjeroi djathin.Hante duke u përtypur ngadalë. Dukej që po i shijonte. Kur e sosi hajen, uroi:

- E paç fatin si e  ke zemrën,- uroj ajo- dhe març për nuse të bukurën e dheut!

Befas fryu një erë, gjethet e lisit fërgëlluan, shtegtaren e  pështolli një vorbull mjegulle e tymtë dhe u çbë si  të mos kishte qënë kurrë. Skamia dhe tasi bosh mbi të ishin në vend. Xhemua fërkoi sytë dhe pa në të katër anët, në tokë e në qiell, por Askushja nuk ishte askund. Murgani doli nga prapa lisit dhe duke  kuisur iu fërkua pas këmbëve. Zogjtë në kurorën e lisit ja nisën këngës.

Ditët shkonin, dielli e hëna lindnin e perëndonin, erërat frynin, retë vozisnin qiellit dhe hera-herës hidhnin ndonjë vesë shi dhe Xhemua kujdesej për tufën dhe punët e stanit. Kur binte nata dhe gjithësinë e kaplonte qetësia, shtrirë mbi shtresa e nën mbulesa, i bëhej që nga larg, matanë rrëzomave e prrenjve nga pylli i lisave vinin tjnguj këngësh dhe një muzikë e çuditshme, me zamare, xhurra, fërgëllimë dajresh me ritëm të shtruar e të qetë dhe një këngë, me zëra të bukur e të përmallshëm,po që nuk i kuptoheshin fjalët. Ç’të ishte vallë? Ai nuk dinte ta thoshte. Mos vallë zërat ujem të natës? Të qenë gurgullimat e ujrave të prrenjve, fëshfëritja e gjetheve të lisave nga era? Jo. E si mund të ishin ato me zë njeriu! Ndodhte kjo më së shumti në netët e kthjellta, kur hëna ndrinte. Në net të vrenjtura e pa hënë, veç zogjve të natës, asgjë s’pipëtinte.

3

Kur i ktheu delet nga kullota dhe i vathoi në shtrungë, Xhemua , i numëroi dhe i dolën një më pak. Lipsej bejka, bejka e bardhë, më e mira e shoqeve, që pillte dy shqerra e që mbushte vedren me qumësht. E kërkoi më sy po s’dukej askund midis tufës. “Ah, moj bejkë arrakate, që je ndarë nga shoqet, ku je, ku te kesh shkuar, ku ke qëndruar, s’te mjafton maja e barit, trifilit e trëndelinës, uji i kulluar i burimit? Ah moj bejkë, si nuk e di, që atë dele që ndahet nga tufa e shqyen ujku?! “ teksa mendonte këto, mbylli lesën e shtrungës dhe i thirri Murganit. “Na ka humbur bejka, do dal ta kërkoj, ti rri këtu dhe ruaj tufën, daç nga hajdut e daç nga ujk” Tha këto dhe u nis në kërkim. Kerkoi në pllajën e gjerë të kullotës, në gropa e në prroska, i thirri, siç u thirret deleve, dhe e ndolli, por më kot. Ikë e ikë, kërko e kërko, mbrriti në buzë të bokërrimës, çau mes ferrave e drizave, rrobet po i griseshin, duart dhe kërcinjte ia gjakosën gjembat, por ai ecte nën dritën e hënës. Dikur i lodhur e dërrmuar, i shkau këmba dhe ai u rrokullis tatëpjetë duke u përplasur pas thepave të gurëve deri sa ndjenjahumbur u përplas në një lëndinë ku buronte një krua ujëshumë dhe më tej rridhte burimi që ushqemte lumin.

Aty qëlluan tri zana, që po flladitëshin të zhveshura te burimi nën dritën e hënës, teksa nga larg vinte muzika dhe kënga   e valleve. Shtoju zot vallet!Ndjenë dhe panë që në livadhin bri burimit u përplas një trup njeriu. Dolën nga uji, hodhën mbi trup rizat e holla që linin të dukeshin gjith bukuritë q’ishin nën to në kurmet e tyre dhe u afruan. Panë që ishte njeri, që ishte i ri dhe me bukuri që rrall e kishin hasur në të vdekshmit.

-Rron apo ka vdekur?- Pyeti Zana e Madhe.

-Duket si i vdekur, por derisa merr frymë, do të thotë se është i gjallë- tha Zana e Mesme.

-Po nuk merr frymë, do te thote se është i vdekur- tha Zana e Vogël dhe unë them që ta ngjallim, e plagët dhe gërvishjet t’ia përthajmë. Ky mysafir nga bota e njerëzve të gjallë na ra dhuratë nga qielli.

Zana e Madhe, këputi një tufëz bar magjik të ngjalljes që vetëm ajo e njihte dhe ja afroi te hunda, pastaj i hukiti. Xhemua u përmënd, mori frymë thellë dhe hapi sytë. E pabesueshme ajo që pa: si vendi ku gjendej,një hon i thellë me një pëllëmbë qiell mbi vete dhe  tri hijet femërore që i qëndronin para, si një vegim, të lara me dritë hëne.

-Ku gjendem, e ju kush jeni, që parë si ju të shoh s’më ka ndodhur?

-Ne jemi tri zana. E pyllit, e burimit dhe e malit. Motra jemi shoqe s’jemi.Shfaqemi ,dukemi dhe zhdukemi, bëhemi e ç’behemi. Mblidhemi  tok kur lodrojmë e vallzojmë, ndaj ju njerëzit na quani shtojzavalle,  e lahemi e flladitemi  në ujrat e burimit.

Xhemua, gjë më të bukur në jetë s’kishte pare. Te trija një bojë, kurmi si i bërë me dorë, nën rizën  e tejpashme te veshjeve që u binte gjer në fund të këmbëve, dukej gjithçka e fshehtë, femërore, sisët si mollë, lulja e nënbarkutnë misterin e saj, e turpshme për tu zbuluar, për sytë e meshkujve e  lakmuar, por siç duket jo për to, që duken si vetë pafajsia, teksa buz burimit ne dritë të hënës lodrojnë e këndojnë. Zot, ç’bukuri: balli i tyre si balli i hënës,vetullat gajtan i shkruar, sytë si kokrra e ullirit, qerpikët si krahu i dallëndyshes, gojët e vogla si lule shege në çelje, qafat si qafa pëllumbeshe, fytyra me të kuqtë e mollës në degë. Pa që zana e madhe ishte sy ,vetull e leshrazeze, te pleksura ne gersheta qe i binin gjer në mesin e hollë sa t’i shkoje unazëm. Zana e mesme, i kishte flokët të kuqërremta me reflekse të bakërta dhe ne fytyrë ca prenkeza te mezidukshme. Zana e vogël, flokët të verdhë,ar e trëndelinë, që derdheshin teposht  dallgë-dallgë.Në faqe ajo kishte një nishan që i shtonte bukurinë. Te trija më e bukur se njëra-tjetra, që s’kishe kë të zgjidhje e kë të lije.

-Kush je ti o bir njeriu, që zbrite nga qielli, ne limerin tonë, as gjall as vdekur, dhe ne mes na e preve vallen dhe lodrimin?- Pyeti zana e mesme.

- Xhemo është emri im, Abedin again e Bedelenit kam  për at, sarajet në kodër, me ara, ullishte e vreshta dhe dyqind krerë dele kam në kullotë-, por bejka sonte më humbi dhe mbeten njëqind e nëntëdhjetë e nëntë. Dola ta kërkoja. Kërkova e kërkova, dot s’e gjeta, u gremisa dhe këtu i çjerrë e i përgjakur u katandisa- u gjegj djali.

- E njoh unë,- u hodh e tha e madhja e zanave- kur si lipsare në stan iu shfaqa. Më priti miqësisht, e bujarisht më gostiti.

4

Xhemon e morën përdore dhe hynë në shpellën ku ato banonin. Në hyrje të shpellës harlisej pjergulla e ngarkuar me rrush e që e bente të padukshme hyrjen. Brënda llambadhat dhe qirinjtë bënin dritë dhe reflekset e mureve të kristalta  mbushnin hapsirën. Xhemon e zhveshën  dhe e ulën në govatën e argjendte, e lanë me ujë të ngrohtë, e lyen me vajra erëndshme dhe e veshën me ndrresa të pastra. E soditën me admirim. Djalë më të bukur, nga lind e perëndon, s’u kishin zënë sytë dhe të trija ranë në dashuri me të. Më pas u shtruan ne tryezë, ku pjatat e arta ishin mbushur me mëlmesa te lloj-llojshme. I dhanë të hante e të pinte që t’i kthehej fuqia. Xhemua  i trallisur, i gjendur në tjetër botë, as në qiell as në tokë, pasi piu një filxhan çaj , pa e ditur që ishte  bari i harresës, i iku kujtesa, harroi kush ishte , bir i kujt ishte, nga vinte e ku shkonte. Ishte si në  përrallë, përrallë me sy hapur, por  e vërtetë.,mes bukurive femërore e një bote fantazmagorike, ku s’ishte më zot i vetes, por rob i bindjes së vullneteve dhe tekave të këtyre krijesave, që here dukeshin si prej mishi e gjaku e here si hije të tymta e të padukshme.

Të tri zanat u tërhoqën në një kthinë të shpellës dhe Xhemua dëgjoi sherr dhe shamata me zë të larte, pa e ditur përse zanat grindeshin. Pastaj ato dolën dhe qëndruan para tij. Dukeshin të zemëruara dhe të mërzitura.

E para foli Zana e Madhe:

-O bir njeriu, që zoti të dërgoi dhuratë për ne, të trija me ty ram në dashuri e duam me ty të martohemi, por ti je vetëm një e ne tri. Me një nga ne do të martohesh, andaj ti duhet të zgjedhësh,dhe ne do ta pranojmë zgjedhjen tënde.-Tha Zana e Madhe, dhe përnjëherë, Xhemos ia zuri sytë një perde.Kur perdja ra, të trija zanat u shndrruan ne tri plaka të shëmtuara, me te njëjtën fytyrë. Ato filluan të luteshin, si lipsare: “më zgjidh mua, martohu me mua”. Zërat ishin të njëllojtë, mallëngjenjës , tingëllonin si kambana argjendi. Xhemua e dinte që pas shndrrimit me pamjen e plakave të pështira, fshihej bukuria  magjepsëse e tri zanave. ”Kë të marr e kë të lë? Atij i kish pëlqyer Zana e Vogël, ajo me flokë të arta si rreze dielli, si lule trëndeline të livadheve të tij. Ju kujtua që ajo kishte një nishan të vogël në faqe. I pa me kujdes. Ja ku ishte! Zgjati dorën dhe  e zuri nga krahu dhe e tërhoqi nga vetja. Zanat u shndrruan në ato që ishin. E vogla e qeshur dhe e hareshme, ndënji krah Xhemos. Te motrat e uruan:

- Motër, të qoftë për hajr, biri i njeriut, më i bukuri i barinjve. Burri yt është edhe vëllai ynë, në të mirë e në të keq, në dimër e verë, në shi , borë e diell, në gëzime dhe hidhërime, në lindje dhe në vdekje, në tokë e në qiell. Me fatin nuk bëhet dot luftë.Fati është si Zoti!

U bë dasmë e madhe. Erdhën dasmore zanat e pyllit, te burimeve, të deteve dhe lumenjve, aq sa si nxinte më shpella,  bukuri hyjnore, të lara me dritë hëne, të ndritura me rreze dielli, te stolisura me lule mali e kurora dafine. Sa bukur zanat po  vallzojnë, sa bukur bilbilat po këndojnë! Jehona ushtoi në luginë dhe shpatet e maleve. Defryen, u dalldisën në ekstazë, hëngrën e pinë mjalte , nektar e verë, pastaj në mesnatë firuan fluturim për në limeret e veta.

Zana e Vogël dhe Xhemua u lidhën me besa-besë në martesë.Te gjitha sa ishin i brohoritën.

Zana e Vogël, e terhoqi  burrin  e saj të ri , në odën-kthinë të saj në shpellë, u xhvesh vetë, xhveshi dhe Xhemon e u shtrinë në shtratin  me shtroje të mëndafshta e nënkrejca me pupla dhe nën refleksin e dritave të qirinjve , bënë dashuri të mahnitur, të kapluar, me ofshama e thirrma kënaqësie, duke iu gëzuar hijeshive magjepsëse te njëri-tjetrit , deri sa zbardhi dita e lume , e te velur gjumi i thellë ua mbylli sytë.

5

Kur u zgjuan, u gjetën vetëm. Dy zanat e tjera kishin shkuar ne burime për tu flladitur. Ato u kthyen, kurmet e tyre të lagur ishin me sumbulla uji që feksnin si margaritarë dhe nga flokët kullonin pika uji.

U ulën për të ngrënë mëngjesin. Silla e bollshme me gjith te mirat që mund te dojë shpirti. Zana e madhe, e shihte të motrën dhe Xhemon me pezm, në sy kishte një dritë të keqe, nuk e fshehte që e brente zilia dhe nakari, që Biri i Njeriut kishte zgjedhur Motrën e Vogël, dhe jo atë, që ishte e madhja dhe po aq e bukur sa e motra. Ruajti rastin kur mbetën vetëm dhe  i mbushi filxhanin me çajin erëmirë që avullonte.

-Pije se të bën mirë e të shton fuqinë- I tha.

Xhemua e piu. Vinte pak i pikërrt por i shijshëm.

Po kjo ç’të qe? Ai pa ti qëndronte para vetja e tij: me krrabë në dorë, gunën në supe, Murganin për dore dhe tufën e bardhë të dhënve qe kulloste në pllajë. Ishte kthyer kujtesa. Ç’bënte ai këtu? U ndje aq i përmalluar për jetën e mëparshme sa i hipi të qarët dhe qau me gulçe.

Zana e Vogël e mori ngrykë: ” Përse qan burri im i bukur? Mos nuk të pëlqen bukuria ime, mos nuk je i kënaqur nga martesa që ti vetë e zgjodhe, mos nuk të pëlqejnë të ngrënat e të pirat, apo te veshurit e të mbathurit?- Pa pritur përgjigje, ajo ia fshiu lotët me tufën e flokëve të ballit dhe i puthi sytë e bukur.

-Asgjë nga ato që thua, po mu shfaqën mëma dhe ati, vëllezërit dhe motrat, shtëpia atërore, stani dhe delet, kullota, lisat dhe zogjtë e malit, dielli dhe hëna, furtunat rrufetë dhe shirat, e gjithëçka tjetër që janë pjesë e botës ku jetoj dhe lirisë së  jetes sime.

E kuptoi se çfarë kishte ngjare dhe iu kthye se motrës:

-Ah ti ziliqare, e ligë, që të verbon sytë pamja jonë, ta çart e turbullon mendjen lumturia ime. Ç’më bëre, pse ia ktheve kujtesën, ai ishte mirë e i lumtur në detin e harresës dhe dashurinë time. Pse do ta ndash nga mua, apo e do për vete?

Xhemua, sakaq iu shkëput nga krahët dhe doli jashtë shpellës. Ku ishte, ç’ishte ky vend me burime, trëndafila dhe qiparisa? Nëpër lugun midis maleve rridhte lumi i kulluar, ca livadhe mbushur lule e gjelbërim. Sipër nuk dukej asgjë veç qiellit. Ai nuk orientohej dot, as nga lindëte as nga perndonte, se dielli ishte fshehur pas maleve. Ju duk vetja si i rënë në një puas të thellë, i vetëm e në humbetirë në botën e hijeve por që ishin të njëmendëta. Zana e Vogël iu afrua, e kapi për dore dhe e pa me përdëllim.

-Nuk më dashuron më? U pendove që u martove me mua?

-Jo. As penduar as mërzitur, ti qe fati im i parë.

-I pari dhe I fundit- tha zana duke i mshuar zerit te  fjala “ i fundit”. Folë ç’të mundon?

Xhemua u mendua. “O zot, më mbaj mendjen, më forco zemrën” Ishte aq e bukur sa më e bukur s’bëhej dhe zor ta besoje si të vërtetë prej mishi e gjaku. Zëri i tingëllonte aq melodioz, si kambanë argjendi. Por në sy i dukej pikëllimi dhe një maraz i pashprehur për dashurinë e pa përfillur.

- Për hir të kësaj dashurie, qoftë hyjnore, qoftë qiellore, apo i mdonjë magjie, që vërtet është si e ëndërrt, s’mund të le peng jetën, lirinë time dhe të  bëhem skllavi yt!

- Ti nuk do të jesh skllavi im.Do të ndryshoj jetën, do të jesh princi i zanave. Do te fal rininë e përjetshme, do të bëj të pavdekshëm, të mos sëmuresh kurrë, të jetosh pa gajle, mes të mirash, me këngë  e me valle, një jetë  pa dimër, si në ëndrrat e gëzueshme nga të cilat s’do të duash të zgjohesh as ditë as natë. Një jetë mbushur me të mira e dashuri të pafund. E ç’mund të dojë një njeri më shumë?

Xhemua dëgjonte në heshtje, pa lënë ti shpëtonte asnjë fjalë. Ajo nuk e kuptonte që liria e saj, ishte skllavëria e tij, në një botë tjetër e në një jetë tjetër.

-Folë, ose lirinë ose dashurinë. Liria do të jetë vdekje, dashuria përjetësi. Zgjidh e merr.

Pa shih çthotë:”që liria është vdekje” Si ja nxë goja?

- Te dyja – tha ai- edhe lirinë edhe dashurinë. Po ti a më do mua?

- Më shumë se çdo gje tjetër, me shumë se motrat e mia, më shumë se gjith zanat e tjera. Për sytë e mi, që nuk kam njohur një tjetër bir njeriu, je kaqë i  mirë, kaq i dashur e kaq i bukur, sa mua më mbetën sytë dhe mendja  në ty e s’mund të ndahem prej teje.  Thua të vij në botën e njerëzve?

- Po. Nëse ti vërtet më do,eja në botën e vërtetë, ku ka ditë e ku ka natë, ku lind dielli e del hëna, ku bie shi e ku bie borë, plot livadhe  mrize e stane, vajza si sorkadhe e djem si petrita, nuse që lindin fëmijë si drita, pleq të mençur e plaka fisnike. Pastaj ai e vuri në betim: -Zana e Vogël, nusja ime, pash shpellën ku jetoni, pash pyjet ku veroni, pash burimet ku flladiteni, pash mrizet ku vaponi, pash at Zot që u ka dhënë, bëhu zonjë e stanit tim!

-Të jem një zonjë e vdekshme, që do të shërbej, që për çdo vit, si gjithë vdektaret, do të bjerr rininë e bukurinë dhe do të jem nënë e vajzave të tua( se ne zanat vetëm vajza lindim). Kështu më do ti mua?

Ajo kishte fuqi ta mbante, zemrimi i saj mund ta shitonte, ta shastiste e pa mend ta linte, ta hukaste e ta kallkanoste e në mollok të gurtë ta shndrronte. Por jo, ai e vuri në be.  S’mund t’i bënte keq, atë e dashuroi dhe e deshi njësoj si veten .Ishte kaq i bukur, kaq i mire kaq i dashur, sa ajo për të drithërohej e përgjërohej, pa ‘të si do të jetonte?

Namëta, fluturoi një tufë me pëllumba. U shkëputën syresh dy pëllumba të  bardhë. Njëri u ul mbi sup të Zanës, tjetri mbi sup të Xhemos. Zanës  i gugiti, ca  fjalë në gjuhën e pëllumbave që ajo e kuptonte, po çfarë i tha vallë ” Fluturo në botën e të gjallëve, mes njerëzve, në jetën e vërtetë me djalin që të do aq shumë” Pëllumbi tjetër, në sup të Xhemos, gugiti me zë njeriu: Rrëmbeje nuse-zanën, e ngjitu në stanin tënd” Xhemua e mori në dorë dhe i lëmoi shpinën me pendët e buta, pastaj pëllumbat fluturuan, u ngjitën vrik në lartësi dhe morën drejtimin nga perendimi. Kësisoj i rrëfyen Xhemos udhën e kthimit.

Zana perplasi pëllëmbët dhe, sakaq zbriti para tyre një kalë i bukur fluturues, me blanë të bardhë në ballë e krahë të shpalosur. Shaluan kalin dhe ai rrahu krahët e fuqishëm dhe u ngjit në kaltërsi. Xhemua mbahej pas jeleve të gjata, teksa Zana shtrengonte Xhemon për beli. Fluturonin, era u rrihte fytyrat, u shpupuriste flokët, ndërsa posht zhytur ne dritë dielli, dukeshin kodrat, pyjet lumenjtë e burimet. Në largësi u shqua lisi i madh dhe kasollja e stanit. Aty zbritën dhe kali u nis për gjetk fluturim.

6

Kasollja ishte shkretë, vatha  e boshatisur, me lesë të hapur. Delet dukeshin tek kullosnin në largësi. Murgani zuri vrapin dhe erdhi te i zoti, kuiste dhe i lëpinte duart. Kur I zoti nuk u kthye në stan, me të rënë drita, Murgani hapi lesën dhe i nisi dhëntë në kullotë, duke i ruajtur ashtu siç bënte përditë. Xhemua mori kërrabën dhe me zanën përdore që u shndrrua në bareshë, shkoi te grigja.Pllejat, me gji të rënduar nga qumështi blegërinin. I vuri përpara.Vetë u ul te d hyrja  e vathës  dhe zana u grahte. Xhemua i moli dhe mbushi vedrat me qumësht.

Ditët shkonin e rridhnin si ujët e burimit.Prane kasolles së stanit hodhi shtat si e mbirë nga dheu nje shtepizë e bukur ormisur me gjithe çi duhet rrojtjes se nje çifti rishtarësh. Ajo shtepi ishte e dukshme dhe e perdorshme vetëm nga at ate dy, por e padukshme për të tjerët.

Zana e Vogël u bë zonjë shtëpie: gatuante, lante e shplante, kur merrte kërrabën bëhej bareshë  me bukuri që s’ishte pare kurrë në ato anë.Tok me xhemon nxirte tufën në kullotë, i vathonte dhe i milte, zinte djathin dhe mbushte talëret, dhe me Xhemon që e donte me shpirt, në netët me hënë, kur ai i binte xhurrasë, ajo këndonte ato këngët që zbusnin edhe egërsirat dhe mahnisnin zogjtë e pyllit, pastaj bënin dashuri që s’u velej asnjëherë.

Për fundjavë, nga fshati vinte njëri nga hysmeqaret, me mushken ngarkuar me miell e ushqime dhe ngarkonte bulmetin per ta zbritur në shtëpi. Sado që Zana bëhej e padukshme, hysmeqarit nuk i shpëtuan ca lëvizje të çuditshme të orendive, që ngriheshin havadan nga një vend e shkonin në një vend tjetër apo te burimi per tu larë. Apo një si rrymë ere që lëvrinte nëpër kasolle. E pyeti Xhemon, por ai qeshi dhe i tha se i benin sytë. Ai këto i rrëfeu në shtëpinë e Abedin Agait, por askush s’ia vuri veshin.

Shkuan muaj e shkuan vite dhe Abedin Agai i dha karar, sa qe gjall vetë, ta martonte djalin e vogël. Dërgoi në stan lajmësin, që ishte dorëmbarë  e i dëgjohej fjala. Lajmësi mbrriti në stan një pasdite. Xhemua e priti miqësisht e me dashuri, i shtroi për të ngrënë e për të pirë. Lajmësi i tha:

-  Më ka dërguar Abedin agai. Ty të ka ardhur dhe shkuar vakti për tu martuar. Të kemi gjetur nuse, Vajzën e Tahir agait nga Mazreku. Halla jote që e ka parë, thotë se është aq e bukukur sa i thotë hënës dil-të dal, pa e ka kurmin si qiparis, e mënçur sa i jep mënt edhe më të diturve. Mos e pyet per nikoqire: çi sheh syri ja zë dora. Sa ka hyrë në të shtatëmbëdhjetat. Si thua?

Zana, e padukshme për sytë e musafirit, e ulur krah Xhemos, dëgjonte bisedën dhe i hipi një inat e tërbim xhelozie i pa përmbajtshëm, për ato që dëgjoi. Priste si do të përgjigjej Xhemua.

-Bëji të fala babait.Thuaj qe xhemua eshte martuar.Në të pyetë ç’nuse ka marrë, thuaj kerrabën ,stanin dhe Murganë. Me kaq ky muhabet mbyllet.

Lajmësi qejfprishur, zbriti tatëpjetë për të shkuar në fshat.Zana e Vogël e ndoqi pas si hije.Iu afrua dhe i hukiti frymën e saj. Lajmësi u shstis, humbi mendjen, mezi gjeti rrugën për në shtëpi dhe kur shkoi fliste shatra patra e gjëra pa lidhje sa askush nuk mori vesh se ç’kishte psuar.

Për Shëngjergj, që zanat e festonin si ditën e luleve, kendonin e vallzonin burimeve dhe flladiteshin mrizeve të limerëve të tyre,Zana e Vogël shkoi  të festonte me të motrat.

Stanin e msynë hajdutët. Ishin pesë. Me mjekra, të frikshem, gunat të zeza, në brez hanxharët dhe në duar martinat. Qen Murganin e vranë. Xhemon e lidhën pas trungut të lisit dhe tufen e deleve e vunë përpara. Kur ata po largoheshin, xhemua nxori nga brezi xhurranë, dhe ajo ra si me zë njeriu:

Zanë moj e vogla zanë

Hajdutët bastisën stanë,

Qen Murganin e vranë

Dhe mua lidhur më kanë.

Zana e dëgjoi, la vallen dhe fluturim mbrriti në stan. U qep pas hajdutëve, i hukiti dhe të pesë i shndërroi në gurë, atje tek ishin dhe ashtu siç ishin.

Edhe sot e kësaj dite atij vendi i thonë “Gurët e kusarëve”

U kthye në stan dhe e zgjidhi Xhemon.

Vuri gishtin te plaga e Murganit dhe plaga u pertha.Keputi një tufëz nga bari i jetës dhe ia vuri në hundë. Murgani u ngjall dhe nisi të kuiste dhe t’i lëpinte duart asaj që e ngjalli.

7

Për të dy, jeta ishte një festë pafund, të lumtur me grigjen e tyre, me dashuri të pamort, me meloditë e bukura te xhurase dhe me vallet mahnitese te Zanes.

Shkuan vite, nje ditë nga ditët, e bukura i tha Xhemos se kishte ngelur shtatzënë, dhe do t’i lindete nje vajze, nje zane te vogel, se zanat lindin vetem vajza . Xhemua I mrekulluar, e mbante me pekule, se linte të bënte asnjë punë dhe shihte me admirim barkun brënda të cilit rritej krijesa e tij. Kur erdhi muaji dhe u afrua dita e lindjes, ajo i kerkoj Xhemos ta shpinte te lindente ne mbreterine e te motrave.      Ashtu e bënë. Xhemua e la dhe u kthye ne Stan. Ai se ç’kishte nje parandjenje të zymtë dhe priste mëndjengritur ti vinte lajmi i shumëpritur.

Dhe lajmi erdhi.

Zana , bashkë me foshnjën kishin vdekur në lindje. E ngushëlluan Zana e Madhe dhe Zana e Mesme, por i thanë se ato e dinin që më parë. Motra e kishte zgjedhur vetë fatin e saj, sepse nuk mundet që një zanë të bëjë fëmijë me një bir njeriu.Por ajo e bëri për hir të dashurisë.

E varrosi në pllajën e kullotës së stanit dhe mbi varr ngriti një muranë. Aty mbinë dhe u rritën një qiparis dhe një trëndafil i bardhë. Atij vendi i thanë Varri i Zanës.

Tashmë ai ishte zgjidhur nga betimi i martesës.

Xhemua la krrabën, gunën dhe murganin e u kthye në fshat.Prindërit kishin vdekur.Mori pjesën e gjesë dhe mallit që i takonte nga trshëgimi dhe u martua. I lindën djem e vajza. Tërë kohën ishte i heshtur dhe brengosur. U thinj parakohe. Askush se dinte sepse. Jetoi deri në pleqëri të thellë. Të fshehtën e tij para se të ikte nga kjo jetë,që të mos e merrte në varr, ja rrëfeu vetëm djalit të madh.

Unë atje s’kam qënë, kështu më kanë thënë.

Në kohë pandemie,Tiranë, korrik-gusht  2020.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora