Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bardhyl Maliqi: Pas ikjes së një miku

| E diele, 09.08.2020, 04:13 PM |


Bardhyl Maliqi

PAS IKJES SË NJË MIKU…

Namiku iku,

Në kujtesën time ka mbetur vetëm hija

E arkitekturës së tij lëvizëse.

Më besoni, është një hije e bukur,

që shkurtohet nga ravgimet qiellore të diellit zliqar.

Por vjen sërish muzgu dhe agzholi,

koha tipike e ravgimit tokësor të hijeve.

Dhe ne kujtojmë nga mbamendja e të parëve orgjinën tonë;

ashtu  të mjgulluar prej shtegëtimit të reve,

vit pas viti, stinë pas stine.

Është kohë pandemie, politikanët ruajnë kokën,

e megjithatë hijen e saj s’e ruajnë dot.

Ballkuket e tyre rendin televizioeve,

por jo thjesht për t’u dukur.

Ata s’venë vetë në ceremonitë mortore,

se i ruhen si djalli nga thimjani zonjës vdekje,

ata të pakallurit e një kohe të vdekur.

Ju jeni shumë vëllezër, Namik,

si yje vezulloni të gjithë:

Dinua, Ibrahimi, Pëllumbi...

por mbi të gjithë ke feksur Ti, or mik.

se në kovaçhanën tënde të vogël,

ti farkëtoje, jo vetëm veglat e punës,

por edhe ëndrrën e ndryshimit,

të zgjimit e të këngës.

Nga ajo barakë me llamarinë,

filloi ndryshimi i madh,

në fshatin tënd të vogël,

Ti i pari demokrat...

Sa herë na ke ngrohur, 

kur vinim të lagur thëllimeve,

ne mësuesit e mësueset tuaja,

të shkollës, të fëmijëve.

Dhe një kupë raki s’e kurseve kurrë,

as lojën e shahut mbasditeve,

as bisedat politike me spec,

as buzëqeshjen si ylber në buzë.

E di që xhaxhai juaj ka qenë emigrant,

kur hante pula stërrall,

shumë vite në krye të “Vatrës”,

atje, në Amerikën e bardhë...

Ju keni një shpirt të bukur Namik,

ligjëroni këngë shqip,

Dinua, Ibrahimi kanë botuar

poezi si hoje mjalti

nga shpirti i vluar nga kenga, 

nga gjuha e djegur nga malli,

sa më gëzonte zemra për ju,

për ty , or Namik djali!

Por ti ike, na le të rendim

pas arkitekturës së hijeve gënjeshtare.

Rendim, por ty s’të kapim dot,

Ti je në lëvizje të vazhdueshme, planetare!

Tani do të takohemi vetëm në ëndrra,

ti nuk do të vish më për të parë fëmijët në shkollë,

të nxisësh inteligjencat e shimëfishta të Limozit,

dhe të të frenosh disi dashuritë e parakohshme të vashave fshatare.

Kurrë s’e harroj fjalën tënde si përfaqësues i këshillit të prindërve:

“Djem, te kesh inteligjencën do të thotë që magjen ta kesh,

tani keni ardhur që të hidhni miellin nga librat në magje,

mandej ajo mëndja juaj e shkathët të mbrujë brumin e dijes,

atëherë po, jeni bërë burra!”