E diele, 09.08.2020, 04:13 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Ajne Ibërhysaj - Do vij me hijen e erës

E merkure, 29.07.2020, 07:42 PM


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

LIBËR SI ALMANAK I DASHURISË, I SHPIRTIT DHE I MENDJES NDAJ JETËS, KOMBIT DHE ATDHEUT

(Ajne IBËRHYSAJ: “Do vij me hijen e erës”, poezi – 2020)

Krijimtaria i ngjanë rrugëtimit të cilin nuk ta shpjegojë kurrë dhe asnjëherë, ashtu siç e thotë dhe e këndon mendja dhe shpirti i autorit. Ndërsa, poezia është vetë shpirti, dhembja, lumturia, malli dhe ëndrra, e cila asnjëherë nujk përfundon, asnjëherë nuk pushton. Të gjitha këto atribute i takojmë tek libri, “Do vij me hijen e erës” të autores, Ajne Ibërhysaj, e cila edhe pse deri me tash nuk ka bërë libër, ajo i është e njohur opinionit lexues dhe dashamirëve të poezisë, të cilën e hasim nëpër gazeta e portale, me vargjet të cilat me ndijimin e veçantë por edhe me trajtimin e zërit të shpirtit, dallon dhe lë vend e shpresë se tek po vjen një krijuese e cila poezinë, ashtu siç e ka edhe jetën, e ka shndërruar një gjerdan me lule, e nganjëherë të begatuar edhe me gjemba e therra, që padyshim se janë mëlmesë e fuqishme e vargut dhe e këndimit karakteristik poetik. Më këtë formë të të shkruarit, autorja gjithnjë provokon për nevojën se njeriu gjithnjë e përherë duhet konsideruar jetën si një rrugëtim, i cili, nuk do të ishte me peshë as interesant, nëse nuk ndalemi nganjëherë në ato barrikadat pranë të cilave vetvetiu dalin vargjet, dhe pastaj, pengesat e tilla i shkrinë vetë forca dhe lumturia e vargut, vetë shpirti i madh i krijueses.

Nganjëherë vargjet ngjajnë si në hartën e fatit të njeriut

I gjithë ky “shkrumb” krijues që është i radhitur në katër njësi ciklike: “Qetësia e fjetur e fjalës”, “Bashkë me fatin diku nxitojmë...”, Të përqafohemi me diellin” dheKombi im m’i ngrohë dejtë e gjakut”, pasqyron tamam jetën jo vetëm jetën dhe atë që njeriun, kombin dhe atdheun por edhe njerëzimin e preokupojnë në mënyra dhe forma të ndryshme, që gjithandej jetës lënë gjurmë, kurse pavdekësinë e bëjnë pjesë jetë, të cilën ka dëshirë por edhe këmbëngulë për t’ia ofruar secilit lexues të begatuar më atë begatinë e zemrës dhe të shpirtit. Këtu kujtoj se e ka edhe atë peshën specifike “Do vij me hijen e erës”: “Mos u gozhdo me ndjenja/Se mes ëndrrash fati kryqëzon/Miklon e shpesh ngushton fytin/Shtrëngon duart... Ti njeri/Bekimet të shoqërojnë/Nuk je i vetëm në këtë botë/Se një ditë të gjitha tretën/Çdo njeri ka bekime e lot...”(Poezia: “Një ditë të gjitha tretën...”).

Në ciklin e parë, “Qetësia e fjetur e fjalës”, autorja me ndijim të veçantë por gjithnjë e përcjellë me dritën e lumturisë e me dhembjen për fatin e njeriut, nuk lë asgjë pa theksuar e madhështuar, sepse, ajo ecjet e kohës, edhe dje, edhe sot, edhe nesër i sheh si një lloj trishtimi që e mobilizojnë shpirtin e njeriut për t’u përballur me të gjitha sfidat dhe kështu për ecur sigurt e plot krenari drejt të së bukures, drejt vetvetes dhe lumturisë: Me pika vese/E mbulova lumin/Në çdo rrahje zemre/Ndjeva peshën e jetës...”! Dhe, jo vetëm kjo. Ajo, fatin e tokës, të vendlindjes, të fshatit, të rrugës dhe rrugicave, të qytetit që e kapërthejnë shekujt, gjithnjë i ka pjesë të jetës, më të cilat ecën edhe kur punon, edhe kur është në mjedise të ndryshme, edhe kur s’e zë gjumi, edhe kur është në gjumë. Ndoshta për këtë dëshmojnë thekshëm edhe këto vargje drithëruese: ”Bredhi në këtë qytet të ftohtë/Kafshimin e fjalëve e dhembje plagësh/E ndiej në çdo gjëmë të shpirtit të tij/Kësaj maratone jete fundi nuk i duket/Me plasje duarsh e xhepa bosh/Hidhësia e kafesë helmon ditën/Fytyra të trishtuara nënash/Me fëmijë në parzma/I presin rrugët e pafundme...”(Poezia: “Në zemrën e qytetit të gurtë”).

Në anën tjetër, brenda këtij libri ka mbëltyer atë tharmin e dashurisë së njeriut, sa që në çdo varg, në çdo fjalë, lartësohet fenomeni “dashuri”, pa të cilën dot nuk bëhet asnjë hap dhe çdo ecje duket se i ngjan tunxhit: Harron edhe si të dashurosh/Ndonjëherë vetveten nuk e kupton/Si e marrë vazhdon të shtegtosh/Çdo rrugë e ndërton me pika vese/Shpirt/Tempulli i lotit/Sa i fortë bëhet brenda teje...”(Poezia: “Tempull loti”).

Po që se me kujdes shprishim çdo varg, çdo fjalë, çdo mesazh, atëherë më të vërtetë librit i dalim në hak nëse nuk e shprushim faqe për faqe, poezi për poezi, mbase edhe varg për varg, sepse, ja se çfarë na sjellë ndërmend autorja: Kujdes kur flet/Se fjala edhe mund të shitojë/Me te mund të vrasësh gjithçka/Pafajësia e fjalës/Nuk është as në qiell as në tokë...” (Poezia: “Fjala vret edhe dritën e syrit”).

Kur gjithçka dhemb për jetën, për historinë, për tokën e bjeshkët, për njeriun në të gjitha kohërat, në librin “Do vij me hijen e erës”, nganjëherë vargjet aq të fuqishme, aq me peshë, na duken si hartë e fatit të njeriut, të tokës dhe gjakut: Loti e vrau  zemrën e tokës/Qiellin edhe zogjtë/Dëshmitarë t’u bënë/Rreth teje/Korbat vallëzonin me vdekjen/Por ti e shndrite qiellin e vrenjtur...”(Poezia: “Qiell i vrenjtur”).

Krijuesit janë veçanti, që jetën e masin më grimca shpirti, me grimca malli e vuajtje, për atë edhe ata edhe metaforën, edhe mesazhin e kanë me peshën e gurit, me peshën e gjakut që ka ujitur e ujitë tokën nëpër periudha kohore e historike, e që e tërë kjo është ajo matematika dhe rebusi shpirtërore, që na detyron që kambanat t’i rrahim në të katër anët: Psherëtinë e përpëlitesh me vetën/Etshëm çapitesh me mendimet e fjalët/Me aludime gërryese e thumba vrastarë/E degdisë jetën larg gurit të fjalës/U muros fjala në qiellin gri/Kështjella u mbulua me gjethe vaj/Gjëmon mall në shpirtin si mal/Gjithçka e mbështjellë e gdhendur me fajin...”(Poezia: “Sa pak paskemi dashur në këtë botë”).

Në këtë cikël hasim edhe poezi edhe vargje që i ngjajnë zjarrit, që u ngjajnë pritjeve, që u ngjajnë legjendave jo vetëm për atë që quhet tokë e diell, por, autorja edhe këtë sikur na reflekton përmes vargjeve kushtuar nënës: Nënë/Në krahët e tu/Qetësinë e shpirtit e ndjeva/Në sytë e tu pashë diellin/Në prehrin tënd kokën pushova/Edhe tash e ndjej fjalën/U rritsh si kokrra e melit/Nënë/Kam aq mall për fjalën tënde/Lotët trupin ma drithërojnë/E kujtimet ma çmallin shpirtin/Nënë/Në çdo frymëmarrje të ndjej/Më pushton e mbështjellë një zjarr/Dielli m’i kallë gjethet e pranverës/Ditët më ikin si zogjtë e vjeshtës”(Poezia: “Nënë”).

Triumfi i dashurisë, pesha dhe arsyeja e njerëzores

Në ciklin e dytë, “Bashkë me fatin diku nxitojmë...”, autorja, që në poezinë e parë, lexuesit i sjell ndërmend se dashuria njeriun e bën të lumtur, bile edhe atëherë kur malli e dhembja vret, edhe atëherë kur ndarja ka peshë hidhërimi dhe pezmatimit, dhe, sikur të gjitha këto bashkë, dashurinë e bëjnë edhe më të fuqishme dhe e çelikosin për të ecur gjithnjë me dinjitet dhe vertikalisht. Andaj, edhe në këtë aspekt, autorja në këtë libër, vargun e dashurisë e shndërron në pelegrin mbase edhe në studiues dhe pedagog e këshillues për të përkëdhelur dhe mikluar dashurinë edhe atëherë kur ajo ndoshta e ka ecjen pa kthim koke prapa. Andaj, madhështia e shpirtit të dashuruar e ka veçantinë e njerëzores dhe nëse mund të thuhet edhe të mbi natyrës, sa që të gjitha hedhen me një anë, që vetëm dashuria të triumfojë së bashku me arsyen e njerëzores. Në këtë aspekt, kujtoj se me tërë këtë konstatim puthiten më së miri vargjet e poezisë, Sot dua të pi kafe me ty”: “Thjeshtë dua të pi kafe/Me diellin e syve ty /Me fytyrën flakëruese/Me buzëqeshjen tënde/Me shpirtin e shenjtëruar/Me madhështinë e shijes së kafesë/Sot dua të jem me ty!/Ti je shija e kafesë/Më dhuro pak grimca/Të mirësisë e shpirtin tuaj/Më rrezato trishtimin/Japi ngjyrë kafe hidhërimit/E ngrohe shpirtin”! E, tërë këtë madhështi me të cilën disponon autorja, atë gjerdanin e poetik, por mu vargjet e sipërpërmendura, i arsyeton dhe i dëshmon, se fuqia e dashurisë nuk njeh vetëm kufij por nuk njeh as nuk i pranon as hidhërimet, as ndarje, as xhelozitë, të cilat, kuptohet, të gjitha këto ndodhin në rrugëtimin jetësor tek të gjithë njerëzit. Pra, edhe kjo është një fildish jete, sepse: “Ecim mes ëndrrave dhe dëshirave/Shpesh përflakim veten  me to/T’i mbledhim rrezet ta bëjmë një diell/Presim t’i shohim yjet/Yjet na shohin ndryshe/E ditët zhveshin e vjelin besimin/Ngjajmë si pyjet pa gjethe

Jeta si stuhi deti/Lundrojmë mes tallazeve/Ëndrrat qeshin/Shtrëngojmë duart e lutem drejt qiellit/Se rrugëtimi është sa një frymëmarrje”(Poezia: “Yjet na shohin ndryshe”).

S’ka dyshim se madhështia e vargut te libri “Do vij me hijen e erës” të Ajne Ibërhysaj, dëshmon edhe sensin krijues, por edhe për filozofinë e vargut urtak dhe gjithsesi dinjitoz, atëherë kur madhështia dhe arsyeja vargëzuese e bëjnë edhe lexuesin për të lakmuar tek të gjitha këto veçori e virtyte të autores: “I dashur/Nëse një ditë vi tek ti/Ma puth lotin mbi qerpik/Ma shtrëngo dorën në faqe/Syrit m’i dhuro filiz pranvere/Miqësohu edhe ti me borën/E në atë ditë/Kujtimet do vallëzojnë/Me valsin e jetës/Atëherë zjarri do ketë pushuar/Unë do vi me hijen erës/Lehtas do shkel mbi gjethe fjale/Mos u friko/Nuk të trazoj as nuk t’i zgjoi ëndrrat/Edhe yjet në qiell të qetë do i le”(Poezia: “Ti je vals, rebel i shpirtit...”).

Dhe lumi i jetës ecën me gjithë gurgullimën, vërshimet dhe përplasjet e veta, e që në vargje, autorja na preferon se gjitha në rrugëtim edhe nëse ndonjëherë nuk është normal, ai prapëseprapë është normal, sepse, jeta ecën si lumë. Për këtë, ndoshta, si njëfarë vule e tërë asaj që njeriut ia bën jetën të lumtur edhe atëherë kur për momentin sikur qelën e mbyllen dyert e ëndrrave, e që edhe portat bashkojnë urat, reflektojnë vargjet: Dimër në shpirt/Me ëndrra të brishta/Me dete në mes/E me tallaze vale/Të huaj u bëmë/Ikja jote/Dhimbjen ma zgjoi/Eh… ardhja jote/Si gjethe vjeshte më gjeti/Flas me kujtimet/E sytë m’i zhveshin/Jemi bërë të huaj/U pleqëruam me mall/A ka mbetur diçka mes nesh!”(Poezia: “U pleqëruam me mall”).

Por këndimi poetik bëhet edhe më i fuqishëm dhe shumë domethënës në aspektin e asaj se dashuria ndërton e krijon çudira, por edhe bën matematikë njerëzore, e cila hapë rrugët e të gjitha mundësive për tu qetësuar dhe prehur shpirti në atë që e synon. Pra, autorja kurrë nuk dorëzohet por as edhe nuk rebelohet duke e mbajtur në kontroll arsyen dhe njerëzoren me të cilën duhet të disponojë secili njeri. Në këtë rast, ajo edhe qetë edhe përbrenda vetvetes zjarrmishëm vargëzon: “Mëkat që godet shpirtin/Vret e mbetesh hero/Me dhembjen e ëmbël/Ti vret e godet/Plagën e vjetër/Ti ngjan me shirat/Përflakë e freskon me fjalë...”, ose: “Ti je mëkati më i ëmbël/Më mëshiron e ikën/Pastaj qetësisht vjen/Më rrëmben e më ndezë/Më ngushëllon e bekon/Lehtas më pushton/Më përqafon e përqafon/Deri sa më ikën inati”(Poezia: “Ti je mëkati im...”).

Kur bie shi e ndiej lotin e Zeusit...!

Ajne Ibërhysaj, që deri me tash ka botuar një mori poezish, edhe në këtë libër njeriun e çmon dhe e respekton në të gjitha aspektet, andaj, edhe me vargjet e saja duket si të jetë e shenjtë, veçmas kur femra është në pyetje, e cila edhe tek ne mbase edhe në botë, ende nuk e ka vendin, të themi, plotësisht të shenjtë. Pikërisht për këtë arsye, autorja ja se si vargëzon për femrën: “Në një milion yje/Ti shkëlqen e fal mirësinë e dritës/Je mëngjesi i rrëzës së syrit/Je aroma e përqafimit/Dhuron jetë e jetë kërkon/Krijon degë lumit, etja të mundon/Zjarr e ke udhën e  flakën e lufton/Grua/Para teje përkulën edhe engjëjt/Je rrugëtimi i mëkatit të Krishtit/Emër i shkruar në harkun triumfit/Me ty fillon shenjtëria e jetës/Grua/Je hyjnia që Zoti ia dhuroi tokës!”(Poezia: “Grua”).

Zjarrmi të ngjashme shpirti e mendjeje kanë edhe poezitë, “Ëndrrat t’i trazoj”, “Ti prekë si hark që vret”, “Dashuri, Ti gënjeshtër e ëmbël”, “Më prano ashtu siç jam”, “Qëndro me veten tënde”, “Ç’elegancë la fati i syve tu” etj.

Në ciklin e tretë “Të përqafohemi me diellin”, autorja nuk i ndahet temës e cila poetët por edhe të gjithë njerëzit në botë, nëpër shekuj e kanë shprehur, ndërtuar, rrënuar mbase edhe ri rrënuar, atë dashurinë universale, e cila njerëzit i mbanë me shpresa por edhe u japë fuqi për të bërë të lumtur jetën dhe gjithçka që na rrethon. T’i veçojmë vargjet kushtuar duarve të nënës: Tokë e njomur me lot e fjalë/Bekon dritën e rrezet e diellit/Duart e nënës si eshkë e ndezur/Çdo zemër njomin me vesën e mëngjesit”, ose vargjet: Etja shuhet me lotin e fjalës/Dehet me shijen e pritjes/Ndizet  me çmendurin e ikjes/Shtohet me dhembjen e viteve”.

Është interesant se në këtë libër, autorja në forma të ndryshme e vë në spikamë çdo detal që lidhet me atdheun, me kombin, me vendlindjen, me historinë, me krenarinë dhe vuajtjet, gjëra këto që reflektojnë bagazhin e intelektit, të përgjegjësisë dhe të dashurisë për të gjitha historitë që i ka mësuar, që i ka përjetuar dhe nuk i harron as ajo, si për shembull: “Dikur me burra të fjalës/Me kuvende të shënuara në histori/Sofra e begatonte syrin/Oda shpërndante dituri” (Poezia: “Kulla”).

Dhe, se sa ka përgjegjësi ndaj vargut dhe temës që shtjellon, kuptohet, me ndijimin e posaçëm, ajo thotë me një metaforë shumëdimensionale, se: “Kur bie shi e ndiej lotin e Zeusit”, duke shtuar se, “Shpirti si qerre druri trokëllinë e i bartë dhimbjet”!

Në ciklin e katërt, Kombi im m’i ngrohë dejtë e gjakut”, Ajne Ibërhysaj, ligjëron për shumë vende historike, si: Gryka e Deçanit, fshati Belle, Lumbardhi, për ashtin Dardan, pastaj për Valbonën, për Çamërinë, për kombin, e që të gjitha këto e dëshmojnë personalitetin e spikatur të autores, dhe se atdheu për të sikurse edhe për të gjithë është ashtë që nuk kalbet, është lapidar që përjetësisht rri vertikalisht si dëshmi e shekujve dhe për shekujt. Këtë begati krijuese le ta dëshmojmë edhe me vargjet: “Kombi im/Të kam si shtjellë ajri/Ma mbështjellë e drithëron trupin/Trete errësirën e shndrite qiellin/Kombi im/Të kam diell/M’i ngrohë dejtë e gjakut/Nga hiri njomesh e mban bajrakun/Kombi im/Të kam rreze drite/Gjallëron shpirtin...”(Poezia: “Kombi im...””), ose: “Sytë e tu e blerojnë edhe shiun e pranverës/E mbron çdo pëllëmbë/Me syrin e dëshmorit/Atdhe/Ti je harta e zemrës/Ti je tmerri i djajve/Sikur shekujt e koha/T’i bartin dhimbjet/Vendi im tokë e diellit/E djep i humanizmit”(Poezia: “Vendi im”).

Dhe krejt në fund, autorja shkruan edhe baladë për poetin, sepse, ai e ka peshën e shpirtit, e ka vlerën e historisë së kulturës. Ja, çfarë thotë ajo në mes tjerash: “Balada e poetit e ka frymën e secilit njeri/Syri e ka etjen e vargu i bëhet shigjetë/Çdo shkronjë e brumos me frymën e gjakut/Guri i bëhet i butë e koka i dhemb nga jastëku/Acari ia lëndon damarët e zogjtë e shoqërojnë/Nga gjaku i lind poezia e pastaj shpirti i qan/Dhimbjet i bën peizazh dashurie/Vajin e fëmijëve e qëndis me fjalë perëndie...”(Poezia: “Balada e poetit”).

Libri “Do vij me hijen e erës” i Ajne Ibërhysaj, vërtetë është si një almanak i dashurisë, që njeriu me besnikërinë e shpirtit dhe të mendjes e shpërfaq për jetën, për njeriun dhe për kombin e atdheun, dhe si i tillë begaton letrat shqiptare. Prandaj, edhe këtë shkrim dua të përfundoj me këto vargje nga poezia “Balada e poetit”: “Balada e poetit e ka frymën e secilit njeri/Syri e ka etjen e vargu i bëhet shigjetë/Çdo shkronjë e brumos me frymën e gjakut/Guri i bëhet i butë e koka i dhemb nga jastëku/Acari ia lëndon damarët e zogjtë e shoqërojnë/Nga gjaku i lind poezia e pastaj shpirti i qan/Dhimbjet i bën peizazh dashurie/Vajin e fëmijëve e qëndis me fjalë perëndie”!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora