Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Moza Boletini: Viktimë pa faj!

| E merkure, 29.07.2020, 08:21 PM |


Viktimë pa faj!

Nga Moza Boletini

Gratë nuk duhet të njësohen si skllave të kohës së obskurantizmit e inkuzicionit, pasi "Për të njohur shkallën e zhvillimit shoqëror, duhet parë niveli i jetesës së grave dhe të drejtat që ato gëzojnë"

Edhe pse një grua e divorcuar me urdhër mbrojtje nga policia e vendit, përsëri bie viktimë dhunës nga burrat e pandërgjegjshëm në Shqipëri. Sipas medias atje po ndodhin ngjarje tepër tronditëse jo vetëm për personin e dëmtuar, por gjithë shoqërinë, si vrasje, prerje me thika, hedhje nga dritarja e ballkoni të grave nga bashkëshortët etj. Rasti më i fundit është i futbollistit shqiptar, i cili hyn në banesën e ish gruas dhe e dhunon për vdekje.

Ngjarje të tilla të rënda kemi patur e siç shihet do të ketë përsëri. Kur ish gruas me urdhër mbrojtje, i futet në banesë me dhunë ish bashkëshorti, e godet, dhunon dhe del i paqmë me një dënim të lehtë nga gjykata, Tragjedia vazhdon. Ai nxjerr dëshmitarë të rremë, që justifikojnë kriminelin sikur të jetë njeri i qetë, miqësor, pa probleme, i dashur i rregullt me familjen, gruan, fëmijët, apo fakte të tjera lehtësuese. Pra edhe pse bën krimin përsëri "justifikohet" për të dalë i pafajshëm! Por pasojat, problemet e dhimbjet e plagëve në trup i përjeton Viktima Pa Faj, fëmijët dhe aspak autori i krimit.

Policia e ndalon futbollistin dhe gjykata e dënon me gjashtë muaj burg. Mendojmë se nuk është një vendim i drejtë, pasi të dhunosh e të tentosh ti marrësh jetën dikujt është e pafalshme dhe një mos korrektësi nga ana e gjykatës. Ligjet dhe vendimet gjyqësore nuk duhen të zbatohen atje sapër të kaluar rradhën, por të jenë të ashpra, të forta ashtu siç është edhe dora e kriminelit, që godet, vret padrejtësisht një femër, një nënë, një grua të pambrojtur.

Skandal e shokues është abuzimi seksual i vajzës 15 vjeçare në Kamëz, që përdhunohet, lihet shtatëzënë nga një mashkull ordiner e qënie jo humane.

Organizata e Gruas "Shpresë & Paqe" në SHBA, falenderon Presidentin e Shqipërisë Z. Ilir Meta për mbështetjen që i ka dhënë grave të vrara e të dhunuara me vendimet e orientimet e Tij - legjislative e të drejta, si dhe Kryetarin e Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj për ndihmat konkrete që i ka ofruar viktimave të dhunës e familjeve të tyre për strehim, shkollim e mbijetesë.

Gratë janë burimi i jetës, janë rrënjët që ushqejnë njerëzimin. Gratë nuk duhet të njësohen si skllave të kohës së obskurantizmit e inkuzicionit. Kanë thënë se: "Për të njohur shkallën e zhvillimit shoqëror, duhet parë niveli i jetesës së grave dhe të drejtat që ato gëzojnë.

Ndërsa Viktor Hygoi ka thënë: "Gruaja na robëron jo vetëm me bukurinë e saj fizike, por edhe me zgjuarsinë e shpirtin e saj".

SHBA, Korrik 2020