Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmire Duraku: Gjashtëdhjetë vjet më vonë

| E marte, 28.07.2020, 06:17 PM |


Gjashtëdhjetë vjet më vonë

(Nexhat Halimi,“I vetëm në mal”, botoi Shtëpia Botuese “Fad”  Prishtinë, 2020)

Nga Fatmire Duraku

Libri i sapo botuar me tregime për fëmijë “I vetëm në mal”,i autorit tashmë të shquar Nexhat Halimi, kompozohet nga ka disa tregime, të cilat shfletohen përmes një të moshuari dhe rrëfejnë për inserte të ndryshme të jetës në fshatin Duminicë të Llapit. Fjala është për pasardhësin e një të ikuri nga Toplica, nga toka shqiptare e pushtuar nga forcat serbe dhe për ëndrrën e kthimit një ditë në truallin e vet, ku i kanë mbetur të gjitha, bashkë me varret e të parëve të vet. Ai, vite më parë shpërngulet nga vendlindja e vet Dumnica dhe për gjashtëdhjetë vjet nuk shihet më ne tokën në të cilën e ka kaluar fëmijërinë. Ndërkohë niset me një ekip të Televizionit të Kosovës nga Prishtina për të xhiruar një dokumentar lidhur me disa inserte nga fëmijëria e tij. Gjatë xhirimit të emisionet hasë në shumë befasi. Gjëja e parë e cila i lë përshtypje befasuese është takimi me njeriun, i cili krasit disa degë pemësh me sharrë. Kjo gjë e pengon xhirimin dhe personazhi i tregimit mësyn nga burri me sharrë, t`i kërkojë të hesht për pak kohë. Ecin të dy nga njëri tjetri dhe ndërkohë zgjohet kujtimi i tyre i hershëm…

-A ti je Guri, më thuaj?

-Po, unë… E ti?

Njihen me njëri tjetrin të njohurit e vjetër dhe zgjojnë mallin kaq vjet të mbetur në korniza të harrimit. Natyrisht, kjo ngjet gjashtëdhjetë vjet prej kohës që nuk janë parë. Ai e njeh dhe me habinë e krijuar aty, personazhi xhiron insertin e shtëpisë së vet të mbetur aty gërmadhë, që pastaj të niset të shkojë në shkollën e fshatit, ku ka mësuar me kohanikët e vet. Natyrisht, shokët e shoqet e atëhershme nuk janë më dhe nuk është as mësuesi, patrioti i shquar, i cili përkundër vështirësive ua ka mësuar Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Me nxënësit, që tashmë mësojnë në atë shkollë, ai lidhet me hijen e mësuesit të vet, përmes një poezie që i ka kushtuar…

Leximi i vargjeve të tij përcillet me lot

Yjet

(Mësuesit tim të parë, patriotit,

Azem Beqiraj)

Ende te dritarja e klasës i ndrit syri lot.

-Ç`i dhemb mësuesit, - shikojmë me habi.

Jashtë bën ftohtë, kojrrilat ikin në largësi.

Ai ec mes nesh, çel udhë të reja në botë.

Këmishë-blu, në rroba të zeza e kravatë.

- Dijen s` mund t`ua rrëmbejë askush dot,

As me zinxhirë, as me shpatë. Është Kot.

Ec mes nesh, kaq i ri, i pashëm e i gjatë

Prapë nga dritarja shikon diku, harrohet.

Unë nga shoku i vjedh detyrat e shtëpisë.

- Halimi, - më përmend zëri nga afrohet.

- Asgjë s`të ndrit po s`qe aty dhe truri yt!

Pa kokë e gjak nuk ecet te pema e diturisë.

Qielli do të qe veç një skëterrë pa yj`t.

Kryepersonazhi pas leximit të poezisë del i përlotur nga oborri i shkollës. Kalon përbri varreve te vjetra dhe ndalet në urë. Përpara e kishte atëherë e tash tërë gjatësinë e mbushur me lule të xhenetit, të cilat i ecte në fëmijëri e lodhej duke kaluar në kërcim të plotë me kënaqësinë, nga njëra lule te tjetra. Natyrisht dhe tash do të bëj përpjekje të krijojë një tufë, siç ngjante në fëmijëri, e t`ia dërgoja nënës në shtëpi. Ajo i fuste në një gotë me ujë dhe ato e ruanin për një javë aromën e këndshme të Dumnicës . “Ja, tashmë, zot,  nuk është as nëna dhe as qe koha e luleve të xhenetit, vetëm unë në mall të pashuar i paramendoj dhe fluturoj mbi to, mbi secilën veç e veç. Fluturoja, fluturoja, fluturoja dhe arrija te kënaqësia e paparë udhës së gjatë të jetës”, thotë në një fragment të tregimit autori.

Një libër me tregime te realizuara në mënyrë mjeshtërore është kënaqësi të bie në duart e lexuesve të vegjël dhe të rinjve, të mësojnë më shumë për historinë e pashkruar të të ikurve nga Toplica dhe mallin e përhershëm që kanë për të, për tokën dhe varret që i kanë gjithnjë atje.

Libri i ka 68 faqe dhe është i ilustruar.