E premte, 29.03.2024, 12:50 PM (GMT)

Faleminderit

Vilhelme Vrana Haxhiraj: Në 100 vjetorin e lindjes së Arshi Pipës Elitë e mohuar

E marte, 28.07.2020, 06:31 PM


Në 100 vjetorin e lindjes së Arshi Pipës (1920-1997), Elitë e mohuar

Prof. Dr. Arshi Pipa ishte akademik, pedagog i filozofisë dhe i gjuhëve fërngjisht dhe italisht,  poet, studiues, albanolog, folklorist, linguist, përkthyes, botues , i cili sot, më  28 korrik, 2020,  ka 100 vjetorin e lindjes

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Arshi Pipa është nderuar me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe “Qytetar Nderi”i Shkodrës. Lindi në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut nga Libohova dhe Hatixhe Sumës nga Shkodra. I ati, Nuriu ishte jurist i diplomuar në Stamboll. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishte jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër. Profesionin e tij ( jurist) ia dha djalit tjetër, vëlla me baba, Myzaferit. Arshiu, kishte dhe katër motra: Nedreti,Fehimeja   Bedrija dhe Gjyltere.

Arsimin fillestar e mori në Kolegjin Saverian e më pas 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës dega klasike, që e përfundoi më1938. Nën kujdesin e të atit, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë "Në lamën e luftës" fitoi çmimin e tretë në një konkurs poetik nga e përkohshmja "Cirka". Më pas studioi Letërsi e FilozofiUniversitetin e Firences. Me disertacionin “Morali dhe feja tek Bergson” u diplomua më 1942.

U kthye në Shqipëri e dha mësim në shkollat e mesme të Tiranës e Durrësit(1941-1946). Kur Lidhja e shkrimtarëve dhe nisi botimin e organit "Bota e Re", Arshi Pipa dhe Mitrush Kuteli  ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi Skënder Luarasi. Në kujtim të Migjenit bëri një shkrim që s’i pëlqeu partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës(Tiranë) lexoi "Këngën e Pleshtit" të Gëtes (Goethes) me të cilën thumbonte Shemsi Totozanin. Ky ishte shkaku që Pipën e transferuan me punë në Durrës. Atje lexon poezinë me titull "Bushtra". Në mbrëmjen poetike të 27 prill 1946 në Tiranë, ku pranë kishteNako Spirun, të cilin s’e njihte, arrestohet dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet- më 20 dhjetor 1947. Kur i dhanë dënimin me 20 vjet heqje lirie, mësoi për vdekjen tragjike të të vëllait, Myzafer Pipa (avokat). vo:Vivra,“Tradhtia e Madhe ndaj Kombit” f.82, Nacional,Tiranë 2018).

Arshi Pipa vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (genocidit komunist), në (Durrës,Vloçisht, Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj). Arshiu veç punës së detyruar, jepte mësime në letërsi, filozofi dhe në gjuhë, si dhe shkroi 2 libra. Familjen e përndoqën nga shtëpia, ku gjatë shpërnguljes i vdes i ati.

U lirua më 26 prill 1956 dhe në fundverën 1957 u arratis me një nga 4 motrat, Fehimen. Kërkuan strehim në Sarajevë deri më 1958, nga ku emigroi në ShBA. Punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut 2 vite.Më 1960 u emërua në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku jepte filozofi. Pasi e spikatën si njohës të thellë të italishtes, vitin e dytë akademik, drejtoi katedrën e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë”. Ndërkohë jepte dhe mësim filozofie, në “Kolegjin e Arteve të Lira”gjatë verës 1961 dhe ’62). Ka qenë pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City. Gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira po aty.

Në vitet në vazhdim dha lëndën e  filozofisë në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley. Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohur si “Free speech movement” (Lëvizja e fjalës së lirë) Ai u bë një kritik i paanshëm i politikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane.

Arshiu ishte programues i Temave, (diplomat për master dhe disertacionet e PhD) u shkruan dhe u aprovuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington D.C., pranë së motrës.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuan lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithmonë, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këtë kohë, si dhe mendimet e tij për përparimin e saj, ai i shprehu, së pari, në gazetën “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nëntorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botua në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Arshiu ka dhënë përcaktimin më të saktë dhe më të bukur për Vatrën: Vatra është një monument poetic i vetëdijes dhe poetikës kombëtare”. Ai ka shkruar me dhimbje kraharori për gjendjen e mjeruar të “Vatrës” dhe ka vlerësuar lart prestigjin e saj ndaj organizatat e  tjera të diasporës. Kjo i jepte mundësi e avantazh që t’i asaj bëjë një shërbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë më të madhe nëse Vatra mban një qëndrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”.Ndërhyrja e saj, shkruen Pipa, është sidomos e rëndësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cënohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit :zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkruar me hollësi për to.

Vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C.

Veprat:

Poezi:Vëllim poetik “Lundërtarët”,1944; “Libri i burgut” 1959, Romë; (i shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar);*“Rusha” 1968, Munich; *“Meridiana”, antologjinë poetike, Munich,1969; “Preludet”, i shkroi në Firence, i botoi në Tiranë 1941).

Përkthime:Pipa ka lënë një pasuri me përkthime poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Në një vit qëndrimi refugjat në Jugosllavi përktheu vëllimin poetik “Lyrika Latine”, (250 fq. në dorëshkrim), si dhe një vëllim poetik i shkruar në tri gjuhë evropiane me titull “Autobiografia”.

Albanologji dhe kritikë letrare:

Veprimtari të gjerë ka lënë në hapësirën shkencore rreth kritikës letrare. Gjatë vitëve në Sh.B.A. botoi veprën “Trilogia Albanica”(1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”( Vargu Folklorik Shqiptar), “Hieronymos De Rada ”( Jeronim De Rada) dhe “Albanian Literaturë”: Social Perspectives”( (Letërsia Shqiptare: Perspektiva Sociale),me 900 faqe me përsiatje albanologjike origjinale.

Më 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, (Letërsia bashkëkohore shqiptare)për të cilën studiuesi arbëresh Italo Kostante Fortino, ka thënë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përmban një kontribut të parë( të vyer) ... për një rend të ri që duhet të vendoset në letërsinë dhe në radhë të parë, në kritikën letrare”.Shumë studime për letërsinë, kulturën shqiptare dhe arbëreshe, që i  ka botuar në shtypin e huaj si në organet :(“Evropa Juglindore "," Gazeta e Ballkanologjisë "," Studime Krahasuese të Letërsisë "," Libra jashtë vendit “; Revista e Leksioneve Moderne dhe Krahasuese " “ Bota e Punës”), Ka botuar artikuj studimorë për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botuar në revistat e huaja shkencore si “Italica” dhe të sipërshkruarat.

Vepra më e vyer në këtë fushë është “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyer në italisht e shqip. Me vlerësimin objektiv të poezisë së Morales në këtë vepër,ai e rreshtoi veten ndër studiuesit botërorë, pasi ka vënë në dukje ndikimin e Dantes në poezinë e Montales.

Në Estetikë dhe Filozofi, si trashëgimi shkencore ka lënë disertacionin mbi filozofinë e Bergsonit, dhe artikuj studimorë dhe referate shkencore të mbajtura në konferenca e kongrese nd/kombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj. Ka lënë dorëshkrim veprën filozofike “La mia concezione sulla vita”(Koncepti im i jetës).

Një vlerë është puna e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikës dhe gjuhësisë. Në burg përgatiti një vepër folklorike ( fjalë të mbledhura nga të burgosurit), rreth 420 faqe të daktilografikuara, me një hyrje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzua Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjëndet.

Të botuara në fushën e folklorit janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre”,1978; (Vargu Folklorik Shqiptar: Struktura dhe Lloji "(1978);dhe “Politics of Language in Socialist Albania”,1989;( " Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste").

Analizën e eposit të kreshnikëve tanë, Pipa e ka paraqitur në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”(Ciklet epike serbe dhe shqiptaro-kufitare”), 1984 në vëllimin “Studies on Kosova”, (“Studime mbi Kosovën”).Në veprën “Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste”, merret me problemin e standartin ( normat) e gjuhës sonë letrare, të vendosur në një forum, ku liria e fjalës përbënte sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mbërrin në përfundimin që “gjuha e njësuar’ nuk është as e njësuar, as e përbashkët, as kombëtare; ajo është një variant toskërishte e arnuar me disa huazime fonetike nga gegërishtja letrare, të cilat i mungonin strukturës së toskërishtes”.

Shqetësimet e tij për gjendjen në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë trojet shqiptare dhe e ardhmja e tyre, i ka shprehur në librin “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”1990, (“Stalinzmi shqiptar.Aspektet Ideopolitike”) përmbledhje e  publicistikës me karakter politik, të botuara në shtypin periodik shqiptar të diasporës dhe atë amerikan (1958-1989), si dhe te “ Dielli” dhe Vatra ( 1991-1992), ku ishte botues dhe kryetar i saj.

Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vitin 1944, në moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”. në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqërojë atë gjithnjë më vonë, kur do të shkruaj veprat madhore në këtë fushë. Në të shkruhej për kulmet e letërsisë e kulturës shqiptare, me autorët,  si Noli, Konica, Migjeni. Eseja e Pipës për Konicën atë e paraqet si një kritik të kategorisë së parë. Në vitet 1945-46, ishte anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Më 1987,është  anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos” (Kaliforni).

Në vitin 1990, nisi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Criticism”, (Një revistë tremujore e hulumtimit dhe kritikës albanologjike), me vlera të mëdha shkencore, e cila pas 3 muaj u mbyll për mungesë finance. Aty u botuan artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohur shqiptarë e të huaj si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çështjes shqiptare në të gjitha trojet tona qe qëllimi i revistës. Numri i parë iu kushtua “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizatua harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipërisë. Si atdhetar i vërtetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashpër veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolën në skenë pas vitit 1990.

Pipa ka ndjekur zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan.  Për ndryshimet në Shqipëri ai u ka dërguar letra personaliteteve më të larta të administratës amerikane, ka folur në “Zërin e Amerikës”, ka dhënë intervista, etj. Ai ka sugjeruar platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshiu, me dëshirën përvëluese për ta parë Shqipërinë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çliruara dhe të bashkuara me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujërat e detit Adriatik.

Nderime e vlerësime:

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”.

Busti i tij në Bronx qëndron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit  Shkodër. Kultura shqiptare, ku ende  tonin ia përcaktojnë akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyre, e ka të vështirë të pranojë si një vlerë kombëtare, si një elitë e kombit, një personalitet të tillë si Pipa, sepse e kanë demaskuar dhe mohuar një jetë të tërë. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora