E marte, 31.03.2020, 07:48 AM (GMT+1)

Komente

Bollano e bën Skënderbeun grekun “Jorgji”, Presidenti Moisiu e ka bërë serb

E merkure, 04.07.2007, 08:05 PM


Ditët e fundit në mediat shqiptare është diskutuar skandali i radhës i kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili në faqen në internet të Bashkisë së Himarës, e quan Heroin Nacional Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeun me emrin “Jorgji”, që është forma greke e emrit “Gjergj”.Dihet se Heroin Nacional Shqiptar kanë dashur të na e vjedhin grekët dhe serbët. Ekspedienti që kanë dashur të përdorin ata për ta bërë këtë vjedhje ka qenë feja, pasi dihet që grekët dhe serbët e quajnë serb, respektivisht serb, atë që ndjek fenë ortodokse të ritit bizantin apo sllavon. Duke e paraqitur Skënderbeun si të fesë ortodokse, të ritit bizantin (grekët), si dhe të fesë ortodokse të ritit sllavon (serbët), ata kanë dashur ta përvetësojnë atë duke e quajtur grek, respektivisht serb. Në bazë të këtyre teorive është pretendimi se Skënderbeu ka qenë grek ka si pikënisje pretendimin se ai ka qenë i fesë ortodokse. Presidenti Moisiu, në fjalimin që mbajti në Oxford, në nëntor 2005, doli si mbështetës i teorisë serbe, duke e quajtur Skënderbeun të krishterë ortodoks të ritit sllavon (serb). Moisiu u shpreh në këtë fjalim (citimi bëhet sipas faqes së Presidentit të Republikës on-line ku fjalimi është i disponueshëm): «Vetë figura e Gjergj Kastriotit - heroit kombëtar të shqiptarëve-shpreh brenda vetes gjithë thelbin e konvergjencës, ekumenizmit, tolerancës dhe madje edhe pragmatizmit fetar të popullit të vet. U lind në një familje të krishterë të ritit ortodoks sllav; u edukua në oborrin e sulltanit si muhamedan; u bë jeniçer-që do të thotë se u kthye në një besimtar fanatik islam; u kthye në atdheun e vet dhe mori fenë e të parëve; u martua me bijën e një fisniku ortodoks të ritit bizantin dhe shkroi në testamentin e vet se dëshironte të varrosej në një kishë katedrale romane në Lezhë». (cituar sipas faqes së Presidentit të Republikës në Internet: www. President.al) Nuk është e vështirë të kuptohet se këto gjëra kaq të stërholluara nuk kanë dalë nga mendja e Moisiut. Duket qartë se është një dorë shumë djallëzore që i ka formuluar këto teza që paraqiti Presidenti shqiptar në Oxford. Në rreshtat e cituar më lart, Presidenti Moisiu paraqet si të vërteta disa teori të dyshimta të mbrojtura nga historiografia serbe dhe greke. Kështu nuk është një e vërtetë historike e pranuar dhe e dokumentuar se familja e Skënderbeut ishte e krishterë e ritit sllavon (serb). Për këtë çështje ka një pikëpamje tjetër, sipas së cilës, Shqipëria e Veriut ku lindi Skënderbeu, madje edhe një territor shumë i gjerë më në jug i përkiste Kishës Katolike Romane në Mesjetë dhe me Kishën Ortodokse, bizantine apo sllavone, ishte bashkuar vetëm me forcë. E vërteta historike e dokumentuar është që Arbëria, ku lindi Skënderbeu, u rikthye në ritin roman, që në kohën e Principatës së Arbërit të krijuar pas ardhjes të ushtrive perëndimore çlirimtare normane (Principata e Arbërisë u krijua mbi dy shekuj para lindjes së Skënderbeut). Ndërsa kthimi i Arbërisë në ritin ortodoks sllav u bë dhunshëm gjatë okupimit të shkurtër serb, por me përfundimin e tij, Arbëria u rikthye në katolicizëm, në kohën e Principatës së Balshajve, rreth gjysmëshekulli para lindjes së Skënderbeut. Skënderbeu vetë qe katolik dhe vdiq si i tillë. Në shekullin XIV, pas pushtimit serb të Shqipërisë, Kisha Katolike u përndoq në këto territore, që iu bashkuan me dhunë Kishës Serbe. Por me të marrë fund pushtimi serb, pas vdekjes së Stefan Dushanit, pjesa më e madhe e territoreve shqiptare, dhe në mënyrë të pamohueshme Shqipëria e Veriut, por dhe ajo e Mesme, iu bashkuan Kishës së Romës. Balshajt, që ishin zotërit kryesorë feudalë në Shqipërinë e kohës, dihet se u kthyen në fenë katolike dhe kështu bëri dhe pjesa më e madhe e vasalëve të tyre, mes të cilëve ishin dhe Kastriotajt. Pra, edhe familja e Skënderbeut duhet të jetë rikthyer në Kishën Romane dhe për këtë ka të dhëna historike. Gjithsesi, këto gjëra mund të jenë të diskutueshme nga historianët, por është e habitshme dhe e dyshimtë që Presidenti i Shqipërisë mbron tezën serbe për Skënderbeun, kur atë sot e kanë abandonuar edhe pjesa më e madhe e historianëve serbë. Por, gjëja më skandaloze dhe djallëzore në ato që Moisiu tha për Skënderbeun në Oxford, është kur thotë «u kthye në atdheun e vet dhe mori fenë e të parëve», duke e pasur fjalën për largimin e Skënderbeut nga Turqia. Pra, derisa më lart është thënë se Skënderbeu lindi në një familje të ritit ortodoks sllav nënkuptohet se Skënderbeu kur u kthye në Shqipëri për t’u vënë në krye të rezistencës antiturke, me ç’rast braktisi fenë islame në të cilën e kishin kthyer turqit pasi e morën peng, dhe u kthye në fenë e krishtere, kthye në fenë e krishtere të ritit sllavon, pra atë serbe. E vërteta është se Skënderbeu pasi braktisi fenë islame në të cilën e konvertuan me dhunë, pasi e morën peng, dihet se mori fenë e krishterë të ritit roman (katolike). Së pakut për këtë gjë nuk ka dyshime. Kjo është arsyeja që ai, siç thotë edhe Moisiu, kërkoi të varroset në një kishë katolike. Moisiu duhet ta dijë se për varrimet në kisha (kripta), si në ritin katolik, ashtu dhe atë ortodoks, ka rregulla të rrepta dhe ai që varroset atje duhet të ketë fenë së cilës i përket kisha, si dhe t’i ketë marrë të gjitha sakramentet sipas ritit të fesë përkatëse. Pastaj në rast se Skënderbeu nuk do të qe katolik, Papët e Romës nuk do ta quanin Atlet të Krishtit, titull që ata ia jepnin vetëm princave katolikë që luftonin kundër islamikëve. Sa qe gjallë Skënderbeu me këtë titull u quajtën vetëm Huniadi dhe ai. Përse Presidenti Moisiu paraqiti tezën se Skënderbeu është i krishterë i ritit sllav? Kjo nuk ka shpjegim tjetër veç atij se ai me këtë i ka bërë një atentat Heroit Nacional Shqiptar, identitetit shqiptar, vlerave nacionale shqiptare. Duke e quajtur Skënderbeun të krishterë të ritit sllavon Moisiu kërkon ta bëjë Heroin Nacional Shqiptar të papëlqyeshëm për shqiptarët myslimanë të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe malit të Zi, pasi dihet se për ata një i krishterë i ritit ortodoks sllavon është baraz me një sllav, serb apo sllabo-maqedon. Dhe kjo është e vërtetë pasi të gjithë ata shqiptarë që u kthyen në ritin e krishterë ortodoks sllavon e kanë humbur identitetin shqiptar, duke marrë atë sllav. Kështu ka ndodhur me shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, që dikur u kthyen në ritin ortodoks sllavon. Ata sot janë asimiluar dhe nuk janë më shqiptarë. Kur dihet kontributi i Kishës Serbe, që është kishë ortodokse e ritit sllav,në gjenocidin kundër shqiptarëve, si në ideologji ashtu dhe me veprime, t’u thuash shqiptarëve të Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare tej kufirit, se Skënderbeu ka qenë i krishterë i ritit sllav, është njëlloj si t’u thuash se ka qenë serb. Në këto rrethana atyre u thuhet që flamurin shqiptar, që është flamuri i Skënderbeut, ta shohin si flamur serb. Duket qartë se ka një kordinim mes Vasil Bollanos dhe Alfred Moisiut për t’ua grabitur Heroin Nacional Shqiptarëve dhe për t’ua dhënë atë grekëve dhe serbëve, si dhe për të bërë diversion tek shqiptarët që ata të ftohen nga Heroi Nacional. Kjo tregon se Presidenti Moisiu, i cili paguhet nga taksat e shqiptarëve dhe që udhëtoi në Oxford me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë bën lojën e armiqve të shqiptarëve. Presidenti Moisiu, i cili shkrihet fare nga kënaqësia kur flet rusisht me Presidentin Putin, mikun e madh të Serbisë, apo me ambasadorin rus në Tiranë, gjë të cilën e kemi parë edhe në ekranet televizive të Tiranës, duke e quajtur Skënderbeun të krishterë të ritit sllav i bën një kortezi Rusisë dhe indirekt Serbisë. Nuk është rastësi që Moisiu deri edhe zëdhënësen e vet të re e ka me shkollim rus. Ato që tha Presidenti Moisiu në fjalimin e vet në Oxford janë teza të Aurel Plasarit dhe gjenden në librin për Skënderbeun që ky i fundit ka paralajmëruar prej kohësh se do të botojë (pjesë nga i cili janë botuar në shtyp), por që ende nuk po shihet. Kjo tregon se Aurel Plasari është autori i fjalimit që Presidenti Moisiu mbajti në Oxford dhe se në vend që të merret me gjërat për të cilat e paguajnë taksapaguesit shqiptar si drejtues i një institucioni kulturor nacional, merret, ashtu si Moisiu, me gjëra për të cilat normalisht paguajnë serbët dhe grekët. Është ironi e madhe që Presidenti Moisiu, i cili merret me prejardhjen e Skënderbeut, nuk na thotë gjë për origjinën e vet. Ne më shumë dimë për origjinën e Skënderbeut që ka jetuar në shekullin XV, se sa për origjinën e Alfred Moisiut që është bashkëkohësi jonë. Në rast se Presidenti Moisiu i jep të drejtë vetes që të shpallë si të vërteta tezat e dyshimta serbe për identitetin e Skënderbeut, atëherë besoj se na lejohet edhe ne të tjerëve që të paraqesim teza, me shumë më tepër prova, dhe arsyetime më bindëse, për origjinën e vetë Presidentit Moisiu, siç kam bërë unë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT