| E marte, 28.07.2020, 06:21 PM |
PERSIATJE TË PËRSHPIRTSHME
(Studim)
Isak
Ahmeti: “Dritë e përjetësuar”, poezi
Shtëpia
botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2019
Nga
Meti Rexhepi
“Dritë e
përjetësuar”është vëllimi me vjersha të përshpirtshme i poetit, studiuesit të
letërsisë dhe përkthyesit letrar nga gjuhët italiane, gjermane dhe kroate Isak
Ahmeti. Libri të cilit po i referohemi është i katërmbëdhjeti i radhës,
vazhdimësi e vistra librash profilesh e karakteresh të ndryshme: nga poezia
autoriale, përkthime të Salvatore Quasimodos prej italishtes, të lirikës së re
gjermane; më tej studimi “Kleri Katolik Shqiptar”, libra monografish, studim
për Kosovën, libri monografik “Bibla në Letërsinë Shqiptare”, botuar nga
Rilindja, më 1999; duke vijuar me veprën “Letërsia Kishtare dhe Filozofia e
saj”, në Illyricum Sacrum, Prishtinë,2000; “Kur`ani në Letërsinë Shqiptare”,
botim elektronik, Shkoder net, Fjala e Lirë, 2006; qasje studimesh për disa nga veprat e Anton Nikë Berishës dhe shkrime
të tjera...
PROFILI
NJERËZOR
Padyshim Prof.
Isak Ahmeti është një personalitet i njohur jo vetëm në letrat shqipe. Kultura
e tij letrare depërtoi edhe në qarqe e huaja, në revista të faqeve kulturore-artistike,
shkencore në Zagreb, Sarajevë, Shkup, Shkodër, Tiranë e gjetiu. Është fitues i
mirënjohjeve, çmimeve, diplomave, veçmas për t`u theksuar, i Çmimit dhe
Diplomës “Ndre Mjeda” në Kukël dhe i Qendrës të Studimeve Albanologjike në Tiranë, (Kukël, më 23 nëntor
2013).
Prof Isaku me
këshilla dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejta ose të tërthorta kontribuoi, bashkë
me përfaqësuesit e Kishës Katolike Shqiptare, të Ipeshkvisë së Kosovës dhe donatorë
të çmuar për mbarëvajtjen kulturore, kishtare dhe letrare-artistike e muzikore të
manifestimit tradicional gjithëkombëtar “Takimet Dom Mikel Tarabulluzi” në
Stubëll të Epërme, të Komunës së Vitisë.
Isak Ahmeti përfaqëson profilin e intelektualit modern, i pajisur me
kulturë kombëtare dhe evropiane, nëpërmjet komunikimit në italisht, gjermanisht
dhe të gjuhës kroate, si në të folur ashtu dhe në të shkruar. Po ashtu, për ta
njohur Profesor Isakun më gjithanshëm, sjellim të dhënën se ai kishte njohuri
të konsiderueshme për latinishten, një rrethanë për qasje në lashtësinë e
shqipes e të fiseve ilire.
Në çfarë prizmi mund ta paraqesim profilin njerëzor dhe etik të Isak
Ahmetit? Ai është prore i këndshëm për të komunikuar, për të shkëmbyer
pikëpamje me miq, studiues, dashamirë të kulturës e të librit, edhe me nivele
të ndryshme njerëzish, pa imponuar qëndrime e pikëpamje... Ta ka ëndja t`i
shkëmbesh pikëvështrimet për çështje të ndryshme, madje dhe atëherë kur lakoret
e pikëvështrimeve nuk bashkohen në një cak. Duke qenë njohës i filozofisë
biblike, më lejohet të pohoj pa modesti, se profesor Isaku arrin të prekë mendësi
e kode të hershme kishtare, ku vegjetonin variante gjuhësore e kulturore të ilirishtes
pararendëse e shqipes...
Shkuarja e hershme në amshim e gruas së kurorës, Isakut i la zbrazësi...
Megjithatë, Profesor Isak Ahmeti prehjen shpirtërore, pos në libra e shkrime, e
vijoi me trashëgimtarët e frytit të dashurisë... Mosha e tretë e bëri të vetën,
por Prof. Isaku nuk u luhat në asnjë pikëpamje: as njerëzore, as shpirtërore,
as atdhetare.
Mes trekëndëshit të artit të leximit
e të shkrimit, të komunikimit me figura erudite, si Dom Lush Gjergji, Anton
Nikë Berisha dhe të bashkë-fqinjit të tij Sarë Gjergji; udhëtimet në Itali,
vendqëndrimit në Arbon të Zvicrës, personazhi i vijëzimeve të mia Isak Ahmeti
pulson me ritme gjallërie, tej mërzisë, tej rutinës e dinamikës marramendëse të
jetës së sotme.
* * *
“Dritë e përjetësuar” është libri poetik i radhës i Isak Ahmetit, jo me
simbolikën dhe poetikën çfarë e njihnim më parë si lexues këtë poet kërkimtar.
Përderisa në vëllimet e mëparshme poetike “Gallatea”, Rilindja, Prishtinë,
1972; “Uratë zbulimi”, Rilindja, Prishtinë, 1976; “Kushtimebesë”, Rilindja,
Prishtinë, 1983; leximi i poezisë së tij doemos të kërkonte rikthimin,
përqendrimin për lexim zbërthyes të veshjes poetike, për shpalimin e
ngadalshëm, të disahershëm të gjuhës figurative, kontrasteve të fjalësit, të
sistemit figurativ, të reflektimeve ironike, të konceptimeve shumëkahësh, të
ritmikës emocionale dhe farfurisë së ngjyrave e të ideve... Në vëllimin “Dritë
e përjetësuar” edhe pa njohje të alfabetit figurativ, zbërthehet gjithçka me
stilin e një thjeshtësie pothuajse të skajshme në llojin e vet! Kjo qasje
vjershërimit për poetin Isak Ahmeti nuk është as varfëri, as shterje e unit
poetik...
Librin e përshkojnë lutje, lëvdata, psalme, përgjërime, bekime, urata,
shpresë për Zotin e Gjithë-kohës... Koncepti i zgjeruar i dashurisë,
përvujtërisë, i përkushtimit të vogëlsisë së njeriut për madhështinë e trinisë:
Zoti, Perëndia, Hyji. E gjithë kjo ndjeshmëri e përshpirtshme merr shtrirje në
katër cikle: “Më i larti” ka tridhjetë e dy vjersha; “Drita e përjetësuar”
gjashtëmbëdhjetë; “Koha” gjashtë sosh,
ndërsa cikli i katërt “Kuptimi shpirtëror i krijimit”, po aq sa i treti,
gjashtë poezi. Brenda katër ciklesh përfshihen gjashtëdhjetë vjersha, kryesisht
të shkurta, më e gjata “Në emrin tënd” është me njëzet e gjashtë rreshta.
Poetit dhe librit i bën nder vlerësimi përgjithësues e i gjithanshëm i
redaktorit, studiuesit, poetit e romansierit Anton Nikë Berisha.
KONCEPTIMI I TË
MADHËRISHMES
Konceptin e të madhërishmes në vëllimin “Dritë e përjetësuar”, poeti Isak
Ahmeti e nis me përmasën e madhështisë në vjershën “Zot”, të trajtës së
pashquar... Mirëpo, për ta spikatur madhështinë e Zotit, shkallës së pohores
mbiemërore “I madh” , në përmasën përfytyruese të tij, i shton pohimin cilësor duke
lënë të kuptojmë: pse Zoti është i “I madh”, ngase trinia konceptore ngërthen
virtytin dhe diturinë e, dituria e Tij është e pafund:
“I madh je o Zot
i madh virtyti yt
dituria jote
e pafund”
Konceptimi hyrës i përmasave konstatuese, adhuruese, mrekulli-bërësi,vullnet-dhënësi,
mbështjellin tërësinë e këtij vëllimi deri në faqen (88) tetëdhjetë e tetë, me
konstatimin për Zotin e Madhërishëm:
“Ti kohën e mat
vetëm me dashuri
dhe dashuri mbjell”
Dua të nënvizoj disa nga motivet e përshpirtshme të poetit, të cilat
tejkalojnë caqet e lavdërimeve, të lutjeve, të përgjërimeve, të gjendjeve
shpirtërore të ngazëllyera për sigurinë e strehës, për kulmin nën përkujdesje
të Madhërishmit... Aty ku hyn dhe gjen prehjen e përvujtërisë të jetës
kalimtare në të përhershmen e Zotit...
Konceptin e krijimit përkatësisht të Krijuesit të qiellit, të tokës dhe
ngjizjen e njeriut prej Zotit, poeti e trashëgoi nga pararendësit biblikë. Pra,
në këtë rrafsh-shtrirje nuk kemi një pikë-gjetje të re. Këto konceptime që
vijnë nga vargu në varg, mëtojnë të plotësojnë konstatimet e gjithë-shtrirjes
të Zotit dhe, kudo e çfarëdo që është bërë, poeti është i prirë prore të
theksojë ekzistencën e qenies së tij me Zotin, aq sa nuk ngurron ta quaj “Zoti
im.”
Në diskursin e përshpirtshëm, gjithnjë shkallë-shkallë, përplotësohet
koncepti i konstatimeve sipërore:
“Ti
më i larti
më i miri
më i fuqishmi
i plotfuqishmi...”
Në këtë rrethanë shpirtërore le t`i drejtohemi pyetjes: a arrijnë t`ia plotësojnë këto
vargje cilësitë sipërore Zotit, nëse
Ai i Plotfuqishmi do të ishte Një Zot statik?! Assesi! Zoti i konstatimeve supreme, ose si e quan poeti:
“Zoti im
gjithmonë në veprim”
Poeti sheh dhe i sugjeron lexuesit, se qenia e gjithë-shtrirjes të Zotit
është dialektika vepruese e Tij. Duke qenë veprues dhe i pranishëm në vetëdijen
e poetit, ai me dhuntinë e dhuruar nga Zoti,
i thurë urata, psalme, bekime e mirënjohje poetike deri në frymën e fundit,
sikurse e thjeshta dhe e mrekullueshmja Shën Terezë.
Në botën e shfaqjes së ambicieve të sëmura, në trajtat më të paparashikuara
të së keqes së njeriut, e përshpirtshmja e poetit sedër-butë është trazuar,
shqetësuar, dëshpëruar, stresuar dhe zhgënjyer; andaj lutjet e tija të
theksuara janë mundësia e vetme e jehonës shpirtërore drejtuar Zotit:
“Dëgjoje
o Zot
lutjen time
mos lejo të shkatërrohet
shpirti im”
Meqë e kultivon besimin se lutja e
tij shkon në ndjeshmërinë e Zotit, atëherë poetit vetvetiu i rrjedhin burimet e
lëvdatave, të konsideratave për atë që është :
“Mirësia ime e njëmendtë!”
Joshjet, cytjet e pareshtura për ta dashur, për ta adhuruar, për ta
çmuar dhe për t`iu përulur, në
përshkallëzimin e mëtejmë emocional, kurdoherë në pajtim me konceptin fillestar,
janë të shumta dhe gjithë-përfshirëse. Zoti simbol i mbrojtjes të së drejtës,
të qetësisë dhe paqes ndër-njerëzore... Variacionet e vargut të lutjeve nuk
pushojnë... Caku i fundit për shfaqjen e devotshmërisë nuk është ngopja e urisë
materiale, është uria, si thotë poeti, për diçka hyjnore:
“Kam uri
për hirin Tënd
Zoti im
jo për bukë”
Në të gjitha përsiatjet e këtij stili shpirti i padjallëzuar i poetit,
strehën e fundit, shmangien nga
“vorbullat e mbretërisë së djallit” e kërkon dhe, sipas poetit e gjen te Zoti:
“Zoti im
më merr nën mbrojtjen tënde”
Koncepti i madhështisë së Zotit vjen duke i përmbushur përmasat e
Shpëtimtarit kundër së keqes:
“nga e keqja
nga njerëzit ogurzinj
nga ata që shkatërrojnë
dhe përmbysin jetën”
Teksti i lutjes së poetit për shpëtim është i drejtpërdrejtë, lutje para
altarit e jashtë tij, së bashku me sivëllezër e motra tjera. Më tej konceptimit
të poetit nuk mbeten as kategoritë etike dhe estetike: e vërteta dhe e bukura.
Rrumbullakimi i konceptuar i qasjes për Zotin, merr kahe të identifikimit në
thellësi të shpirtit, në marrëdhënien e trashëgimisë së gjakut, në shenjën
identifikuese “Ati im.” Çfarë kemi këtu?
Këtu kemi gjakimin e autorit për afrinë më të madhe gjenetike me Zotin! Kursi i
kësaj qasjeje është brenda vijimësisë së cilësive, të gjithë përmasës të
Madhështisë së Zotit... Zoti jo vetëm ngërthen, por dhe zbërthen shpresa e
përjetësi në vazhdimësi të kohës.
Lutjet, bekimet, lëvdatat, uratat e poetit
për Zotin si Krijuesi i vetëm i gjithësisë, shohim si dalin prej gurrave
të një mendjeje me intelekt të zgjeruar, mendje që reflekton gjithanshëm.
Hapësira reflektuese e poetit është e gjerë; e pasuruar nga përvoja e
kapërcimit nëpër sprova e mynxyra të paperceptueshme, është mjedisi etik dhe etnik i poetit e studiuesit
Isak Ahmeti. Si të përballohet urrejtja e tmerrshme shekullore e një etnie
kundruall etnisë autoktone?! Kush mund ta s`lironte njeriun e flashkët prej
peshës së rëndë të ankthit? Brendia e qenies së brishtë me anë të lutjes, beson fortë se do ta mëshirojë Zoti dhe, t`i shtrijë
dorën e shpëtimit... Ajo dorë ia tumiri lutjen e çiltër shkrim-besimtarit dhe i
dhuroi edhe dashuri! I dhuroi dhuratën më madhështore: dashurinë, dhuratë mbi të cilën ngrihet lumturia njerëzore!
ZOTI SIPAS
MODELIT TË NJERIUT
Koncepti i shtruar në nismë të librit “Dritë e përjetësuar”, do të mbetej i
mangët pa një sërë përbërësish shpirtëror, ekzistencial, etik, filozofik dhe
estetik. Poeti në përfytyrimet e veta ka njëzuar mendësinë, mirësinë,
filozofinë dhe devotshmërinë biblike; shëmbëllesat e flijuara për bamirësi,
përçimin e asaj fryme misionare nëpërmjet engjëjve (apostujve) mes nevojtarëve.
Në kohën bashkëkohore, në shekullin njëzet, sublimë e këtij shëmbëllimi është
pikërisht fryma, frymëmarrja dhe frymë-dhënia e Nënës Terezë, përkatësisht Shën
Terezës sonë.
Përmes shprehjes të përshpirtjes, poeti nuk është thjeshtë në pozitën e një
instrumenti të shfaqjes së ndjesive personale për Madhështinë e Zotit. Çka ka
mësyrë ky poet? Për poetin është jetike depërtimi në thellësi me thjeshtësi...
Depërtimi i lehtë, pa kushtëzime në zonat e ndjeshme, për tumirje parashtresash
prej Zotit! Në këtë mënyrë Madhështia e Zotit zbret në përshpirteni, në
kompleksin e botës minore të njeriut... Çfarë kemi në këtë ndër-njohje? Këtu
kemi shtytjen e ndërsjellë për identifikim, Zoti sipas modelit të njeriut?! Në
këtë kontekst paradoksal ndodhesh mes pikëpyetjes e pikëçuditjes... Poeti
sërish na kthen te koncepti i mirënjohur me përfytyrimet mitike për Zotin:
“Zoti është dashuri
s`ka gjymtyrë
as gjatësi
e pra
në përfytyrimin e tij
na ka bërë”
Koncepti i shëmbëllimit të njeriut me Zotin, te kjo poezi, duket se ngjanë me
panteizmin e Naim Frashërit. Isak Ahmeti ka njohuri për panteizmin, por në
poezinë e kësaj ndjeshmërie nuk ka pamje dualiste. Mbi të gjitha dukuritë, mbi
të gjitha ligjësitë zotëruese janë Ligjet e Zotit, pohojnë vargjet e këtij
poeti. Isak Ahmeti është i vetëdijshëm se poeti bartë shpirtin e qenies
tokësore, ndaj rropatet rrjedhave e shtjellave të jetës qytetare, me të gjitha
rregullat e brishta të qytetërimit lakmitar dhe, kundruall atyre pak të mirave ai has në
ndeshtrasha... Poeti i përket një etnie
të përndjekur e të vetë-ndjekur me fatin kryesisht tragjik... Ai ndjehet
thellësisht mirënjohës për të mirat e përhershme të Zotit:
“dhe e ke shkëputur shpirtin tim
nga thellësia e territ”
Lutja e poetit për tejkalimin e vorbullës i hap shtrirje përmasës
njerëzore:
“Shtrije dorën tënde
Zot
mos lejo
që njerëzimi të rrotullohet nëpër mugëtirë”
KAPËRCIMI I EGOS PËRMES ZOTIT
Disa nga vargjet e këtij vëllimi nuk i shmangen notës këshill-dhënëse,
sikurse te vjersha pesëvargëshe “Këndo shpirti im.” Kategoritë estetike ku
ngjyejnë motivet e këtij libri shpërfaqin Zotin, si një e vërtetë e
përhershme...; gjithashtu dashurinë si një kategori e përjetësuar përjetshëm.
Zoti përfaqëson të mirën, prehjen dhe frymën e pasosur.
Për t`ia rrokur tërësinë, për t`ia dëshmuar e bekuar devotshmërinë,
konceptit të parashtruar të përshpirtjes së Isak Ahmetit, i duhet besimi
gjithë-kohësh në emër dhe për emrin e Zotit, sepse veçse aty, te Ai nuk
shterojnë lumenjtë e “haresë së përjetshme!” Konceptit për njësimin e materies
me gjithësinë, poeti i kundërvë përkufizimin e tij mbi materien:
“Vetëm ti je
gjithçka që është
dhe mbetet”
Në këto përsiatje kategoria absolute e kohës për poetin është krijesë e
Zotit ose latinisht:
“Deus creator omnium.”
“Jashtë saj
nuk gjallon asgjë”
Sa mund të vërej si lexues, poeti Isak Ahmeti në këtë vëllim poetik, nuk u
përqendrua të ndërtojë një botë poetike-metaforike. Ai shprehu përsiatje,
variacione shpirtërore për dhe rreth lajtmotivit të Tej-hapësirës dhe
Tej-kohës; simbolin e të Gjithë-dijshmit, të Gjithë-mëshirshmit, burimin e
jetës, të vërtetës, të ngazëllimit e të lumturisë... Modestia e poetit i lutet
që t`i zbuten dhimbjet dhe përmbushen qëllimet fisnike, të cilat i përmbush pos
vullneti suprem i Zotit!
Meqë poeti u përcaktua për këtë mënyrë shkrimi, aty-këtu hasim vargje që
zgjojnë reflekse artistike, të cilat kapërcejnë nivelet e lutjes, si te vargjet
e vjershës “Nuk e di”, pastaj shfaqje vizionesh poetike-filozofike te vjersha
“Kujtesa”, ose shqiptimi i vizionit të pavdekësisë te “Koha flet për ty”:
“Do të kalojmë nga kjo jetë
në një kohë tjetër”
Jeta shoqërore e cila gjithnjë sjell të papritura: krime, mashtrime,
shthurje, dhunë, streset dhe ankthet, ankthin atomik e biologjik...?! Autorit
mund t`i mbyllen shumë shtigje, por pos njërin nuk ia mbyll askush: strehën te
Zoti, strehën e Zotit. Pikërisht kësaj strehe poeti i shkroi psalmet, uratat,
lutjet, bekimet, lavdërimet... Zgjatja e dorës së Zotit e ndjell mirësinë, e
mbjell frytin...
Përkushtimi kësisoj është në funksion të fisnikërimit të njeriut e
njerëzimit, të katarzës shpirtërore të poetit. Kështu natyrshëm vjen respekti
për krye-personazhin, autorin Isak Ahmeti!
Presim vepra të reja prej muzave të këtij autori!
Gjilan, fund-korriku
2020