E premte, 19.04.2024, 07:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Sadulla Zendeli-Daja: Qoftë e paharruar jeta dhe vepra e Prof. Murat Gecaj

E hene, 27.07.2020, 06:00 PM


QOFTË E PAHARRUAR JETA DHE VEPRA E PROFESOR MURAT GECAJ!

E NDERUAR FAMILJA GECAJ,

E NDERUARA ZONJA KATERINË,

TË NDERUAR MIQ, SHOKË DHE KOLEGË TË PROFESOR MURAT GECAJ!

U dëshpërova shumë kur mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të mikut tim të shtrenjtë prof. Murat Gecaj! Një humbje e madhe për ju si familje, por edhe për ne miqtë dhe kolegët e tij të letrave shqipe.

Prof. Murati gjatë gjithë jetës rrezatoi dhe pasqyroi një karakter miqësor e të sinqertë tek ne kolegët dhe bashkëkombësit shqiptarë, duke përcjellë nëpërmjet veprës së tij vlera të rralla shembullore e njerëzore. Ai është autor veprash të spikatura me karakter arsimorë,  gjuhësorë, kulturorë, publicistikë dhe atdhetarë. Vlera e tyre ka kohë që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë Mëmë, duke rrezatuar suksesshëm në të gjithë diasporën shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Nëpërmjet artikujve dhe studimeve të tija mbresëlënëse, ai  ka krijuar për të gjithë lexuesit vizione për jetën dhe të ardhmen, për t`i shërbyer sa më mirë  kulturës sonë kombëtare, gjuhësisë shqiptare dhe publicistikës, që ishte dhe mbeti deri në fund fusha e tij e parapëlqyer e që ai kushtoi vëmendjen më të madhe.

Prof. Murati është nga të parët gazetarë shqiptarë që shkoi menjëherë në Kosovën e çliruar dhe solli prej andej përjetimet e tij reale, të vërteta dhe të spikatura, të cilat  pasqyronin luftën e madhe çlirimtare të Kosovës për pavarësi dhe demokraci, por edhe realizimin e ëndrrave të popullit shqiptarë për një të ardhme të ndritur, të bashkuar në një flamur e në një komb të vetëm.

Ai përjetësoi në artikuj dhe studime emra, episode  dhe ngjarje të mëdha të asaj lufte të madhe heroike; portretizoi luftëtarë  dhe atdhetarë, figura të penës dhe të pushkës, por edhe njerëz të artiti dhe të kulturës shqiptare. Këtë ai e ka bërë jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe Çamëri, edhe duke shkuar vetë me kolegë të tij në këto troje, por edhe duke përcjellë me artikuj dhe shkrime përpjekjet e tyre për gjuhën shqipe, kulturën dhe atdhetarizmin shqiptar.

Vlerat e prof. Muratit janë të njohura veçanërisht në fushën e arsimit, ku ai kryente  me përkushtim dhe zotësi edhe detyrën e  Sekretarit të Përgjithshëm të Arsimtarëve të Shqipërisë. Ndërkaq janë të njohura veprat e tij me temë gjuhësinë shqiptare, kontributi dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Drejtëshkrimit, por janë me po aq vlera edhe portretizimi e jetëshkrimi i figurave të mëdha kombëtare të rilindësave tanë të mëdhenj, ashtu dhe të personaliteteve akademikë të shekullit të kaluar dhe deri të ditëve të sotme. Sikurse ishte e ndjeshme vitet e fundit edhe ndihmesa e tij në portretizimin e femrave krijuese në Shqipëri, Kosovë e kudo në trojet shqiptare dhe diasporë.

Që kur  e njoha prof. Muratin dhe  gjatë gjithë kohës, ai  ishte dhe mbeti për mua ndër miqtë e rrallë, njëri me botë të madhe shpirtërore, shokë dhe koleg i vërtetë, një veprimtar i palodhur i atdhetarizmit dhe çështjes kombëtare.

Më lejoni të nderuar  familjarë dhe të afërt të prof. Muratit, miq, shokë dhe kolegë të tij, t`ju shpreh dhembjen time të thellë për ndarjen nga jeta të mikut tim të shtrenjtë.

Vepra e prof. Muratit  do të jetë e paharruar për mua, për shqiptarët e diasporës, por edhe  për brezat që do të vijnë, ajo do të rrezatojë përherë një dritë të shkëlqyer mirësie dhe atdhetarizmi.

QOFTË E PAHARRUAR JETA DHE VEPRA E PROFESOR MURAT GECAJ!

Me nderim për të gjithë JU,

Juaji,

Sadulla Zendeli-Daja

Farjestaden, Suedi.

Më 25 korrik 2020



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora