E enjte, 25.04.2024, 11:09 PM (GMT+1)

Mendime

Kolec Traboini: Grotesku i Sheratonit

E shtune, 08.11.2008, 08:10 PM


Kolec Traboini
Grotesku i Sheratonit

 

Nga Kolec Traboini

 

Pasi kisha dëgjuar tërë komentet e politikzhbërësve shqiptarë, sepse nuk mund t'i konsideroj kurrë politikbërës, sa kohë që flasin roma për toma, e sa kohë që mbllaçisin në parlament sikur të kishin para një tufë hajvanësh e jo një popull relativisht të shkolluar, që i ndjek nëpërmjet mediave audiovizive duke vënë duart në kokë prej lemerisë. U shtriqa pra edhe unë si populli im para ekranit të televizorit. Në Amerikë çdo gjë kish përfunduar dhe njerëzit të nesermen i qenë kthyer punës. Në fakt që atë ditë i qenë kthyer, 4 Nëntori jo më kot është lënë ditë zgjedhje, sepse të punosh është votë e të votosh është punë. Kjo është Amerika...

 

U përqëndrova në dy momente që trumbetonte mediabumi televiziv shqiptar, e para në votim-improvizimin grotesk sikur shqiptarët po votonin për Shtëpinë e Bardhë në Hotel Sheratonin e Tiranës , ku i nderuari ambasador amerikan i akredituar në Tiranë, që i takon atij grupimit politik që është në ikje nga Shtëpia e Bardhë, shpalli me seriozitetin me të çuditshëm diplomatik, që kaq përqind i mori Obama, kaq përqind i mori Mcain dhe kaq vota ishin të pavlefshme në pseudovotimin grotesk të Sheratonit. Kaq serioz ishte kjo lojë kukamshefti sa u tha se Obama mori votat (prej koti) të shqiptarëve në proporcion të drejtë me verdiktin që dha populli amerikan në të drejtën e vazhdimësinë e tij historike të demokracisë progresive.

 

E kështu konkluzioni na del se niveli i kopesë politike shqiptare në votim groteskun e Sheratonit ishte thuaj i barabartë me pjekurinë e popullit amerikan. Serioziteti i shtirur i politikanëve shqiptarë arriti deri atje sa një politikan nën hije si Majko, me intuitën e gjirokastritit ju shmang kësaj loje bajate e deklaroi në një nintervistë se nuk kish pranuar të votonte( me një fjalë kish abstenuar). Ndoshta ndonjë trutharë i politikzhbërësve të Tiranës ja morën për të keq Majkos, sepse po dilte nga grigja e atyre që trumbetojne me të madhe që po ju bie bretku duke ecur në udhën e demokracisë amerikane. Mund që edhe kundershtarët politika t'a konsiderojnë këtë abstenim si "antiamerikanizem". Çfarë nuk gatuan guzhina e "Sheratoni".

 

Si u pronuncuan të gjithë politikanet e dinjitarët e qeverisjes nëpër mediat vizive, madje edhe i kryesocialistit nga Londra, është e natyrshme që radha t'i vinte edhe presidentit që mesa dukej edhe ai kishte gdhirë në Sheraton, sepse fjalë për fjalë tha: "Kaluam një natë pa gjumë!".

 

Duke qënë se jam qytetar amerikan që nga koha e Klintonit dhe interesohem për ardhmerinë e popullit ku jetoj, po aq dhe popullit shqiptar të cilit i përkas që nga lindja e deri në vdekje, mendoj se kam të drejtë të pyes "Pse ndënjën pa gjume politikanët e shtetarët shqiptarë?". Po këta nuk po çajnë kokën për popullin e vet e si po tundohen aq shumë se ç'po ndodh në Amerikë. Mirëpo, pasiqë analizova situaten politike shqiptare, ku tërë pushtetarët e politika shfaqen si një varg qepësh, që po hoqe një kokëqepe në krye, të gjitha rrëzohen rrakapjekthi, arrita në mendimin se kanë ndenjë pagjumë me të drejtë.

 

A nuk brohoriten demokratët shqiptare më shumë se antarët e partisë republikane amerikane, kur u zgjodh për të dytën herë Bushi i ri, duke nënkuptuar se qëndrimi i republikanëve edhe me tej në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte një faktor zotërues për të ardhur të djathtët në pushtet ne Shqiperi, dhe vertetë erdhën. Tani a nuk kanë të drejtë të brohorasin deri në kupë të qiellit të majtët shqiptare të shpartalluar, por me dëshirën delirante që rotacioni i pushtetit të zhvillohet për nga krahu i tyre. Dhe paradoksi ështe ky: ky taborr politikanësh ndënji pa gjumë për zgjedhjet në SHBA, kur amerikanët e thjeshtë, pasi që kanë hedhur votën e tyre, të lodhur prej punëve të ditës, kanë shkuar e kanë bërë kokrrën e gjumit.

 

Epo, thashë me vete, amerikanët e lodhur si kanë votuar, kanë fjetur të qetë e pa ankthe, edhe këndej populli shqiptar bëri kokrrën e gjumit. Vetëm politika nuk fle. Përse kjo pagjumësi politike. Çfarë kanë krerët e politikës, qeverisjes e të shtetit që nuk flënë por dënden me skoç uiski në "Sheraton" ku edhe improvizuan një gallup elektoral. Halli i madh i ka mbledhur të dy palët, të djathtë e të majtë, sepse duke e ndjerë vehten të tërhequr pas qerres së botës, ata nuk mund të flënë. Po sikur, na ruaj zot, i posazgjedhuri të mos i ketë për zemër partinë tonë politike? Na mori lumi...Ndaj si zë gjumi. Këta të mjerë politikzhbërësit tanë, tani po përpiqen të kapen pas Obamës, duke thënë se presidenti i ri do të bëje mrekullira por politika amerikane nuk ndryshon. Mrekulli që këta riqnat e politikës sonë shqiptare duan t'a përfitojnë duke i zgjatur jeten vetes duke u zhgarrëzyer edhe më tej në kurriz të mjerit popull, i cili nuk përjeton me ankth se kush president amerikan shkon e vjen, se Amerika di t'i bëjë punët e veta, por si t'ia bëjë me këta derdimenët e politikës sonë që ngjasin me njëri tjetrin si dy pika uji, a diç më keq, si një m.... i ndarë për gjysëm. Po na vjen 2009 e populli shqiptar përjeton dilemen e vet: Çfarë të zgjedhë nga dy gjysmat?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora