Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Kultura e bashkjetesës me të keqen!

| E hene, 27.07.2020, 04:15 PM |


Blerim Latifi:

Po thonë se covidi-19 do të jetë gjatë në mesin tonë dhe si rrjedhim bota duhet mësuar që të bashkjetojë me të! Ne nuk kemi nevojë të lodhemi në këtë drejtim, sepse kultura e bashkjetesës me të keqën është e rrënjosur në mentalitetin tonë tradicional. Ne jemi mësuar prej brezash të bashkëjetojmë me të gjitha të këqijat e mundshme dhe të mos bëjmë zë. E durojmë të keqën duke thënë "hajt se bohet mirë". Politikanët na mashtrojnë çdo ditë dhe përsëri u besojmë. Abuzojnë sistematikisht me paranë publike dhe ne se bëjmë të madhe. Na shkelen të drejtat si qytetarë dhe nuk ankohemi. Paguhemi keq e më keq në sektorin privat dhe në 1 Maj shkojmë të dëfrejmë në Gërmi. Në markete na shesin mallra të skaduara dhe prapë se bëjmë të madhe. Gratë përditë rrihen nga burrat e tyre shovinistë dhe të rralla janë ato që protestojnë. E të tjera, e të tjera. Thjesht ne i ngjajmë një shoqërie mazohiste, e mësuar të jetojë në kushtet e dhunës strukturore. Në një shoqëri të tillë, covidi nuk përbën ndonjë dramë të madhe. Prandaj, kot i publikoni shifrat ditore të të prekurve prej tij. Askush nuk ua vë veshin thirrjeve për kujdes. Dajret dhe kafehanet s'ka kush më që i ndalon dhe janë të pakët ata që shqetësohen të mos i infektojnë të tjerët. Mbase duhet ta prekim fundin, që të mund të vijmë në vete!