Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Ikin nga atje ku ne duam të shkojmë!

| E diele, 26.07.2020, 02:00 PM |


Blerim Latifi:

Pesë refugjatë arabë po qëndronin në shkallët e gurta të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Njëri prej tyre po përpiqej të fliste me dikë në telefon. Ndoshta me familjen e tij të mbetur prapa diku në kampet e refugjatëve ose në zonat e konfliktit në Siri. Kanë ikur nga ato zona ku njerëzit i hanë kokën njëri tjetrit për shkak se nuk pajtohen se me cilën anë është Zoti dhe këtë mosmarrëveshje kanë vendosur ta zgjidhin përmes argumentit të dhunës. Këta refugjatë të shkretë nuk e dinin se vetëm pak metra larg vendit ku po qëndronin, ende ndodhet një gropë, të cilën e kishte hapur shumë vjet më parë një djalë i ri, i cili më pas kishte përfunduar në komandën e lartë të ISIS-it në Siri. Është gropa e hapur nga terroristi Lavdrim Muhaxhiri në oborrin e Fakultetit Filologjik, vend të cilin ai e kishte zgjedhur për ndërtimin e një xhamie. Dhe ja tani, disa nga viktimat e luftës ku ai mori pjesë, po qëndronin aty afër atij vendi, në pritje të gjetjes së rrugëve për të ikur në drejtim të Perëndimit, atje ku dallimet fetare nuk janë arsye për të masakruar njëri tjetrin dhe shkatërruar gjithë vendin. Ndërkaq, ne që jetojmë në atdheun tonë, të cilin me aq mund e çliruam, na duhet të përballemi përditë me propagandën e njerëzve të ligj, të cilët duan të na e imponojnë mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit, falë të cilës u shkatërrua jeta e këtyre refugjatëve të shkretë dhe e miliona bashkëatdhetarëve të tyre.