Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sinan Gashi: Andon S. Frashëri - I funtmi i Kastriotëve

| E diele, 26.07.2020, 03:48 PM |


“I FUNTMI I KASTRIOTËVE” NJË ROMAN (JO) HISTORIK

Andon S. Frashëri: “I funtmi i Kastriotëve”, botoi Ismail Mal’ Osmani, Tiranë, 1944.

Nga Sinan GASHI

I mbetur në harresë për kohë të gjatë, edhe si krijues letrar edhe si personalitet, Andon S. Frashëri është autor i romanit “I funtmi i Kastriotëve” që e njohim deri më tashti, i cili ishte botuar në Tiranë, në prill të vitit 1944, nga botuesi Ismail Mal’ Osmani.

Me gjithë kërshërinë e secilit lexues e më tepër e secilit studiues që të di më shumë për autorin e romanit, peripecitë jetësore të tij (këso radhe vjen mendimi se kjo ‘humbje’ e këtij autori është rrjedhojë edhe e dhunës makabre, siç kishte ndodhur shpesh në vendet me sistem komunist, pra edhe në truallin tonë), si dhe për krijimtarinë e tij, nga se nuk pranohet e dhëna se një krijues të botojë vetëm një vepër, pa ‘shkrime ushtrimore paraprake’, për të dalë me një vepër serioze para lexuesve dhe madje  ta ketë krijuar krejt vetëm një libër ose edhe që të del nga një penë së pari  një vepër kaq serioze dhe madje, si meteor, gjithçka të zhdukej më pastaj, gjithsesi të shpie mendimi te rruga e mosbesimit. Visar Zhiti, në një rast kishte thënë: “Libri është i përtejmë, i gjallë dhe në botën e të vdekurve.”

Sido që të jetë, vepra e ruan ‘kujtesën’ për autorin, krijuesin, së pakut si emër dhe e radhitë në mes atyre që frymuan artistikisht si dhe patën ndjenjën e atdhetarisë.

Romani “I funtmi i Kastriotëve” nënkuptohet edhe nga vetë titulli se është roman që i kushtohet kohës skënderbeane, përkatësisht këso radhe tema është e post mortum të heroit tonë Gjergj Kastriotit. Thënë më troç, autori provokohet nga ngjarja e kthimit të Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut nga Italia, ku ishte strehuar, për ta luftuar sunduesin e truallit të tij, osmanlinjtë, dhe peripecitë rreth atyre aksioneve.

Edhe pse storja është e thjeshtë, që nis me kthimin e Gjonit me një trim tjetër në portin e Durrësit, duke u prezentuar me emra të rrejshëm, kinse kanë ardhur me misionin e tregtarëve në Shqipëri, të cilët pasi njihen me një bujtinar, i cili ishte edhe ai njeri i dëshmive të sakrificës për kombëtari, mësyjnë Krujën e shenjtë dhe kontaktojnë më shumë njerëz të cilët mbeten të mahnitur nga kjo ndërmarrje e guximshme. Ata të gjithë kanë vullnetin e madh për të bërë diçka në kahe të lirimit të atdheut, të cilin e kishte pllakosur dhuna turke në mënyrën më barbare.

Përgatitjet janë tepër të gjata, të shtrira dhe shumë sekrete.

Pas një aktiviteti të gjatë, nis një aksion i udhëhequr nga Gjoni trim e i paepur,  të cilin e respektojnë të gjithë deri në himnizim, por suksesi është i vogël, ngase fuqia turke është tepër e madhe dhe mundësitë e shqiptarëve kryengritës janë tepër modeste. Mirëpo, nga ajo që dëmton më se shumti, është bashkëpunimi i disa krerëve shqiptarë me armikun, që në të vërtetë shpesh del sikur bëhej një luftë vëllavrasëse. Kjo mënyrë e zgjedhur nga sundimtarët turq, që përmes gradave dhe të mirave materiale, t’i përvetësojnë disa shqiptarë  dhe ta shtrijnë informacionin, është një formë që manifestohet vazhdimisht në këto raporte shoqërore.

Edhe pse Gjoni, në atakim me individë a grupe të tilla, mundohet të jetë zemërgjerë dhe të këshillojë që të kthehen kah vetvetja – shqiptaria, ata as që kishin ndjeshmërinë më të vogël, madje në raste edhe ndërronin kombëtaren me arnautllëkun.

Gjoni, gjatë kësaj kohe të qëndrimit këtu, bie në dashuri me një vajzë të bukur, e cila e donte sa jetën, por pengesë ishin familjarët, ngase ishin konvertuar në myslimanë, që në të vërtetë tashti pengesë ishte feja.

Mbi të gjitha fjala e dhënë – besa e vajzës mbetet e përjetshme. Ajo edhe vdekjen e pret me mendimin e njëjtë.

Edhe pse aksioni luftarak dështon, nxjerr në shesh  një pakënaqësi dhe një trimëri të pashuar brezash për liri, e cila manifestohet heroikisht.

Veprat e natyrës së tillë, që vetëm njëherë janë botuar dhe në një kohë tepër të hershme e të mjegulluar, kërkojnë paksa që edhe subjekti t’u rrëfehet si përrallë, nga pamundësia e leximit nga të tjerët.

Gjon Kastrioti strumbullar i veprës

Si  një pe i kuq përvijohet tej e tej romanit personi i Gjon Kastriotit, i biri i Gjergjit famëmadh,  i cili, pasi kishte mbaruar shkollimin e lartë, në moshën 25 vjeçare, mësynë brigjet e Adriatikut. Ai është mjaft lëvizës në vepër, herë në linjën epike mes luftëtarëve trima dhe masivizimit për luftën e ardhshme, herë në linjën lirike tepër emociononte e romantike, me takimin e rastit dhe lindjen e dashurisë mes këtij dhe vashës hyjnore, e cila me një dashuri të pastër, humbet në andrallat për njeriun e jetës dhe trimin e shqiptarisë. Por nuk mbesin pa gjë as personazhet e tjerë në roman, si Drakuli, që është fshehur par emrit të ri Robert, ose trimi Kolë Shpata, Gjin Kasneci, Mariana, Gjon Muzaka, Pjetër Topia, Shuk Spani, ... e tjerë.

Gjoni, veç pamjes së bukur, ka edhe fjalën e matur e shumë domethënëse, që forcojnë ndikimin në momente të rënda, siç ishte Shqipëria.

“Me ndihmën e Zotit e me vullnetin e atdhetaret, vendi ynë i mjerë do të shpëtojë prej zgjedhës së huaj”, shprehet në fillim me bindjen se “Ç’ fuqi magjike ka dashuria për atdhe! Çudi si dhe sa shpejt e merr veten një popull kur ka idealizma; qoftë ai popull edhe në shkallën e fundit të rrënimit.”

Armiku kishte përdorur të gjitha mjetet për mundësinë e përçarjes – sundimit më të lehtë ndër të cilat edhe fenë.

Konvertimet e bëra kishin lozur rolin e vet negativ, madje ky ishte shkaku që Gjoni të mos mund të martohet me Marianën jetime, që e kishte konvertuar i ungji në myslimane, për karrierë. “Im atë ka qenë i krishterë, po i tërhequr prej tim ungji përqafoi muhamedanizmin dhe bashkë me të u myslimanizuan nëna dhe unë!”, shpjegon vajza me pikëllim.

Rropatjet dhe përjetimet e thella ndjenjore jepen tepër bukur në roman, që në njëfarë mënyre shpjegojnë rrymimin shpirtëror të jetës shqiptare, dashurinë që shpërthen mes vrazhdësive jetësore, realitetin e një heroi dhe natyrshmërinë e sinqeritetin e tij që bashkëjetojnë me sakrificën, e tjerë. Këtu madje dyzohen ndjenjat dhe veprimet, aksioni dhe përjetimi, që njëkohësisht janë në prani të çdo njeriu, vetëm se varet se cila nga ato është parësorja e cila është dytësorja, varësisht nga faktorët rrethanorë.

Mu ky lirizëm që shkon krahas qëllimit çlirimtar, e bën romanin të përpjestueshëm tematikisht dhe , sado pak ia zbeh historizmin.

Bukuria e shprehjes

Edhe disa herë, nga studiues të ndryshëm, është theksuar se vjetërsimi i veprës bashkë me vjetërsimin e gjuhës shprehëse, e zbeh sado pak anën aktuale e artistike, këso radhe thyhen konstatimet e tilla, ngas e kjo vepër ruan freskinë e çuditshme, thuaja se është shkruar sot, në këtë 600 vjetor të lindjes së Skënderbeut, sa me mënyrën mbarështruese të veprës, aq edhe me talentin e gjithsesi me gjuhën e mendimin shprehës.

Edhe kur e përshkruan ngjarjen, edhe kur pasqyron bisedat e fshehta organizative, edhe kur shpreh ndjenjat e dhembjes për shqiptarët e varfëruar ekonomikisht e të zvetënuar moralisht, e gjithsesi edhe kur përshkruar ndjenjat erotike mes Marianës së bukur perri dhe Gjonit shpatullgjerë e karakter fortë, gjithçka del i pasqyruar bukur.

Ja disa shembuj tekstualë, për të forcuar mendimin e tillë.

“Dy lotë, që u dukna nën dritën e kandilit si dy margaritarë të zverdhur, rrodhën nga sytë e tij tatëpjetë nën faqet dhe ranë mbi shpatën që mbante përpara.” (f. 28),

ose

“Syri i popullit që kish përpara kallëzonte frikë; druri i ‘askerit’ e kish kalbur dhe s’i kish lënë fuqi as në trup e as në shpirt”. (f. 32),

ose:

“Fjalën e fundit e theksoi me një urrejtje që u duk lakuriq nër dhëmbët e tij që kërcisnin si gurët e mullirit”. (f. 34),

ose:

“Ata sy të ndritshëm si hyjt’ e Arabisë dhe të nxehtë si rana e Afrikës”. (f. 40);

“Ne shqiptarët e kemi edhe në bark feudalizmin të nderojmë vetëm ata që kanë emër, që mbajnë qyrkun e Nastradinit ose që kanë të holla  dhe tituj.” (f. 79);

“Rafaeli nuk kish pikturuar engjëll më të bukur. Me sy gjysmë të mbyllura, nën qepallat e dendura, me buzët pak të lodhura e të skuqura sinjë burbuqe trëndafili ndezur prej afshit të diellit, ajo dukej si një perëndeshë romane posa dalë prej banjove të arta.” (f. 72); “Dhe ushtima mori tatpjetën si avalosnin i një shtrëngate dimërore, kapërceu lisat shekullor dhe u përplas në zemrën e njomë dhe të sfilitur të vajzës që përgjonte nga dritarja e kështjellës me psherëtima vendin e dashurisë.”

(f. 103), e tjerë.

Andon S. Frashëri (ndoshta edhe vetëm me këtë vepër letrare) lë përshtypjen e një krijuesi me talent me një kaptinë të historisë sonë të lavdishme e jetëson tepër të bukur, duke i ikur mjeshtërisht ngarkesa dokumentare historike- kronike, dhe duke e paraqitur jetën ashtu siç është realiteti, pra duke iu shmangur zmadhimeve e fjalëve përshkruese, qoftë të personazheve, qoftë edhe të skenave jetësore e luftarake.

Përmbyllja e romanit është një simbolikë e theksuar, kur këta dy të rinj (Gjoni e Mariana), edhe pse të feve të ndryshme tashti, i pari i vdekur në Itali, siç thotë autori:

Këtu çlodhet fatosi i fatosëve, i funtmi i Kastriotëve!”, vizitohet “ditën e parë të Pashkëve çdo vit e viziton për shumë vjet me radhë një grua e re, e veshur kurdoherë me të zeza, e cila orë të tëra qante me lotët e zemrës mbi pllakën e mërmertë”, nga qe heret e kishin ndjerë aromën rinore e kombëtare së bashku.

E, çfarë dimë për Andon S. Frashërin

Gjurmimet dhe interesimet e përhershme të çojnë të disa të dhëna që, hiq më shumë, ta heqin lëbyrjen e njohurive për të. Pra Andon Spiro Frashëri ishte i lindur në Korçë, më 1892, nga familje frashërlinj e Përmetit.

Mësimet e para i kishin dhënë dy mësues dëshmorë të gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasi dhe Nuçi Naçi. Gjimnazin e saponisur në qytetin e lindjes e për - mbylli në Selanik të Greqisë. Mësimet i vazhdoi në Natick High School, si dhe studioi për dy vjet letërsinë në Universitetin e Harvardit (1913 -’14), nga se kishte migruar për në ShBA që më 1910.

Njëherë si zv. redaktor e pastaj redaktor i organit të Federatës Panshqiptare “Vatra”, gazetës “Dielli”, u emërua më 1915, përkatësisht 1919-1924, kur zgjidhet anëtar i Kuvendit të “Vatrës dhe bëhet editor i gazetës që edhe e redakton. Më 1924 atë e gjejmë në  Shqipëri, me shumë veteranë të tjerë, që me pianistët e Korçës morën pjesë në Kryengritjen e qershorit. U emërua shef i kabinetit të Fan Nolit dhe

sekretar privat i kryeministrit. Pas rënies së qeverisë së Nolit, ai largohet nga vendi, për t’u kthyer sërish në vendlindje, duke ushtruar detyrën e mësuesit të gjuhë-letërsisë shqipe si dhe i gjuhëve të huaja në Korçë, ndërsa, pas vitit 1936 në Gjimnazin e Tiranës. Por, në marsin e vitit 1946 pushohet nga puna, si i padëshirueshëm dhe gjashtë muaj më pas në të njëjtin vit, arrestohet së bashku me bashkëshorten, të bijën e atdhetarit Thoma Avrami. Pas një vit e sa torturash çnjerëzore, dënohet me 18 vjet burg, ndërsa Maria, e shoqja, me dy vjet.

Përjetimet e vuajtjeve në  burgun e Tiranës, Burrelit dhe të kampit të Maliqit, dëmtojnë së tepërmi shëndetin e këtij intelektuali. Kështu, si pasojë e gjithë kësaj, më 1956  u sëmur keq dhe iu nënshtrua një operacioni, pas të cilit mbet gjallë e për gazep, për ç’shkak lirohet pas 10 vjetësh burgim.

Pason një jetë e rëndë, pa asnjëfarë të drejte, se ishte “armik i popullit”.

Vdekja e gjeti më 18 dhjetor 1965, siç thuhet, pas një aksidenti banal.

Për t’u futur në botën e letrave e nxitën dy eruditë shqiptarë: Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët fillimisht e inkurajuan për të bërë përkthime nga gjuhët e huaja. Rrjedhimisht ai shqipëroi veprat “Kapedani i jeniçerëve ose Skënderbeu” i James M. Ludlov, “Pavli dhe Virgjinia” e Bernardin de Daint – Pierre, të cilat u botuan në të përkohshmen “Dielli”.

Edhe pas kthimit në atdhe, ai nuk e ndërpreu shkrimin dhe botimin e materialeve të ndryshme. Ribotoi romanin “Kapedani i jeniçerëve më 1934, romanin “Patrioti” më 1936 dhe “I funtmi i Kastriotëve” më 1943.

Pastaj ka shkruar një dramë  kushtuar Themistokli Gërmenjit “Fatosat për liri” si dhe përktheu veprën e Bernard Shout “Johana e shenjtë” dhe atë të Petër Abrahamit “Te pragu i shpërthimit të rrufesë”, të cilat mbeten në dorëshkrim.

Nga e gjithë kjo punë intelektuale dhe kjo përvojë e pasur jetësore, rrumbullakon mendimin se Andon Sotir Frashëri ishte një krijues me talent letrar, të cilën dhunti në të shumtën ia mori përkthimi i sa veprave, e mos të përmenden vitet e rënda burgjeve.

Për ta kthyer tek te përjetshmit, mundësoi vetëm romani i tij “I funtmi i Kastriotëve”.