Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Kujtoj kompozitorin e operës së parë shqiptare

| E diele, 26.07.2020, 12:56 PM |


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

KOMPOZITORIN

E OPERES SË PARË SHQIPTARE

“JUDA  MAKABE”

130 VJETORI I LINDJES...

80 VJETORI I VDEKJES...

Asht le në Tivar nga prindët Filip e Marije Gjoka, me emnin Mati.

Në moshen 15 vjeçare ka shkue në Kolegjin e Françeskanve të Shkodres. Ka vazhdue studimet deri në 18 vjeç. Vazhdoi në Salzburg t’ Austrisë, ku perveç studimeve teologjike studjoi nga prirja per muzikë pjanoforten, flautin dhe violinen. Kompozimet e para ua dedikoi dy miqve, Palok Kurtit dhe At Shtjefen Gjeçovi, me titujt “Liria” dhe “Atdhe dhe gjuhë shqiptare”. U kthye në Shkoder pak ditë para shpalljes së Pamvarsisë kur kompanjeli i Fretenve u lidh me drita me minaren e Xhamisë së Fushës së Çelës nga At Gjergj Fishta. Jep mësim në kolegjin "Illyricum" të Fretënve në Shkoder, në landët histori e gjeografi, dhe gjuhë gjermane.

Krijoi orkestren në 1922, që fitoi dhe konkursin kombtar më 1930.

At Gjoka ishte i pari që kompozoi muzikë klasike në Shqipni në zhanrre të ndryshme. Gjatë vjetit 1936 e transferuen nga Shkodra në famullinë e Planit. U kthye mbas 3 vjetve. Tue ndjekë traditën e kompozitorëve si Bach dhe Handel, Gjoka kompozoi muzikë polifonike dhe korale, si dhe la të papërfundueme një simfoni me vlerë të madhe kombtare me titull "Dy lule mbi vorr të Skanderbeut", 1922.

Për shkak të mungesës së institucioneve muzikore veprat e tij mbetën t'izolueme per një kohë. Mbas 1944 nuk bisedohej ma per ta.

Shkodra u bâ qendra mâ e randësishme e jetës muzikore në Shqipni, gjatë periudhës midis dy luftave botnore.

Veprat e njohuna t’ Át Fishtës "Juda Makabe"-1915 dhe "Shqyptarja e qytetnueme"-1917, u vuene në skenë me muzikën e Át Martin Gjokes, gjithashtu edhe vepra të Át Vinçenc Prennushit dhe Át L. de Martinos.

Nxanës të At Gjokës ishin të gjithë muzikantët e mavonshem tue fillue nga Prenkë Jakova, Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Tish Daija,  Tonin Rrota, Pjetër Dungu,  Simon Gjoni, Zef Gruda, Lukë Kaçaj, Gjon Kujxhia etj.

Vepra të njohuna janë: “O ata t’lumtë që dhanë jetën”, “Atmes”, “T’falem Shqypni..; “Lamtumirë, o vendet e mia”; “Grueja shqyptare”, “Atmes: Porsi Shqipe n’hove t’veta” etj. Në muzikën instrumentale, simfonike e operistike: “Liria”, “Atdhe e gjuhë Shqiptare”, “Shqiptari e muzika” etj.

Nuk mungon tek krijimtaria e At Gjokës edhe tema lirike baritore e ajo për fëmijë. Larmisë tematike i përgjegjet një larmí e madhe formash muzikore. Ai lavroi pothuej në të gjitha gjinitë vokale e instrumentale.

Në gjinitë vokale lavroi kangën e tipit popullor e të përpunueme, kangën për fëmijë e lirike, koralet, baladën, rapsodinë, potpurinë, melodrama e deri tek opera. Në gjini instrumentale e simfonike: pjesë për pianoforte, harmonium, flaut, pjesë orkestrale, fantazia e deri tek simfonia.

Melosi i Tij âsht i mbështetun mirë në trevat e Veriut, folklorin e të cilit e studioi thellë dhe e asimiloi në mënyrë krijuese. Pak kush e njihte si Ai.

Kur shndeti i Tij u dobësue më 3 shkurt 1940 vdiq në Shkodër në moshën 50 – vjeçare nga nji infarkt fatal. Populli i Shkodrës me nderime të mëdha e dashuni e përcolli At Martinin në vorrezat e Kishës së Fretënve. Gjatë Meshës kori ekzekutoi pjesë nga vepra e Tij prej muzikës kishtare.

Asht nder krijuesit e muzikës sonë, nder ma të mëdhajt e Shekullit XX.

Shenim nga F.Radovani: At Martin Gjoka O.F.M., na ka lanë në muziken tonë të perfundueme Operen e Parë Shqiptare “JUDA MAKABE”, me tekst të At Gjergj Fishtës. Ajo njihej mirë nga Prof. Zef Zorba, i cili në vitin 1992 ishte dakord me e vue në skenen e Teatrit “Migjeni”n’Shkoder, po fatkeqsisht nuk u pergjegj askush per shpenzime, megjithë perpjekjet e drejtorit z. Ndoc Çefa... Shkodra i mbeti borxh kompozitorit madh dhe muzikantit të pavdekshem At Martin Gjoka.E ky nuk asht “borxhi” i parë!

Melbourne, 20 Korrik 2020.