E merkure, 02.12.2020, 07:25 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Lëmsh kohe ose pëshpërimë pandemie

E diele, 26.07.2020, 10:42 AM


Lëmsh kohe ose pëshpërimë pandemie

Nga Blerim Rrecaj*

Tregimet disi më kanë tërhequr gjithënjë. Që nga fëmijëria. Qysh kur dikush i afërt, a mysafir ka rrëfyer për ndonjë ngjarje, ndodhi, a ndonjë gjë sado të thjeshtë.

Vetë kam qenë një fëmijë i qetë, i heshtur, i ndrojtur, pa ndonjë dëshirë e talent për t'i hyrë komunikimit a valleve që shpiejnë andej ku unë do merrja rolin e rrëfimtarit. Kam qenë më i prirur për të dëgjuar. Kam heshtur mbase bukur, e për dikë kjo ishte e tepërt. Bëhu më i gjallë, më këshillonte e na thonte gjyshi. Gjyshet, nëna e babai sa i përket kësaj, s'kanë thënë ndonjë gjë. Edhe tash sikur i shmangem kësaj valleje. Ndonëse herë-herë rrëmbehem nga papërmbajtshmëria.

Nëpër klasë shkollash kur bënim hartime me shkrim merrja nota e fjalë të mira prej mësimdhënësve. E tash kur numrit 4 të moshës sime i është shtuar dhe një dysh i mirë, sot derisa rrija në një restaurant kafene hapur së fundmi (pse a mos po hapet ndonjë biblotekë, park, kinema e fushë rekreative a...)me emrin që është i njohur për autorin e këtyre rreshtave, po mrizoja ulur në karrigë, përballë gruas, ndërsa fëmijët merrnin fije bari këtej pari dhe shkonin ua hidhnin ca lepujve në një kafaz, por edhe vizitonin kafeze me shpezë, dhi, dhe ndonjë kaproll a drenushë të lodhur e të mërzitur që na kujtojnë gjendjen tonë, që të paktën të bëjmë një krahasim. Ç'ambient, si një lloj oaze në i thënçin, rrethuar me shumëkatëshe disa prej tyre në ndërtim e meremetim e sipër.

Jam hedhur në krahët e një mëdyshejeje jo dhe aq të vogël. T'ia nis a mos t'ia nis apo tashmë të vazhdoj provën për ta thurur tregimin tim të parë. Po t'ia nisësh mund ta bitisësh, po mos t'ia fillosh, kushedi, do ta lësh për ndonjë herë tjetër, ose do ta lësh fare këtë punë. Vetë vendos!

Ti tashmë ke botuar një libër tëndin me skica dhe vargje, sikur i thua vetes, pse të mos provosh se si e çfarë do të ndjesh po të ndërrosh paksa udhë e stil, e ndoshta s'të kushton gjë. Është kohë pandemie katër-pesë muajshe, që s'dihet si do e mund të shkojë, e ç'kahje e ç'drejtim mund të marrë. Sidoqoftë nxjerr telefonin shumëfunksional nga xhepi dhe përpos ca shkrepjeve që bëj rreth e rrotull, në mesin e tyre, përqëndrohem te këto lozë kungulli me një lule të verdhë të çelur dhe ca tjerave që janë duke vazhduar rrugën që të hapen si bashkëfamiljarja e tyre që mrizojnë mbështetur për murin kufitar të kësaj hapësire. Vështrimi përveç se kthjellues e çastëmbël të kthen në kohë te oborri i shtëpisë së dikurshme me një mur ndarës, ku njëra pjesë e oborrit me pemë, që na "takonte" neve, e tjetra e rrafshtë, e fortë, e "shkretëtirtë", pa bar që atëbotë shfrytëzohej nga dy qiraxhinjë që me rreshin me shitjen dhe përpunimin e granitit e mermerit. Pikërisht për murin ndarës të oborrit të shtëpisë rrinin e rriteshin ca lozë kungujsh të tilla që hidhnin kokën edhe matanë. Dhe seç të vijnë dhe ca vargje që ne dëgjonim nga të afërmit tanë më të mëdhenj: "Pite, pite kungullor, qitma lamshin kush ma mor..."

Kalon e kalojmë nëpër këtë lëmsh kohe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, a sa kjo shkrepje e radhës që bën, për të "ngrirë" si të ishte farë shtaze a farë shpezi e zënë dhe e kapur peng.

Fotoja tjetër "mbushet" më filxhanin e espresos mbi tavoninë dhe pranë saj duke ndenjur me maskën a gojashkën (siç po e quajnë tash ca gjuhtarë a letrarë) ngjyrëbardhë me "llastikë" (jo për të gjuajtur zogj, a për t'u gjuajtur mes vete si dikur...) do rrijnë varur për veshësh sapo ta marrësh për ta veshur për të mbuluar gojë, hundë, faqe e mjekër.

Koha po rrjedh. Nën dritë-hije, e këtë çati druri e mbajnë trupa pishash të prera e paksa të gdhendura. Derisa gruaja flet në telefon me të afërmit, e të tjerët vazhdojnë ndejat e tyre, pasi fëmijët kanë rrethuar kafshët e shpezët e mbyllura, unë shfletoj facebook-uk tim, për të parë dhe reagimet (kryesisht me pëlqime) të dy postimeve që bëra sot, jo shumë kohë më parë. Njëri përbëhet nga një fotografi ku dy fëmijët tanë ia bëjnë me dorë një helikopteri që lundron nëpër qiell para pak ditësh, derisa endeshin arave e livadheve, aty ku dalim ndonjëherë për të kaluar kohën. E përfundi kësaj shkrepjeje personale, në fakt përmbi të qëndron poezia e arbëreshit Vorea Ujko me titullin: Aeroport. Postimi tjetër është i librit tim me një titull të gjatë, që s'prish punë edhe po mos ta përmendi, në fakt janë dy shkrepje njëri në një qytet verior të Shqipërisë londineze të cilën e bëra para jo shumë kohësh gjatë nj ë vizite me vëllaun e vogël, (bile vëllau i madh, mërgimtari, më njoftoi se më kishte parë në një kronikë televizive për turizmin, për dy-tre sekonda derisa zbrisja nga autobusi, dhe vëllaun tjetër po aq shkurtë, duke ecur) e shkrepja tjetër e një qyteti andej kah jugu ku sugari qe për pushime dhe ma dërgoi në viber të nesërmen që u kthye me ndjenja ëmbëlsie në të ëmblën shtëpi. Për pak e harrova mbishkrimin për dy fotot që e vura: "Pranë malit, pranë detit, pranë vetit!"

Pas edhe ca bredhëritjeve tjera nëpër virtualitet, aty këtu flasim edhe ndonjë fjalë, derisa fëmijët vijnë për ca çaste për t'u larguar me të shpejtë në drejtim të kafazeve. Kosovës përveç kafazit që kishte tash iu shtuan edhe këto kafaze taze, por edhe kafazi pandemik, nëse kemi të drejtë të shprehemi kështu. Që si duket do të sjellë ca ç'rregullime shtesë.

Sivjet siç duket do na mungojnë të afërmit mërgimtarë. Edhe motra që gjendet në New York e ka shtyer fluturimin për këtë verë.Ia kalofshim sa më mirë e sa më lehtë përgjatë këtyre sfidave. Si e qysh po themi: të kujdesemi për veten dhe për të tjerët. Në këtë shtet pa shumë gjëra nëpër vend të vet, që kur do fillojnë të bijnë e kemi mjaft të vështirë ta dijmë...Sa të mundemi le t'i biem vetes pas, që ta kemi atë nën kontroll, e të kaluara qofshin edhe ngritja e zërit, bërtima, neurozat, thyerja e ndonjë gote, rrëzimi i ndonjë karrigeje, e situata sado me elemente dramatike, po në(n) kontroll të jetë. Qysh u përhap dhe fjala se kush ka qenë këtu gjithmonë normal, ai me të vërtetë s'është as pak normal. E sot vëllau që jeton në kryeqytet na trokiti në derë, bashkë me të dy fëmijët, për të na u kujtuar dhe shprehja migjeniane por tashmë e ndryshuar: qeshu, fëmijëri qeshu... Këta rreshta të derikëtushëm mbas e nuk i përngjasin një tregimi, por mbase një prove për të ndërtuar një të tillë. Kjo kështu shkoi deri këtu, kështu që tash e tutje mund të fillojë të vërtis mendjen për tregimin tjetër, rrëfimin e dytë...

*Autori i librit ''Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh''



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora