Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Si e mbylli jeten profesori?

| E shtune, 25.07.2020, 05:18 PM |


SI  E  MBYLLI  JETEN  PROFESORI?

Nga Fritz RADOVANI

Lexoni këta pak rreshta! Letra u postue per Durrës ku jetonte e motra me familje...

“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)

Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobsije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija. Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy.

Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.

Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër. E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.

Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji

Prenk  Kaçinari

Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.

?Kjo letër iu postue nga Tirana nga vetë Prenka, z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës dhe origjinali ruhët në familjen e tij. (shënimi i FR). Gjithshka lidhet me Dosjen 1167 në grupin e Durrsit me Prof. Arshi Pipen etj.

Profesor Prenka ka lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e nalta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës. Erdhi në Shqipni dhe:

?Të dy bashkë me Prof. Arshi Pipen, ishin të burgosun në vitin 1947. Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t’uritun, të dy të “pa marrun vesht”, të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy “agjenta” se kanë mbarue shkollat e nalta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Por, ç’e don, të dy të “infektuar” nga Kleri Katolik! Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm.., duhën ridënue... Ashtu u veprue! Me këtë mendim besoj, do të ishin “dakord” edhe brezi i nderuem dhe i njohun i...

Prof. PRENK  KAÇINARIT dhe Prof. ARSHI PIPËS.

Shumë pak kohë jetoi mbasi doli nga burgu, mbasi mendoi me e mbyllë ashtu si veproi!

Po, sa të pafajshëm u zhdukën prej duerve të këtyne katilave per 47 vjet ?

Nderim per brezin e Prof. PRENK  KAÇINARIT dhe Prof. ARSHI PIPËS !

Një “kujtesë” në 110 vjetorin e lindjes së Prof. Prenk Kaçinarit...

Melbourne, Korrik 2020