E premte, 19.04.2024, 12:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Filmi kushtuar Heroit, Agim Ramadani

E shtune, 25.07.2020, 05:29 PM


Filmi kushtuar Heroit, Agim Ramadani, një film himn  për trimërinë, patriotizmin dhe sakrificat në emër të lirisë

Kujtim Gjonaj: Agim Ramadani jetoi me moton “Kombi është shenjtëri dhe liria virtyt”

Nga Albert Z. ZHOLI

Disa ditë më parë regjisori Kujtim Gjonaj,  ftoi një grup gazetarësh dhe kineastësh për të na surprizuar me filmin e tij më të ri, kushtuar Heroit të Kombit, Agim Ramadani (Nder i Kombit). Një film mbresëlënës me emocione të fuqishme dhe realiste të një lufte heroike, ku një popull i shtypur dhe terrorizuar për gati një shekull, sheh dritën e lirisë falë gjakut të Agim Ramadanit dhe dëshmorëve të tjerë! Një film me shumë episode dhe rrëfime emocionuese të njerëzve të familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij. Plot emocion është rrëfimi i Shukrie Ramadanit bashkëshortes, për dashurinë që lindi që në bankat e shkollës me Agimin,  dhe megjithëse ai nuk është më, ajo e dashuron me të njëjtin pasion edhe sot.  Çdo hap që hedh është edhe për Agimin e saj. Filmi nis me një prolog artistik befasues dhe heroik . Ai është një hymn për  heroin. I gjithë filmi në tërësinë e vet ka shumë episode që lartësojnë figurën e Agim Ramadanit, figurë që në tërësinë e vet, si thotë regjisori Gjonaj, është unikal në trimërinë dhe sakrificën e vet. Heronj si Agim Ramadani ku ndërthuren arti ushtarak me shpirtin e artistit dhe poetit, vështirë se do t’i vinë trevave shqiptare për dekada të tëra. Në film plot dashuri dhe respekt janë trajtuar edhe tema e dashurisë së popullit për këtë legjendë trimërie, Një film mbushur me situata, detaje, përshkrime, dialogë, intervista, filmime peisazhe fantastikë. Një film plot temp, ritëm, ankth, që përmban një sasi planesh filmike të ndërlidhura, të shoqëruara me zë apo të ndërthurura me foto shprehëse, të cilat krijojnë efektin e lëvizjes, ku të gjitha këto elementë kanë  një harmoni unikale ndërmjet formës dhe përmbajtjes  dhe sjellin para spektatorit një film që të mbërthen. Jashtë klisheve dhe skenave të ngurta ky film është një rrugëtim jetësor dramatik, që përcjell emocione drithëruese për një jetë dëshmori  dhe intelektuali të paepur. Filma të tillë marrin përmasat e vërtetësisë dhe të besueshmërisë, vetëm nën regjinë e Gjonajt i cili me mbi 150 filma dokumentarë është bërë udhërrëfyes i  regjisorëve të rinj në zhanrin e dokumentarëve, gjini filmike  që kërkon pjekuri, saktësi, vizion, ide dhe mprehtësi organizative. Gjilani në çdo vit pret me dashuri dhe respekt djalin e tij  heroin Agim Ramadani, poetin e dashurisë për atdhe, meteorin e lirisë.

Kosharja tani sërish në paqe, bashkon shqiptarët që përkujtojnë të rënët.

Zhegra shtrihet në pjesën juglindore të Kosovës, rrëzë maleve të Karadakut. Zhegra e mbi tremijë shtëpive dhe legjendarit Idriz Seferi, është vendi ku Agim Ramadani e pa dritën për herë të parë, më 3 maj 1963. Ishte ajri i maleve të Karadakut, historia e lavdishme e të parëve, edukimi i shëndoshë familjar që e formuan me të gjitha virtytet njerëzore dhe atdhedashëse. Shkollimin fillor e vijoi në vendlindje, ku shquhet si nxënës i dalluar në mësime dhe aktivitete të shumta, më pas edhe në shkollën e mesme teknike në Gjilan.

Akademinë ushtarake - drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

I ndodhur në Zagreb, Agimi që në ditët e para, do të merrte guximin që t'i shkruante një letër Shukrijes, shoqes së pandashme të fëmijërisë dhe të idealit të përbashkët, ku i shprehte ndjenjat e tij, një letër që do të ishte fillimi i qindra letërkëmbimeve ndaj njëri-tjetrit. Në fundjavën e parë, pasi përfundoi universitetin, Agim Ramadani kurorëzoi dashurinë me Shukrijen dhe pas pak u vendosën së bashku në Çaplinë, ku ushtroi detyrën e oficerit ushtarak. Ishte koha kur ish-Jugosllavia po shkatërrohej dhe Agimi nuk deshi të ishte pjesë e saj. Pasi i liron të gjithë ushtarët kroatë e boshnjakë, me tre ushtarët e fundit, që ishin nga krahina e tij, niset për në Zhegër. I ballafaquar me shumë sfida dhe sakrifica të reja, këtë ja shprehu edhe vëllait të tij më të madh Demës, me një telefonatë nga Çaplina. Si vizionar dhe largpamës që njihej, veproi shumë në mobilizimin e vendasve me armatime, ndërsa vëllai, Jashari, pasi kishte përfunduar universitetin e mjekësisë së bashku me vëllain e vogël, Bekimin, filluan përgatitjet e para për strehimin e armatimit, si dhe kurset e ndihmës së parë për vajzat, pasi pritej të shtrihej lufta në Kosovë.

Fjalët domethënëse të babait Hysni

"Je i madh nëse bën për të tjerët, e jo për veten" - do të ishin këto fjalët domethënëse të babait Hysni, - nis kujtimet Jashari me një dhimbje që përpiqet ta fshehë, dhe brengën e Agimit për kujdesin prindëror, por edhe krenarinë që pati Agimi për të vëllanë mjek.

Për një tjetër dhunti familjare, atë të skulpturave të drurit, na rrëfen Qazimi

Shpirtin dhe vlerat e një krijuesi më së miri e shpjegojnë veprat e tij. Këtë e dëshmon jeta dhe vepra e Agim Ramadanit, (në çdo hap të jetës së përditshme) por edhe në poezi dhe pikturë.

Agim Ramadani la pas një vepër të madhe si dëshmi, se vepra të mëdha mund të krijojnë vetëm shpirtrat e mëdhenj. Ai ishte poet i imazhit dhe piktor i vargjeve poetike, ishte artist për nga ndjeshmëria dhe luftëtar për nga bindja. Ai është një personalitet emblematik, i cili u gjend mes dy idealeve të mëdha, artit dhe luftës. Agimi e ndjente dhe e përjetonte ngjyrën, e linte të rridhte çurg, siç rrjedh lumi, ëndrrat, idetë. Ngjyrat dhe tablotë e Agimit, shkrihen, përqafojnë, ledhatojnë njëra-tjetrën si akordet muzikore. I gjithë arti i tij është një ëndërr e papërfunduar, ëndërr e këputur në mes nga plumbat e armikut. Ekspozitat e para i pati në Zagreb në vitet '84, '85, '87. Suksesi i jashtëzakonshëm i ekspozitave i dha frymëzim që të vazhdojë më me zell. Më 1989 hapi ekspozitën në Çaplinë, pastaj një vit më vonë në Mostar, e ndërkohë mori pjesë në ekspozita kolektive në Kroaci dhe Slloveni e Zvicër.

Motra e madhe, Makfirja.

“-Sa herë kthehem në Zhegër, unë akoma shikoj nga porta dhe pres ardhjen e Agimit”, -fillon rrëfimin motra e madhe, Makfirja. Në familjen e Agim Ramadanit, pas ardhjes së lirisë vijnë edhe çastet e gëzimit dhe ripërtëritjes. Agimi i vogël, që mban dhe emrin e gjyshit Agim, së bashku me vëllanë, Kolosin, rriten të lirë me plot ëndrra të bukura fëmijërore. Oguri i bardhë që po priste dhe fliste Agimi kishte ardhur. Krismat e para, martirët e parë paralajmëronin se poeti, piktori dhe dashnori i lirisë do rrëmbente armët.

Opinione  krijuesish për heroin...

Poeti Visar Zhiti shkruan për Agimin:

Agim Ramadani, ky poet e luftëtar i madh lindi në muajin e dashurisë, më 1963 dhe vritet në prillin e trimërisë, si thotë populli, më 1999.

A është poeti profetizues? Cila është porosia e tij hyjnore? Çfarë komunikimi krijon ai me perëndinë, për ta sjellë mesazhin e tij në botë? Poeti që e parathotë atë që më vonë dhe do ta realizojë, është profet. A është liria maksimë pas së cilës gjithmonë ngarend poeti. Ai e ndjen dhe e parathotë, dhe si fund edhe e bën. Mbase këtu qëndron vlera e posedimit autentik poetik të Agim Ramadanit.

- Poet që e do jetën, botën, vendin - shkruan kritiku Ali Aliu. Dashuria që rrezaton vargjet e tij, është natyrë e lindur... Ajo është vetëdije, është vetë krijuesi, luftëtari, Njeriu...

- Përjetësia e harmonisë - e titullon shkrimin e tij gazetari Xhemail Mustafa...

- Ndërsa studiuesi dhe poeti Sali Bashota, në shkrimin "Një jetë tjetër, pastaj Pavdekësia" thekson se esenca e artit të poetit është shpirti njerëzor... dhe pavdekësia rri si imazh madhor, përgjithnjë në mes, për ta gjetur ekuilibrin e përjetësisë.

- Pavdekësia e solli në mes nesh - thotë poeti i madh Ali Podrimja... Ai tani i takon Pavdekësisë, dhe ky libër poezish, dhe të tjerë që do të vijnë, paralajmërojnë shkrimin e historisë sonë të re, se historinë e shkruajnë fituesit.... dhe një nga ata është Agim Ramadani... Pavdekësia e kthen prapë mes nesh.

Atdhetar dhe intelektual vizionar

Njeri më formim të shëndoshë intelektual, njerëzor, bashkëshort dhe baba i përkryer, mik besnik deri në shenjtëri për mikun. Njeri që aq shumë e deshi dhe adhuroi të bukurën, adhuroi jetën, përveç që krijonte poezi dhe pikturë, kishte pasion edhe për muzikën. Shpesh në çaste harmonie, miqësie dhe familjare shoqëronte atmosferën edhe me tingujt e telave të kitarës. Eleganca e tij e brendshme ishte në raport harmonik me pamjen e tij të jashtme. Agimi mbeti shëmbëlltyra më e mirë, ku motoja e tij individuale, se Atdheu është fryma e fundit, kombi është shenjtëri dhe liria virtyt, moto të cilën ai e respektoi dhe dëshmoi me gjakun e tij. Atdhetar deri në palcë, i dashuruar përjetësisht me lirinë dhe çështjen Kombëtare, projektues i shkuljes së gurit ndarës të kufirit si Agim Ramadani, kombi ynë nuk dihet se kur do të njohë sërish në kohërat që do të vijnë. Gjilani po pret në gjirin e vet djalin që i dha emër, meteorin që i solli dritën e lirisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora