Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Rexhep Shahu: Komandant Abdulla Shasivari me njësitin e tij shpartalluan pritën serbe

| E shtune, 25.07.2020, 06:28 PM |


KOMANDANT ABDULLA SHASIVARI ME NJËSITIN E TIJ SHPARTALLUAN PRITËN SERBE DHE HYNË NË KOSOVË PA HUMBJE JETE

(Fragment nga libri im në proces Lufta ime për Kosovën)

NGA REXHEP SHAHU

Abdulla Shasivarin, ushtarakun e lartë profesionist të Kosovës e njoha fizikisht në korrik 2020, ose 22 vjet pas luftës për Kosovën.

Kishte ardhë në UÇK në Kukës me 10 gusht 1998 te antenat e Radio Kukësit në Shtrezë, pasi kishte dezertuar nga ushtria e Maqedonisë ku kishte shërbyer gjatë si ushtarak kariere bashkë me 120 oficerë të tjerë shqiptarë dhe maqedonasit për këtë dezertim e kishin dënuar me 15 vjet burg në mungesë.

Pas pak ditësh ishte caktuar komandant i trupave të Kosovës në qendrën e stërvitjes në Kalimash të Kukësit për ngritjën e kësaj qendre dhe përgatitjen e efektivave për luftë.

U ndjeva në borxh me veten që nuk e kam takuar në kohën e luftës.

Emrin e tij ma kishte përmendur ushtaraku i lartë Ahmet Alishani që më kishte thënë se komandant Shasivari ka udhëhequr për në luftë trupat që ka stërvitë vetë me profesionalizëm dhe ka përgatitë njësit elitë.

Ishte i njohur por jo shumë i pohuar fakti se komandant Shasivari në krye të njësitit të tij kishte hyrë në luftë në Kosovë përmes Pashtrikut, duke u përleshë për jetë a vdekje me ushtarë serbë që i kishin ngritë pritë mes Lubizhdës e Kushninit në mesnatën mes 27 e 28 janarit 1999, pa humbur asnjë ushtar dhe duke i shkaktuar shumë humbje në jetë njerzore ushtrisë serbe.

Që nga beteja e ashpër disaorëshe e njësisë së Abdulla Shasivarit në Pashtrik në atë fund janari 1999, thonë se serbët nuk kanë ngritë kurrë më pritë në malin e Pashtrikut, andej ku në një farë mënyre ishte krijuar udha nga hynin për në luftë formacione të UÇK nga Shqipëria në Kosovë.

Ahmet Alishani, ushtaraku i lartë i Kosovës që qëndroi gjatë në Kukës dhe u familjarizua me vendasit më shumë se çdo ushtarak tjetër profesionist i Kosovës, fjalëpaktë, i buzëqeshur e përgjithësisht i heshtur, organizator nga natyra, që i bëntë punët pa u dukë se po punon, më tregoi se gjenerali Kudusi Lame me 20 nëntor 1998 i kishte dhënë 10 kamionë të divizionit për të dërguar trupat e Kosovës nga Kalimashi e Kolshi për në Babinë. Me 26 nëntor kanë shkuar makinat e divizionit prapë në Babinë të Tropojës dhe i kanë marrë trupat e i kanë sjellë deri përmbi Krumë të Hasit, nga ku rreth 150 ushtarë të Kosovës nën komandën e Sylë Kollçakut e zevendëskomandantit Blerim Kuçi kanë nisë marshimin luftarak përmes Pashtrikut në drejtim të Suharekës.

Ahmeti më tregoi se meraku i vetëm i gjeneral Lames kishte qenë që të bëhej me kujdes ky transport trupash të Kosovës që të mos merrej vesh nga monitorët e BE dhe të OSCE që ishin në Kukës.

Me 27 janar 1999 është futë në luftë njësia me komandant Abdulla Shazivarin. Këtu ma kishte ndërprerë rrëfimin Ahmet Alishani.

Ditët që qëndruam me trupat në Babinë u përdorën për të vazhduar edhe më shumë stërvitjet me njësinë time, më tregon komandant Abdulla Shasivari. Morali i trupave përgjithësisht ishte i lartë. Disa ushtarë shfaqnin padurim për të hyrë sa më parë në Kosovë në luftë. Ndonjë ushtar refuzonte stërvitjen.

Komandant Shasivari më tregoi për një ushtar që refuzonte stërvitjen, por donte të hynte në luftë. Mes tij dhe ushtarit pati përplasje, kundërshti, ngritje tonesh. Autoriteti i eprorit dhe komandantit diktoi mbi ushtarin.

Në luftë ke ardhë vullnetar dhe je vullnetar në UÇK, i thotë komandant Shasivari, por nga momenti që je kyç në UÇK duhet të zbatosh rregullat dhe disiplinën ushtarake ose ik, largohu. Këtu ka disiplinë luftarake... Ushtari refuzon, heziton, por i bindet urdhërit...

Në fund të janarit 1999 vjen urdhëri që të marshojë për në front të luftës në Kosovë edhe nësiti i komanduar nga eprori Abdulla Shasivari. 20 ushtarë të mirëstërvitur nga trupat e Kolshit e të Kalimashit dhe 20 civilë të ngarkuar me armatim për ta futur në Kosovë.

Nisen nga Babina me dy kamionë ushtrie.

Nehat Ibrahimi, zevendësi i komandant Shasivarit, duke udhëtuar, e prish heshtjen duke i thënë se kam parandjenjë se do të biem në pritë. Komandant Abdullai hesht.

Nehati ia përsërit më vonë prapë edhe dy herë të tjera se kam parandjenjën se do të biem në pritë serbe...

Komandant Abdullahi pak i mllefosur, i thotë, po mjaft o burrë se na kope, e di se kena me ra në pritë...

Plasi e qeshura e zorit dhe vazhduan udhën duke medituar secili.

Ishte përhapë dashje pa dashje panik ndër ushtarët që hynin në luftë në Kosovë. Kishin mbetë të vdekur në pritë serbe në Pashtrik 38 ushtarë të brigadës së udhëhequr nga komandant Mujë Krasniqi me 14 dhjetor 1998. Sepse nuk kishte mbetë kush pa e marrë vesh në Kukës e në Has se një brigadë e UÇK do të hyjë këto ditë në luftë në Kosovë përmes Pashtrikut.

Të gjithë u tregonin të gjithëve dhe serbët nuk e kishin të ndaluar të dëgjonin e ta mësonin një gjë që e thonin shumë njerëz ndoshta edhe nga mburrja e krenaria...

Nuk dalin ushtarët serbë në pritë pa pasë informata të sakta për marshimet e trupave të UÇK.

Tani nën komandën e Abdulla Shasivarit ky grup i organizuar që po hynin në Kosovë, ishin më pak si njësi dhe ushtarët ishin më të stërvitur.

Në orën 12 e pesë minuta të mesnatës të datës 28 janar 1999, ndërsa udhëtonin të lodhur e mezi çanin dëborën shpërthejnë me breshëri të befasishme armët e ushtarëve serbe që u kishin zënë pritë. Fillon një betejë e pamëshirë për jetë a vdekje. Të gjithë u tronditën nga fillimi i zjarrit nga serbët që ishin në pritë, por secili ushtar e kishte në mendje gjithë kohën se mund të binin  në pritë...

Nuk kishte rrugë të mesme, duhej luftuar, ikja nuk ia siguronte jetën askujt, veçse mund të fitoje ndonjë plumb armik pas shpine.

Komandant Abdulla Shasivari më thotë se e ruajta qetësinë, i thirra vetes të jem i qetë, të kthjellohem. Në nënvetëdijen e secilit prej nesh kishte jetuar frika e pritës serbe, frikë e cila ose të mobilizon e të forcon e ti bën më efiçente aftësitë, ose të rrëzon, demoralizon e të kthehet në ankth e të mpin.

Shpërndarjen dhe vendosjen e ushtarëve në marshim e kishte bërë në mënyrë profesionale dhe kjo po u shkaktonte probleme e huti serbëve që ishin vendosë në pritë. Serbët po i hutonte ajo vendosje taktikë e trupave në marshim që kishte përdorë komandant Shasivari.

Trupat e njësisë po marshonin në teritor të Kosovës, mes fshatrave të Lubizhdës e Kushninit. Serbët nuk e ndalnin zjarrin sidomos nga ana e sipërme e bjeshkës ku mendonin se kishin epërsinë.

Zhvillohet një shkëmbim i ashpër zjarri. Komandant Shasivari, pas disa kohësh që shkëmbyen zjarr të dendur armësh me serbët, u thotë ushtarëve të tij që të godisnin me zjarr të përqëndruar aty në atë pikë ku ai do të gjuante me fishek ndiçues. Dhe ashtu ndodhi. Edhe nata filloi te çesë flakë nga zjarri i përqëndruar i armëve.

Ishte mesnatë e ftohtë me tu ngjitë dora në hekur e dru.

Aty ku komandant Shasivari gjuante me fishek ndriçues, aty në atë pikë ushtarët e tij bënin batërdi me përqëndrim zjarri dhe u shkaktonin humbje të sigurta e të njëpasnjëshme serbëve. Kjo solli një hutim e shpërqëndrim tek serbët të cilët pas pak kohësh filluan ta shtojnë e zgjerojnë zjarrin e armëve.

Qerdhja e zjarrit shfarosës serb ishte një mitraloz që nuk lodhej e nuk pushonte duke vjellë plumba me breshëri në gjithë drejtimet nga mendohej se ishin ushtarët e UÇK. Mitralieri serb me grupin ishte i fshehur e i mbështeur pas një lisi të madh të cilit nuk i bënin asgjë plumbat e ushtarëve të UÇK.

Komandant Abdulla Shasivari nuk sheh rrugë tjetër për asgjësimin e asaj vatre zjarri që po i rrezikonte trupat e tij dhe vë në përdorim antitankun “Osa”. Godet në shenjë dhe për disa minuta jehona e zhurmave e kërcitjeve  që bëri lisi që u këput nga predha e antitankut e duke u rrëzuar, mbuloi e heshti çdo zhurmë tjetër armësh. Këputja e rrëzimi i lisit nga predha e antitankut, zhurmat që bëri duke kërcitur tek rrëzohej, shkaktoi panik e huti të madhe tek serbët që nuk e përfytyronin një gjë të tillë.

Mitralozi serb u hesht përgjithmonë.

U vu qetësi për pak çaste. Zjarri i serbëve po mekej. Duket kishin mbetë të vrarë shumë ushtarë serbë mbi borën e bardhë të Pashtrikut.

Ndërsa beteja zhvillohej e rreptë në Pashtrik, nga rajoni i Rogovës së Hasit, komandant Drini (Ekrem Rexha) i Zonës Operative të Pashtrikut dhe komandanti i brigadës 132 Nexhmedin Kastrati vështronin dritat e predhave dhe e shihnin shkëmbimn e zjarrit mes ushtarëve të komandant Abdulla Shasivarit  dhe serbëve.

Komandant Drini dhe Nexhmedini diskutonin mes tyre me ankth. Komandant Drini i thotë një moment me trishtim Nexhmedinit se Dulla mbaroi.

Por Nexhmedini, që ia ka treguar Dullës këtë ndodhi më vonë, e shihte dhe analizonte ndryshe betejën nga larg. Ai duke analizuar shkëmbimin e zjarrit, duke parë se në pjesën e poshtme zjarri ishte më i fortë e i shpeshtë kurse nga sipër vinte më i dobët e i rrallë, kupton e beson se komandant Dulla me njësinë e tij është duke luftuar me sukses dhe është në epërsi zjarri. Nexhmedini mendonte për intervenimin e disa grupeve të tjera për ti dobësuar e çorientuar serbët, për t’u hapë fronte të tjera. Por nuk premtoi koha. Komandant Abdulla Shasivari me trupat e tij marshuan pa pësuar asnjë humbje njerzore dhe duke u shkaktuar shumë humbje në ushtarë serbëve. Komandant Nexhmedini që e kishte ndjekë nga larg betejën bashkë me komandant Drinin, kur e takon e quan luan komandant Dullën.

Ishte natë e ftohtë, shumë e ftohtë janari, data 28. Viti 1999.

Pasi kishin udhëtuar nëpër borë e akull nëpër malin e Pashtrikut, pasi ishin përleshë me serbët natën e zezë te 27 e 28 janarit 1999, kur zbresin me kalue Drinin e Bardhë në Rogovë, ushtari që refuzonte stërvitjen dhe bëri sherr me komandant Shasivarin në Babinë, i del para në breg të Drinit të Bardhë, e kap për krahu komandantin, e ndalon dhe i thotë, jo komandant, nuk do ta kalosh ti Drinin i pari, do ta kaloj unë dhe ne të tjerët, ti do të rrish në mes nesh se po të mos ishe ti... ne nuk e dimë a do të ishim gjallë e a do të mbërrinim këtu me hy gjallë në Kosovë... Gjest i rrallë, emocione të forta lufte.

Komandant Abdulla Shasivari që ishte kyç në UÇK me 10 gusht 1998, kur ka ardhë në Shtrezë të Kukësit, tek antena e Radio Kukësit fillimisht, që pas pak ditësh ishte caktuar komandant në Kalimash për ngritjen e repartit të stërvitjes, i emëruar nga Ministri i mbrojtjes Ahmet Krasniqi, të cilin e kishte pritë në zyrë pak ditë para vrasjes së tij dhe i kishte paraqitë forcën në revistë ministrit Krasniqi, që pati bashkëpunim të mirë më gjeneral Kudusi Lamen, komandant i Divizionit të Kukësit, të cilit një mesnatë në zyrë të gjeneralit, në prani të komandantit të qendrës stërvitore të Kolshit, Fuat Ramiqi, i raporton duke i thënë se 160 trupat e përgatitura në qendrën e stërvitjes në Kalimash që janë në gadishmëri për të hyrë në luftë në Kosovë, që nga ky moment janë nën komandën tënde...

Komandant Abdulla Shasivari hyri me sukses në luftë në Kosovë me njësinë e tij duke shpartalluar pritën serbe pa humbë asnjë jetë ushtari.

Komandant Abdulla Shasivari është një ushtarak profesionist me karierë të gjatë. Gjimnazin ushtarak dhe Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë e kishte kryer në Beograd, ndërsa specializimin e kreu në Sarajevë. Në Armatën e ish Jugosllavisë ka sherbye nga viti 1981-1987 në Zagreb, nga 1987-1989 në Petrinje dhe nga viti 1989-1998 ka shërbyer në Kumanovë në Armatën e Maqedonisë deri në korrik të vitit 1998 kur dezertoi nga ushtria maqedonase dhe u rrjeshtua në radhët e UÇK.

Pas hyrjes në Kosovë me 28 janar 1999, deri në çlirim ka shërbyer si drejtues ushtarak në Zonën operative të Pashtrikut e të Karadakut.

Pas luftës ka shërbyer si epror në TMK dhe si këshlltar i Ministrit të FSK.