E premte, 19.04.2024, 04:31 PM (GMT+1)

Mendime

Korab Kraja: E shumë përfolura ''Xhamia Qendrore e Prishtinës''

E shtune, 25.07.2020, 06:20 PM


E SHUMËPËRFOLURA “XHAMIA QENDRORE E PRISHTINËS”

NGA KORAB KRAJA

Foli, e kush nuk foli. Foli hoxha, qytetari i thjeshtë, ai i përbërë, profesionisti i ndryshëm, qeveritari, si dhe arkitekti. Tha, e çka nuk tha. Tha hoxha, qytetari i thjeshtë, ai i përbërë, profesionisti i ndryshëm, qeveritari, si dhe arkitekti.

Do të ishte e kuptueshme sikur një situatë e tillë, që po e jetojmë sot, të ndodhte para rreth 100 viteve, 120, 150 a më shumë;

- sepse, në ato kohëra ishim të sunduar nga perandoria, prej së cilës shumëkush varej, kishte përfitime e të ardhura;

- sepse, në ato kohëra, ndikimi politik i perandorisë, siç po kanë dëshirë disa ta quajnë “tolerante”, “të mirëkuptueshme”, madje-madje dikujt i ka krisur mendja e thotë se ne paskemi “bashkëqeverisur” me të!, do të ishte e pamundur që mos t’i ketë lëshuar rrënjët në psikikën e dikujt atëherë;

- sepse, në ato kohëra, herë të mira, e sa të mira, aq dhe të këqija, e shpeshherë të mjerueshme, disa individë të caktuar, apo grup njerëzish do t’i ngulitej në kokë “bashkëqeverisja” dhe “mirëkuptimi” i “Hijes së Zotit mbi Tokë”, dhe do t’i ngulitet aq fort sa do e sheh të pamundur jetën pa të, nuk do ta sheh fundin e saj dhe as nuk do ta besojë shpartallimin e saj;

- sepse, në ato kohëra, edhe pas shpalljes së pavarësisë kombëtare të shqiptarëve, ndonjë injoranti do t’i krisë mendja, e do ta djegë e flakë tutje flamurin kombëtar, e do ta valvisë vrullshëm, e do ta valvisë vullnetshëm, e sytë do t’i flakërojnë duke e shikuar se si po e valvitë vrullshëm e vullnetshëm flamurin e perandorisë “të skajpërskajshme e të pafundme”, duke injoruar kështu, shtetin e sapoformuar shqiptar, dhe duke bërë thirrje për kthimin e perandorisë, me lutje “dum babën”!

Dhe, këta që e donin babën aq fort, për çudi, do t’i lëshojnë rrënjët e tyre, të cilat do të kalojnë dekada të tëra pa u kalbur, të cilat do t’i mbijetojnë edhe egërsisë kundërfetare dhe do të mbërrijnë tek ne sot, në shekullin XXI, pas 100 vjetëve. Dhe, sot, kujtimi i perandorisë dhe “të mirat” e saj, do të kujtohen përmallshëm nga disa, (jo kohanik të saj!) që po t’i pyesje, do ta rikthenin sundimin e saj përsëri, e ndoshta edhe më egër! Apo ndoshta nuk po rikthehet me një formë e mënyrë të re?!

Kjo, t’i themi përkulje, ndaj interesave kundërkombëtare, do të reflektojë edhe te projekti i xhamisë që do të fillojë ndërtimin e saj në qendër të Prishtinës, që do të quhet si Xhamia Qendrore e Prishtinës. Kjo xhami qendrore, do t’i ngjasojë, kryekëput xhamive të kohërave të lartëmadhërive perandorake, sepse vetëm ashtu, me përmbajtjen e saj vëllimore dhe shprehjen e saj arkitekturore, do mund ta shprehim më mirë e më qartë mallin e perandorisë e dashurinë ndaj Turqisë. Vetëm kështu, ne mund ta tregojmë, sipas disave, identitetin tonë! Po çfarë identiteti? Identitetin e Perandorisë Osmane mesjetare të shekujve XV-XX? Sikur neve shqiptarëve po na kapka ai identitet dhe po identifikohkemi me të kaluarën e imponuar!

Ajo arkitekturë e asaj xhamie ka marrur fund. Njëherë e përgjithmonë! Ajo i përket të kaluarës dhe xhamitë e tilla- të ndërtuara në atë të kaluar- shprehin vlera arkitektonike, shpirtërore, kulturore e historike. Ndërtimi i xhamive të tilla sot, me atë arkitekturë, konsiderohet kiç.

Dhe do të konsiderohet kiç, sepse do të jetë kopje e keqe, kopje e pavend, strukturë pa shije e ndërtuar në vend të gabuar, të cilës i është huqur koha. Ndërtimeve të tilla iu ka kaluar koha dhe me ndërtime të tilla nuk mund të bëhet një vend më i bukur se ç’është; me ndërtime të tilla, nuk mund t’ia ndryshojmë historinë një vendi, siç u munduan ta bëjnë me Shkupin; kot e kanë ata, të cilët mendojnë se, me ndërtime të tilla mund ta sjellin ndikimin e dashurisë ndaj sulltanateve. Kjo te ne nuk ka pirë, as nuk do të pijë ujë.

Të gjitha projekt-propozimet, ishin më të mira dhe estetikisht më të bukura se “xhamia mesjetare”, sado ndër to mund të identifikohej ndonjë aty-këtu si kiç a shund i pasur; të gjitha, përpos kësaj të fundit- e cila ka fituar gjithë atë konkurs ndërkombëtar- do t’i shërbenin kulturës, traditës, fesë përkatëse dhe historisë sonë. Përpos të gjithave, realizimi i një projekti nga një arkitekt me famë botërore, do të nënkuptonte turizëm nga e tërë bota, shpenzime nga ta tek ne dhe krenari për ne. Sepse, ndërtesat e arkitektëve të famshëm vizitohen çdo ditë nga komuniteti i arkitektëve, por edhe grupet tjera profesioniste, marrin rrugë nga fundi i botës që të shkojnë ta vizitojnë ndërtesën e arkitektit botëror. Kështu ndodhë në botë dhe kështu, tek e fundit, do mund të ndodh edhe tek ne, këtu në Prishtinë. Ndërsa, ndërtimi i një strukture të tillë, me arkitekturë ashtu të shpërfaqur është fyerje e inteligjencës kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, ndërsa komunitetit të arkitektëve në veçanti.

Por, megjithatë, hoxha e tha fjalën e tij, ashtu siç e tha edhe dikush tjetër si qytetar i thjeshtë a i përbërë, qoftë profesionist tjetër a qeveritar që vetëm nënshkruan, po kështu njëjtë, do ta japë mendimin e tij, edhe profesionisti, i cili do duhej të ishte në këtë rast kritiku më i madh, arkitekti. Edhe ata, të cilët gjatë studimeve të arkitekturës do t’i përkulen përgjunjshëm arkitekturës së Zaha Hadid dhe arkitekturës bashkëkohore, kësaj radhe, për shkak të ndonjë studimi a vizite të shkurtër gjatë kohës së fundit në Stamboll, do kthehet ashpër kundër idhujve bashkëkohorë të së kaluares së afërt. Zëri i tyre, iu bashkua interesave të përbashkëta shkurtpamëse- mjerisht, por për fat të mirë- jo të gjithë mendojnë njëjtë! Disa nga profesorët e Fakultetit të Arkitekurës, e treguan qartë dhe bindshëm, me të dhëna profesionale, etike dhe morale, qëndrimin e tyre ndaj projektit që është nisur të ndërtohet.

Pyetjet provokuese të shtruara, herë qëllimshëm dhe herë pavetdijshëm, rreth “ndërtimit a mos ndërtimit të xhamisë” bëjnë kështu një përçarje të re brenda popullit. Disa qëllimshëm e disa pavetdijshëm, i shmangen debatit kritik rreth stilit arkitektonik dhe funksional, në të vërtetë se “a do duhej, apo nuk do duhej të ndërtohej një ndërtesë e shekujve të kaluar në kohën e sotme?” Më në fund, siç e ka thënë qartë arkitekti i njohur botëror, Le Corbusier, të formuluar në vitin 1933, ndërsa të publikuar në Kartën e Athinës, më 1943: “Praktika e përdorimit të stileve të së kaluares me pretekste estetike për strukturat e reja të ngritura në zonat historike ka pasoja të dëmshme. As vazhdimi i praktikave të tilla as futja e iniciativave të tilla nuk do të tolerohet në asnjë formë... Metoda të tilla janë në kundërshtim me mësimet e mëdha të historisë. Asnjëherë nuk është bërë një rikthim në të kaluarën, asnjëherë njeriu nuk i ka rikthyer hapat e tij. Të imitojmë të kaluarën është të dënojmë veten për mashtrim, të vendosim ‘gënjeshtrën’ si parim, meqenëse kushtet e punës së kohëve të mëparshme nuk mund të krijohen dhe aplikimi i teknikave moderne në një ideal të vjetëruar, nuk mund të çojë kurrë në ndonjë gjë tjetër, veçse në një ngjasim të liruar nga tërë vitaliteti”.

Prandaj, ndërtesa e re e xhamisë që po planifikohet të ndërtohet është mashtrim i të sotmes dhe mashtrim ndaj të ardhmes. Sado e madhe që mund të jetë ndërtesa e xhamisë, kurrë nuk do mund t’ia kalojë vlerave arkitektonike e estetike xhamive historike në kryeqytet; sado të larta e të shumta që mund t’i ketë minaretë e saj, kurrë nuk do mund t’ia kalojë vlerave shpirtërore të xhamive historike në kryeqytet. Sado të vogla dhe të vjetra të jenë ato, një gjë është e ditur, se vlerën morale dhe strukturore do ta kenë më të madhe se struktura gjigante e kopjuar dobët nga ish qendrat perandorake pushtuese!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora