E marte, 23.04.2024, 05:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjergj Jozef Kola: Elvi Sidheri - Erdha, Pashë, Dashurova

E premte, 24.07.2020, 08:35 PM


Romani shqiptar: Veni, vidi, vici… & Romani ERDHA, PASHË, DASHUROVA– i Autorit Elvi Sidheri

Nga Gjergj Jozef Kola

1.

Me shkrue nji roman asht njilloj si me hapë nji minierë me nji fryme e me i dalë malit direkt e në zemër, ku ndodhet minerali i çmuem.

Unë lexoj shumë romane, zakonisht pdf-romane dhe si gjithkujt më mjaftojnë 4 fletët e para me i klasifikue në dy grupet e mëdha:

1. Romani autobigrafik, apo siç quhet në perëndim, romani autoterapi, ku autori megjithë vullnetin e mirë nuk ia del me kapërceye vedin e me shkrue për të gjithë e me u ba shkrimtar.

2. Romani i tavernës, ku autori si në nji tavernë para gotës së uzos e rakisë kallxon nji histori të ndigjueme apo edhe të jetueme e nuk ndalet as para rregullave të rrëfimit e as para formës.

Për të dyja vlen: STILI nuk asht i pranishëm.

Pa stil porse, nuk ka roman, nuk ka vepër letrare, libri i tillë asht si nji erë që shkon e rreh në nji breg deti e nuk ndërton kurgja, as edhe nji kështjellë prej rane, në të kundërtën e romanit të vërtetë që ndërton kështjella prej shkambijsh në brigjet e detit.

Anipse libra të tillë shpallen nga estabalishmenti postkomunist ndoshta edhe libra të vitit, fitojnë çmime, porse me letërsinë nuk kanë asgja të përbashkët e kjo asht nji nga arësyet që në atdheun tonë kërkush nuk lexon, sepse promovohet tallavaja…

Me shkrue nji roman do me thanë me kalue nji ditë të tanë në kërkim të nji metafore, të nji çilësi që hapë derën magjike dhe e len lumin me rrjedhë deri në detin e pafund.

Prandaj kur miku im Elvi Sidheri më nisi  romanin e tij në pdf unë u gëzova shumë, sepse Elvi nuk ban pjesë në dy grupet e mëdha të „selfie-romancierve“ shqiptarë.

Elvi i rritun me toskërishten e ëmbël, shkruen edhe nji standart të lezetshëm e të rrjedhshëm, ndryshe nga shumë pseudoautorë GEGË, që as nuk e dijnë nga i bjen me shpi toskërishtja e megjithatë guxojnë e shkrujnë në standart, në kët vazhdim të toskërishtes. Prandaj personazhet e Elvit janë shumë reale e të prekshëm, ndryshe nga të autorëve gegë, personazhet e të cilëve flasin nji dialekt, atë toskë të standartit, qe as nuk e kanë folë apo ndi në jetën e tyne dhe bahen natyrisht qesharakë.

Megjithse une nuk e shkruej as standartin e as toskërishten, më pëlqen ma shumë stili dhe gjuha e Elvit se sa e te gjithë atyne te „denatyrshmëve“ gegë që shkruejnë ndryshe nga cka ndjejnë.

Unë mendoj se kjo asht edhe aftësija e natyrshme e romaneve të Elvi Sidherit, sepse ai shkruen në nji gjuhë që e ka përzemër, që asht rritë me të, me standartin, si vazhdues i toskërishtes, e kjo i ka dhanë forcën me ikë prej dy kurthave ku bien të gjithë autorët shqiptare: letërsisë autoterapi dhe letërsisë së tavernës, shkurt letërsisë pa stil.

FORTI FORTUNAS ADIVVAT thonë latinët dhe Elvi Sidheri e ka tanë fatin e njeriut të zellshëm. Ai asht nji bletë punëtore që shkruen e përkthen pafund tue ndërtue kosheren e vet origjinale.

Romani, Erdha, Pashe, Dashurova, ka nji stil të rrjedhshëm e tipik për Elvin. Ky roman vërteton se romani i ri shqiptar asht „romani i dashunise“. Mbas romaneve patriotiko-emancipues të gjysës së parë të shekullit XX, romaneve realsocialiste të idelologjisë komuniste të gjysës së dytë të shekullit XX, romani shqiptar i demokracisë asht nji roman dashunijet.  Romani i dashunisë asht edhe ma i vështiri nga të gjithë sepse këtu duhet mjeshtri dhe stil më dalë nga „romani terapeutik“ dhe nga „romani i tavernës“. Romanet e dashunisë shkruhen me nji frymë, si vetë dashunia e vërtetë, e madhe e bukur që jetohet me nji frymë…

2.

Ngjarja të mbërthen që në fillim e të ndjek deri në fund të saj, saqë aty këtu ke dëshirën të jesh vetë heroina e romanit. Rrugët e Tel Avivit si në nji film 007 mbushen papritmas me dashuni, flirt dhe muzikë.

Me shkrue nji roman duhet kulturë dhe Elvi e ka këtë sepse ka shëtitë botën me kureshtjen e njeriut që do të mësojë gjithçka. Romani si vetë autori përfaqson kulturën Epiro-shqiptare në mënyrë dinjitoze dhe asht nji pasunim i saj.

Për këtë Elvi Sidheri asht nji autor i besueshëm, real, i prekshëm, i vërtetë, i dashtun dhe autentik: Personazhet e tij nuk kanë emna ideologjike, porse emna epiro - shqiptar, toskë, duke u ba edhe perfaqsuesi me dinjitoz i letërsisë së jugut. Bukuria e letrave latino-amerikane, amerikano-jugore ka ndikue padyshim në formimin e frymës origjinale të stilit të Elvit…

Martesa e Yllit dhe Artemisës nuk solli fëmije, megjithse Ylli ishte steril dhe gjatë gjithë martesës dënonte Artemisën si sterile, nji simbol ky gjigand për mbarë kombin shqiptar, ku dikatura osmano-komuniste ishte sterilja e këtij kombi, nga e cila nuk lindi asnji fëmijë i shëndoshë, vetëm monstra.

Ylli, ky osmano-komunist nga Gjinokastra asht gjithnji arrogant e fodull ndaj Artemises, porse i vogel dhe gati i padukshëm ndaj punëdhënësve drejtues…përballë tij qëndron nji dashuni vetmohuese, si ajo e Nanës Kostanca dhe bijës Artemisa.

Prej Autorit lexuesi mëson se në Qipro ka edhe elemente arbnore të shek. 13 e unë mendoj se do ishte me vend të përdorej fjala Albanoi e jo shqiptar për me ruejtë koloritin historik. (Në aspektin gjuhësor fjala „shqiptar“ nuk ka asgja të përbashkët me fjalën arbnor, megjithse asht e njëjta gja.)

Romani nga fillimi deri në fund asht nji histori e gjallë e prekun me dorë dhe vetë rryma treguese ala Gabriel Garcia Marques të rrëmben me vedi e nuk të lë të qetë derisa ta përfundosh.

(Sikur kultura e gjanë e Autorit në historinë e Tel Avivi-t, Qipros, Maltës të ishte vendosë në mënyre ma të kujdeshme në shërbim të fabulës së dy dashnoreve të romanit do i kishte dhanë romanit nji naltësi të paprekshme nga çdo kritikë…)

Se si ka me perfundue dashunia apasionale e shqiptares së djegun nga jeta nën diktaturë, Artemisës dhe qipriotit Achileas të djegun nga mungesa e fatit të mirë emocional, dashuni kjo e lindun në vendin e shejtë te Izraelit, e përplasun në Tiranën e viteve të dhimshme e absurde 1997-98 do ta mësoni mbasi të lexoni romanin e Elvi Sidherit. Shumë nga lexuesit do të befasohen, siç u befasova edhe unë, porse njiherësh u gëzova sepse u vërtetue ajo që kam kërkue e gjetë gjithnji në këto 30 vjet të demokracisë shqiptare:

Romani i ri shqiptar asht nji roman dashunijet.

Tashma kapaku i randë i vorrit të realsocializmit ala-agollian asht thërmue me kohë dhe romani i dashunisë po ngadhënjen në nji ringjallje thellësisht shqiptare.

3.

Fati i Qipros dhe i Shqipnisë së jugut asht i ngjashëm, porse fatlumësisht shqiptarët janë kallxue ma dinjitoz ndaj historisë. Kështu Qiproja dikur ortodokse u nda sot në dy pjesë, atë islame proturke dhe ortodokse progreke. Në luftën e parë e provuen edhe shqiptaret me Haxhi Qamilin me thirrë nji provincë islamo-turke që do perfshinte Shqipninë e Jugut porse dështuen se gjithë kombi u ba bashkë kundra tyne, derisa e varën Haxhiun në mes të Elbasanit.

Mesazhi i romanit asht thellësisht i kjartë: shqiptarët nuk kanë asgja ma të shejtë e ma të shtrejtë se unitetin kombëtar e për kët ata e vendosin kombin mbi fenë.

Këtu qëndron edhe forca e romanit: Elvi Sidheri nuk kap tema dhe personazhe që kërkojnë me zgjidhë punët e njerzimit, sepse njerzimi ka për këtë autorët e vet, Elvi kërkon me anë të një dashunie me hjedh dritën në skutat ma të errëta të shpirtit të kombit shqiptar. Natyrisht pjesa ma e errët e kësaj vetëdije janë plagët e dikaturës komuniste, më kriminales në botë, të cilën heroina e thërret aty këtu, me termin zbutës, „monizëm“.

Porse asht pikërisht kjo heroinë, Artemisa e cila me talentin e saj vokal i hapë vedit dyert e mbarë botës duke sjellë deri te lexuesi mesazhin e jashtzakonshëm: kombi shqiptar mbijeton vetëm me anë të artit kudo në botë.

Shkrimja e mitologjisë greke me kulturën kristiane në roman kërkon nji kulturë mjaft të gjanë të cilën autori e zotëron ma së miri dhe e shpreh në kët hymn per Mesdheun. Njiherësh romani asht edhe nji hymn për Korçën, qytetin ku takohet kultura bizantine dhe ajo shqiptare e merr nji kolorit origjinal, qe i ka mbijetue kohës derimësot.

Kur autori flet për Arbereshët dhe qendrat e tyne në Itali të Jugut, përdorë termin e përgjithshëm, RITI BIZANTIN, porse nuk flet per përkatësinë fetarë të arbëreshëve, katolike apo ortodoksë…

Me „Erdha, Pashë, Dashurova“ autori ka prekë nervin e kohës, me anë të tematikës kardinale të kombit nën prozhektorin e dashunisë, ai e ka dhanë nji panoramë të plotë të botës shqiptarë të mbas diktaturës, me të gjitha fantazmat e shkueme e me ato që vijnë. Kjo panoramë asht e dhanë me shumë dashuni dhe kulture.

Einsteini thoshte: Na nuk mund ta ndajmë të ardhmen prej të shkuemes, ato jetojnë të dyja ndër ne, në kohë dhe hapsinë.

Romani i Elvi Sidherit asht romani shqiptar që i ka te dyja kohët që pluskojnë fuqishëm, në të tashmen e pakryeme.

Gjergj Jozef Kola

Vjenë, korrik 2020.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora