E premte, 29.03.2024, 02:03 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Po më soset durimi - Me rastin e 95 vjetorit të lindjes së Martin Camajt

E enjte, 23.07.2020, 08:35 PM


PO MË SOSET DURIMI

Me rastin e 95- vjetorit të lindjes së Martin Camajt

Nga Frank Shkreli

Nuk e them këtë si një kërcënim ndaj vetes time dhe as ndokujt tjetër, por është një shprehje personale zemërimi dhe hidhërimi që del nga zemra, ndaj një gjëndjeje politike, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve sot, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit.  Sikurë lufta civile e 75 viteve më parë nuk ka marrë ende fund midis shqiptarëve.  Armiqtë e asaj lufte, an; e mban; Evrop;s, të gjithë kanë renë në paqë, por jo shqiptarët me njëri tjetrin.  Madje Shqipëria ka shpallur aleatë staregjikë ish-okupatorët, gjermanët dhe italianët, ndër të tjerë, por kurrë për jetë të jetës, nuk falen shqiptarët që ishin kundërshtarë të Enver Hoxhës dhe kundërshtarë të regjimit të tij komunist që u instalua me dhunë, me ndihmën e serbo-malazezëve në Shqipëri.

Vetëm zhgënjime nga të gjitha anët.  Në fushën politike, po se po, por edhe në fushën e kulturës dhe të mbrojtjes së interesave dhe identitetit kombëtar, si nga politika ashtu edhe nga entet e tjera shtetërore, përgjegjëse për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës, gjuhës, identitetit dhe historisë kombëtare në përgjithësi.  Ndonëse shqiptarët kurrë më parë nuk kanë pasur më shumë liri e të drejta se sot, shumë vërejtës thonë se punët s’kanë si shkojnë më keq, në shumë sfera të jetës, përfshir fushën kulturore në Shqipëri, Kosovë dhe kudo tjetër, anë e mbanë trojeve shqiptare në Balkkanin Përendimor.  Zhgënjimet janë shumë për tu numëruar, por gjithkush i di ato se shqiptarët i shohin dhe i përjetojnë çdo ditë, ndërkohë që durimi i shqiptarëve ndaj këtyre dukurive negative po shterret.  Jemi mësuar me zhgënjimet e klasës politike shqiptare në dy shtetet shqiptare gjatë 30-viteve të fundit, e që kryesisht rrjedhin nga konfliktet personale dhe partiake midis tyre.  Por, duket sikur e mbarë shoqëria shqiptare po përjeton një atmosferë të përhershme konfliktesh, përfshirë edhe jetën kulturore dhe sulmet ndaj personaliteteve të kulturës shqiptare, të gjallë e të vdekur.  Megjithëse nuk duhej të ekzistonte ndonjë arsye legjitime për konflikte e mosmarrveshje në fushën e kulturës, pasi ajo është diçka që të gjithë shqiptarët do të duhej të identifikoheshin me të, si dhe me personat që kanë zhvilluar atë kulturë gjatë shekujve, ka të tjerë të cilët duan të trillojnë akuza për të sulmuar personalitete të caktuara, “andej kufijve të botës njerëzore”, do të thoshte Martin Camaj.  Jo pajtimin, por konfliktin e ka si oksigjen shqiptari, pa të cilin nuk jetohet.

Në këtë 95-vjetor të lindjes së shkrimtarit dhe poetit Martin Camaj, (21 Korrik, 1925) nuk mund të mos përmendi edhe njëherë, pa dashur të ringjalli rishtas debatin, pasi nuk ia vlen, mbi, “studimin” e shëmtuar të Auron Tares, botuar kohët e fundit në portalin “Peisazhet e Fjalës”, në Nju Jork.  Kësaj rradhe unë nuk dua të merrem me atë “studim”, pasi i kam thënë dy tre fjalë, modestësisht, në debatin që pasoi botimin -- me mundësitë e mia të kufizuara.  Por, falenderës Zotit, studiues dhe personalitete të pendës dhe të kulturës shqiptare -- shumë më të aftë se unë dhe me një gjykim dhe vlerësim shumë më objektiv dhe më të balancuar se autori dhe botuesi i “studimit” mbi “poliagjentët” Ernest Koliqin dhe Martin Camajn -- e kanë thënë fjalën e vet me atë rast.

Të gjithë ne i kemi, jo vetëm të metat tona si njerëz të kësaj bote, por kemi edhe mëkatët tona, për ata që mund të bëjnë dallimin midis të mirës dhe të keqës.  Edhe Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kishin të metat e veta, për të cilat ata kanë folur dhe shkruar vet,publikisht dhe haptas, kur ishin gjallë.  Fatkeqësisht, në botën shqiptare, e keqja ka dominuar gjithmonë mbi të mirën.  Kjo është e qartë edhe sot!

Unë asnjëherë nuk kam venë në dyshim të drejtën e kujdo për të folur e shkruar lirisht, përfshirë edhe autorin dhe botuesin e “studimit” në fjalë, që të botojnë kritika ndaj këtyre dy kolosëve të letrave shqiptare.  Do të ishte një hipokrizi nga ana t’i mohoj dikujt lirinë e fjalës, pasi gjithë jetën time profesionale e kam kaluar në mbrojtje të fjalës së lirë, për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo.  Në fund të fundit, kjo na dallon ne që jetojmë në botën e lirë, ashtu siç dalloheshin, në kohën e tyre, edhe Koliqi e Camaj, si mbrojtës të lirisë së fjalës, në krahasim me ish-regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe me nostalgjikët e tij sot.  Një regjim i cili mbronte lirinë e fjalës për veten, por ua mohonte atë drejtë të gjithë tjerëve, duke ndëshkuar rëndë, deri me vdekje, të gjithë ata që përpiqeshin të ushtronin këtë të drejtë hyjnore, si një liri themelore e njeriut.

Ata që më njohin mirë, e dinë se nuk jam as arrogant as nuk përpiqem të ofendoj asnjë njeri me qëllim, përfshir edhe ata me të cilët nuk kam asgjë të përbashkët. Disa, madje mund të thonë se jam tepër i kujdesshëm për të mos ofenduar njeri, përfshir edhe ata që mund ta meritojnë një gjë të tillë.  Të tjerët, me të cilët kam bashkpunuar gjatë gjithë jetës, mund të thonë sa i durueshëm jam.

Por edhe të durueshmit si unë, e humbasin nganjëherë durimin, sidomos përball mos tolerancës dhe provokimeve qëllim-këqia.  Por, unë nuk dëshiroj që humbja e durimit të këthehet, eventualisht, në negativitet as urrejtje, sepse atëherë kam humbur veten dhe identitetin tim.  Por, më duket se kam arritur në një pikë ku shoh në vetvete shënja mos-durimi, që siç është shprehur me një rast, aktorja e Holivudit, Merill Streep, “Nuk kam më dëshirë të humb as edhe një minutë të vetme me gënjeshtarët dhe manipulatorët” e së vërtetës, me shpifjet, pandershmërinë dhe sulmet në baza ideologjike kundër njerëzve të mirë, ndërsa anashkalojnë dhe mohojnë me qëllim meritat e personaliteteve të njohura dhe kontribues të interesave, kulturës dhe historisë së Kombit shqiptare, siç janë Martin Camaj dhe Ernest Koliqi.  Për më tepër, gjithashtu, “Nuk dua t’i toleroj të diturit selektivë, as akademikët arrogantë,” ka thënë aktorja amerikane.  “Unë s’mund t’u përshtatem as përgojimeve”, është shprehur aktorja Streep.  Fjalë të urta nga një aktore e Holivudit – që, fatkeqësisht, tingëllojnë aq aktuale për atmosferën dhe diskursin real politik e kulturor edhe sot midis shqiptarëve, në të gjitha fushat e komunikimit dhe të jetës politike dhe kulturore.

Megjithëse unë e titullova këtë shkrim, “Po më soset durimi”, në kujtim të 75-vjetorit të lindjes së Martin Camaj, unë refuzoj të humb durimin, por refuoj të ruaj edhe shpresën se gjërat do bëhen më mirë.  Sepse besoj se çdo person, qoftë edhe ai më i keqi dhe më i djallëzuari, posedon diçka pozitive në veten e vet dhe si rrjedhim edhe çdo person do duhej të shikonte diçka pozitive në të tjerët.  Dhe së dyti, së bashku me Martin Camajn, unë nuk pranoj të humb as krenarinë e malësorit që e kemi të përbashkët me Martin Camajn, i cili rrjedh nga malet tona të veriut të Shqipërisë – as të heqim dorë nga krenaria që kemi për identitetin tonë dhe për atë copë tokë që e quajmë Shqipëri, megjithëse për 50-vjet na e kishte mbyllur derën.  Por, mbi të gjitha, së bashku me Martin Camajn, në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij, refuzoj të humbas shpresën time për një Shqipëri më të mirë e më të bashkuar duke thekësuar edhe shpresën që kishte ky shkrimtar e poet, ky malësor bujar dhe evropian erudit, për afrimin e shqiptarëve me njëri tjetrin, pa marrë parasysh dallimet politike dhe të tjera. “Ju jeni të mijtë dhe unë jam i juaji”, u ishte drejtuar ai të gjithë shqiptarëve pa dallim në një mesazh, një ditë a dy para se të ndahej nga kjo jetë.

http://www.zemrashqiptare.net/news/45384/frank-shkreli-martin-camaj-malesori-bujar.html

Unë nuk humb shpresën kurrë për asgjë, e sidomos për ditë më të mira për shqiptarët, pa marrë parsyshë dallimet që shkaktojnë konflikte midis tyre, si pasojë e komunizmit gjysëm shekullor, ku kundërshtari duhej të zhdukej ose të baltosej me çdo mjet e kusht.  Sepse besoj dhe shpresoj, siç besonte edhe Camaj, se shqiptarët, më në fund, do të dëgjojnë kushtrimin jo luftarak, por paqësor dhe jo hakmarrës të tij --"Avitu Njeri – Afrohuni Shqiptarë”, një thirrje kjo --“plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”, siç e ka cilësuar këtë apel të Camajt, bashk-atdhetari dhe bashkpuntori e tij i ngusht, Ernest Koliqi.  Besoj me gjithë shpresë, se megjithë trajtimi e tij të keq deri më tani,  apeli i Martin Camajt do të dëgjohet, në këtë 95-vjetor të lindjes, nga të gjithë shqiptarët e arsyeshëm dhe atdhedashës, me shpresë dhe me durim, se fisi i shqiptarit, përfundimisht, do të dali nga “palci i urrejtjes” ndaj njëri tjetrit, për të mirën e vet shqiptarëve sot dhe për hir të bashkimit të brezave të ardhëshëm të shqiptarëve, pa dallim.

http://www.zemrashqiptare.net/news/51078/frank-shkreli-nje-thirrje-nga-shkrimtari-i-lartesive-martin-camaj.html

Jo, jo nuk e humbi unë shpresën se -- fjalët e Martin Camajt për bashkim të shqiptarëve dhe për dashuri me njëri tjetrin -- do të përfillen më në fund, nga shqiptarët e sotëm dhe të nesërm, pa marrë parasysh se ka ende të tillë shqiptarë që duan ta njollosin e ndoshta në këtë 95-vjetor të lindjes edhe ta zhdukin në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve, me qëllim që porta e kulturës dhe letërsisë shqipe të vazhdojë të jetë e mbyllur për të.

Unë nuk e humbi shpresën -- megjithë përpjekjet aktuale të disave, në të kundërtë për të përhapur urrejtje ndaj njëri tjetrit – unë besoj thellësisht në pajtimin e shqiptarëve, sepse për 50-vjet komunizëm, Enver Hoxha u mundua që Martin Camajn, Ernest Koliqin dhe të tjerë, përfshir Gjergj Fishtën dhe Faik Konicën, t’i zhdukte nga historia, sa që u duk sikur do i groposte përfundimisht, por ja, nuk ia doli.  Kot e kanë edhe kundërshtarët e tyre sot, se as sot në 95-vjetorin e lindjes,  Martin Camajn nuk e prekë as nuk e njollosë, asnjë “studim”, as inat e shpifje!  As dosje, e falsifikime, as interpretime, sipas qejfit, të dosjeve të UDB-së së Beogradit ose Sigurimit të Shtetit të Enver Hoxhës.  Asnjë nga këto akuza nuk do të fundosin reputacionin e mirë as kontributet e tija të shkëlqyera historike, në mbështetje të interesave kombëtare dhe të gjuhës e kulturës së shqiptarëve.  Kontributi i tij do ndriçojë më shumë se kurrë, si qirinj, që sipas Naim Frashërit të madh, "natënë t'ua bënjë ditë" të gjithë shqiptarëve, pa dallim, madje edhe kundërshtarëve të tij, që dinë vetëm të fikin qirinjtë që bëjnë dritë edhe në terrin e tyre.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora